Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Ne budallejt

| E enjte, 15.10.2020, 09:20 PM |


Ne budallejt

Nga Edison Ypi

Ne budallejt e duam pushtetin që ta bëjmë më të mirë. Ju skilet pushtetin e doni që ta vidhni.

Ne budallejt i besojmë meritokracisë dhe transparencës. Ju të squtët i besoni nepotizmit, klientelizmit, regjionalizmit, mercenarizmit, sidomos rrenës.

Ne budallejt themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që ju të squtët na thoni. Ju tl shkathtit nuk thoni atë që mendoni dhe nuk e besoni atë që ne budallejt j’u themi.

Ne budallejt u besojmë Rilindasve që thanë "Lind andej nga perëndon". Ju inteligjentët që nuk dihet kujt i besoni, thoni se lind andej nga lind.

Për ne budallejt ekonominë e mbajnë në këmbë biznesmenët. Ju pehlivanat thoni se këtë shërbim të çmuar e bëjnë proletarët. Thoni si të doni, veç mos u habisni kur kallaballëku të zbresi në shesh të xhvasi gjithçka pa bërë asgjë.

Ne budallejt e kemi të qartë se banakierët televizivë të së enjtes mbrëma janë pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut. Ju kopilat këtë bëni sikur nuk e kuptoni. Sytë j’u dalçin. Juve dhe atyre.

Ne budallejt përdorim nja një mijë fjalë kur flasim dhe nja pesë mijë kur shkruajmë. Ju eruditët as flisni as shkruani. Derisa të mësoni ca fjalë ju kokpalarët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallejt.

Ne budallejt që nuk kemi asgjë dhe nuk fitojmë asgjë, e marrim faturën tatimore për çikërrimat që blejmë. Ju banditët që keni gjithçka, faturë tatimore as merrni as e jepni edhe kur blini e shisni grataçiela.

Ne budallejt nuk vjedhim. Ju gjenialët vidhni. Po të vidhnim ne, budallej do ishit ju.

Ne budallejt lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallejtë ca hajvanë që poezitë i mësojnë përmendësh. Poezitë më të bukura për ne budallejt janë ato që dridhin zemrën. Për ju gjenialët janë ato që tregojnë si bëhet dhe hahet pilafi me lëng mishi.

Ne trashanikët femrave u bëjmë komplimenta. Ju elegantët femrave u mbani leksione. Prandaj ne budallejve femrat na falin pyllin në fund të barkut, ndërsa juve noc rrokun.

Ne budallejt nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Veç një gjë duhet të dini; Duke ikur ju, ne budallejt që tashpërtash jemi pakicë, dalngadalë bëhemi shumicë. Kur të ndodhi kjo rrokadë, ne budallejt që nuk ikim do bëhemi të squtë, budallej do bëheni ju të squtët që do mbeteni.

Ne budallejt e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, deti, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, janë të juajat. Por Bota është e jona.