E premte, 29.03.2024, 01:08 AM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Intervistë me publicistin dhe skenaristin Sefer Pasha

E shtune, 10.10.2020, 08:13 AM


Intervistë me publicistin dhe skenaristin Sefer Pasha:

Në promovimin e këngës “Baladë Çame” në Tiranë, Adem Demaçi më tha të bëj një film për Çamërinë

Popullsia çame që ka mbetur në trojet e dikurshme në varshmëri me politikën nuk shfaqet

-Shteti grek kërkon që të zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje por  bisedimet janë sekrete

Çamëria, Shkëmbi Barketa, djali i Akilit në Qafën e Botës, dhe Mehmet Shehu suliot

-Dua të realizoj një dokumentar biblik për viset e Çamërisë si një substrat i rrallë dhe skenari nuk po merr trajtë

- Hija e rrejshme e Asafalisë në këto vise qysh prej motit është atashuar dhe në valët e detit të Prevezës dhe tek shkëmbinjtë e Filatit

- Mes Kosovës dhe Çamërisë ka një tis ngjashmërie proverbiale, por Kosova e fitoi lirinë me luftë, po Çamëria?

- Në afërsi të piramidës 70 grekërit në Filat masakruan një djalë të ri që humbi të dyja këmbët, por u hoq zvarr deri në Konispol

- Sot pushtetarët po e zvogëlojnë Shqipërinë, po shesin territore, vendi po boshatiset, lindjet kanë firuar

“Prej Tivarit e n’ Prevezë

Nji a gjuha e kombi nji.

Ku lëshon dielli nj’ato rreze,

Qi veç toka e jote i di”

Ndre Mjeda

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

-Më keni thënë se kohët e fundit keni vizituar Çamërinë. Por ju dhe më parë puna ju ka lidhur ta njihni këtë krahinë dhe keni shumë miq. Çfarë mund të na thoni për Çamërinë?

Mundimi im për të gjetur rrugët që nga Filati, Preveza, Gumenica, Margëlliçi, Parga, e Parathimia, nga ku u shpërngulën me dhunë mijëra çamë nga toka ku u kishte rënë koka për në Shqipëri e Turqi, më ftilloj shumë hamëndje. Gjithsesi, misioni më duket me rreziqe e mosbesueshmëria sillet përskaj orbitës së Çamërisë. Dua të realizoj një dokumentar biblik për viset e Çamërërisë si një substrat i rrallë. Sa kam filluar dhe skenari nuk po merr trajtë. Kërkoj lotët e humbur të Çamërisë. Por jeta siç e thonë çamët e këtushëm, e ha të zezën e vet. Ploja e udhëtimit ndesh në ajsbergun çam. Çfarë lënde mund t’i marr këtij ajsbergu që nuk ta fal kollaj muzën e misterit? Çamëria ndodhet në mes të ankthit të aksit të së keqes. Popullsia çame që ka mbetur në trojet e dikurshme në varshmëri me politikën nuk shfaqet, e ndonjë çam që na ulet në tavolinë mban qëndrim të ftohtë, sikur të jetë italian apo maqedonas. Instikti i tyre është kafshëror. Pikërisht këtë cinizëm ç’prej motesh më duhet ta skalis në dokumentar. Dialektika e jetës nuk mundet nga fataliteti. Më vjen mirë të përmend atë që ka thënë Hygoi: - “Mund të përballohet forca e një ushtrie, por jo forca e një ideje”. Engjëjt e Çamërisë i mbajnë sytë hapur paçka se situata  aktualisht është bajagi e rëndë. Demonët grekë në fshehtësi ka ditë që e kërcënojnë autorin e dokumentarit. Këtë unë e ndjej. Por dhe në këto kushte ëndërroj të eksperimentoj pa grim. Kam vendosur që të bëj përpara. Hija e rrejshme e Asafalisë në këto vise qysh prej motit është atashuar dhe në valët e detit të Prevezës dhe tek shkëmbinjtë e Filatit. Asfaliasit siç më thonë merren dhe me pikëpresjen çame. Për ca faqe dokumentari, polici grek e ka gati gijotinën. Do të ishte një surprizë profesionale për policinë nëse do të merrnin vesh se një krijues nga Tirana po mbledh dëshmitë lëndore të një çështjeje si ajo e Çamërisë, që për parlamentin grek nuk ekziston. Gjuha eprore e kryeministrit grek, i cili kërkon të zgjerojë kufijtë detar  me 12 milje do të ngjizte kodin arbitrar, dhe kineastët nga Tirana do të ndiqeshin këmba – këmbës,  ashtu si mijëra çamë  që u përzunë dikur nga trojet e tyre barbarisht. Megjithëse shkruajmë dhe filmojmë me mikun tim Dhimitër Butrintin në mënyrën më skrupuloze e të xixëllimtë, për të hedhur në letër milimetrat e Shqipërisë natyrale, shtegun e vëmendjes e kam të madhe në sensin provokativ. Për grekrit nuk ekziston çështja çame. Ligji i gjendjes së luftës nuk është fshirë. Dokumetari i epshëm synon e kulmon për të zbritur tek thërmijat e alkimisë së tokës çame. Të plazmohet misteri dhe hullia e humnershme e një çështjeje që është në zgrip të indit të harresës. Çamëria për Parlamentin shqiptar është kështjellë prej rëre.

Si do ta komentonit Akopalipsin e bandave të andartëve grekë? Nga lidhjet e tua a mund të na sillni ndonjë ndodhi? Cilat janë planet tuaja?

Por historia e promovon se “planeti” Çamëri tani ekziston më i ridemonsionuar me pamësi. Erozionet nuk e vidhisën botën e brishtë çame, që me një ngazëllim të magjishëm shpirtëzon dhe gurët e Filatit, të cilët janë në delir e duan të çlirohen. Edhe shkëmbinjtë janë të prangosur. Nuk janë të lirë. Konispoli gjeografikisht  është sup më sup me lisat e Filatit. Çamët nuk e humbën busullën dhe e hodhën në det vellon e zisë. Megjithëse fati qe kobëzi, kaosi në ogurin e kohërave nuk e kapërdiu skajshmërisht jetën e një populli me rrënjët në Iliri. Me Dhimitër Butrintin në rolin e “turistëve” shkelëm me terezi nëpër rrugaja, si në motërzime e balada. Nuk e di a do të mujtemi? Dhe filmojmë me një rrëkezë zëri si të jemi në humnerë në trojet, ku nisi genocidi i grekërve kundër fatgremisurve çamë. Megjithë ngjyresat e sharmin e shpirtit e shoh se është e vështirë. Koleksonimi i ngjarjeve të Çamërisë e dizajnimi i tyre intrigon çdo krijues që shkel në këto vise. Komplekset e pabjershme e tronditëse të historisë nuk na lënë të qetë. Unë jam i lidhur aq shumë me këtë çështje sa më duket sikur Çamëria është boshti i tokës. Gjeografia ka ndryshuar dhe natyra kodrat i ka bërë bjeshkë si ato mbi rrafshin e Konispolit. Për të mos gjetur belanë kërkimet i bëjmë në rrugë të mistershme. Hajnat grekë  megjithëse nuk duken në rrafsh ata fshihen edhe pas valëve të lumit Pavëll. Futemi në saraje e kasolle barinjsh për të përcjellë mesazhin në Tiranë, se Çamëria nuk është një cikërrimë vetullore, por një unitet atdhetar e kulturor. Dhe ja kështu skenari për dokumetarin nisi të pikojë pikë - pikë e milimetrik në mozaikun e një diversiteti të egër kulturor me kahje të kundërta. Po artikulohet sharmi i fshehtë i botës çame mes veti e me çka ungjilli i lavdisë në shekuj. Paçka se kemi frikë nga korona rrëfimet qëndrestare kanë rrjedhje të qelibarta si dallgët e lumit Pavëll.

A mund të pritet moti i madh që Çamëria ta fitojë lirinë?  Çfarë tregojnë kërkimet e aventurave të tua?

Në aventurën e këtij kërkimi natyrisht që ka meritë miku im Dhimitër Butrinti. Ai me acidin e temperamentit të tij, me një papërkulshmëri, më thotë se do ta gjejmë mesin e artë. Nuk ka pse të na mundojë ankthi i ankthit. Çështja çame jehon. Nuk vdes. Sa e padrejtë është historia. Shteti grek  kërkon që të zgjerojë ujërat teritoriale me 12 milje. Pikërisht për këtë fakt flitet në Greqi dhe në Ballkan. Për kufijtë detarë me Shqipërinë bisedimet janë sekrete. Bëhet fjalë dhe për “pazare”. Çamët e thonë proverbialisht se ku ka zë, nuk është pa gjë. Bëj një farë përllogaritje. Po u ndoq teoria e zgjerimit të detit grek me 12 milje, i bie që vija e kufirit të shkojë deri tek vila buzë detit në Sarandë, ku banon miku im Lulëzim Iljazi nga fshati Janjar. Lulëzimi është çam dhe kur ishim në Gjirokastër, të rinj, ai këtë detaj e thoshte me krenari. Sot me shtetin grek për gjithçka mund të flitet. Vetëm Çamërinë nuk duan tua zësh në gojë. Ç’është kjo gjëmë i them vetes? Të filmosh nëpër Çamëri e të kesh frikë se po të arrestojnë, apo të vrasin? Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Po ky është realiteti. Nëpër këto vise e brigje deti po të zësh në gojë fjalën “Çamëri” të gjen  gjëma. -Jam në merak e shënoj në fletore emrat e gjireve të detit që nga Preveza, Igumenica e deri tek piramida 79 në Qafën e Botës. Në fletore shënoj gjithashtu emra rrugësh, përrenjsh e lumenjsh. Por në ndonjë cep regjistroj dhe emrat e shpendëve e të drurëve. I krahasoj fjalët me ato që përfshihen në fjalorin themeltar të gjuhës shqipe.

Si po i qëmtoni rrënjët e fjalëve që përdoren sot në Çamëri?

Shoh se shumë nga fjalët janë me rrënjë e me degë çame. Sot një çam mund të flasë në përditshmëri greqisht, por në familje ai kokë e këmbë është çam. Dhimitri është vllah dhe ka lindur në maternitetin e Konispolit. Ka shumë miqësi me çamët. Mbaroi studimet shkëlqyeshëm në Tiranë dhe një jetë ka punuar si financier në Krumë e Kukës. Në një nga kafenetë e Prevezës më tha një gjë të bukur që më mbeti në mendje. Vajti 20 vjeç në Krumë dhe klima nuk i bënte mirë. I çahej buza e poshtëme. U dashurua me një veriore, por sa e puthte të dashurën buzët i ngjyheshin me gjak. Merrte lejë dhe vinte në Konispol, ku banote nëna dhe babai. Për disa orë i shërohej buza dhe romantiku Dhimtër Butrinti, bënte dashuri. Gjatë gjithë udhëtimit, Dhimitri më thotë se do ta realizojmë dokumentarin. Këtë ide ja pata thënë dhe Adem Demaçit. Në Tiranë u promovua kënga “Baladë Çame” e kompozuar nga Edmod Zhulali. Organizatorët e kishin sjellë që nga Saranda, ku banonte martiri i madh. Njihesha me të. Kisha shkruar për vuajtejt e tij në burgun e Goli Otokut. Adem Demaçi ma përkrahu idenë e filmit. Herë me këmbë në tokë e herë me imagjinatë mundet ta ndërtosh skenarin më tha ai. Në promovimin e këngës “Baladë Çame” foli dhe Adem Demaçi. Mes Kosovës dhe Çamërisë ka një tis ngjashmërie proverbiale. Kosova e fitoi lirinë me luftë. Po Çamëria? Pakushtuezmërisht që edhe Çamëria po shkoqit udhën drejt bashkimit me shtetin amë, që është Shqipëria, siç e tha i qëmotëshmi Ndre Mjeda.

Në Prevezë, Gumenicë, Filat, Paramithi, Marglliç, Parga dhe anës së lumit Pavëll, herë pas here recitoj vargjet e papërsëritëshme të Ndre Mjedës: /Prej Tivarit e n’Prevezë/ /nji a gjuha e kombi nji/ /ku lëshon dielli nj’ato rreze/ /që veç toka jote i di/. Çdo varg më ngjan si shkëmb i rëndë. Një strofë, një mal! Nuk e di nëse poeti Ndre Mjeda ka qenë ndonjëherë në Prevezë? Ku i dihet? Nuk dihen hollësira të mardhënieve të tij me kishën greke.  Shtigjeve të Prevezës i thoja vetes se Ndre Mjeda e dinte se ku fillonte dhe ku mbaronte Shqipëria. Poeti Ndre Mjeda është po aq i madh sa Naim Frashëri. Me këto katër vargje monumentale ai mbetet një talent i rrallë. Nuk ka pasur familje në Çamëri që nuk ua mësonte këtë vjershë fëmijës së vet. Më thonë se edhe tani në fshehtësi bëhet e njëjta gjë.

Rastësisht ndoqa në dhomën e hotelit një intervistë të Shpëtim Idrizit në një stacion televiziv të Tiranës. “Babai” i çamëve kishte botuar një libër për kufijtë detarë. Intervista e Idrizit më ngacmoi. Për çështjen e Çamërisë ka shumë reklamë dhe teatër absurd. Japin shfaqje në Qafën e Botës nga kanë ardhur karvanet me çamë të përzënë nga terroristët grekë.

Por edhe sot çështja çame është në sipërfaqe?

Nuk është gërmuar. Flitet për të shpërngulurit me dhunë. Por nga qëmtimet del mbi ujëra një shkëmb më i madh se Shkëmbi “Barketa”, që kërkojnë të na e gllabërojnë grekërit e rinj të Micotaqit. Andartët grekë kanë therrur grupe çamësh, që nuk u bindeshin për të lënë vatanet. Shfarosja  ka qenë mizore. Herë me përmasa masive dhe herë pjesë - pjesë me grupe dhe individë. Andartët e gjenocidit grek i kanë groposur çamët dhe në varre masive. Gjithashtu i kanë mbytur të gjallë në det, në lumin Pavël dhe i kanë djegur në furra gëlqereje. Vështroj në yrtet e Filatit se ku mund të jenë varret masive të banorëve të Çamërisë? Ngre supet. Kanë rrjedhur shumë ujëra. Miqtë më thonë se duhet kërkuar në arkivat e kishave, në manasitire, e nëpër familje ku ka pasur martesa mes famijeve çame me ato të vlleheve dhe  të grekërve, megjithëse me grekërit  kanë qenë të pakta. Edhe pse pushtetarët në Greqi janë përpjekur të zhdukin çdo “lule” çame, ka ende “guva”, ku mund të gjenden fakte mbi çamët e zhdukur pa nam e nishan. Pronat çame janë të regjistruara. Janë tapitë në arkivat e grekërve. Kot thonë se i kanë djegur. Kam shkuar dikur nga Tirana me ekipet e qeverisë në fshatrat e zonës së Konispolit të banuar qind për qind me fiset autoktone çame.

-Nga të gjitha lëvizjet dhe takimet në trojet çame çfarë të ka mbetur më shumë në mendje?

Më ka mbetur në mendje ajo që më ka treguar një brigadier blektorie.

Në afërsi të piramidës 70 më tregoi një lëndinë afër vijës së kufirit. Ngjarja ishte transmetuar gojë më gojë e brez pas brezi. Grekërit në Filat në masakrën e madhe kishin vrarë e kishin përzënë sa u kishte ngrënë krahu mbi çamërit e pafajshëm. Në një nga këto masakra një djalë i ri filatas, kishte humbur të dyja këmbët. Por kishte mbetur gjallë. Filatasi pa këmbë kishte udhëtuar një vit drejt Shqipërisë. Hiqej zvarrë. Jetonte me të lypur. Me të pyetur kishte mundur që pas një viti të delte mbi Konispol. E kishin futur në stan disa barinj të Konispolit. Filatasi u kishte rrëfyer  se ç’kishte ndodhur me njerëzit e tij në Filat. Qe shuar fisi dhe i gjithë fshati ku kishte lindur. Po kështu kishte ngjarë dhe me qindra çamë të tjerë. Djaloshi i gjymtuar mbante me vete një çantë me lëkurë ariu dhe një qese të shajaktë. Për gjërat që kishte në çantën e lëkurtë, ai nuk kishte thënë gjë. Ndërsa në qesen e shajkatë kishte farë borziloku. U kishte treguar për mbiemrin dhe barinjtë e Konispolit i kishin thënë se njerëzit e tij ishin vendosur në Ujin e Ftohtë të Vlorës. Ishin me mbiemrin Lato. Filatasi qe gëzuar. Do ta ndihmonin që të arrinte në Vlorë. Por atij njëra këmbë i qe gangrenizuar. Nuk mund të udhëtonte tek Latot e Vlorës.  Ai u kishte thënë barinjve të Konispolit ta varrosnin në kodër me kokën nga Filati. Çantën e lëkurtë t’ja vendosnin në varr, kurse farën e borzilokut t’ja mbillin mbi varr. Nëna e tij në Filat e mbillte një arë me borzilok. E kishte parë nënën me sy kur ja kishin prerë kokën me sëpatë andartët grekë. Dhe barinjtë e Konispolit kështu kishin bërë. Për çantën e lëkurtë barinjtë nuk kanë thënë ndonjë detaj. Kurse fara e borzilokut qe përhapur nga kodra në të gjithë lëndinën. Borziloku qe bërë pyll. Kaq dihet. Kur pas vitit 1945 kufirin me Çamërinë e morën në mbrojtje kufitarët shqiptarë njësitet e kufirit thoshin: - Sonte jemi me shërbim tek “Kodra me borzilok”. Kështu thoshin dhe kooperativstët. Edhe pse kodra me borzilok u plugua me traktor borziloku më shumë u shtua. Nuk iu shua fara. Ja kam thënë këtë motiv shkrimtarit Qamil Buxheli. Më kishte prezantuar me të i vëllai, Avni Buxheli nga Pandelejmoni, i cili u bë Komandant i forcave të kufirit shqiptar. Qamil Buxheli më pati kërkuar t’i tregoja emrin e filatasit të mbuluar me borzilok. Por deri në ditët tona ka mbrritur prej barinjve vetëm mbiemri Lato. Latot banojnë në Vlorë. I vëllai i Qamil Buxhelit,  Avniu, një çam gjithashtu shumë i ditur më çoi tek Kodra me Borzilok. Asgjë nuk pashë. Bima e borzilokut atë vit nuk qe bërë shumë na thanë rojet. E kishin dëmtuar sorrat. Ato e hanë farën e borzilokut. Dhe Avni Buxheli që kishte një penë të artë mori me vete për në Tiranë një degë të thatë borziloku. Kam pyetur  dhe për varrin e filatasit dhe nuk dihet asgjë. Ai e kishte lënë amanet që çantën me lëkurë ariu t’ja vendosnin në varr, ku kishte dokumenat e Filatit. Barinjtë që e varrosën nuk e kishin marë shumë seriozisht. Po fjalët mot pas moti u shumuan. Nuk kemi pse të çuditemi. Edhe nëpër varre duhen kërkuar “thesaret” e banorëve të Çamërisë.

-Pse? Ke diçka konkrete?

Në Filat, anës së një përroi, në një udhë të vjetër, po kërkoj për ndonjë të çarë a gropë, i cili mund të ketë qenë varr.

Nuk e vë në dyshim se kjo rrugë këmbësorësh nuk ka pësuar ndryshime. Në të detyrimisht kanë ecur karvanet e çamëve të përzënë nga bandat e andartëve grekë. Ndaloj në fund të një vreshti. Janë emigrantët shqiptarë që vjelin rrush. Ata pa më pyetur e hapin vetë bisedën. Greqia do të zgjerojë  kufijtë detarë me 12 milje, e thonë më zë të lartë. Vetë hedhin dhe presin opinionet e tyre. Një djalë  i ri ironizon me një proverb:-  “Si muti, kaka, si kazma, lopata”. E ka fjalën për politikanët shqiptarë. Po e shesin detin. Nuk jap dot ndonjë mendim se nuk i njoh të gjithë. I pyes për një emigrant nga Janjari i Sarandës me mbiemrin Iljazi. Ata nuk e njohin. Mendimet e vjelësve të rrushit më pëlqejnë. E megjithatë nuk i ndahem vargut gjenial të Ndre Mjedës:  - “Prej Tivarit e në Prevezë!”. Sot pushtatarët po e zvogëlojnë Shqipërinë. Po shesin teritore. Vendi po boshatiset. Lindjet kanë firuar.

-Por thuhet se Shqipëria po shitet kudo dhe po blejnë shtëpi të huajt?  Keni informacione?

Në Ksamil kanë blerë prona nëpërmjet të tretëve afaristët rus. Në të ardhmen e afërt në Ksamil do të banojnë rus. Vendi i shqiponjave po shuhet. Vjelësit e rrushit janë interesant. Le ta kënë marrë ngjyrën e mushtit. Pse rri si buf më thonë mua? Ja na thuaj përse nuk u arrestua grupi negocator i vitit 2009. Ata e falën detin. Mirë dje, po sot përse nuk i arreston Prokurori i Përgjithshëm. Këtu në Çamëri thonë se ka pazare me palën greke dhe kufiri detar do t’i afrohet gjirit të Sarandës. Nuk u kthej përgjigje. Mendohem e gërvisht kujtesën.

-          Çfarë do na sillni nga kjo kujtesë?

-          Në rini kam bërë disa stërvitje tek piramida 79. Stërvitjen e drejtonte koloneli çam Avni Buxheli. Ai me hartë në dorë e tha një qind herë se vija e kufirit duke filluar që nga piramida 79 kalon mes për mes Kanalit të Korfuzit. Dëgjojeni mirë thoshte koloneli me zë të lart! Shkëmbi Barketa është i Shqipërisë. Ai gur është tokë shqiptare. Për atë gur vritemi që të gjithë. Gjatë pesëdhjetë viteve të regjimit të Enver Hoxhës nuk vihej në diskutim. Shkëmbi Barketa ishte i Shqipërisë. Po ç’pati  Ksenofon Krisafi që dha dorëheqjen me grupin më të ri negociator?. Çoç lëviz nën rrogoz. Shkëmbi Barketa sikur është lyer me gjak qeni. Psherëtij! Tani në epokën digjitale gjërat kanë ndryshuar. Shkenca e gjeodezisë studjon trajtën e tokës dhe të detit dhe përcakton përmasat nëpërmjet matjeve të ndryshme të sipërfaqes, të cilat pasqyrohen në plane, në harta e në marrveshje. Kufitarët e socializmit nuk ishin specialist në fushën e gjeodezisë. Por për Shkëmbin Barketa bëhej hataja. Gjatë atyre viteve e mbaj mend mirë se Shkëmbi Barketa ishte dhe në milimetrin e fundit tokë shqiptare. Për ishullin Othonoi ne nuk flisnim. Veçse dinim që Kadri Hazbiu në ishullin Othonoi shkonte dhe bënte gjueti. Kufijtë në ato mote i ruante morali i lart. Tek piramida 79 u kap një grek, i cili doli në breg me not. Greku qe lakuriq dhe ishte korb i zi. Forcat e kufirit raportuan në Ministri se tek piramida 79 u kap një “zezak”. Por greku i ardhur me det nuk qe “zezak”. Ai ishte lyer me graso që të mbrohej nga uji i akullt i detit. Ai “zezaku” kishte thënë midis të tjerave se shteti grek është shumë i fuqishëm. Unë jam ushtarak kishte thënë gjithashtu ai. Ne ju mbysim në det. Por forcat e kufirit të Shqipërisë janë të tmerrshëm. Të vrasin për një valë deti. Familjet greke i mbrojnë bijtë e tyre. Nuk i nisin për t’i vrarë. Po të nis lufta grekrit dezertojnë. Kurse shqiptarët bëhen hi. Vriten me këngë në gojë. Nuk largohen nga piramidat. Të grijnë. Nuk ka zot që të merret vesh me kufitarët shqiptarë. Unë kam ardhur për tjetër hall e kishte mbyllur rrëfimin “zezaku”.

Tani kufijtë shiten në tavolinë.

Pse?

Po, po. Jo një shkëmb si Barketa, por me dhjetra kilometra. Për Çamërinë në Qafën e Botës “baballarët”mbajnë  fjalime. Jepen koncerte. Vendosen tufa me lule. Derdhen ca pika loti e bëhen fotografi. Në fund dhe një koktej. Pse kështu do të fitohet çështja çame? Dhje mendja ime fluturon tek marrveshja e firmosur në Ushangton midis palës shqiptare dhe asaj serbe në prezencë të njeriut më të fuqishëm të botës, Dolad Tramp. Sa e rëndë. Kosova bëri luftën dhe humbi mijëra jetë njerëzish, e pësëri nuk është e pamvarur. Po Çamëria ku po filmoj si do të fitojë? Me këngë në Qafën e Botës? E kam të zorëshme ta realizoj këtë dokumentar. Më duhen nja pesë vjet të hiqem zvarr si ai sakati me këmbë të prera nga Filati që shpuri në Konispol farën e borzilokut. Kam mbledhur shumë material për masakrat e bandave të andartëve grek, që bën gjenocid të pastër ndaj popullsisë së pambrojtur të Çamërisë. Në Filat asfalia greke është nëpër këmbë dhe të bën gjëmën po t’i zësh në gojë një gjysëm fjale që lidhet me viset e Çamërisë. Po jam në tokën shqiptare i them vetes? Pse të marrë frymë si i burgosur. Pse të kem frikë se më vrasin? Nëpër duar kam një ese të përfunduar për veprat e Qoses. E kam titulluar: -“Atdheu në fletët e librave të Qoses”. Eruditi i madh e ka shumë për zëmër këngën e popullit: /Shqipëri të qofsha fal/ /Të kam nënë e më ke djal/. Kosovarët panë dritë me luftë. Serbët janë të llahtarshëm. Themeluesi i gjuhës letrare serbe Stefanoviq Karaxhiqi ka thënë: “se ku jeton një serb është tokë serbe”. Sa therëse tingëllon thënia e Karaxhiqit “se ku jeton një serb është tokë serbe”. Po këtu në Çamëri ku çdo thërmizë dheu është shqiptare?

Po ju thoni se  jemi në tjetër situatë...?

PO! Këtu nuk të gjakosin. Të vrasin. Më duhet të mbledh fakte dhe të filmoj në udhën e vjetër me shkëmbinj e shtuf. Nipërit e andartëve grek thonë se në karvanet e çamëve kanë vdekur qindra vetë. U hidhnin ndonjë lopatë dhe ku mundinin. Kishte të sëmurë që mbeteshin në mes të udhës. Po ku janë varret? Sikur të gjeja ndonjë. Për këtë shtegëtim me varre në të dy anët e udhës nuk është shkruar. Karvanet mbetshin pa bukë. Grekërit nuk u jepnin as ujë. Çamët e mbanin shpirtin me rrënjë të egra. Udhën ma preu një baldosë sa një derr i egër. Filatasi që mbrriti në Konispol pa këmbë ka treguar se karvanet vrisnin baldosa, nuselale, ketra dhe i piqnin. Sa më ngacmoj kjo baldosë. Po tjetër gjë më shqetësonte. Filmoja fshehtas dhe doja të shikoja ndonjë tufë borziloku. Në Konispol filatasi ka treguar se gjatë udhëtimeit të vështirë ai mbillte farë borziloku. Fara e borzilokut shtohet çdo vit dhe bëhet korie. Eh, i them vetes, sikur gjatë udhës të gjeja vazhdën e borzilokut të filatasit. Dhe dokumentari mundet që t’ja arrinte qëllimit. Në shumë qytete e fshatra tek plugoj me laps në universin çam dëgjoj të thonë: “Mëhalla, lumi, përroi, pylli e deti i Çamërisë”. Është një arshivë e madhe. Janë libra autentik që duhen lexuar. Edhe aty ku mungojnë njerëzit vendlindja çame flet. Në Parathimi kishte dyqind vjet që një kodre i thërrisnin Varri i Hoxhës nga Filati. Siç na thanë andartët grek e kishin shkatërruar varrin e Hoxhës nga Filati. Edhe gurët ja kishin futur në furrën e gëlqeres. E megjithatë edhe sot e kësaj dite vetë grekrit kur kalojnë atyr anëve thonë: - “Këtu ka qenë varri i Hoxhës nga Filati!”

-Ku të nxjerr udha e vjetër?

Udha e vjetër më nxjerr në rrëzë të një ujvare. Çamët që punojnë në Filat më thonë se jo shumë larg ujvarës janë rrënojat e një mulliri ku dikur bluanin filatasit, të cilët u shpërngulën me kërbaç e pushkë. Ata më dhanë dhe mbiemrin e pranarit filatas nipërit e të cilit banojnë në Fier. Në dy - tre vende gjeta dhe dega borziloku. Më pëlqen të mendoj se fijet e borzilokut janë të mbjella prej filatasit të gjymtuar, që mundi të dal mbi Konispol. Se di pse nuk po më ndahet motivi i filatasit që shpuri nga Filati në Konispol një trastë me farë borziloku. Në hotel çdo mbrëmje e hedh vështrimin nga Kashta e Kumtrit, që në Çamëri e kanë quajtur Udha e Qumështit. Çamët u tregonin fëmijëve për Udhën e Qumështit. Një njeri kishte vjedhur kashtë. Por udhës thesi i kashtës i hapet vjedhësit dhe mbas tij u shpërnda kashta e vjedhur dhe u formua Udha e Qumështit. Dhe fëmijët çam sa binte nata e shikonin në qiell udhën që zgjatej me kashtën e vjedhur. Dua ta krahasoj filatasin e gjymtuar me vjedhësin e Kashtës së Kumtrit. Por krahasimi çalon. Megjithëse tregimi i çamëve synonte tu thoshte fëmijëve se njeriu nuk duhet të vjedh, ngjasimi me filatasin, që mbolli udhës për të dal në Konispol farë borziloku është i paqëlluar. Filatasi mori nga konaku në Filat çantën ku ishte borziloku i nënës. Ai nuk ka punë me vjedhësin e kashtës. Vjedhësi i kashtës kishte si atdhe qiellin, kurse filatasi me borzilokun e nënës në shpinë kishte vendlindje Çamërinë, ku edhe sot tek - tuk recitohen vargjet e Çajupit:  -/E dashur mëmëdhe!//Të dua dhe kështu si je!//Po kur të shoh të lirë/ /Do të dua më mirë/. Çajupi i ka shkuar këto vargje kur qysh moti kishte filluar gjenocidi i andartëve grek. Janë të skalitur në Çamëri dhe të Labëri shumë këngë që fiksojnë luftën dhe terrorin grek. - /Venizellua nga Gjiriti/ /Asqer nga Preveza ngriti/. Po kush janë “asqerët”? - Janë andartët grek me thika të posaçme për të therur çamët. Andartët i thernin çamët nga zverku me disa biçak me mill floriri dhe i ripnin nëpër rrepe sikur të ishin cjep.

Çamët e përzënë në karvanet e përgjakur kanë fiksuar në këngët e tyre dhe personazhet e mallkuar si gjeneral Griva, i cili gjithashtu ka bërë krime të përgjakëshme ndaj çamëve. E thotë dhe kronika në vargje: - /Viti katërmbëdhje seneja/ /Edhe Griva nga Moreja/. Nuk ka nevojë të qëmtosh në arkiva. Poeti çam në karvanin e dërrmuar e dokumenton edhe vitin. “Viti katërmbëdhjetë seneja!”. Historitë e çamëve janë të rrralla. Ata kanë qenë mysliman dhe kurrë nuk e ndërruan fenë. Një burrë i moshuar që ka qenë detar më thotë dhe këto fjalë: “Ujku thotë ai sulmon me dhëmb, demi me brirë, kurse greku me kishë”. Dhe pastaj ma këndon me zë të lart këngën që e këndonin në Marglliç: - /Biri, moj daulle, biri/ /Ta marr vesh dreqi dhe i biri//Ka lojt prifti nga fiqiri/. Dhe më tutje: /Bëre mirë aq e kaq/ /Prift, o papa Nikollaq/. Në punishten e këngëve ato kundër kishës janë ulur këmbëkryq.

-Cfarë po gjen në botën e çamëve?

Ngado që qëmtoj këmbëngul që të gjej botën e çamëve. Të panjohurën. Prandaj në çdo takim fiksoja baladat, këngët, dasmat, mortet, xhamitë, lumenjtë, vajet, përrallat, zakonet, sarajet, vitoret, zanat, magjitë, mallkimet, paralajmërimet me kuisjet e qenve se kur do të kishte vdekje e të tjera. Nuk po e gjej dot të veçantën. Ato që i kisha shënuar në bllok në Prevezë kur i lexoja më dukeshin sikur i kisha vjelë në Luginën e Lumit të Vlorës. Për shëmbull trimja Laskarina Bubulina, e cila ishte arvanitase në kryengritjen kundër turqve humbi burrin dhe djalin. Vetë mori komandën e forcave kundër armiqve. Këngën, të cilën e mora në Marglliç  thotë: -/Bubulinë trime me nam/ /I nxore djemtë me pallë/ /Mariot dhe shqiptarë/. Sa më ngjante Bubulina me Miro Tërbaçin. Edhe sot ku ka famije çame ngrihen dolli si për Bubulinën dhe për Miro Tërbaçin. Duke u menduar nëpër Marglliç më vinte inat, që në motet e socializmit në Shqipëri propaganda e lustronte motivin edhe për detajin më të parëndësishëm të personazhit. Në shumë vende nëpër Çamërinë e shkretuar doja të zbrisja në “palcën” e një heroi siç qe Osman Taka, që përmendej vetëm për vallen e tij të famëshme. Jam ndodhorur në Ksamil në vitin 1978 kur vendin magjik e vizitoi Enver Hoxha. Për dreq dhe ai i fryjti të njëjtit zjarr. Foli për vallen e Osman Takës. Një vargmal me shkrime ishin shkruar për vallen e heroit çam nga Konispoli me shumë emër në çdo milimetër të Çamërisë. Edhe Enver Hoxha i ra fyellit në të njëjtën vrimë. Por Osamn Taka në rradhë të parë ishte veprimtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Osam Taka ishte “truri” i Lidhjes shqiptare në jug dhe prandaj autoritetet osmane e ndoqën, e burgosën dhe e vranë në Konispol. Natyrisht që ishte dhe valltar. Enver Hoxha në Ksamil nuk foli për meritat e Osman Takës. Atë ditë në Ksamil për të dëgjuar Enver Hoxhën erdhën të gjithë çamët nga çukat e Konispolit. Mbrritën qysh pa gdhirë. Udhën e largët e bën në këmbë, me kuaj e me mushka e me makinat e zbuluara të dërguara që nga Saranda. Por atë ditë çamët e lodhur mbetën të zhgënjyer. Enver Hoxha nuk foli fare për genocidin grek ndaj popullsisë çame të mbetur matanë kufirit. Nuk foli gjithashtu për pronat e çamëve, të cilat i kishin përvetësuar andartët grek. Po pse heshti tinëzisht Enver Hoxha për fatin e keq të çamëve?. Enver Hoxha që qe afër Çamërisë nuk i trazoi ujërat në Ksamil. Pse? Në një farë mënyre heshturazi kishte rënë në “ujdi” me qeveritarët grek. Përpara çamëve në Ksamil e hëngri turpin me bukë. Tek e sjell në imagjinatë atë takim të Enver Hoxhës në Ksamil me banorët e Sarandës dhe sidomos me atë të çamëve të Konispolit ndihem keq. Sa i vogël më është dukur në Ksamil Enver Hoxha përpara poetit Ndre Mjeda, i cili kishte shkruar 60 vjet më parë vargun homerik: - /Prej Tivarit e në Prevezë!

Në çdo takim me njerëz, të cilët nuk janë çam, më gërvishtin çështjen e zgjerimit të ujërave detare deri në 12 milje nga ana e grekërve. Një lajm i fundit që e ndoqa në Parathimi bënte fjalë për blerje armësh e avionësh ushtarak nga shteti grek. Njerëzit e thjeshtë duan të dinë hollësira. Mirë detin kërkojnë ta zgjerojnë, po çështjen çame përse nuk e zënë në gojë? Të njëjtën gjë që bënte Micotaqi i madh, këtë po bën dhe i biri, që tani është kryeministër. Bile ky i dyti është dhe më tamaqar. Përgjigjet e mia janë të thata. Unë nuk e njoh të drejtën Ndërkombëtare të detit.

-Jëmi në një kohë tjetër, çfarë bluani në mendje për këtë problem?

-Jemi në kohën e botës digjitale dhe tani gjeodezia kozmike të jep ujë në “shosh”. Atyre që i kam miq u them:  Pavarësisht sesi do të katranoset marveshja e re që është në magjen e brumit ka rëndësi që Shkëmbi Barketa t’i mbetet Shqipërisë. Ndryshe “u puthëm me Milon”. Kufijtë detar u shtytën në Qafën e Gjashtës. Do tregoj me mburrje një takim që në rininë time kemi pasur në sallën e mbledhjeve të Ministrisë së Brendshme me një nga shkrimtarët me emër. Takimet me shkrimtarët ishin të modës në ato mote. Ishim mbi 150 oficer nga e gjithë Shqipëria. Mbledhjen e drejtonte zevëdësministri i brendshëm Frrok Pjetër Gega. E mori fjalën dhe shkrimtari “x”.  Ai foli rreth një orë. Ne pa e ngritur kokën mbanim shënime në blloqe. Porositë e tij do të shkonin tek forcat e kufirit në piramida. Midis të tjerave shkrimtari “x” tha dhe një gjë që na la pa mend. Ti propozohet shokut Enver tha ai që mbi Shkëmbin Barketa të hidhet një kat me beton. Dihet që shkëmbi në vartësi të baticave dhe të zbaticave herë shfaqet e herë zhduket nën ujërat e kaltëra. Pasi të hidhet një brez me beton, po në përmasat e shkëmbit, të ngrihet një basoreljev dhe mbi të vendoset monumenti i Hasan Tasinit. Të vendoset dhe një shtizë për të ngritur falamurin kombëtar së paku një herë në muaj. Ky detaj mundet të ishte dhe fantazi e shkrimtarit, i cili na shikonte ne në sallë si ca “idiotër”. Por ai shkrimtari “x” paçka se si e tha mendimin për ta ktheyr Barketën në “pallat”, ne që e dëgjuam na e nguliste në mendje faktin se Shkëmbi Barketa ishte pjesë e tokës dhe e detit të Shqipërisë.

Nuk dua që çështjen e detit ta fus shumë në skenar.

-Pse?

S’jam ekspert i detit. Orë pas ore nëpër Çamëri më dalin përpara syve personazh të habitshëm të historisë çame. Lexoj çka kam shkruar dhe nuk është më pjesë e dokumetarit filatsi me këmbë të prera, i cili e çoi borzilokun e nënës në Konispol. Por nuk dua as të merrem me linjën “Mjeda i madh dhe Enveri i vogël”. Miqtë më sygjerojnë që të merrem me figura të panjohura të Çamërisë. Çamët e Prevezës më thonë se në Kuvendin e Vilajetit të Zhulatit të vitit 1830 ka marë pjesë dhe Xhafer Demua nga Filati. Siç duket bëhet fjalë për Kanunin e Idris Sulit, i cili u mor me reformat e të drejtës zakonore. E njoh Kanunin e Idris Sulit, por emrin e Xhafer Demos nga Filati nuk e kisha dëgjuar. Prevezasit për të më bindur më tregojnë dhe këngën: /Idris Suli nga Zhulati/ /Belul Toto Progonati/ /Xhafer Demua nga Filati/....../Vetë Gjoleka nga Kuçi/ /Fejzo Gjika nivicioti/ /Bashkë me ta dhe Tafil Buzi/ /Dhe trimi Çelo Picari/. Në Kuvendin e Idris Sulit morën pjesë përfaqësuesit më të shquar të krahinave, luftëtar, trima dhe patriot. Po kush është Xhafer Demua nga Filati? Mu hap punë.

Orë pas ore përroi i skenarit mbushet me ngjarje e pamje që nuk i kisha imagjnuar. Më lënë pa mend kapedanët e Çamërisë. Kur kam ndjekur filmin “Sulejmani i madhërishëm” dhe kam dëgjuar për luftrat në Prevezë kjo më ishte dukur thjesht si një gjetje artistike. Por të shfletosh historinë e luftrave të Prevezës, Gumencës dhe të gjithë bregdetit të Çamërisë nuk gjen dot fjalë për t’i vënë në rresht. Kapedanët e Çamërisë kanë bërë shumë për atdheun e tyre. E thotë dhe kënga çame: - /Ndalu, Sulltan Sulejman/ /Si njeh mirë këto anë/ /Me biçak ta marrin xhan/. Çamët njihen si trima dhe besnik të lidhur sidomos me Ali Pashë Tepelenën si dhe me lebrit. Për të mbrojtur kullën e Litharicit në kalanë e Janinës nga turqit Ali Pashë Tepelena vendosi në kala trimat e Çamërisë,  të cilët më 15 tetor të vitit 1821 e mbrojtën atë me heroizëm. E thotë dhe kënga çame: -/Kalaja në an’të gjolit/ /Ç’e rreh topi i Stambollit//Bien gjylet treqind okë//Dy mijë gegë dhe tre mijë çam/ /Të lidhur me Ali Pashanë/.

Sa herë që më ftojnë në ndonjë takim e përmend atë që më ka thënë një nga kolonelët çam, i cili ashtu si dhe unë, qe në shërbim të shtetit të Enver Hoxhës. Tek piramida 70 në Qafën e Botës koloneli Avni Buxheli nga Pandelejmoni po i jepte detyrën një oficeri të ri. Piramida është në formën e trekëndshit. Në mesin e piramidës ndodhet një vijë që ndan milimetrat e kufirit midis dy vendeve. Koloneli i thoshte kuadrit të ri se pika e vesës rrjedh në këtë vijë të hollë. Nëse pika e vesës shkërmoqet dhe prek milimetrat e pjesës shqiptare është shkelur kufiri shtetëror. Oficeri i ri duhet të mësonte, që edhe pika e vesës që nga maja e piramidës në të dy krahët, duhet të binte në tokë pa cënuar asnjë milimetër. Pa e hequr dorën nga piramida koloneli çam Avni Buxheli i tregoi kuadrit që po merte detyrën historinë e dëshmorit Benda Buzo nga Korça. Kufitarin e vrau një bandë e monarkofashistëve grek. Dhe kufitari para se të jepte shpirt shkroi dy gërma në faqen e piramidës: P. E.(Parti - Enver). Por nga ai takim tjetër gjë më ka mbetur në mendje. Kolonel Avni Buxheli pa e hequr dorën nga piramida 70 i tha gjithashtu oficerit të ri një mendim që atëherë më tronditi. Do të vijë një ditë tha koloneli që piramida 70 -të do të xhvendoset dhe do të vendoset në gjirin e Prevezës. Nuk do të jetë kufiri në Qafën e Botës. Por në Prevezën e bukur. Këto ditë nëpër Çamëri e kam kujtuar këtë thënie të Avni Buxhelit, që në atë kohë nuk thuhej lehtë. Por siç po duken bathët profecia e Avni Buxhelit do të vonojë. Tentativa e grekërve për t’i zgjeruar kufijtë me 12 milje e çon Ksamilin  në Qafën e Muzinës. Nëse do të më teproj koha do të kthehem në Bashkinë e Konispolit e do të çaj atje dy propozime. Avni Buxheli nga Pandelejmoni të shpallet “Qytetar Nderi”, dhe një monument i Ndre Mjedës të vendoset në mes të qytetit të Konispolit.

Miku im Dhimitër Butrinti që filmon ku mundet më thotë se duhet të filmojmë dhe në hyrje të Ujit të Ftohtë në Vlorë.

-Ku është lidhja?

Në një nga përzeniet e mëdha të çamëve për në Shqipëri prej Gumenicës bashkë me karvanin e çamëve fluturonin mbi ta dhe gjeraqinat e bregut. Gjeraqinat ishin të lidhura me banorët e bregut të Gumenicës. Një tufë me gjeraqina përfunduan në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku u vendosën një pjesë e gumeniciotëve. Janë shtuar dhe fluturojnë mbi Shashicë.      -   Kam bërë një listë me kapedanët çam. I ka kaluar nja një qind trima. Të gjithë janë karaktere. Po tani kanë ndryshuar kohët. Nuk vrapohet pas atdheut, por pas dollarit. Kur shërbeja në Gardë një “personalitet”, i cili kishte bërë krime kishte vendosur të shkoj në fshatin e lindjes. Vajti natën. Por në hyrje të fshatit filluan të kuisnin qentë. U bën kope dhe e rrethuan ekskortën e Gardës. Njëri nga shoferët shtypi një nga qentë. U bë potere e madhe. Në fshat krisi pushka. Dhe “personaliteti” u kthye me bisht ndër shalë në Tiranë. Nuk u fut dot në fshatin ku kishte lindur.

Herë pas here kur flasim për dokumentarin Dhimitër Butrinti më thotë që të lëmë një “furrik” për të qepur një fragment nga jeta e aktorit me origjinë nga Pagra. Rolin e Ibrahimit tek filmi “Sulejmani i madhërishëm” ai e ka qarë. Ngjan që është çam. Unë nuk ja bëj shumë të bardhë Dhimitrit. Më shumë më interesojnë kapedanët e Çamërisë legjendat e të cilëve i gjejmë tek valët e detit, dhe në udhën drejt Shqipërisë, ku iknin të traumatizuar mijëra refugjatë çam. Në të dy anët e udhës nuk ka qeparisa, por varre të fshehur. Varre pa një gur tek koka. Më sfilit ankthi për të gjetur varre nga të atyre që ishin në karvanin tragjik të përndjekur nga cikloni i andartëve grek. Sa keq. Ëndërr për të gjetur varre. E brenda varreve ndonjë adresë.

Në Gumenicë u futëm në një dyqan mishi. Brenda nuk kishte klient. Shitësi, i cili e mori vesh se ne ishim nga Shqipëria, e mori fjalën i pari: - “Si jeni nga Tirana?” tha ai. Gjithashtu tha si ishte nga çamët e dikurshëm të Gumenicës së vjetër. Vetëm kaq. Kur në dyqan u futën klientët ai heshti. Ishte hera e parë në këtë shtegëtim që guxonte dhe na fliste një çam. Shumica flasin greqisht. Pyetja: “Si jeni nga Tirana?”ma trazoi shpirtin. Dhe vetëtimthi solla në mendje tregimin e Heminguejt: “Ç’lajme ke nga atdheu?”. Heminguej e ka shkruar këtë tregim në vitin 1924. Titulli i këtij tregimi dikur nuk më ka pëlqyer. Më është dukur prozaik. Në socializëm atdheun e kishim brenda telave me gjëmba dhe nuk kishim mall për të. As nuk pyesnim. Tani që shqiptarët janë shpërndrë në të gjithë planetin e vlerësojnë tregimin e Hemiguejt: - “Ç’lajme ke nga atdheu?”. Kjo ishte arsyeja që mua më emocionoi pyetja e çamit nga Preveza: - “Si jeni nga Tirana?”. Po cili është atdheu për çamin e dyqanit të mishit? Për të është Tirana dhe Çamëria. Kasapi i mishit ka dy atdhe. Një në Shqipëri dhe një në Çamëri. Por atdheu është një siç e ka përshkruar Ndre Mjeda: - “Prej Tivarit e n’Prevezë”.

Kam bërë me dhjetra kilometra në këmbë dhe me makinë brigjeve të detit dhe anës lumit Pavël. Nuk po godas dot në shenjë. Kameramani Dhimitër Butrinti më kërkon me këmbëngulje që të gjejmë nën tokë buzë arave dhe pyjeve gur kufiri të ngulur nga çamët, të cilët u përzunë nga sinorët e pronave të tyre në Çamëri. Siç thonë gojëdhënat gurët nën tokë sikur të ishin piramida, që nga thellësia, ku janë mbuluar shikojnë njëri - tjetrin, tregojnë sinoret e arave dhe kufizimet me gjitonët. Çamët e përzënë shpresonin që të ktheheshin një ditë. Por ajo ditë nuk po vjen. Do të ishte gjë e madhe më thotë Dhimitri sikur të gjenim qoftë dhe një gur të vetëm dhe ta filmonim. Nuk i humbasim shpresat. Mbi Gumenicë është një pyll me lisa. Lisat përballë më kujtojnë Naim Frashërin. Dhe me sytë nga lisat recitoj: - “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë”! Lisat më sjellin përpara syve elitën e fisnikëve çam për mbrojtjen e trojeve të Çamërisë. Populli aristokrat çam i ka përjetësuar trimat e tij. Me vargje epike i këndon Thanas Çamit, i cili në Rrapëz të Pargës vret kriminelin Dhionis Xhima. Janë monumental vargjet: -/Nxore revolen llagandë/ /Vrave Dhionis kapetanë/ /Ja hodhe trutë mënjanë/ /I mori gjaku pazar/ /Kish bërë zullume në çam/. Po kështu me vargje si për ligjvënës hyjnor këngët dokumetojnë plot kuptimësi heroizmin e trimave të Çamërisë siç është dhe ajo kushtuar trimit Hamit Margëlliçit, i cili në luftën ballkanike qëndroi heroikisht për mbrojtjen e trojeve të Çamërisë. Ja dhe vargjet që e ilustrojnë: /Kush lufton në Çamëri?/ /Hamiti me shqiptarë/ /Çamëria s’bëhet Elladhë!/. Me kredo e kult të paqshëm përjetësohet në këngët çame dhe komandanti i çetës “Çamëria”,  Muharrem Rushiti, i cili u kërkoj ndihmë trimave të Labërisë: - /Kazaja vuri tellallë/ /Djema na kërkon vatani/ /Me çetat e Labërisë//Grekut t’i hidhemi në grykë/.

Çamët kanë shumë qibër dhe elegancë në këngët kushtuar prijësave të tyre.

- Por edhe kur nuk ka këngë ?

Por edhe kur nuk ka këngë vepra përjetësohet me baladat. Andartët grek i kanë përzënë çamët edhe në drejtim të Turqisë. Kështu i ndodhi Mulla Abazit nga fshati Karbunarë i Paramithisë. Grekrit i rrëmbejnë nusen e djalit. Shkulen çamët me sopata e me pushkë dhe ja u marin nusen grekërve. Mulla Abazi detyrohet të niset për në Turqi. I gjithë fshati e përcolli me këngë deri në të dal të fshatit: - /Aferim, vëllezërit tanë/ /Se ne tok jemi vëllamë/ /Gjak e gjuhë shqipëtar/...../Haj medet, o Mulla palla/ /Tej të zezës është e bardha/.

Bota çame është e panjohur për shkak të rrethanave e të ndëshkimit të fatit. Një biografi monumentale në optikën çame do të kërkonte shumë ngazëllim. Ndofta një vëllim me vete e kërkojnë lidhjet e çamëve me lebërit. Megjithëse të dimensinuar i janë gjetur njëri - tjetrit në betejat e luftës me grekrit. Çamët janë zanafillor e autoktonë në trojet e tyre para helenëve. Dhe këtë e vërtetojnë kërkimet arkeologjike, veglat e stërrallit, armët, varret, poçeritë, puset e qeramika. Zeusi kishte si emblemë shqiponjën dhe vetëtimën. -  Në Parathimi ndeshëm me një fis, i cili mbante mbiemrin Buxheli. Pyetëm e nuk na dhanë ndonjë përgjigje për të qenë. Mbiemri Buxheli më trazojë. Ja tregova dhe Dhimitër Butrintit. Ma kishte thënë Avni Buxheli, vëllai i shkrimtarit Qamil Buxhelit, i cili në ato vite kishte bërë emër si shkrimtar. Qamil Buxhelit i kishte ndodhur një ngjarje e pazakontë. Ai ishte Kryeredaktor i revistës “Ylli”, që gëzonte famë në botimet e Tiranës. Revista “Ylli” shkonte për tu arshivuar dhe në Bibiliotekën e Parisit. Një ditë, krejt papritur, në sektorin e shtypit të Komitetit Qendror mbrrin një letër nga Drejtori i Bibliotekës së Parisit. Në letër thuhej që revistën “Ylli” Tirana të mos e dërgonte më në Paris. Ishte pa vlera. Shkrimtarin Qamil Buxhelin e thërret Ramiz Alia dhe e këshillon që revistën të mos e nisnin më në Paris. Ai ja jep dhe letrën e ardhur prej andej. Ramiz Alia gjithashtu e porositë Qamil Buxhelin, që të mos kthejnë asnjë përgjigje në drejtim të Parisit. Qamil Buxheli heshti parpara Ramiz Alisë. Pasi shkoi në zyrat, ku ishte redaksia e revistës “Ylli”, ai me kokën e tij i kthen një përgjigje private Drejtorit të Bibliotekës së Parisit. I rradhit ca rreshta falenderimi dhe në fund i shkruan se: - “Ku di dhia, ç’është tagjia!”. Përgjigja e Qamil Buxhelit bëri përshtypje në Bibliotekën e Parisit. E botoi dhe Gazeta “L’ Mond”. Proverbi: - “Ku di dhia, ç’është tagjia” ishte shoqëruar dhe me një karikaturë. Një dhi kishte përpara këmbëve një thes me tërshërë e me kokën lart përtypte gjethet e ferrës. Shkrimin e botuar në “L’ Mond” e kishte lexuar dhe Ramiz Alia. Në kafen e mëngjesit ai u kishte thënë bashkëpunëtorëve se Qamil Buxheli është çam i zgjuar.

Në të dal të Pargës gjarpëron një lum i vogël. Nuk ja di emrin. S’dua të pyes. E shfletoj hartën digjitale, por as aty nuk lexoj gjë. Motivi i hartës më solli në mendje dramën e një oficeri topograf në vitet e socializmit. Topografi ishte me shërbim dhe kishte dal në vijën e kufirit në Janjar, që në ato vite ishte brez kufitar. Topografi po shikonte kordinatat e Çamërisë dhe detaje të tjera me të cilat do të pasuronte hartën në Institutin e Topografisë në Tiranë. Topografit i kishin dhënë një detyrë nga Drejtoria e Zbulimit të Jashëtm në Ministrinë e Brendshme. Oficerin e topografisë e shoqëronin dhe dy topograf të tjerë. Në sekondë ndodhi e pabesueshmja. Nje erë e befasishme ja mori topografit hartën nga dora dhe e fluturoi në greminë shumë larg vijës së kufirit. Era qe aq e fuqishme sa hartën e lehtë si pendë skifteri e shpuri në thellësi të teritorit grek. Kështu e kishin ndarë kufirin Fuqitë e Mëdha të Londrës. Topografi që u bë gur nuk mundej të kalonte vijën e kufirit për të marë hartën. Aty qe dhe njësiti i shërbimit i postës kufitare të Janjarit. Nëse topogrfi do të guxonte rojet e kufirit hapnin zjarr dhe në bazë të ligjit e asgjesonin. Harta në ato vite klastifikohej si”tepër sekret”. Po atë ditë dega e brendshme e Sarandës e arreston topografin dhe materialet ja përcjellin prokurorisë ushtarake të Tiranës. Dhe oficeri topograf bën disa vite burg. E kam takuar pas shëmbjes së regjimit komunist. Topografi kishte nxjerr vizë për në Greqi. Pikësëpari kishte shkuar në Janjar, ku në rini era i rrëmbeu nga duart hartën dhe ja çoi në thellësi të teritorit grek. Në fakt nuk ishte teritor grek, por padrejtësia kishte bërë punën e saj. Dhe topografi si të qe ndonjë i çmendur kërkonte hartën që i shkatërroi jetën. Në fund të fundit harta sekrete kishte rënë në një nga viset shqiptare siç qe Çamëria. Topografi qe thinjur në burg për një palo hartë që asohere klastifikohej si sekret. Sot hartat digjitale zbresin në ind të fenomeneve të panjohura në çdo cep të planetit.

E shoh që nuk po gatuaj ndonjë brumë për të bërë bukë të mirë. E kam nga përvoja. Janë të vështirë skenarët. Ky për Çamërinë është si t’i futesh detit më këmbë për të dal tek Shkëmbi Barketa. Nuk je mbi bllok shënimesh, por mbi bombë. Neshat Tozajn e kam pasur mik. I kërkuan që të shkruante një skenar për antentatin e dështuar ndaj Ramiz Alisë në Krumë të Hasit. Neshati punoi dy vjet. E lexoi të gjithë dosjen e grupit të akuzuar të Golajve, ku pati dhe të dënuar me vdekje. Është e pamundur i tha ai Ramiz Alisë. Si mundet të realizohet një antentat me granadë nga një njeri që nga mesi i mitingut? Kjo është një broçkull kishte thënë Neshat Tozaj dhe nuk e shkroi skenarin. Gjithsesi unë po ngulmoj të gjej nëpër Çamëri ndonjë fabulë që t’ më shërbej. Një ma treguan çamët e Prevezës. Një çift çamësh kishin lindur dy djem binjak. Që të dy djemtë i lanë tek një bari në stan qysh kur qenë motak. Fëmjët nuk dinin asnjë fjalë as shqip dhe as greqisht. Bariu i ushqente mirë fëmijët. Atyre nuk u mungonte as “qumështi i dallandyshes”. Bariu qe shurdhmemec. Kur fëmjët qenë rritur pak tek dera e stanit futet një druvar. Të dy djemtë binjak i dolën përpara dhe i thanë dy fjalë: - “Bukë! Bukë!”. Çamët ua tregonin fëmijëve këtë tregim që nuk ngjante me përrrallat për t’u thënë se fjala “bukë”, të cilën e shqiptuan si fjalën e parë ishte e gjuhës shqipe. Këtë fjalë të dy fëmijëve të mbyllur në stan nuk ua kishte mësuar askush. Ajo u kishte dal nga “hambari” i gjuhës së nënës. Gjuha shqipe është folur në Çamëri që kur është krijuar bota.

Mbledh e vjel ngjarje nga më të pabesushmet. Dua të theksoj se pas një tregimi apo novele vjen medoemos dhe kënga që i bën jehonë. Shpesh baladat nuk thuhen me fjalë, por me vargje siç është dhe kjo për një vashë të plagosur në Parathimi: - /Nëpër qiellin e Parathimisë/ /Shkon një zogëz me një sisë/ /Me një sisë e pa krah fare/ /Vasha e mjerë kërkon ca varre/ /Ku ka nënën dhe babanë/ /Në një varr një qind janë çam/. Me dy vargje shprehet jeta e çamit ne truallin e tij: /Mëhalla e Mustafa Dushes/ /Këtu vajzë e këtu nuse!/.

Në kafene dhe në takime fare të thjeshta flitet dhe për takimet e Edi Ramës me kryeminstrin grek, Micotaqis. A mos ka ndonjë “pazar”?. Të dy kryeministrat sikur si kanë qejf marrveshjet. Dihen se ku janë denbabaden kufijtë detar. Një tregëtar peshku më habiti kur citoj De Golin që paska thënë: - “Traktatet janë si vajzat dhe trëndelinat. Zgjasin sa zgjasin!”.

Dhimitër Butrinti më thotë që kur të kthehemi do të ndalojmë në Qafën e Botës. Ai më thotë gjithashtu se ka rënë në gjurmët e një fakti ku thuhet se emrin Qafa e Botës këtij vendi ja ka vendosur djali i Akilit, Pirro Neptolemi. Edhe emri i Akilit (heroi më i madh i Iljadës) shpjegohet nëpërmjet gjuhës shqipe. Dhimitri më pohon po ashtu se një skallave me emrin Andromaka ka kundruar bukuritë e Qafës së Botës, ku ndërthuhej deti, toka dhe qielli. Unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë që djali i Akilit ishte pikërisht ai që ja kishte vënë emrin Qafa e Botës visit,  ku ndan vija e kufirit me Greqinë. Unë kisha lexuar një poezi të bukur të poetit Kostantinos Kavafisit për kuajt e Akilit, ku midis të tjerave Kavafis dhkruan: - /Kur të vdekur e panë Patroklin/ /Që ish aq trim, i fortë dhe i ri/ /Filluan të qajnë kuajt e Aklit/……./I pa Zeusi lotët e kuajve të pavdekshëm/ /Dhe u pikëllua. Në “Dasmën e Peleut” tha: -/S’ duhej të veproja kështu pa menduar/ /Më mirë o kuajt e mi fatkeq/ / Atje të mos u kisha dhuruar/.

Miku im këmbëngul. Nëse do të bëhet dokumentari doemos që do të themi dhe ato që dimë për djalin e Akilit. E pëlqej mendimin e Dhimitrit. Prej Qafës së Botës nuk është larg Butrinti. Po sa të panjohura ka për Butrintin misterioz. Si mund të lulëzoj kaq shumë një qytet antik me madhësinë e një tepsie. Brenda një “tepsie” të ketë aq shumë vepra arti. Enigmë. I përplas mendimet me Dhimitrin. Edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet çamët ju përshtatën regjimit. Nuk u arratisën. Ja dhe një ngjarje që ma ka treguar ish komandanti i kufirit të Sarandës me qendër në Livadhja. Në vijën e kufirit afër Konispolit natën kufitarët kapën një njeri që erdhi nga Greqia me një çantë në krah. Njësiti kufitar e pyet dhe ai u përgjigjet se ishte çam dhe banonte në qytetin e Sarandës. Kishte dy javë që kishte qenë në Filat. E kishte amanet nga gjyshi. Ai do ta kalonte fshehtas kufirin dhe do të merte në varrezat e vjetra të Filatit eshtrat e xhaxhait. Gjyshi ja kishte bërë dhe skicën e varrit. Dhe çami nga Saranda e që kishte ardhur i përzënë nga andartët grek, tani i moshuar, e kishte plotësur amanetin e gjyshit. Eshtrat e gjyshit i kishte në çantë. Kjo ishte shkelje dhe hetuesia e Sarandës e arrestoi shkelësin e ligjit. Sekretari i Parë Jashar Meselxhiu ndërhyn dhe çamin e lirojnë nga burgu. Dhe ai e rivarrosi me familjen dhe fisin xhaxhain e varrosur në Filat.

Tërë këto ditë më mundon mendimi. Kufijtë e Çamërisë dihen. Dihet gjithashtu padrejtësia e Fuqive të Mëdha të Londrës në vitin 1913. Po çamët autoktonë ku janë? Pyes dhe askush nuk më përgjigjet. Flasin greqisht. 300 000  shkuan në Shqipëri të përzënë nga andratët. Po kaq dhe në mos më shumë ikën në Turqi e shtete të tjera. Po sa çam kanë mbetur nga fara e arës së madhe të çamëve? Ngre supet. Pyetja është sfilitëse. Çamët po asimilohen????. Kjo është dramë e përmasave të mëdha. Ndaluam në Marglliç. Në një lokal bëhej një dasëm. Dasmorët ishin në valle. I thashë Dhimitrit të filmonte. Është valle çame më tha ai. Jo, iu përgjigja. Çamët dhe në valle janë rrebel. Ngjajnë me cikolonet. Nuk ulen rrafsh me tokën. Edhe kur janë në valle dorë për dore “sulmojnë” qiellin. Duan të ngjiten lart. Janë shumë krenar. Vështroj si kërcejnë. I ngjajnë flakës. Kur flaka në pyll bëhet e madhe shkëputet dallgë - dallgë dhe vallëzon në hapsirë e vetmuar. Duke vallëzuar ikën larg si ai vargu i Mjedës “Prej Tivarit e në Prevezë”. Në valle çamët shkelin me këmbë të ligat e kësaj bote. Natyrisht të parin genocidin e andartëve grek. Duke kërcyer merren vesh vetëm me perënditë. Edhe kënga “Të krishterë e mysliman/ /Kanë një nder e një vatan/, i cili  është një krijm çam,  shpirtëzon botën çame, e cila nuk ka pasur kurrë dyfytyrësi. Megjithëse ja bëjnë apologjinë fesë myslimane, të cilën e kanë ikonë të jetës së tyre, çamët me vargun “Të krishterë e mysliman”përcjellin mesazhin e brishtë të unicitetit fetar. Megjithëse nuk kam kohë të mjaftushme më duhet të shkoj në zonën e Sulit. E kam pasion figurën e Marko Boçarit, të cilin e vrau “Lleshi i Zi” nga Mirdita. Por gjithashtu kam dhe një shqetësim tjetër. Ka studjues që thonë se suliotët nuk janë çam. Por ka dhe kronikan të kohës si Pukvili, i cili thotë se “suliotët janë shqiptar me origjinë çame”. Ka gjithashtu studjues arvanitas të cilën mbrojnë mendimin se suliotët janë të prejardhur nga Parathimia. Unë kam dhe një brengë tjetër, që më mundon prej vitesh, dhe po e publikoj për herë të parë. Gjyshi im nga nëna Hazis Dulja ishte mik i shtëpisë së Mehmet Shehut. Nga kujtimet e gjyshit njëra më mundon edhe tani që jam në zemër të Çamërisë. Në një vizitë në shtëpinë e Mehmet Shehut në Tiranë nëna e Mehmetit, Sulltana,  e cila e respektonte shumë Hazis Dulen i thotë përpara filxhanit të kafesë se i shoqi, Sheh Çorrushi, e kishte molloisur kur ata banonin në Çorrush se Shehajt i kishin rrënjët nga Suli. Gjyshi, Hazis Dulja, qe befasuar dhe kishte nxjer nga goja fjalën: “Çam?”. Gjyshi im plak nuk kishte mendim të mirë për çamët. Kur ai fare i ri punonte yzmeqar në Kaninë të Vlorës i kishin thënë se çamët janë të pabesë. Por menjëherë pas pyetjes së gjyshit me një fjalë: “Çam?”, kishte ndërhyrë Fiqirete Shehu që rrinte në kolltuk. Ajo e kishte sqaruar gjyshin tim dhe i kishte thënë se jemi suliot dhe suliotët nuk janë çam. Për këtë tregim të gjyshit kë nuk kam pyetur. Historianët ngrenë supet. Nëpër arkiva nuk ka ndonjë gjë të shkruar. Me gjithatë e gjeta një gjë të shkruar si e zeza mbi të bardhë. Studjuesi i njohur Aristidh Kola në librin e tij me vlera shkencore, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve”, në faqen 540 ai bën dhe këtë shënim: “Shpalljen e nënshkruajnë: Shehu, Boçari dhe Xhavella. Shehu që ka të njëjtin mbiemër me Kryeministrin e Shqipërisë (Gjithnjë në vitin 1980) është me sa duket, i së njëjtës farë me paraardhëse të përbashkët Dhespon e njohur suliote, që luftonte e mbyllur me “nuset, nipërit e mbesat në kullë të Dhimullës”që thotë dhe kënga. Disa të krishter, disa mysilimanë. Por gjaku është i njëjtë: Shqiptar!” Bëhet fjalë për “Lidhjen arvanitase të Athinës” e vitit 1897.

Kohën e kam te rracionuar. Megjithatë më duhet të shkoj ne Mesologji, ku ka vdekur Bajroni më 19 prill 1824. Në Mesologji është vrarë dhe Marko Boçari suliot hero i luftës për pavarësinë e Greqisë. Bajroni e donte Greqinë. Ai thotë: “I kushtova Greqisë kohën time, pasurinë, shëndetin. Ç’t’i jpja më? Tani i jap jetën”. Po unë një skenarist i heshtur nga Tirana a e dua Greqinë? Sigurisht që po. Por Greqia e Homerit në ditët e sotme nuk është e lirë. Jam i sigurtë që Bajroni është takuar me çamët. Ka dëshmi që Bajroni mësoi të këndonte labçe me lebërit që i takoi që nga Himara e deri në Mesologji ku dha shpirt. Ndihem keq. Pse të mos ketë shkolla në gjuhën shqipe në Çamëri? Bile në Filat të kishte dhe një universitet. Heq në zëmër. Kërkesa të tilla janë çmenduri në Greqi. Më mbajnë gjallë vargjet e Mjedës e i përsëris ato vend e pa vend. Sytë i hesh mbi majat e ca rrepeve shekullor. Mbi kurorën e tyre fluturon një gjeraqinë. Ajo është e lirë. Po çamërit kur do të jënë të lirë si ajo gjeraqina? Nëpër rrugët e Çamërisë askush nuk të flet lirshëm shqip. Po bota pse hesht? E shoh që do më dështoj dokumentari. Por i them Dhimitrit që së paku kaseta të mbrrijë shëndoshë e mirë në Tiranë. Jam në ankth. “Faqebardhë caku!” thotë në veprën e tij Ukshin Hoti. Nuk ka dritë nëpër Çamëri. Sot për sot ka vetëm natë. Jam i sigurtë se edhe vargu i këngës çame: - “Gërsheti me natë deti, moj Leno” është krijuar në brigjet e detit të Camërisë.

Nuk e di nëse do ta realizoj skenarin kur të ulem që ta qëndisë. Synoj që ai të jetë një poemë në prozë. Kjo ma ngut zemrën që të nxjerr një dokumentar të mirë. Muskujt e kujtesës i kam vënë në punë. Do ta fus në dokumetar dhe poezinë e shkruar në Filat “Lisi mysliman”: - /Borziloku i Filatit/ /Ma trego rrugën e fatit/ Në cilat shtigje kaloi karvani?//Ku qe baba, nëna, fisi//bshkë me ta ishte edhe lisi//Lisi ish i lart sa mali/ /Në të dal të Filatit/ /Kur e pa gjëmën e madhe/ /U shkul nga vendi për në karvane/ /Dhe në të dal të Filatit//Lisi arriti karvanin/ /U tha pleqëve: Burra u mbani!//Kalamaj: Ju mos qani! //Mbahuni o trimat çam!//Këngë këndoni në karvan/ /Greku le t’ja bëj “bamb”//Ju vëllezër dhe ju motra//Le t’ju ketë çarë plumbi në mes//Me këngë e valle të forta/ /Shëndosh t’ju gjej çdo mengjes//Unë lisi i Filatit/ /Për karvanin jam banesë//Çamët i kam marë në besë/ /Le të siten plumba e le të bjerë breshër//Si filatas unë fitoj mbi dreqër//Me dëgët e gjera kthehem në spital/ /Për fëmijë e pleq bëhem kal//Shqiponjat bëhen ortopete//Operojnë ata që kanë plagë plumbi//Lumit Pavël gjak i kullon shkumi//Unë jam mysliman vikat lisi//Dhe si mysliman ju jap fuqi//Borzilokut si humbet fara nëpër Çamëri/.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora