| E premte, 09.10.2020, 04:11 PM |
Pse vazhdoi aq gjatë mosmirënjohja deri te njohja?
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Kjo pyetje, të
cilën e vendosa si titull të këtij shënimi, më lindi në kokë kur isha duke
përsiatur për përmbajtjen e artikullit të autorëve David Philips dhe Alush
Gashi, me titull “Kosovo is a test of Israel’s
moral character” (Kosova është një provë e karakterit moral të Izraelit), të cilin publicisti i njohur Skënder Buçpapaj e kishte
përkthyer dhe e kishte botuar në portalin “Voal” të datës 16 gusht 2020.
Ky artikull më emocionoi tej mase, se kam qenë shumë i
befasuar nga qëndrimi mosmirënjohës i shtetit izraelit ndaj popullit shqiptar
të Republikës së Kosovës, të cilën nuk e njohu për shtet të pavarur për më
shumë se 12 vjet. Normalisht, fill pas njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës
nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët dhanë kontributin kryesor
dhe vendimtar për pavarësinë e saj dhe që njohjen e saj Presidenti Bush e
shpalli menjëherë kur ndodhej për vizitë në Afrikë, në këndvështrimin tim,
shteti i dytë që duhej ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës, duhej të kishte
qenë Izraeli. Por, çuditërisht, politika izraelite nuk e ndërmori menjëherë një
hap të tillë. Ky qëndrim i shtetit të Izraelit, krahasuar me qëndrimin e
Shteteve të Bashkuara ndaj pavarësisë së Kosovës, të kujton atë proverbin tonë
të bukur “Qenka më i rëndë bishti se sqepari!”. Sepse Kosova, si pjesë
jetike e mbarë trungut të kombit
shqiptar, ashtu si edhe atdheu amë, kreu një vepër heroike për mbrojtjen e
hebrenjve gjatë pushtimit nazist. Qëndrimi aq fisnik, aq i besës, aq burrëror i
popullit shqiptar ndaj hebrenjve në vitet e Luftës II Botërore, kur, as edhe në
një rast të vetëm, askush prej tyre nuk ra në duart e nazistëve gjermanë,
dëshmon për kodin e lartë moral të shqiptarëve që nuk mund të krahasohet me
kodin moral të asnjë populli tjetër evropian. Shtetet evropiane, me ndonjë
përjashtim të rrallë, në qëndrimin ndaj hebrenjve gjatë viteve të Luftës II
Botërore, manifestuan një kod moral sa të turpshëm, aq edhe kriminal. Shteti grek,
si shumë shtete të tjera evropiane, asokohe bashkëpunoi ngushtë me nazistët
gjermanë dhe hebrenjtë e gjorë i ngarkoi
nëpër trena dhe i nisi drejt dhomave të gazit apo drejt kampeve të shfarosjes
në masë.
Ja çfarë thotë historiani i
njohur Bernd Fisher për fisnikërinë e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve:
“Nuk ka asnjë rast të njohur kur
besimi të jetë thyer, nuk ka asnjë rast të njohur që hebreu të jetë dorëzuar
dhe asnjë rast të njohur që nikoqiri të ketë kërkuar para për shërbimin”.
Politika e shtetit izraelit, në
qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës, duhej të ishte ndikuar nga qëndrimi i
hebreoamerikanëve, të cilët simpatinë e tyre për Kosovën e patën shprehur
publikisht që gjatë luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj.
Më 14 maj të vitit
2014, në portalin”Voal”, publicistja e njohur Elida Buçpapaj kishte
botuar artikullin me titull “Takim me
zonjën Johanna Neumann, e cila i tregoi botës se moralin e Evropës e shpëtuan
shqiptarët”.
Në atë artikull
fort prekës dhe me një domethënie mjaft të thellë, flitet për zonjën 84-vjeçare
Johanna Neumann, e cila mundi të shpëtonte nga zhdukja fizike prej
nazizmit gjerman, falë humanizmit dhe besës proverbiale të popullit shqiptar.
Në atë artikull,
zonja Elida qe ndalur edhe në albumin e botuar në anglisht, me titull “BESA.
Myslims who saved jews in World War II” (BESA. Myslimanë që shpëtuan hebrenj në
Luftën e Dytë Botërore). Syracuse Unicersity Press. New York 2008”. Autor i
këtij albumi mbresëlënës është hebreoamerikani Norman H. Gershman, me
profesion fotograf. Punimet e tij në artin e fotografisë janë paraqitur
në mjaft muze në mbarë botën. Fotografitë e tij kanë qenë të ekspozuara në
Izrael dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Fotografitë që ai
ka bërë në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë shërbyer si subjekt për përgatitjen e
një dokumentari me titull “God’s House” (Shtëpia e Zotit).
Nga ky album, që
autori edhe në anglisht titullin ia ka lënë “BESA”, dalin në pah më së
miri faktet historike se hebrenjtë në Shqipëri dhe në Kosovë, patën shpëtuar
nga vdekja për forcë të institucionit të besës që karakterizon shqiptarët.
Kryeministri shqiptar, Mustafa Kruja,
të gjithë bebrenjtë e Kosovës, gjatë kohës që ajo ishte e pushtuar nga trupat
naziste, i tërhoqi në Shqipëri, u ndërroi emrat dhe i pajisi me pasaporta
shqiptare dhe kërkesës së komandës gjermane për t’i dorëzuar, i pati kthyer
përgjigje se nuk kishte hebrenj as në Kosovë, as në Shqipëri. Në respekt të
këtij akti të lartë, sa human, sa burrëror, aq edhe heroik, shteti izraelit, në
vitet që vijuan pas krijimit të shtetit hebre në vitin 1948, Mustafa Krujën
duhej ta kishte nderuar me një shtatore gjigante në qendër të Tel-Avivit.
Nuk e kam informacionin e saktë se në
ç’vit shteti izraelit pati vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Por
kam përshtypjen se ato marrëdhënie nuk u vendosën shpejt në vitet që pasuan pas
krijimit të shtetit hebre. Madje ambasada izraelite është hapur me shumë vonesë
në Tiranë dhe më kujtohet fare mirë që marrëdhëniet me Shqipërinë i mbuilonte ambasada
izraelite në Romë. Një qëndrim i çuditshëm ky, me doza mosmirënjohjeje edhe
ndaj Shqipërisë, paçka se kjo, siç u përmend më lartë, pati manifestuar një
fisnikëri të jashtëzakonshme ndaj qytetarëve hebrenj gjatë viteve të luftës.
Populli shqiptar i Republikës së
Kosovës, në heshtjen e vet fisnike, me siguri që e ka pasë ndier veten të
lënduar nga mosnjohja e pavarësisë prej shtetit izraelit gjatë gjithë këtyre
viteve, çka më kujton një shprehje fort prekëse të shkrimtarit të njohur rus
Evgjeni Shvarc (1896-1958):
“Tri herë kam qenë i plagosur për
vdekje dhe më patën lënduar pikërisht ata që i pata shpëtuar me sakrifica të
mëdha”.
Gjithsesi, njohja e pavarësisë së
Republikës së Kosovës, megjithëse me një vonesë të dukshme nga shteti izraelit,
është një gjë e mirë për Prishtinën, sepse Izraeli, për arsyet që dihen, është
shtet me autoritet në arenën ndërkombëtare. Mirë do të kishte qenë që vendimi
për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit, të
firmosej në njërin nga kryeqytetet përkatëse të të dy vendeve dhe jo në
Vashington, sepse kjo tingëllon si një njohje e sforcuar e pavarësisë dhe më
shumë si një kredi politike për presidentin amerikan në prag të zgjedhjeve të
03 nëntorit, i cili krijoi përshtypjen sikur Kosova na qenka një vend arab!