E merkure, 24.04.2024, 04:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Brenga e fundit e kapedan Marko Boçarit

E shtune, 10.10.2020, 03:27 PM


Brenga  e fundit e kapedan Marko Boçarit

TREGIM NGA PROF. DR. RESMI OSMANI

Mesollongj i greqisë, vjështë e dytë, moti 1822.

Një vit më parë,1821,Mesollongji  e përzuri garnizonin turk dhe qytetarët e tij, me guxim  dëshirë, dhe etjen e pashuar për liri, pavarësisht nga pasojat që do të kishin, shpallën bashkimin me revolucionin çlirimtar të greqisë.

I ngritur buzë detit, i rrahur nga dallgët, në gjirin e Patras, nga e cila e ndante një rrip det, ishte kryeqëndër e Etolo-Akarnanisë.  I fortifikuar e rrethuar me mure të forta gjatë sundimit të Ali pashës së Janinës, qyteti me gjashtë mijë banorë, peshkatarë, artizane e tregëtarë dhe trqind familje të parësisë , kishte çelsin që hapte rrugën për në Peleponezin kryengritës.

Për forcat kryengritëse, qyteti duhej mbajtur me çdo çëmim, sakrificë dhe flijim të jetëve njerëzore, pasi aty vendosej fati i kryengritjes greke, çlirimit dhe fitimit të lirisë të shumpritur e të ëndërruar. Ndërsa për ushtrinë perandorake, duhej marrë me çdo kusht që, të hapej rruga për në Peleponez për të shtypur kryengritjen që, donte ta shkëpuste Junanistanin nga Perandoria Osmane .

Bashkë me mugëtirën e vjeshtës së dytë, retë e murrme, furtunat dhe rrufetë që çanin qiellin, e ngrinin dallgë të larta të detit në liman, nga veriu, me urdhër të Sulltanit që, i kishte thënë serasqerit:”Nga mesollongji dua të më sillni vetëm një grusht hi”, në rrafshultën para qytetit, ja behu mizëria e ushtrive perandorake, si luzma e korbave të zeza, të etura për kufoma e gjak, me zallahi, tam-tamet e daulleve, ushtimën e trompetave  dhe zurnave , valëvitjen e flamurëve të kuq me yll e gjysmëhënë që, e rrethuan atë nga ana veriperndimore. Deri në muret e qytetit vinte ezani i myezinëve dhe thirrjet qindramijë zëshe:”Allahu ekber” që, dridhte ajrin dhe zemrat e të rrethuarve.   Dymbëdhjetë  mijë asqerë, komandohishin nga Omer Pashë Vrioni dhe shumë oficerë të bashkuar me të nga taborri i Ali Pashës, pas mundjes dhe vdekjes së tij. Nën urdhërat e  Qytahi Pashës ishin taborret me tetë mijë asqerë. Në radhët e ushtrisë numëroheshin gjithësej njëzet mijë asqerë, të pajisur me artilieri dhe kavalieri. Nga deti qyteti ishte rrethuar nga flota e Isuf Pashës, që me danamet e tij, kishte bllokuar furnizimin nga deti dhe hera-herës bombardonin muret e qytetit dhe u bënte thirrje që të dorzoheshin.

Qyteti ju përgjigj armikut, me rënien e gjithë kambanave të kishave të qytetit që, dhanë kushtrimin e luftës dhe lutjeve në meshat e shënjta për fitore. Rrethimi ishte mbyllur si një lak për t’i zënë frymën, për t’i detyruar që të dorëzoheshin. Ushqimet, baruti dhe plumbat po soseshin. Tok me makthin dhe frikën, fantazma e urisë  dhe hija e vdekjes kishin hyrë në çdo shtëpi dhe  pllakosur gjithë qytetin.

Me mbrojten e qytetit ishte ngarkuar kapedan Marko Boçari, i ardhur aty me suliotët e tij trima,  para pesë muajve . I sapo graduar gjeneral dhe kryekomandant i ushtrive të Greqisë Veriperndimore , kishte nën komandë treqind suliotë arbërorë, trima e kapedanë, të sprovuar në beteja,  vullnetarë shqiptarë e moraitë dhe gjashtë mijë burra , nga të gjitha moshat, banorë të qytetit që, merrnin për herë të parë në dorë armët e luftës.

Për rëndësinë strategjike që kishte mbrojtja e Mesolongjit për fatet e kryengritjes, në ndihmë të tij, të dërguar nga administrata qëndrore, erdhën Kostandin Metaksai, një fisnik me origjinë princore nga ujdhesa e Qefalonisë, i emëruar prefekt i Etolo-Akarnanisë dhe  Gjergj Karaiskaqin, me trupat e tij, kapedanin trim artiot që Marko e njihte nga koha kur kishte shërbyer në oborrin e Ali Pashait.

Muret e Qytetit dhe caqet e luftëtarëve mbrojtës, u rrahën dy dit me artilieri. Këmbsoria mësyu për të kapërcyer muret dhe hyrë në qytet, xhenjerët hodhën shkallët, por shkallët u përmbysën nga mbrojtësit dhe shumë nga sulmuesit u vranë. Sulmi u thye, me dëme të shumta për sulmuesit.

Qyteti festoi fitoren me rënien e gjithë kambanave të  kishave.

Asqerët u tërhoqën në kampin e tyre. Marko dhe Metaksai, të lodhur e të dërrmuar nga dy dit luftime, por me gëzimin që të jep fitorja, qëndruan në kullën veriore, vunë tejqyrat dhe po vrojtonin kampin armik, të mbushur me mijëra çadra. Në qëndër të tyre shquhej shatorrja e pashait, mbi të cilën valvitej flamuri i gjysmëhënës. Sanitarët po tërhiqnin të vrarët e të plagosurit e shumtë, teksa rreth kampit po hapnin istikame dhe vendvendosje të artilierisë. Në atmosferë ndjehej ende hidhësira e pikërt e barutit.

Metaksai hoqi tejqyrën dhe si t’i fliste vetes mërmëriti:

-Janë mizëri, të mallkuarit!

-Tek ne, në Sul, me numra vlerësohet bagëtia, burrat maten nga trimëria.

-Gjeneral,e thyem këtë sulm, por a do të thyejmë edhe sulmet e tjerë?

-Fitorja e një lufte varet nga katër faktorë, që janë: fati, nderi, përvoja dhe trimëria. Fati është me ne se jemi në të drejtën tonë,luftojmë për liri, për tokën tonë, nderin e kemi në gjak, të mëkuar me qumshtin e nënave, të shenjtë e trashëgim nga të parët tanë, sa për përvojën ne jemi kalitur në luftëra e beteja  që më së shumti i kemi fituar. Trimërinë e kanë në zemër e shpirt gjithë këta burra që, kanë ngjeshur armët dhe luftojnë pa iu trembur vdekjes, se luftojnë për të ruajtur lirinë dhe pragjet e shtëpive të tyre.

Fliste ngadalë, me zë të ulët, me fjalë të theksuara  dhe me vështrim të tretur larg. Metaksai që ishte politikan dhe jo ushtarak, e dëgjonte me vëmendje, por edhe e shihte si të ishin takuar së pari: Me shtat mesatar, trup të lidhur, i shkathët si kaproll, pamje hijshëm e burrërore: sy të medhenj të zez, të ndritshëm, hunda e drejtë, mustaqe të plota, ball’ i lartë prej mendimtari, flokë të plotë e të dendur që i derdheshin mbi supe. I veshur fare thjesht, me setër pambuku, fustanellën arberore, skalca shajaku të bardhë, stolisur me gajtanë të zez, këpucët xhufkakuqe, ngjeshur  në mes brezin e gjerë të lëkurtë stolisur me pafta argjendi, në të dy pisqolla dhe shpata.

Para se të merrte udhën për Mesollongj, Metaksai u takua me kapedan Karaiskaqin. Ndër të tjera ai i tha: “Do të kesh të bësh me një njeri e kapedan të shquar.Luftëtar të pashoq. Që e ka thithur tymin e barutit që katërmbëdhjetë vjeç. Ka mendje të ditur që se ka askush tjetër, me zemër luani, që se njeh frikën, që s’i trembet vdekjes, sulet i pari drejt rrezikut. Me gjykim të drejtë. Dëgjon shumë e flet pak, fjalët i ka të pakta dhe të matura. Çështjet i zgjidh me vendime të  shpejta. I sjellshëm dhe i matur në mardhëniet me të tjerët”. Pastaj si për t’i vënë pikën vlerësimit kishte përfunduar:

-Ne s’ja arrijmë atij as te gishti i vogël, dëgjoja fjalën,  besoje dhe ndihmoje!”

Metaksai vuri re që kapedani u kthye ballaz dhe u zymtua. Me sa shihej, donte diç t’i thoshte. Qëndroi në heshtje, në pritje.

- Kam vendosur që familjen ta heq prej këtu e ta dërgoj në Ankona të Italisë.

Metaksai kuptoi që kishte të bënte më një vendim që ishte marrë, megjithatë, nuk ju ndejt pa bërë një vrejtje.

- Nuk të duket se largimi i familjes, në banorët e qytetit, do të ngjallë mosbesim për fitoren e pritshme?

- Jo.Kjo është një çështje imja, private. Jam vetë këtu, në krye të kësaj lufte dhe i siguroj ata me jetën dhe nderin tim arbëror.

- Ti e di.bëj si të të duket më mirë.

*   *   *

Familja qëndronte para bankinës së portit, në pritje për tu nisur.

Aty I priste anija e  hidriotit kapedan Miaulit, që pasi çau rrethimin detar të rojes  turke, kishte shkarkuar armët, barutin , plumbat  grurin dhe ushqimet për qytetin e rrethuar, do të ngrinte velat dhe merrte rrugën për në Ankona për një ngarkesë tjetër me armë.

Dita ishte e mugët.Hera herës retë çaheshin dhe dielli i vakët vjeshtak derdhte tatëpjetë rrezet që bënin të ndrinin e llamburisnin dallgët që i lëpiheshin bregut.

Familja ishte e madhe. I ndjeri at, Kiço Boçari kishte bërë tri martesa e nga të trija kishte tetëmbëdhjetë fëmijë,  pesë prej tyre nuk jetuan, vdiqën të vegjël. Ishin aty e shoqja Krisulla me të tri fëmijët, motrat Leni, Maria , Anastasia dhe Angjelika, hallë Katerina dhe fëmijët e tyre. Njera nga motrat Marua, nuk deshi ta linte të vëllanë vetëm dhe qëndroi në qytet.

Për t’i përcjellë kishin dalë edhe xhaxhaj Noti dhe kushëriri Tushi Boçari, Xhavellajt dhe kapedanë suljot fis me ta. Bashkë me familjen e Markos do të udhëtonin edhe hirësia e tij peshkop Ignati dhe tregtari zoti Jani Mellai për të mbledhur ndihma.

Dukeshin si një trumbë zogjsh të trembur para se të marrin fluturimin për shtegtim në vendet e panjohur. Ndarja ishte e dhimbshme, Krisulla dhe fëmijët iu afruan dhe e vunë në mes.Sytë iu ishin pahitur nga perdja e lotëve. Ata e donin të atin me përgjërim e nderim.E shihnin dhe nuk bëzanin.Edhe të tjerët heshtnin. Markos, sido që nuk e jepte veten, iu mblodh një moshkall që i zuri frymën. Mbase po i shihte për herë të fundit.

Sytë i mbetën mbi të shoqen Krisullën. Bijë nga Preveza. Ishin martuar para dhjetë vjetësh në Korfuz. Eh Krisulla!Bijë e armatolit të Prevezës, Kristaq Kallogjerit. Kishte në sy kaltersine e detit, dritësimin e qiellit, flokët me ngjyrën e kallinjve të grurit, gojën si gonxhe trëndafili që çel mëngjesit pranveror, shtatin e qiparisit,zërin si kambanë e argjendtë,fjalën e matur e të mençur, zemër dhembsur që i drithërohej nga çdo padrejtësi, shoqe jete besnike, nënë e dhimbsur e tre  fëmijëve, bashkluftëtare trime, e guximshme dhe krenare, që duronte si askush vuajtjet e luftës e të jetës. Ai e kish dashur që kur e pa për herë të parë. Tashmë po ndaheshin.Kur ai i tha se duhet të shkonte në Itali, ajo u pre dhe për një çast i ikën fjalët. Por e mblodhi veten. Markua ishte bota dhe jeta e saj. Një botë në lëvizje, nga malet e Sulit të Çamerisë, në Prevezë,janinë , Korfuz, Larisë e Mesolongj. Jetë e pasigurt, e shkuar më së shumti mes zjarrit dhe plumbave  të luftës, me më shumë derte e halle sesa ditë të qeta e të lumtura. Por,ishin përherë bashkë, në të mirë e në të keq, ndanin tok vuajtjet dhe gëzimet. Ajo iu lut e përgjëruar të qëndronte në Mesolongj, që t’i ndante rreziqet me të dhe deshi ta lëndonte në sedër.

-Më thuaj imzot, që kur gratë suljote braktisin burrat e tyre në prag të betejës? Ku është parë kjo.Si të erdhi ndërmend. Mos vallë ato nuk janë luftëtare, nuk dinë  të marrin shenjë e të zbrazin pushkën mbi armikun ashtu si edhe burrat? T’u qëndrojnë atyre në krahë dhe t’u lidhin plagët, t’u thonë një fjalë të mirë, tu zbusin dhimbjet dhe tu kthejnë shpresën për fitore?

Markua iu shmang vështrimit të saj si të kishte bërë një faj, por nuk u lëkund nga vendimi që kish marrë dhe iu përgjegj:

- Gjatë kohës së paqes kemi qënë dhe do të jemi bashkë.por në këtë luftë dua të jem vetëm.Ka shumë arsye që tani s’ti spjegoj dot. Dua të jem mëndjembledhur se ju jeni të sigurtë dhe larg rrezikut të kësaj lufte që si dihet fundi.

Krisulla që e njihte mirë natyrën e vendosur të së shoqit, nuk foli por dy lot i rrodhen faqeve dhe përfunduan në mjekër.Atëhere ai e përqafoi.

-Trimëresha ime, mos u ligështo, po ndahemi për t’u ritakuar pas fitores.

Krisulla ofshau dhe e mbështeti kryet mbi supin e tij.

Prisnin që nga anija të vinte lajmëtari për nisjen.Markua nuk po duronte më të shihte sytë e përlotur të tyre. Ai kishte një brengë që e mundonte dhe deshi t’ua thoshte para se të niseshin. Të parit iu drejtua të birit, Dhimitrit, i foli shqip:

- Biri im, në rrëmbat e tu rrjedh gjak shqiptar, je nip e stërnip i kapedanëve të lavdishëm suljote, Kiço e Gjergj Boçarit. Këtë asnjëherë, sido që të vijë hera e puna, mos e harro. Por ti duhet të bëhesh edhe i ditur.Nuk duhet ti ndahesh shkollës.Pas shqipes dhe italishtes mëso edhe gramatikën e greqishtes. Dëshiroj të bëhesh i shkolluar.Për ty është koha e librave, kur të të vijë mosha do vijë edhe koha e pushkës. Veç kësaj dëshiroj të rritesh dhe edukohesh si arberor, me zakone e tradita  suliote që janë: besa, trimëria dhe dashuria për liri. Të mbetesh kurdoherë suliot, siç ka mbetur babai yt.

Dhimitri që ia kishte veshur sytë një pah lotësh, iu afrua të atit, i mori dorën dhe ia puthi.Me këtë i kishte thënë të gjitha.

-Vasilikë dhe Ekaterinë, vashazt e mia të bukura, do të shkoni në një vend të huaj. Me të tjerë njerëz, me të tjerë zakone, do të rriteni dhe shkolloheni, po mos harroni asnjëherë se ju jeni mbesat e zonjave trimëresha, shqiponjave të sulit, që u hodhën fluturim nga shkëmbi në greminë, për të mos rënë në dorë të armikut.Ngjajuni atyre, që të nderoni mua, Sulin dhe Arbërine.

Pasta jai iu kthye së shoqes:

- Zonja ime, nëna e fëmijëve të mi.Kujdesu për vete. Fëmijët mos i shkëput nga shkolla.Ata duhet të bëhen të ditur, për t’i shërbyer vendit dhe shoqërisë, se s’është e largët dita që do të shporret errësira, do të vijë dita e lirisë, kur do të duhet dituria.

Rriti ata si Suljot arbërorë.

E më së fundi u kthye nga imzot Ignati dhe zoti Jani Mellai:

- Ju, i përshpirtshmi imzot Ignat dhe zoti Mellaj, u lutem të mos mi lini familjarët e mi në vuajtje e që  tu mungojnë mjetet e jetesës. Sigurojuni atyre gjithëçka do të kenë nevojë dhe unë do t’u përgjigjem në çdo  kohë.

Ndërkaq nga ania erdhi një lajmëtar.

-Kapedan Marko, anija ngriti velat dhe është gati për nisje. Kapedan Mijauli prêt dërgesën tuaj.

E gjithë familja dhe Markua u afruan te bankina. Aty prisnin dy varka, që do ti shpinin në anijen që ishte ndoca dyqind pash larg bregut.

U përqafuan dhe u ndanë me lot në sy. Ishin të trishtuar dhe mallëngjyer, ishte një lamtumirë, në prag të luftës, dhe me parandjenja të panjohura, me shpresë, por edhe të kobshme.

Po ndaheshin, por vallë a do të shiheshin sërish?

Varkëtarët u dhanë lopatave. Varkat u larguan nga bregu duke lënë prapa një hulli të shkumëzuar uji.

Markua qëndroi aty i heshtur dhe i zymtë deri sa familja hypi në anije. Bashkë me kapedanët e tjerë u largua me ngut.

Bubullinin topat që rrihnin muret e qytetit.  I priste fronti i luftës.

Tetor 2020.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora