E premte, 29.03.2024, 08:25 AM (GMT)

Kulturë

Eshref Ymeri: Dy fjalë për Traktatin shkencor të Zonjës Vilhelme Vrana

E diele, 11.10.2020, 08:49 AM


Dy fjalë për Traktatin shkencor të Zonjës Vilhelme Vrana

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

PARATHËNIE

E nderuar dhe e respektuar Zonja Vili!

Veprën tuaj shkencore “Autoktonia e Shqipërisë Jugore, Enigma e shekujve”, e lexova me shumë kënaqësi. Ju keni bërë një punë kaq të lodhshme dhe kaq të vëllimshme, saqë zor se mund ta përballonte edhe një sektor i tërë i Institutit të Historisë.

Ju keni nxjerrë në dritën diellit shumë të vërteta për autoktoninë e shqiptarëve, për prejardhjen e tyre pellazgoiliriane dhe për lashtësinë e gjuhës shqipe, si themeli i gjuhëve evropiane. Të bën përshtypje fakti që kontrubuti i dijetarëve të huaj për të vërtetën rreth prejardhjes së shqiptarëve, për shtrirjen e trojeve të tyre etnike dhe për gjuhën shqipe, është shumë më i madh se i dijetarëve shqiptarë. Por, për fatkeqësinë tonë kombëtare, Shqipëria, pas vitit 1912, por sidomos në kohën e mbretërisë (1925-1939) dhe në periudhën e diktaturës komuniste, nuk i ka vlerësuar me bëma konkrete, nuk i ka dekoruar me medalje të larta ata dijetarë të huaj. Kjo dëshmon për dukurinë e pahijshme të mosmirënjohjes që na karakterizon ne, shqiptarët, dukuri që është e përjetësuar në mjaft shprehje frazeologjike të gjuhës shqipe.

Mbreti i Prusisë Frederiku II (Friedrich II- 1712-1786 )ja si është shprehur për mosmirënjohjen:

“Është e turpshme të jesh mosmirënjohës”.

Mirënjohjen ndaj dijetarëve të huaj, natyrisht, duhej ta shprehte me bëma konkrete klasa politike. Por ajo, fatkeqësisht, ka pasë qenë dalluar për mercenarizmin dhe servilizmin skandaloz para politikanëve të huaj dhe jo për mirënjohjen ndaj dijetarëve të heshtur të shkencës së madhe.

Mirënjohjen për dijetarët e huaj nuk mund ta shprehte as klasa politike pas vitit 1990, sepse kjo klasë ndërtoi modelin e demoshëmtisë apo modelin e demoanarkisë, e cila, veçanërisht në vitet e Rilind(Rivdek)jes Ramiane, po na nxin faqen para mbarë kontinentit evropian.

Në këtë vepër shkencore të përmasave të një Traktati të nivelit akademik, plotësisht të denjë për mbrojtjen e doktoraturës, ju keni nxjerrë në spikamë të vërtetat tragjike për krimet e grekosllavizmit, i cili na ka grabitur historinë. Madje jo vetëm që na ka grabitur historinë, por edhe ka pasë hartuar platforma për shfarosjen tërësore të popullit shqiptar. Vetvetiu shtrohet pyetja:

“Ku janë rrënjët e kësaj tragjedie që na ka shkaktuar grekosllavizmi? Si është e mundur që një popull rrënjës në Gadishullin Ilirik, siç është populli shqiptar, është kërcënuar me zhdukje nga ardhacakët grekosllavë?”

Përgjigjen e kësaj pyetjeje, e nderuara Zonja Vili, duhet ta kërkojmë në traditën tonë të lashtë pellazgoiliriane. Sepse atje është zanafilla e tragjedisë sonë kombëtare, e cila i ka rrënjët në mikpritjen karakteristike dhe nderimin e tepruar që u kemi bërë të huajve. Madje mbi bazën e kësaj mikpritjeje, e cila, duke i kaluar caqet e lejuara ka ardhur e ka marrë ngjyrime servilizmi, në gjuhën shqipe, që kryeherazi, është krijuar shprehja “shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”. Pra, shqiptarët, që së lashti, derën e kanë pasur të hapur për miqtë dhe për shtegtarët fqinj. Por rezulton se këta të fundit, në rrjedhën e shekujve, nuk janë treguar aspak mirënjohës ndaj shqiptarëve. Përkundrazi, mikpritjen e shqiptarëve ata e kanë vlerësuar si kompleks inferioriteti dhe na e kanë shpërblyer me rrëmbimin e trojeve tona, duke na i rrëgjuar në një

mënyrë tragjike. Dhe shqiptarët, si etnia më e madhe e Gadishullit Ilirik, në vend që të bashkoheshin fort me njëri-tjetrin dhe t’i mbronin me vendosmëri trojet e veta, ata vetëm janë tërhequr para furisë së pushtimeve të fqinjve tanë “miq dhe shtegtarë”.

Kësisoj, shqiptarët, duke e zhvendosur te të huajt gravitacionin e mikpritjes dhe të nderimit deri në servilizëm, gjatë shekujve kanë pasë krijuar një boshllëk të ndjeshëm për ngjizjen e unitetit brenda vetvetes, çka ka krijuar truall për përçarjen tragjike që i ka karakterizuar brez pas brezi.

Tek po hidhja në kompjuter këto radhë, menjëherë më erdhi në kujtesë një libër interesant, me autor zotërinë Sokol Braha, shqiptar nga Kosova që jeton në Zvicër. Ai, duke trajtuar natyrën e marrëdhënieve të shqiptarëve me serbët, shkruan:

“Shqiptarët përshëndetin, nderojnë, urojnë, përgëzojnë, presin e përcjellin me krenari, sepse i kanë në traditën e tyre këto dhe i ruajnë me krenari. Edhe pse këta komshinj nuk i ftuam ne, por na erdhën si miq të paftuar! Por unë pyes veten: a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt? Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).

Duke i nderuar të huajt deri në atë shkallë, saqë të mos respektosh dinjitetin personal, domosdo që do të fitosh jo simpatinë, por mungesën e respektit nga ana e tyre, i cili, me kalimin e kohës, vjen e merr përmasat e shpërfilljes, duke u ngritur ca nga ca deri në nivelin e neverisë dhe të urrejtjes së hapur. Pikërisht kështu ka ndodhur me shqiptarët. Duke u treguar mikpritës me ardhacakët grekosllavë, me të cilët  u treguan bujarë, ilirët i lejuan të bëheshin zotër në tokat e Ilirisë. Me kalimin e shekujve, ardhacakët grekosllavë i zhvendosën ilirët rrënjës shekull pas shekulli, derisa trojet ua katandisën në një shoshë vend. Në këtë mënyrë,  duke i respektuar tej mase ardhacakët grekosllavë, ilirët, siç u theksua më lart, fituan neverinë dhe urrejtjen e tyre, e thelluan përçarjen brenda vetes dhe erdhën duke u shndërruar në një popull vetëvrasës.

Skënder Sherifi, shkrimtar dhe gazetar frankofon me origjinë shqiptare, i njohur sidomos në rrethet letrare në Belgjikë dhe në Francë, në një intervistë që i ka marrë zotëria Gjovalin Kola këtu e ca vjet të shkuara, ka nxjerrë në pah “… një prirje vetëshkatërruese që manifestojnë shqiptarët, njëfarë vetëvrasjeje kolektive. Kur i sheh me realizëm të shkuarën dhe zhvillimet e sotme, arrin në përfundimin se ky komb është armiku më i madh i vetvetes. Këtu ka një urrejtje, xhelozi e mëritë tepruar. Nuk dimë ta vlerësojmë tjetrin. “S’të njoh, s’dua të të njoh, s’dua të di çfarë meritash ke ti”. Kështu arsyetohet, pak a shumë, te ne” (Gjovalin Kola. “Ky komb është armiku më i madh i vetvetes”. Gazeta “Shekulli”. 03 tetor 2006).

Pikërisht vetëvrasjes kolektive, për të cilën tërheq vëmendjen shkrimtari dhe gazetari Skënder Sherifi, një personalitet politik i viteve të luftës, ish-ministri i brendshëm Kol Bib Mirakaj, i ka kushtuar një libër të tërë, me titull “Vetëvrasja e një kombi”. Botimet “Fiorentina”. Shkodër 2014.

Pak a shumë të njëjtën linjë arsyetimi ndjek edhe publicisti dhe moderatori i njohur televiziv Artur Zheji në një material që ka botuar në internet ca muaj më parë:

Një vend që s’ka bërë asnjë luftë me të tjerët, është dreqosur nga lufta e pamëshirshme dhe pa kufi me vetveten, si një gërryerje, si një acid vrasës, si një ligësi për të parë të dërrmuar më të dobëtin, më të pafuqishmin dhe këmbërrëshqiturin në humnerë” (Artur Zheji. “Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…”. Faqja e internetit: “VideoWap.Net”. 30 korrik 2019).

Prof.dr. Mehdi Hyseni, akademik, në një artikull të paradokohshëm, citon zotërinë Enis Shatri:

“Sikur shqiptarët të ishin treguar kaq mizorë me armiqtë shekullorë, sa ç’janë treguar me njëri-tjetrin, kufijtë tanë do të shtriheshin deri atje ku kanë qenë, deri në Pargë e në Prevezë”.

Dhe më poshtë profesori vazhdon:

Ky paradoks provon sheshit edhe sot gjendjen tonë të mjeruar dhe të robëruar nën  tutelën kolonialiste të disa shteteve fqinje sllave të Ballkanit (Greqia, Maqedonia Veriore, Serbia dhe Mali i Zi). Ky paradoks  qartazi provon edhe aksiomën e qëlluar të Rilindësit tonë, Faik Konica, se “armiku i shqiptarit është vetë shqiptari”. Ky paradoks historik, politik, kombëtar e atdhetar dëshmon se populli shqiptar nuk ka ngelur rastësisht dhe vetëm si pasojë e armiqve të huaj, i copëtuar, i aneksuar, i kolonizuar, i shtypur dhe i robëruar nën   thundrën  tiranike shekullore të sllavëve të Ballkanit, por fajtori më i madh është vetë shqiptari, që me shekuj, që nga Hamzai e deri te Adem Jashari, e tradhton, e vret dhe ia fut thikën pas shpine shqiptarit, jo armikut!” (Prof.dr. Mehdi Hyseni. “Ndryshe”. Faqja e internetit “Albaniapress”. 19 maj 2019).

Në romanin tuaj me titull “Amanti i Arbërisë”,ju keni zbuluar me art ca të vërteta tragjike në ecurinë shumëshekullore të etnosit shqiptar në Gadishullin Ilirik:

Ilirët nuk kanë pasur perëndi të luftës. Nga bashkëbisedimi i dy heronjve të romanit - Amantit dhe Vranos - del në pah arsyeja se pse ilirët nuk kishin perëndi lufte. Amanti i jep këtë shpjegim Vranos:

“ - Nuk ka ç’na duhet Perëndia e luftës. Populli ilir ka qenë dhe është liridashës. Ne nuk e duam luftën dhe nuk i biem askujt në qafë”.

Kjo e vërtetë tragjike ilire zbulon një mendësi paradoksale: ilirët nuk kanë pasur absolutisht prirje për ekspansion. Po si ka qenë i mundur një paradoks i tillë, përderisa rreth e qark tyre, etnoset e tjerë etjen për ekspansion e kanë pasur si yll karvani në luftën e tyre për mbijetesë? Sa ishte sipërfaqja e etnosit grek në vitin 1831? Në vitin 1913, brenda 80 vjetëve,  u trefishua pikërisht në dëm të sipërfaqes së etnosit shqiptar. Sa ishte sipërfaqja e etnosit serb në vitin 1878 dhe ku arriti në vitin 1913, në dëm të sipërfaqes së etnosit shqiptar?

Mungesa e prirjes për ekspansion, si trashëgimi fatkeqe që nga koha e Ilirisë, ku e katandisi Shqipërinë? Në një sipërfaqe sa një “fushë tenisi”.

Një tjetër e vërtetë tragjike që zbulohet në romanin tuaj, është përçarja që ka mbretëruar në botën e lashtë ilire. Pyetjes së Amantit, drejtuar Bukuroshes së Durrësit për njerëzit nëse janë ziliqarë, ajo i përgjigjet:

“ - Po, po, kanë smirë për këdo që i shkojnë punët mbarë, mundohen dhe bëjnë të pamundurën që ta shkatërrojnë tjetrin”.

Kjo smirë tragjike vazhdon traditën e vet që nga koha e Ilirisë dhe deri në ditët tona.

Në vazhdimësi, ju nënvizoni edhe një tjetër të vërtetë tragjike për kombin shqiptar, të trashëguar që nga lashtësia ilire. Kur po bisedojnë për ngritjen e kalasë së Shkodrës, për ndërtimin e së cilës dy vëllezër prenë në besë vëllain e vogël, Hyu i Jezercës i thotë Amantit:

“Ndër tre njerëz, vetëm njëri është i drejtë. Ndaj nuk bën hair ky truall, biro!”.

Për shkak të përçarjes që kanë pasë trashëguar që nga pellazgoiliria, shqiptarët, aty nga mesi i shekullit XIX, në vend që ta kuptonin rrezikun e madh që u kanosej nga grekosllavizmi përmes “Megaliidesë”dhe “Naçertanies”,  u hodhën në kryengritje kundër taksave që u vendosën me Reformat e Tanzimatit, pa pasur absolutisht si qëllim që të luftonin për pavarësinë e vendit nga perandoria otomane.

Asokohe kombi shqiptar ishte numerikisht më i madhi në Gadishullin Ilirik. Grekët numëroheshin në 1 milion e 100 mijë, serbët - në 600 mijë, kurse shqiptarët - në 1 milion e 600 mijë. Por përçarja ndërshqiptare dhe mercenarizmi i parisë së tyre ishte pengesa kryesore për forcimin e unitetit aq të dëshiruar. Pikërisht mercenarizmin e parisë shqiptare e përmend edhe Ivo Andriçi në elaboratin e vet, çka citohet në librin “Shtëpia e Verdhë” të akademikut Flori Bruqi:

“Në territorin shqiptar është zhvilluar një luftë e ashpër ndërmjet nesh dhe Italisë. Italianët atëherë iniciuan çështjen malazeze e maqedonase, si dhe idenë e Shqipërisë së Madhe deri në Kaçanik. Ne kundër tyre zhvilluam herë aksione të fshehta, herë të hapura, duke i bërë për vete me para fisnikët (parinë) shqiptarë dhe duke u shërbyer me idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkanin popujve të Ballkanit” (f. 28).

Përçarja ndërshqiptare në ditët tona ka marrë përmasa të frikshme. Ajo është trualli më i përshtatshëm i mercenarizmit, i servilizmit ndaj të huajve dhe i vëllavrasjes. Këtë e dëshmon më së miri numri i madh i partive politike. Në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup figurojnë 92 parti politike, të regjistruara në gjykata.

Shpërfillja dhe neveria që ushqejnë serbët për shqiptarët, mishërohet fare hapur në kërkesën skandaloze të kryeministres serbe, drejtuar kryeministrit Rama dhjetorin e vitit të kaluar. Në faqet e internetit asokohe u bë i njohur informacioni i mëposhtëm:

“Serbia është aq e guximshme, saqë edhe Shqipërisë i kërkon tërheqje të njohjes së Kosovës, raporton KTV. Por, këtë kërkesë të kryeministres së Serbisë Ana Brnabiç, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri Ramush Haradinaj e quan të turpshme (Citohet sipas:“Serbia i kërkon Shqipërisë ta tërheqë njohjen e Kosovës, reagon ashpër Haradinaj”. Faqja e internetit “time.al”. 25 dhjetor 2018).

Kërkesa e kryeministres serbe është me të vërtetë e turpshme, por ajo e ka një bazë ku mbështetet - pikërisht te përçarja ndërshqiptare. Pikërisht kjo përçarje e mallkuar është arsyeja e heshtjes së Tiranës zyrtare para institucioneve ndërkombëtare, deri edhe para Tribunalit të Hagës, për krimet e rënda që Serbia kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës. Ato krime ishin konkretizim i urrejtjes mbinjëshekullore që shovinizmi serbokriminal ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë ndaj kombit shqiptar, urrejtje që përbën një enciklopedi më vete.

Shovinizmi evropianoperëndimor, në bashkëpunim të ngushtë me shovinizmin rusomadh, e njihte mirë psikologjinë përçarëse që karakterizonte mbarë etninë shqiptare, prandaj edhe copëtimin e trojeve tona amtare e nisi në Kongresin famëkeq të Berlinit dhe e kurorëzoi me Konferencën edhe më famëkeqe të Londrës. Ato dy copëtime vërtetuan në praktikë se shqiptarët, megjithëse përfaqësonin etninë më të madhe në gadishullin tonë, përçarjen vetëvrasëse e kishin në gjenin e tyre.

Pikërisht për shkak të përçarjes ndërshqiptare, në raportet me grekosllavizmin, shqiptarët kanë mbajtur një iventar mjaft të pasur të krimeve të tij kundër kombit tonë. Kurse iventari i hakmarrjes sonë kundër krimeve të grekosllavizmit është shumë-shumë i varfër, për të mos thënë i paqenë.

Kur e mbarova së lexuari këtë vepër tuaj shkencore, mua, zonja Vili, më erdhi menjëherë në kujtesë titulli i librit të Kosta Çekrezit, bashkëkohës i Nolit. Një libër ky mjaft interesant që i kushtohet përçarjes tragjike ndërshqiptare edhe në diasporën shqiptare këtu në Amerikë. Libri titullohet “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë” dhe është botuar në Vashington në vitin 1951.

Në mbyllje, dëshiroj t’ju përgëzoj me gjithë zemër për këtë punë kolosale që keni përballuar për përgatitjen e këtij Traktati me vlera të jashtëzakonshme njohëse për historiografinë shqiptare.

Ju uroj shëndet dhe mbarësi!

Prof. Dr. Eshref Ymeri, akadmik

Santa Barbara, Kaliforni

06 mars 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora