E premte, 19.04.2024, 01:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilmi Leka: Realizmi i thekur i një prozatori

E enjte, 15.10.2020, 09:22 PM


REALIZMI I THEKUR I NJË PROZATORI

Rreth librit me tregime "TË JETË ANA" të autorit çermenikas Qazim D. SHEHU

NGA ILMI LEKA

Poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur, Qazim D. Shehu, me origjinë nga Çermenika e rrethit Librazhd, është një nga krijuesit më në zë e më të spikatur të kësaj treve me tradita të lashta e të reja patriotike e luftarake. Krijimtaria e tij e ka zanafillën para viteve '90- të të shekullit të kaluar në fushën e poezisë, duke ecur i sigurt, hap pas hapi dhe sot ai zë një vend të nderuar, jo vetëm në shkallë rrethi, por edhe më gjerë. Këtë e tregojnë më së miri dhjetë vëllimet me poezi, të botuara në shtypin e shkruar periodik e atë elektronik, të cilat janë pritur me interes nga lexuesit e shumtë të vendit tonë. Tashmë, pa diskutim, ai e ka krijuar individualitetin e tij krijues për talentin e origjinalitetin e padyshimtë si poet i afirmuar e me perspektivë, duke qenë gjithmonë vetvetja. Këto 10 - 15 vitet e fundit, krahas poezisë, Qazimi ka afirmuar përpjekjen për t'u konturuar edhe në fushën e prozës së mirëfilltë, në llojin e tregimit. Njëri nga ata është edhe vëllimi me tregime "Të jetë Ana" (2008). Ky vëllim përmban 17 tregime dhe "dëshmon se z. Shehu ka jetuar në periudhën historike të viteve të para dhe pas nëntëdhjetës, e jeton intensivisht atë si vëzhgues i hollë edhe kohën e sotme, plot ngjarje e trauma sociale dhe deformime të personalitetit njerëzor, nganjëherë edhe të humbjes së identitetit". (Qamil Alushi, gazeta "Nacional", 24 dhjetor 2017, fq. 15).

Mbi gjashtëdhjetë përqind e tregimeve u përkasin viteve të pasnëntëdhjetës, por autori na jep bukur ngjarje, personazhe, tipa të ndryshëm, detaje, të meta edhe të paraviteve '90- të, të cilat, në periudhën e ndryshimeve demokratike, jo vetëm nuk janë zhdukur, por marrin trajta e forma të reja, ndoshta edhe më të fëlliqura, për të cilat do të flasim edhe më poshtë.

Libri në fjalë, "Të jetë Ana", ka vlera të shumta, por ne do të përqëndrohemi tek më kryesoret:

1. Një ndër vlerat e veçoritë thelbësore të këtij libri, sipas mendimit tonë, është realizmi i thellë, përmbajtja thellësisht realiste, deri në detaje, paraqitja objektive e fakteve, të cilat janë produkt i vetë jetës së personazheve dhe të pozicionit kritik ndaj gjithçkaje që nuk pajtohet me vlerat njerëzore. Ai nuk e zbukuron aspak realitetin, por qëllon në shenjë, duke filtruar gjithçka e duke mbajtur qëndrim kritik ndaj së keqes, për të afirmuar të renë, progresiven, duke dhënë mesazhe të qarta e të gjithëpranuara. Notat realiste duken qartësisht kudo. P.sh. Në tregimet "Vorbullimë", "Drejtori i madh", "Pritja" etj. Tek i pari protagonisti shkon për të takuar përgjegjësin e ZA, se i kishte pushuar nga puna ish - mësuesin e tij të parë, por nuk e takon dot.

Në të dytin tregohet se shkolla ku ai punonte është në alarm, se do të vinte drejtori i madh i Arsimit, por ai erdhi deri tek lokali dhe hëngrën një drekë me drejtorin e vogël. Për çudi, të nesërmen nëndrejtori u kërkon mësuesve të paguajnë drekën, nga 5000 lekë të vjetra. (!). Në tregimin e tretë shkon në Ministri të Arsimit për të takuar shokun e tij. F. K për një hall personal dhe gënjehet nga z. Zalo, poet roje, i cili i thotë se ai nuk ndodhet aty, në zyrë etj.

"Kam një shije të hidhur në gojë, mendimet më vërtiten si grerëzat në një zgavër lisi; nga dritarja e klubit shoh turmën që rrotullohet, e lodhur nga pritja, e zhgënjyer, shpresëprerë. Ato ikën si nga një procesion, pasi kanë varrosur prapa hekurave të Zyrës Arsimore shpresën e tyre për drejtësi.", - shkruan autori. ("Të jetë Ana", fq. 13; "Vorbullimë").

Ky realizëm i thellë e përshkon nga fillimi në fund, sepse autori ngulmon fort për ta paraqitur njeriun gjithanshmërisht, siç është dhe siç duhet të jetë. U ka dhënë rëndësi nxjerrjes në pah të kushteve sociale, politike dhe ekonomike të periudhave që ngërthejnë tregimet; duke e bërë më të besueshme te lexuesi lëndën që ai paraqet. Çdo njeri që e lexon gjen në libër diçka nga vetja, pastrohet që të mund ta shohë veten të çliruar nga ngarkesat që e pengojnë për t'i dhënë vetes dritë tek njerëzit që e rrethojnë.

2. Në këtë libër ndihet kudo aroma e koloriti i vendlindjes, në çdo tregim mësojmë se autori e njeh mirë edhe jetën zakonore të zonës ku ka jetuar. Në to ndihet ajri i pastër e bukuritë e natyrës, shushurima e zajeve, cicërimat e zogjve, mjedisi malor, të cilat ia zgjojnë autorit kujtimet e fëmijërisë, e rikthejnë në imazhe dhe trille që të befasojnë, duke kujtuar me nostalgji gjithçka të bukur për vete e për të tjerët.

"Lumi rrëshqiste butë - butë, duke ecur ngadalë për t'u përplasur në dy gryka të ngushta, pak më tutje, të cilat unë i lija pas shpine. Sa herë isha larë në atë lumë, bashkë me Tanin! Táni notonte mirë. Më kujtohet sesi një herë u zhyt në një guvë të thellë të lumit për të kapur një peshk, por kapi një gjarpër uji... Lumi ishte fëmijëria jonë, me moskokëçarjet, aventurat, notin, dinamizmin e brishtë që platitej shpejt", - kujton autori me nostalgji në tregimin "Një rrugëtim"; fq 107.

3. Në mjaft tregime të librit ndihet humori i hollë e therës çermenikas, karakteristikë e dallueshme për zonën tonë. Finesa e humorit, kur personazhet dalin në pozicione të palakmueshme, e bëjnë rrëfimin më tërheqës e interesant, duke iu afruar mençurisë popullore të kësaj zone.

"Të pashë që dole nga Liqeni, me kë ishe? - e pyet shoqja e bangës.

- Me ty.

- Po unë isha në leksion.

- Unë të kisha në zemër"... i thotë personazhi Anës, shoqes studente, në tregimin "Të jetë Ana"; fq. 7.

Ose në tregimin "Dy në dorë" (fq.98), ku tregohet për një vajzë që sapo kishte mbaruar fakultetin e gjuhës e të letërsisë, me rezultate të shkëlqyera, vjen për të kërkuar punë në zyrat e arsimit.

Shefi rrudhi buzët kur pa në kërkesën e saj gabime të tmerrshme drejtshkrimore. Vetëm fjala unë, e shkruar tri herë, pa zanoren - ë – fundore, - thotë autori.

- Vetë e keni shkruar kërkesën? - pyeti shefi.

- Vetë, - tha vajza.

- Mos ua ka shkruar babai, nëna, apo...?

- Jo, jo, - tha vajza me lehtësi...

- Si e ka emrin drejtori, ju lutem? - pyeti vajza.

- Mitrush Kuteli, - tha shefi.

- Numrin e telefonit? Vajza nxori një bllok dhe shënoi emrin e nr. e telefonit.

Kur e telefonoi pas ca ditësh, i thotë:

- Jam ajo vajza për të cilën u ka folur deputeti Ndue:

- Alo, Mitrush Kuteli jeni?

- Jo.

- Po kush jeni ju?

- Lasgush Poradeci...

S'ka nevojë për koment. Epo, mirë ia bëri shefi. Të mbarosh Universitetin, mandej edhe me nota të shkëlqyera dhe të mos dish se çfarë ishin Kuteli apo Poradeci, hapu tokë e futu (!).

Pothuajse, çdo tregim përshkohet nga humori deri në sarkazmë ose nga një romuze të tipit çermenike, që shërbejnë për të goditur të metat e veset individuale të  njerëzve ose të një grupi njerëzish.

4. Një nga vlerat më të spikatura të librit është kurajo për të shkruar të vërtetën për çdo gjë që rrëfen e shkruan, edhe kur është fjala për problemet më delikate, siç janë ato të moralit e të nderit, të tradhëtisë bashkëshortore etj.

Autori i ka shkruar tregimet në të dyja periudhat dhe të vërtetën e ka pohuar hapur, duke përfituar nga e drejta për të qenë i lirë, për t'u mos u vetëcensuruar. Është mjaft e rëndësishme që të kuptohet se pena e pabindur e një krijuesi gjithnjë u bindet vetëm të vërtetave që ai i shikon vetë dhe i mendon. Në tregimin "Lavdërimi" autori tregon se si gratë e martuara dhe vajzat e reja bien viktimë e brigadierëve, manjatë të seksit, për pesë pikë ose për një vend më të lehtë pune, duke shitur nderin e dinjitetin e tyre. Kështu ndodh me Nepin, një grua rreth të dyzetave, apo me Argjentinën e sapomartuar, nusen më të bukur të fshatit.

"Kur e shikonte brigadier Hamdiun, atë njeri të shkurtër me hundë të madhe, habitej me vete sesi kishte mundur të shkonte me Nepin, e cila, vërtet ishte një grua mbi të dyzetat, por ende mbahej mirë, ndonëse bukuria e saj po i venitej" - nënvizon autori. ("Lavdërimi"; fq. 86). Këto janë fjalët e Tinës (Argjentinës), e cila më vonë bie vetë në grackën e brigadierit. Zoti Shehu shkon edhe më tutje. Dikush shkruan një letër anonime dhe e dërgon në komitetin e partisë. Pas disa ditësh, për ta verifikuar, ia behu një përfaqësues i këtij organi. Por, kur e pa Tinën, u mahnit nga bukuria e saj. Si përfundim, brigadierin e çuan në brigadën e ndërtimit si punëtor, Tinën e çuan në kurs rinie. Mesazhi është i qartë: jo vetëm baza, por edhe organet qëndrore ishin të degjeneruara moralisht.

Kështu ndodh edhe në tregimin "Kartëmonedha" (fq.73), kështu ndodh me drejtorin e shkollës etj. Po pse nuk ndodh edhe sot kjo dukuri e fëlliqur me vajzat e reja, për një privilegj, ose për një vend të rehatshëm pune?!

Kjo dukuri e ky ves i shëmtuar nuk ka asgjë të përbashkët me dashurinë e vërtetë, atë ndjenjë fisnike e të pastër, për të cilën flet autori në këtë libër.

Autori shkruan: "Përgjithësisht, kam një dobësi për femrat si qenie të pambrojtura, të cilat mashtrohen fare kollaj nga fjalët premtuese të meshkujve delirantë dhe epshi i tyre". ("Mjekërroshi"; fq. 52).

Pa përmendur këtu ato më të fëlliqurat e antinjerëzore, siç janë ngacmimet seksuale e marrëdhëniet intime brenda fisit, aq më keq, brenda familjes, të cilat po shtohen fatkeqësisht vitet e fundit.

5. Në shoqërinë e sotme autori përmend edhe disa fenomene absurde, si në tregimin "Një rrugëtim", ku, Tani, një shok i tij i fëmijërisë, kishte paguar pesëqind dollarë "për të vdekur" përkohësisht. (!) Ai shkrim u duhej dy vëllezërve në Angli për të marrë statusin e azilantit politik. (!) (fq. 109).

Kjo është e tmerrshme. Po ka edhe më të tmerrshme se kjo. Ka raste që prindi, (ose një tjetër me pagesë), për arsye tepër ordinere, vret një njeri, me qëllim që djemtë e tij të mund të kërkojnë azil politik në njërin nga vendet perëndimore. Edhe ky rast është tepër i dhimbshëm, skajshmërisht tepër absurd...

Qëndrimi i tij ndaj pervesiteteve pohon një pozitivitet që vjen nga morali i gjithëkohshëm njerëzor, stigmatizimi i banales, madje, me sarkazmë therëse. Kjo duket në disa tregime të këtij vëllimi. Ai e fshikullon personazhin që futet në rrugë të gabuar; këshillon hapur e me nëntekst, jo duke u vënë në pozicionin e një moralizuesi, por kjo vjen natyrshëm, përmes ngjarjes së besueshme.

E veçanta e këtyre tregimeve mbetet se ato përfundojnë jo me një sforcim të imagjinatës, por si rezultat i konflikteve që natyrshëm duhet të shkojnë në zgjedhjen që pranon logjika artistike. Janë rrethanat e jetës që ndikojnë tek këto personazhe dhe ato u binden atyre.

6. Mjeshtëria artistike, gjuha, mbështetja në folklor, fjalësi e frazeologjizmat e përdorura, neologjizmat, fjalurtat etj. janë një vlerë e shtuar e këtij libri. Përshkrimet e rrjedhshme, plot ndjenjë, herë - herë ngrihen në nivelin e një proze poetike, me figuracion, fjalë të rralla, përdorur në masën dhe vendin e duhur. Qenia e tij poet e ka ndihmuar që Shehu poet dhe Shehu tregimtar të shkrihen dhe t'i japin krah njëri - tjetrit. Duke marrë nga jeta e njerëzve subjekte, fjalë, ndjesi, autori ka meritën se këto i riktheu në imazhe dhe trille që të befasojnë, duke kënduar kështu për vete dhe për të tjerët. Ndaj, shpesh, në disa tregime gjejmë veten, ku fabulat janë mjaft të zgjedhura dhe të goditura, mjaft rrezatuese brenda përshkrimit të kursyer e një subjekti rrjedhës. Shprehje të tilla, si: "E kush nuk e merrte atë shtatmenjollë...?"

"Nuk mund të futet dhjamë qeni në lëkurë sorkadheje...", "vrundullimë ndjenjash";

"...ju shpëlaftë panuklla"; "të piftë kullunxha!"; "qenke vajzë për t'u pirë në kupë"; "Një bukuri më vetë, ndoshta e pakundshoqe"; "Natën rri ku të jeshë e ha çfarë të keshë". etj. etj, tregojnë se gjuha është e natyrshme, e kuptueshme, e pasur, pa fjalë të mëdha dhe spikatin fjali e shprehje, fjalëformime të rralla të vendlindjes. I frymëzuar nga folklori popullor, veçanërisht nga ai i zonës, autori na jep pasazhe artistike nga më të bukurat, metafora, krahasime, përshkruan portretin e gruas, duke përdorur një arsenal fjalësh të thjeshta e kuptimplote.

"Ishte në valle, kur ia hoqën lulet nga koka dhe njerëzit panë një vajzë të bukur, zeshkane, flokëgështenjë, truplastare, buzë mishtore. Kënga u mek. Njerëzit, sidomos gratë, i mbërthyen sytë tek ajo. Një paqe xixëlluese bukurie vrushulloi butësisht midis tyre, duke dhënë një ngjethje të lehtë". ("Lavdërimi"; fq. 84)

Një element tjetër i rëndësishëm që autori e ka shfrytëzuar me mjeshtëri është edhe natyra, që do t'i shërbejë lexuesit edhe për të njohur bukuritë e zonës dhe tiparet e hijeshisë së jetës, përmes përshkrimit të natyrës. Kjo i bën edhe më tërheqëse tregimet, të bën që ato t'i lexosh me një frymë, të duket sikur autori ka qenë i pranishëm gjatë bisedave që zhvillojnë personazhet. Duket se edhe personazhi, edhe autori janë shkrirë në një, duke komunikuar me lexuesin të dy njëherësh. Personazhet e tij nuk vuajnë nga individualizmi i sëmurë; përkundrazi, shoqëri - individ - autor përbëjnë një trio interesante e të pandarë.

Përfundimisht, mund të themi se autori është futur i sigurt në rrugën e tregimit, të prozës së mirëfilltë e moderne. "Fraza e tregimit të tij është e butë, e shkrifët si e pellushtë, në të cilën lëviz horizontalisht rrëfimi xhentil me një tis të lehtë figuracioni, ndërsa në çdo fjali rri pingul logjika e subjektit". (Q. Alushi; gazeta "Nacional"; 24 dhjetor 2017; fq. 15).

Të 17 tregimet e këtij vëllimi lexohen me endje, duke zbuluar botë njerëzore, karaktere dhe tipa të ndryshëm, të cilët vizatohen me kujdes e lirshmëri, ku subjektet interesante dhe detajet konfigurojnë një botë njerëzore në lëvizje.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora