Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Sot plaku i bani 83 vjet

| E shtune, 10.10.2020, 03:22 PM |


Sot plaku i bani 83 vjet

Hala po mbahet

Nga Blerim Latifi

Kjo është historia e tij:

Ende nuk i kishte 8 vjeç kur i pa luftëtarët e Shaban Polluzhës derisa ktheheshin nga Podujeva për t'i mbrojtur familjet e shtëpitë e tyre. I pa dy vëllëzrit e tij tek niseshin bashkë me ta.Më i madhi u kthye i vdekur.Në moshën 10 vjeçare po i ndodhte diçka e çuditshme: baba i tij njëherë në javë ia jepte një torbë me ushqim dhe i thoshte ta dërgoj në Malin e Kërçinës e ta linte në degët e një lisi të caktuar. Vetëm shumë vite më vonë do ta kuptonte misterin: ajo torbë me ushqim ishte për kaçakët e katunit që nuk po i dorëzoheshin pushtetit jugosllav. Ata ishin Ali Fazlia dhe Isë Zymeri. Në vitin 1947 i pa komunistët duke ua marrë drithin në hambar dhe miellin në magje. Nga ajo kohë i ka mbetur trauma e magjës së zbrazur.Në moshën 12 vjeçare i vdiq baba dhe plisin e tij ia vunë mbi krye. Nga ajo ditë nuk e ka hequr kurrë më. Në vitin 1956 vëllau i madh i tha se na kanë thirrë në stacionin e milicisë në Skenderaj për ta dorëzu pushkën, e ky ia ktheu: Po shkoj unë se jam ma i ri dhe e duroj stupcin ma lehtë! Ishin ditët e terrorit të Rankoviqit. Kur u kthye nga ushtria u end i papunë për plot 15 vite.Dilte në tregun e krahut të punës në Mitrovicë për të bërë ndonjë punë që e kërkonte ndokush. Një ditë një furrtar i Zhurit e punësoi për t'ia dërguar në Zhur një kali, të cilin e kishte blerë në Mitrovicë. Nga Zhuri u kthye në këmbë në Prekaz, për të mos i harxhuar paratë, me të cilat mendonte të blinte diçka për familjen. Kur, pas 15 viteve, më në fund u punësua, jeta e tij dhe e familjes ndryshoi. Fëmijët po i mësonin dhe ai bëri gjithçka që ata të shkolloheshin. Kështu nga familja e tij dolën katër inxhinerë, dy mjekë dhe më i vogli, për çudi, i hyri një shkolle e cila kishte një emër të padëgjuar: filozofi. Në vitet '90, si pasojë e masave të dhunshme të regjimit të Millosheviqit, e larguan nga puna. Pastaj erdhi lufta dhe ai qëndroi gjithë kohën pa u larguar nga Prekazi. Edhe nëse vjen puna me m'vra, po du me dekë ktu - u thoshte të tjerëve. Me duart e tij varrosi vëllaun, bashkëluftëtarin e Shaban Polluzhës, të cilin ia vranë serbët në një ditë të ftohtë prilli të vitit 1999. Dhe pa u bërë dy muaj edhe djalin e vëllaut, që po ashtu ia vranë serbët, pak ditë para çlirimit. Sot i mbushi 83 vjet dhe ende se ka ndërmend me u dorëzu.