| E merkure, 14.10.2020, 07:13 PM |
Krizat politike, produkt i lëshimeve në Kuvend!
Shkruan
Florim Zeqa
Skena
politike, përkatësisht subjektet tona politike janë shndërruar në korporata
fitimprurëse për politikanët. Të zgjedhurit e popullit, gjegjësisht deputetët
më shumë po u shërbejnë liderëve dhe grupeve të interesit brenda partive,
mafio-politikanëve dhe oligarkëve ekonomik sesa qytetarëve të vendit.
Më e zezë e reja se e
vjetra
Aq
të paparashikueshëm janë bërë deputetët në Kuvend, saqë më nuk po dihet, se
kush është në pushtet dhe kush tjetër në opozitë, kush i djathtë e kush i
majtë!
Devalvimi
dhe degradimi i skenës politike është duke e dëmtuar shtetin dhe rënduar jetën
e qytetarëve.
Të
gjitha legjislaturat e deritanishme as për së afërmi nuk i kanë përmbushur
pritjet e qytetarëve. Degradimi i Kuvendit po vazhdon nga njëra legjislaturë
tek tjetra. Më e zezë e reja se e vjetra!
Nuk
ke si i trajton ndryshe legjislaturat e kuvendit të pasluftës dhe
paspavarësisë, pasi Kosova ka mbetur i vetmi vend në Ballkan dhe Evropë, e ndër
vendet e pakëta në Botë pa sigurime bazike shëndetësore.
Përderisa
në vendet e zhvilluara dhe demokratike edhe kafshët i kanë sigurimet
shëndetësore, në vendin tonë jeta e njeriut vlenë më pak se 30 cent, aq sa
kushton në predhë e një revolje të vogël që mund t'i merr jetën qytetarit të
Kosovës në çdo orë apo minutë!
E
meqë është pikërisht kështu, asnjëra parti politike, liderë apo politikan,
qoftë në pushtet dhe opozitë nuk e kanë
të drejtën të krrekosen që kanë bërë diçka të mirë për jetën e qytetarëve.
Deputetët, të ndarë për
interesin e qytetarëve, të bashkuar për interesin personal
Deputetët
e ardhur me votë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të përmirësuar jetën e
qytetarëve dhe për t'i avancuar proceset demokratike dhe infrastrukturën
ligjore, janë pikërisht ata që po e bëjnë të kundërtën me mosprezencën në
seancat e kuvendit dhe me mosvotimin e ligjeve bazike që përmirësojnë jetën e
qytetarëve.
Mirëpo
e njëjta gjë nuk ndodhë kur janë në pyetje interesat e tyre personale. Për
votimin e ligjit për rritje të pagave dhe privilegjeve të deputetëve, të
zgjedhurit e popullit bëhen menjëherë
bashkë edhe në pikun e krizave më të mëdha politike, ndërsa kur është në pyetje
interesi i qytetarëve, siq ishte votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje
Ekonomike, i cili gjashtë herë nuk arriti të votohet në Kuvend, përderisa
presioni ndërkombëtar bëri që herën e shtatë të votohet në lexim të parë!
Ky
devijim i (pa) qëllimshëm i të zgjedhurve të popullit, ka thyer në masë të
madhe shpresat e qytetarëve.
Sjellja
e papërgjegjshme e legjislaturave të deritanoshme i ka vënë tatpjetën punës së
Kuvendit. Sjellja e papërfillshme ndaj rregullores së punës së kuvendit, gjuha
fyese dhe denigruese deputetëve kundër njëri-tjetrit e ka kthyer Kuvendin në
cirk dhe teatër kukullash që dirigjohen me telekomandë nga liderët partiakë.
Miratimi i ligjeve
antishtetërore nga legjislaturat paraprake
Kapja
e thellë e disa deputetëve nga liderët partiak, grupet e interesit dhe nëntokat
kriminale brenda partive, është duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e
shtetit dhe është duke shuar shpresat e qyterëve për jetë në Republikën e
Kosovës.
Për
dallim nga legjislatura aktuale e cila nuk e ka pasur rastin ta votoj asnjë
ligj antishtetëror dhe antikombëtar, legjislaturat paraprake i kanë votuar
ligjet që po e zhbëjnë në substancë dhe themel shtetin e Kosovës; ligjin për
decentralizimin etnik, ligjin për asociacionin etnik, ligjin për demarkacionin,
ligjin për specialen, ligjin për amnistimin e kriminelëve serb të luftës e
shumë ligje të tjera që kanë rrezikuar të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Nëse
nuk lëvizin shpejtë gjërat për të mirë, atëherë Kosova, në njërën anë nga kriza
pandemike dhe në tjetrën nga dialogu me Serbinë do të rrëshqas në një kolaps të
thellë politik dhe ekonomik, nga i cili vështirë do të dilet më!
Të shpëtohet shteti nga
bankrotimi
Me
këtë klasë të papërgjegjshme politike në pozitë dhe opozitë, me këta politikanë
që interesin e qytetarit nuk e kanë prioritet, por vetëm bëjnë plane si të
mbajnë pushtetin apo të vijnë në pushtet, si të pasurohen nga paratë e
taksapaguesve të varfër të Kosovës apo si t'i plaçkitin investitorët e vendor
dhe ata ndërkombëtar, jo vetëm që nuk do të kemi ndryshim, do të kemi rënje të
vazhdueshme ekonomike e cila do ta çojë pashmangshëm shtetin në bankrotim.
Që
kjo të mos ndodhë, duhet të ndodhin ndryshime shpejta dhe substanciale. Kjo
është e mundur vetëm me ngjizjen e një force të re politike me njerëz të rinjë,
gjak të ri dhe të pastër kombëtar që interesin e shtetit dhe qytetarëve e vënë
në plan të parë.
Vetëm
gjeneratat e reja, të arsimuara dhe të pakorruptuara do të jenë të gatshme dhe
të afta që t'i ndryshojnë rrjedhat politike dhe ta bëjnë shkëputjen e madhe nga
politikbërja regresive, për ta kthyer Kosovën në rrugë të mbarë, të zhvillimit
ekonomik dhe mirëqenjes qytetare.
U
mbetet qytetarëve, që në zgjedhjet e ardhshme të mos i votojnë politikanët e korruptuar
dhe të dështuar, të mos i votojnë njerëzit e njëjtë, të mos i votojnë servilët
dhe puthadorët e pushteteve, por t'i votojnë ata që janë shpresa dhe shpirti i
këtij vendi-të rinjtë dhe të rejat, kuadrot e pastra dhe të padjallëzuara që e
duan me zemër vendin e tyre.