Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Kush na e vrau Trimin e Hotit?

| E diele, 11.10.2020, 12:58 PM |


Fritz RADOVANI:

Kujtoj…Sot, mbas 105 vjetësh:

Flamurtarin e 1911...

Kush na e vrau Trimin e Hotit?

Kush kjé Dedë Gjo’ Luli?

Me dashtë me u përgjegjë si duhet shtyllat e një fletorës janë tepër të ngushta. Nuk përmblidhet në një rryp letre nami i një Fatosi; e, si thotë Poeti ynë:

“Namin e tyne per me e kndue si duhet,

O nieri lypet, lypet Iliada”

(A.Gj.Fishta, “Hylli i Dritës”, vj. I, Nr. 2, 1913).

Atje ndër ato Bjeshkë të Nêmuna nën hinin shekullor, ruheshin gacat e pashueme të Lirisë, ndër votrat e kullave të gurit ku, as acari, as murlani, as shiu e as bora, nuk mujtën me e ba ortek e me e tretë diku andej ndër ujnat e ngrohta të përshkueme në Dardanele apo në Suez...

Ky, pra, ishte bagmi i përjetëshem në ballin e të gjithë Atyne, që lindën dhe vdiqën vetëm me një emën: “Shqiptarë”.

Ky, pra, ishte fruti i sandaleve të Françeskanëve dhe i të gjithë Atyne Misionarëve, që për shekuj me rradhë predikuen ndër ata male pa u lodhë dhe pa u frigue asnjëherë Até Formulë, të pacenueshme e të daltueme në mend e në zemër për stërnipat e Gjergj Kastriotit: “Fé e Atdhé”.

Ky, pra, kje Miku besnik i At Mati Prennushit e At Çiril Canit, prej të cilve Ai, mori Flamurin e palosun nder gjokset e Tyne...

Hasan Riza Pasha, kur mori fund Lëvizja e Malësisë u pat shpreh kështu, për Dedë Gjo’ Lulin: “Ai asht Burrë e Atdhetar. Jam mundue me i dhanë pare, por, nuk ka ndigjue kurrsesi”. Deda i asht kenë përgjegjë: “Nuk ka Sulltani pare aq sa me më thye mue!”

Por, Sulltani, nuk ka arrijtë me kuptue se “shqiptari i shitun” arrinë për një kolltuk me vra edhe vëllanë pa pare... Kur ushtria esadjane në vitin 1915, filloi ndjekjen e Malësorëve në marrëveshje me serbët, Dedë Gjo’ Luli me disa besnikë të vet u nis për në Mirditë. Mbas dy ditësh ushtria lëshoi pritat për mashtrim dhe u nisën në dy drejtime për Orosh, ku ndodhej Deda. Në një anë morën drejtim forcat esadjane dhe në tjetrën ato serbe. Kur Deda doli bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet tek qela e Oroshit, ku ishte thanë se po e pritshin shokët e armatosun, por ku përkundrazi aty gjet ushtarët e Serbisë.

Ti pamën ata veç, tha, këto fjalë: “Sot kemi marue!” U kollit; pështyni përtokë, dhe trimnisht Ju afrue kapitenit serb, që i kërkoi me i tregue për shokët. Deda ju përgjegj se s’kishte për t’i qitë kurr ku janë. E ndane prej të birit e Nik Prelocit, që serbët i lëshuen në dorë t’esadistëve; Deden e lidhën dhe në Mal të Shenjt t’Oroshit kjé coptue me bajoneta prej tyne, me  24 Shtator 1915. Trupin ia mbuluen me gjeth, qendroi mbi dhé: mbas pesë javësh e gjetën barijt’ e, prifti i atij vendit tue e vjedhë natën me 8 Tetor 1915, e vorrosi tek Kisha e Oroshit.

Në vitin 1917, Shkelqësia e Tij Delegati Apostolik i Shqipnisë Imz. Ernest Cozzi, atëherë, ishte Feldkural i ushtrisë Austro-Hungareze dhe mik zemre e shumë herë shok pune i Fatosit tonë, si bani hetimet e duhuna e gjeti vorrin e Tij.

At Anton Harapi e percaktoi me këto fjalë aso kohe: “Ai ishte tri herë Fatos, pse i fali Atdheut dy të birt’ e Vehtën, tue u ba shenj i salvimit të zhoenturqve, të sllavëve dhe esadistëve...

Në Té vërtetohet fjala e  popullit se, ndihma e Zotit e pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombëtare.”

Qé Burri! Martiri i kohëve tona! Fatosi i Traboinit; t’atij Malit, që sot ka mjerimin e dhunën me kenë i shkelun prej kambës së huej. Diten e vorrimit të Dedës në Rrëmaji Don Lazër Shantoja me fjalë të dalun prej zemre tha: “Para se të ndahemi prej këtyne Eshtnave, të Fatosit të Maleve tona, të Atij Plakut të Traboinit, të Dedë Gjo’ Lulit, unë do të kujtoj me interpretue dëshiren e të gjithve ju, tue i përcjellë me dy fjalë të fundit...

Po ju kujtoj fjalën e Lamartine, se: “Hini i të vdekunve krijoi Atdheun!” E, Atdheu Ty, sot, o Dedë Gjo’ Lul, po të falet nderës para gjithkuj pse me Gjakun Tand të papërlymë ké shlye faqen e zezë të të gjithë atyne shqiptarve, që ndër këto kohët e fundit e edhe sot, nuk patën e nuk kanë turp me marrë pare prej anmikut të përjetëshem, prej atij Serb, prej të cilit ti, o Fatos, tjetër dhanti kurr nuk more, përveç, plumbave të mauzerres! Sot Atdhetarët e vërtetë e idealistë, Ata që Shqipninë e deshtën, e donë e kanë për ta dashtë po, përbetohen para Eshtnave Tua, me të ngritë një monument në gur, e Emni i Yt do t’i mbesë i paharrueshëm, sikurse, të paharrueshme tash mbesin Malët e Traboinit!”

***

Por, Dedë Gjo’ Luli, i vdekun endè sot Ai flet: Flet tue i ba me dijtë Europës së padrejtë se, krymbi i kohës ka me brè shumë ma parë letrat zhele të traktateve që me gisht të vet të ndytë ka vulosë, se zemrat e çelikta t’Atyne Fatosave, që për vend të vet edhe vdesin. I flet Evropës dhe i flet Shqipnisë:

“Për Ty vdiqa! Për Lirinë Tande! S’kam dashtë tjetër!”

Por, prej Atyne Eshtnave të ftohta, i ngrohtë vrumullisë zani i Fatosit që mnershëm kumbon në vesh të Shqiptarëve, tue thanë: “Shqiptarë! Pashë Zotin e pashë Shqipninë, mos ma përlyeni emnin! Mos ma dhunoni vorrin! Ma rueni Shqipninë! Shqipninë e Lirë, krejtë të Lirë: Shqipninë si e deshta unë, me djelmët e mij vdiqa dhe, me Fis tem u dëbova!”

Asht bash Një Fis i Atyne Maleve kreshnike i shuem per Atdhe, per Atë Flamur e per Liri!

Ndersa, At Gjergj Fishta ka thanë: “Shkodra, që ka mot që asht lanë gati krejt mbasdore e, së cilës, sot shumë kush turpnisht do me i mohue shkëndinë e Atdhetarizmit, me rastin e këtij vorrimi kaq të lulzueshëm i tregon mbarë Shqipnisë se, Ajo ka nderën me pasë në gji të vet Ata njerëz që dijnë çka asht Atdhetarizmi; dijnë me ndigjue zanin e Atdheut.

Difton se, Ajo emnin Fatos, shpetues i Atdheut, e ka program që mos me ia falë kujdo, por Atyne të Mëdhajve për të cilët, poetët këndojnë: “Njaj asht Fatos që tue luftue mbaron!”...

“Shqiptarë: Çka kjé Dedë Gjo’ Luli? - Çka nuk jemi na..!”

Shenim nga F.Radovani: Materiali asht marrë nga Libri im i pabotuem

“KURRMA SI JU, O DEMOKRATË” 2011.

Melbourne, 22 Shtator 2020.