E shtune, 20.04.2024, 07:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Nebi Dragoti: Qesh vogëlush, ti qesh

E premte, 09.10.2020, 04:00 PM


NEBI DRAGOTI

QESH VOGËLUSH, TI QESH

FLOKËBARDHET

Dhe gjyshin, dhe gjyshen

i dua si shpirt,

kanë fjalën e ëmbël

si rreze, si dritë.

I ndëgjoj i dua,

kënaqem me ta;

kënaqen me mua,

kënaqen sa s’ka.

Dhe gjyshin, dhe gjyshen

i kam në shpirt;

flokëbardhët i dua,

flokëbardhët e mirë.

Fjalën ua ndëgjoj,

fjalën këshillë;

s’ka si fjalë e tyre

e mençur, e dlirë.

PEMËT FLASIN

-Bisedën e bëjmë ne të dy,

sepse kemi vesh, kemi sy,

sepse më tregohesh trazovaç,

nëpër rrugë s’le gurë bashkë.

Me gurë më qëllon lule e degë,

dije për ty me lule jam vesh

dhe prit nga lulet çfarë del,

dalin kokrra me shije sheqer…

Në kopsht tundet qershia, qesh,

tani mbushur plot kokrra në degë.

Sheh trazovaçi, ul kokën, hesht,

tundet qershia , mburret e flet:

-Si unë edhe pemët e tjera

për njeriun i prodhojnë frutat.

Ne nuk i prodhojmë për vete:

këtë ti ngule në mendje.

Na shërbe dhe ti bukur e mirë:

plehërona, krasitna, ujitna;

për ju prodhojmë kokrra çdo vit,

ne i japim njeriut çdo vitamin.

DITURIA

Mirë është të mësosh,

të mësosh sa më shumë:

dituri të fitosh,

të fitosh pa fund.

Jo vetëm të lozësh,

kohën ta shkosh kot;

të lexosh, të mësosh,

dije të grumbullosh.

Të rritesh çdo ditë

me libër përpara,

Se bëhesh i mire

të dojë dhe mëhalla.

Ku ka si dituria,

mëso sa më shumë,

se vërtet dituria

kurrë s’ ka fund.

LËNDINË SHQIPËRIE

Më zuri gjumi mbi bar

vënë kokën mbi një gur,

ku zhurmon një zall

zallishtes ujë shumë.

Gjumë me plot ëndrra,

melodi e fëshfërima

mbushur dhe zemra

me ritme dhe rima…

Lëndinë Shqipërie

dhe bari si jastik

me ëmbëlsi lirike

ëmbëlsuar me lirikë.

Ç’ aromë Shqipërie

fushe e mali gjithashtu;

djepi im këto vise,

vise blu, qiell blu.

BISEDË ME VOGËLUSHËT

Xhaxhi poeti vogëlushët i do fort;

vogëlush, jeni më të shtrenjtët në botë!

Thotë fjalë të mira në vjersha poeti,

dashurinë për ju e ka të madhe sa deti.

Unë nuk desha vogëlush të keq, të prapë:

vogëlushët i desha të mençur, të shkathtë.

U jap këshilla si nëna, babai juaj,

për ju, të dashur, poeti s’ është i huaj.

Na ndëgjoni: fjala jonë është për mirë,

fjalën e të madhit merreni mësim!

MIKESHAT DALLANDYSHE

Dallandyshet erdhën

bukuroshet shpendët.

Erdhën, erdhën, erdhën,

përurojnë pranverën.

Njëherësh vinë ato,

tufa, tufa, tufa.

Fluturojnë ngado

gazmore, të bukura.

Mbi oborret tona

plot me fëmijë

ulen, ngrihen

bukur, ç’ bukuri!

Dallandyshet erdhën,

o, ç’ mikesha kemi;

ne u hapëm derën

të gëzojmë pranverën.

Prindër edhe fëmijë,

jeta të thërret:

dalim nëpër ara,

në ara ka shëndet…

QESH, VOGËLUSH

Qesh, vogëlush, ti qesh:

e madhe është kjo botë,

e bukur është kjo jetë.

Të bukura janë ditët,

ditët plot me diell;

të bukura janë stinët

për ty , vogëlush, që qesh.

Veç ta kesh të qartë:

jeta të do me shkollë,

jeta s’të do përtac.

Bëhesh inxhinier,

veç të jesh punëtor;

zanate do kjo jetë,

bëhesh dhe doktor…

Jeta ty të thërret

mbushur ëndrra plot…

Qesh, vogëlush, ti qesh!

10 LEKË

Dhjetë lekë, dhjetë lekë

gjeti djali në rrugë,

u gëzua, gjithë qejf.

Dhjetë lekë, dhjetë lekë.

Dita i nisi me fat.

Ç’ të bëjë me to vallë?

Do të blejë akullore,

do të blejë çokollatë?!

Nuk bleu as akullore

dhe jo as çokollatë,

veç me vete thoshte:

llogaria bëhet e saktë….

Gjysmën e mori bukë,

fletore gjysmën tjetër:

“Të lumtë djalë, të lumtë!”

do thoshte lagja nesër…

Fjalë të mira në shkollë

nga nxënës e nxënëse plot:

për nxënës shembullor

gjithnjë e mbajnë në gojë.

BLETA SHEMBULLORE

Bleta lëviz,

bleta punon;

si parazit

jo, nuk jeton.

Fëmijës dembel

jeta i vjen

e zezë, e zezë,

keq e më keq.

Bleta punon,

kot nuk rri,

jetën ndërton,

ta kesh zili.

Bleta, bleta

shembull na jep

kjo duarshpejta

jetës i qesh.

E vogël, e vogël

dhe e mahnitshme;

e vogël, e vogël,

por e çuditshme.

Shikoje pa gdhirë

bletën punëtore

mbi lule erëmirë,

shkarkohet në hoje.

Fëmi, o fëmi,

ta kesh shembull,

ta kesh zili

mëngë përveshur.

Të jesh i qeshur

në jetë i lumtur

i papërtuar,

i papërkulur.

Fëmijë dembel

jeta nuk do!

Për punë të jesh,

në punë kendo!

FALEMINDERIT, BORË

Fryn ky veriu

dhe sjell borë,

dhe pellgjet i ngriu,

dhe koha u ftoh.

Oh, faleminderit,

e dashura borë;

më sole një zog,

më bëre me shok.

Ciu, ciu te pragu

më sheh kurioz,

ishte i dashur,

tepër bukurosh.

Të hajë pa frikë,

e ftova me gaz,

një dorë oriz

shpejt ia dhash.

Gëzona, moj bore

e floko, floko,

natyrën pastro,

natyrën zbardho.

Unë mbi libra

mësoj abc…

Ai mban iso

ëmbël cërr, cërr…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Edison Ypi: Çiçi

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora