Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Ismailromani

| E shtune, 17.10.2020, 04:02 PM |


Ismailromani

Nga Edison Ypi

Ismailromani është një Katedrale qiellore e pa prekëshme dhe e pa shkatërrueshme si diamanti, e pa ndryshkshme dhe e pa vjetërueshme si ari.

Ismailromani është i ndërtuar me mure të qelqta, tjegulla kristali, sheshe të gjëra, parcela të blerta, portale gjigande, harqe madhështore, kupola me afreske, altar të praruar, këmbanë bronxi, kumbanare e lartë, ikona të trishta.

Ismailromani është një rrënqethje estetike e pashoqe më e bukur se e dobishme dhe më e dobishme se e bukur.

Ismailromani është pafundësisht i bukur dhe pambarimisht prekës. Totalisht koherent sa i përket zhvillimit të ngjarjeve. Përsosmërisht simetrik si i ndërtuar në kompjuter. Kryekrejt integral në pikëpamje të interaktivitetit të pjesëve, fakteve, dromcave, rrethanave.

Ismailromani është një konstruksion madhështor si një grataçiel. I përpiktë si një kronometër. Uluritës si një turbinë. Klithës si një sirenë.

Ismailromani është një galaktikë, yjtë e ndritshëm dhe qiejt e zymtë të së cilës nuk mund të vështrohen ndryshe veçse me sy të lagur.

Ismailromani është një yllnajë dhimbjesh dhe rënkimesh thurur në një mënyrë të pa parë, të pa dëgjuar, të pa filmuar, të pa shkruar, kurrë më parë.

Ismailromani arrin të pamundurën; Harmonizimin e përsosur të drithërimave estetike fiksionare me rrjedhën prozaike të jetës, duke e bërë fiksionin dhe realitetin të jenë gjithaq të besueshëm, sa njëri edhe tjetri, në një zëvendësim reciprok marramendës mes të dyve.

Ismailromani është shembull i përsosur i harmonisë kohë - hapësirë. I secilës veç e veç, dhe i të dyjave bashkë.

Ismailromani është një strukturë shprehëse e harmonisë së hapësirës, ku grimca dhe "e tëra" këmbehen, duke u bërë, her' "e tëra" grimcë, dhe her' grimca "e tërë".

Ismailromani është një dukuri eternale që u vlen njëlloj, atyre që ishin, këtyre që janë, të tjerëve që do jenë.

Ismailromani është një këmbanë e madhe mbi kumbanaren e lartë që dëgjohet larg. Ku veshët mezi dëgjojnë, sytë mezi shohin, shqisat janë mpirë, gjymtyrët janë ngathtësuar.

Ju që pasuroheni por nuk lumturoheni, ju që visheni por mbërdhifni, ju që çvisheni por djersisni, ju që flisni por s'dini çfarë thoni, ju që dëgjoni por s'kuptoni, ju që bëni shkolla dhe mbeteni trungje, ju që shkruani libra dhe ngaqë s'ju shiten i dhuroni, ju që shihni filma vrroma dhe lumturoheni, ju që udhëtoni por lirinë dot s'e shtoni, jeni të gjithë te Ismailromani.