| E shtune, 10.10.2020, 04:33 PM |
ULURIMA NGA NËNDHEU I BEOGRADIT
[Krimi dhe ndëshkimi ne
kohë postmoderne - elitat globale në darkë me kufomat e një gjenocidi që ende
vazhdon]
Nga
Xhemal Ahmeti
''Ata
u dogjën me nje vaj special dhe u hudhën në 16 gropa ndër dheun e Beogradit me
rrethinë: shumica gra, fëmijë dhe civilë''. Kështu dëshmia e dy eksponentëve
politikë serb Nenad Çanak dhe Çedomir Jovanoviç në telivizionin publik serb.
Matej ata tregojnë se si i ndjeri Zoran Xhinxhiç u thotë mos e bëjnë të madhe
se pastaj nuk investon kush në një tokë të cilën saherë ta hapësh të del një
kafkë - foshnje, gruaje, njeriu.
Bëhet
fjalë për një kohë, për një regjim të udhëhequr nga dirigjenti i gjenocideve
anekënd ish -Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç. Bëhet fjalë për nje kohë kur
presidenti i sotëm Vuçiç ishte ministër i atij regjimi dhe Ivica Daçiç krahu i
djathtë i Millosheviçit. Ajo kohë nuk kaluar ende jo vetëm për shkak këtyre dy
por edhe për një arsye tjetër: shumica e gjeneralëve, shefave të shërbimeve dhe
policisë janë të njejtët që kanë kryer krimet masive në Kosovë, Bosnjë, Kroaci
(...)
BE,
amerikanët, gjermanët, francezët, Trump, Merkel, Macron dhe gjithë tjerët që i
përqafuan saherë Vuçiçin dhe Daçiçin i dinë gjitha këto. E dinë se Vuçiç di për
varrezat masive dhe gjenocidin ngase vetë ka qenë akter direkt i tyre. I dinë
gjitha për Daçiçin. Ashtu siç i di Erdogan kur i këndonte slloba i vogël
Osmanagën. Nuk bënë gjithë keta zë për shkak të politikave të mëdha e për hir
të paqes? Cilës paqe - asaj që e intrigon dhe e kërcënon Vuçiçi se do ikë me
kinezë e rusë, të cilët janë të njejtës kategori si vllai i tyre në EJL? Apo
ngase nuk janë personalisht të detyruar të ecin mbi dheun në shtresat e të cilit
janë shpirtrat e djegur të shqiptarëve të pafajshëm. [Ekskurs: Gjithçka kisha
dhënë tua parashtroj këtë pyetje dhe t‘i shikoj drejt në sy. Të njëjtën do ta
bëja edhe me liderët shqiptarë që nga zori u detyruan të ulen me vrasësit dhe
t‘u buzëqeshin: si ndihet njeriu të tallet nga vrasësi masiv dhe hajni i
kufomave: „priçash ti serpski“? E ç‘të bënin këta? Po të refuzonin të ulen me
shkaktuesit dhe hajnat e kufomave të tyre do t‘i kërcënonin se nuk u japin as
viza e eventualisht do t‘ua çnjohin shtetin?]
Çka
do të ndodhë pas vetëdekonsipirimit të Daçiçit dhe dëshmisë se politikanëve
serb? Do të tronditet BE, SHBA, Turqia dhe tjerët dhe do thonë me lotë në sy:
na falni shqiptarë se nuk e „kemi ditur“ për këtë hajde ta pushtojmë Serbinë
edhe njëherë, t‘a rrëmojmë dheun e kryeqytetit serb që mund të merrni kufomat e
t‘i varrosni me nder e ceremoni siç kërkon respekti ndaj të dashurve që i
vranë, dogjën dhe i groposën në tokë të huaj? Jo. Do thonë leni të vdekurit me
të vdekurit e merruni vesh me të gjallët? Jo. Se të vdekurit nuk janë tek të
vdekurit, por tek të gjallët që i vranë?
Kur
njeriu i shekullit 21 flet për drejtësi dhe humanizëm, qoftë ai Merkel, Macron,
Thaçi apo Hoti një gjë nuk duhet ta harrojnë: se familjet e të vrarëve dhe të
djegurit vetë janë/ishin qenie humane për të cilët duhet të vlejë drejtësia
poaq sa për Heinzin, Johnin apo viktimat e kullave bineqe në New York e gjetiu.
Nëse elitat politike globale nuk e mësojnë dhe praktikojnë këtë maksimë për çdo
rast, nëse ato nuk refuzojnë të ulen me kriminelë në darka e dreka e bëjnë
sikur s‘dinë gjë s‘kanë asnjë të drejtë e as moral ta gjykojnë askend në botë -
as vrasësit e të tyrëve. Le të lënë broçkullat për paqe e drejtësi se fyejnë
inteligjencën edhe të kësaj epoke. Edhe më keq del: sikur edhe këta të kësaj
epoke politikën ta kuptojnë si biznes që nuk dallon gjenocidashin, kriminelin
nga viktima dhe i drejti.
Po
ç‘të bëjnë tash shqiptarët? Nuk do të bëjnë asgjë. Ata heshtin saherë ua ofron
një kredi për autostradë, për ndonjë linjë hekurudhore apo u garanton se Ujmani
nuk thahet pavarësisht se si do të emërohet. Serbët do të vazhdojnë me
politikën e tyre si çdo herë mbi 100 viteve të fundit: do të djegin, vrasin, do
të ndalen kur s‘munden - për t‘u përgatitur për kohën kur munden sërish. Janë
bërë ekspertë të këtij ritmi: ngase u ndihmon bota përhere, si shekullin 19,
20, ashtu edhe sot e nesër. Madje as që i gjykojnë ata, por shqiptarët në
akuzën e mbetjes gjallë, nën akuzën për pengim të mosrealizimit komplet të
gjenocidit serb të radhës.
Askush
nuk e dëgjon ulurimën e shpirtrave të djegur, të cilët tash e dekada bërtasin:
na ktheni në token tonë! Askush. As të vetët e as të huajt. Botë e tmerrshme. E
padrejtë si çdoherë.