E enjte, 22.10.2020, 04:28 PM (GMT+1)

Komente

Sami Islami: Moda e kapuçave

E shtune, 17.10.2020, 08:04 AM


MODA E KAPUÇAVE…

Nga Sami Islami

Deri para Luftës së Kosovës dhe para “demokracisë” së Shqipërisë londineze,  edhe pse njerëzit magjistronin apo doktoronin këto ngjarje përfundonin pa ndonjë publicitet të madh. Mjaftonte që një komision  i caktuar i fakultetit  të jepte vendimin se ky apo ai kandidat ishte i denjë të merrte një titull akademik; që ishte diçka vërtetë meritore. Se për ata që kryenin thjesht një fakultet a shkollë të lartë, ishte diçka aq e rëndomtë sa nuk çonte fare peshë.

Dhe ja, kohë të reja dhe zakone të reja! Me “demokracinë”, u hap Shqipëria londineze, u çlirua Kosova! Iku kush iku dhe mbeti kush mbeti. Pas luftës në Kosovë erdhën ndërkombëtarët, për t’u treguar shqiptarëve, përveç tjerash, edhe  “kulturën” dhe të arriturat botërore! Në këto kontingjente (si pjesëtarë të UNMIK-ut) nuk munguan as ndërkombëtarë nga  Bangladeshi, Pakistani Afganistani, që kishin sjellë edhe pasta për dhëmbë dhe brusha për t’i “mësuar” shqiptarët (të Kosovës) se si t’i lanin dhëmbët!  Në vendin tonë hyri kuca dhe maca si thonë. Sepse u hap dera…

Shqiptarët e të dy anëve të kufirit; njëra pjesë e çliruar nga një sitem totalitar komunist , kurse pjesa tjetër nga sundimi serb, të etshëm për demokraci dhe për liri, nisën të hapin biznese ndër më të ndryshmet. Privatizimi filloi të lulëzonte më shumë se në asnjë vend tjetër!

Në mesin e këtyre bizneseve, u hapën kolegje, universitete private, kolegje këto që edhe sot e gjithë ditën veprojnë në Kosovë. U hapen aq, sa vetëm Kosova bëri më shumë universitete private se krejt Anglia! Mbinë universitetet dhe kolegjet si këpurdhat pas shiut, si thonë! Tani nxënësit e shkollave të mesme, posa diplomonin kishin mundësi për të “zgjedhur” kolegje ose universitete private sa të donin. Po ama me një kusht: duhej të kishin lekë se privatizimi këto i ka. Paguaje shkollën në daç të kesh “sukses”! Se pas kryerjes së këtyre kolegjeve a universiteteve, a do të mundnin të gjenin punë apo jo, ishte  çështje tjetër. Kolegjet dhe universitetet filluan të mbushen me studentë. Në rend të parë, në këto universitete  e kolegje u regjistruan dhe i “kryen”,  madje morën edhe tituj akademikë,  qeveritarët (ata që nuk kishin kryer asgjë para lufës, po tash u kishte ardhë uji në mulli, pse të mos shfrytëzohej ky rast?!), pastaj deputetët, pastaj fëmijët e qeveritarëve, biznesmenëve, e krejt në fund,  ndonjë studentë nga prindër me biznese të vogla…

Për dy-tri vitet e para të pas luftës Kosova u mbush me “doktora” e “magjistra”  të shkencave! Së pari “doktoruan”,  siç thamë,  ministrat (se atyre u  duhej t’i  kishin këta tituj, për të qenë të “denjë” të qëndronin   në pozita më të larta shtetërore dhe,  natyrisht,  të “dëshmonin” se ishin  edhe më të diturit !).…Pastaj “doktoruan” ose “magjistruan” gratë e disa  ministrave dhe të deputetëve.

A, mos të harrojmë të theksojmë , se qysh prej “përfundimit të studimeve” të gjeneratës së parë, në Kosovë hyri në “mode” edhe një lloj ceremonie, ku të gjithë studentët që i përfundonin studimet  kurorëzoheshin me kapuça (traditë e ardhur  nga perëndimi , sigurisht!). Dhe interesant se, që të gjithë që regjistroheshin në këto universitete private , të gjithë “i kryenin” pothuaj përnjëherë studimet! Ajo çka nuk mund të anashkalohej ishte periudha kohore. Këtu së paku nuk shkelej ligji, se për cilësi u pa puna!  Nuk ka ngecje këtu, se Kosova po përparon mirë! Sa hijeshi , kur i sheh gjithë këta “doktorë”, e “doktoresha” , “magjistër” , e “magjistresha” me kapuça ! Të lumtë ne që i kemi! Pa çka se nuk dihet se ç’kanë nën ata kapuça!

Nejse.

Me rëndësi është se ne po japim një “imazh” shumë të mirë botës me numrin e “intelektualëve”. Këta burra dhe gra pastaj , meqë janë “të kualifikuar”, mund të hyjnë në punë, madje pa konkurencë në poste më të larta të institucioneve shtetërore të Kosovës. Shpesh më ka rënë t’i dëgjoj disa deputetë e ministra të Kuvendit të Kosovës (në veçanti), të cilët “doktoruan” pas luftës në universitetet private ose edhe “shtërore”, që me gjuhën që flasin, e që sigurisht është edhe një lloj barometri  i ngritjeve intelektuale të këtyre “akademikëve”,  të bëjnë të vjellësh. Kultura e shprehjes së tyre nuk e kalon nivelin e një personi me  shkollë të mesme! Dhe kjo është ana e vërtetë e medaljes!

Po ama këta “doktoruan”! Këta kanë edhe fotografitë, si dëshmi që shpesh i botojnë edhe në media, pse jo edhe në rrjetet sociale, si në  fb, apo twitter  me kapuça katror në kokë që simboliozojnë njerëzit e “ngritur” . Në rangun pak më të “ulët” janë kolegjet. U hapën në gjithë Kosovën aq shumë “kolegje” sa që nuk e di kush të thotë saktë se sa janë. Edhe  këtu,  si në universitete, “kriteri” ishte sa kishe lekë dhe sa kishe “të njohur”. Nuk ka raste që dikush nga studentët të ketë përsëritur vitin!  Se edhe nëse ndonjë prej profesorëve do të ngulte këmbë për të mos e “kaluar”  ndonjë student, do të kishte efekte të dyanshme “negative”; pronari i biznesit nuk do ta lejonte, se do t’i rrezikohej atij  biznesi, me gjasë edhe profesorit rroga!

Këta studentë e studente, kur i sheh duke shkuar në universitete, a kolegje  fiton përshtypjen se janë duke shkuar  sa për ta kaluar kohën. Më rastisi një herë të jem para një kolegji në Prishtinë në kohën kur “studentët” shkonin në mësim dhe u befasova , se nuk pashë studentë me çanta. Pothuaj të gjithë shkonin me duar në xhepa! Derisa po qëndroja para kolegjit takoj një mik timin nga koha e studimeve tona, shumë vjet të para luftës. Dhe derisa po bisedonim për punën e studimeve, ai ma priti: “E kam një kusheri timin në këtë kolegj. Një ditë e mora me veturë dhe e solla deri këtu. Kur u ktheva vërejta se e kishte harruar një fletore me shenime në veturën time, të cilën,  s’erdhi me e marrë kurrë! Një ditë i shoh në internet se e gjithë gjenerata  e kusheririt tim kishte dilplomuar! Të gjithë kishin vu kapuça në kokë (djem e vajza). Edhe kusheriri im kishte vu kapuçin në kokë! Të gjithë i kishin “përfunduar”  studimet!”  Ky është realiteti i studimeve private edhe sot e gjithë ditën! Dhe më e keqja është se ata  nesër do të hyjnë  në vende të ndryshme të punës që kërkohet shumë përgjegjësi profesionale! Cilësi se jo mahi!

Ky “revolucioni” i kapuçave, në kohën e këtij tranzicioni të tejzgjatur, ka shumë të ngjarë që shpejt, si dëshmi për përfundimin  edhe të matures, pra shkollës së mesme, ( pse jo edhe të shkollës fillore!), të hyjnë në modë kapuçat. Askush nuk mund të na ndalojë të kënaqemi me “sukseset” tona! Edhe në qoftë se, sot për sot, për nga cilësia jemi në fund të pusit,  bile me kapuça  jemi të parët!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora