E enjte, 18.04.2024, 07:04 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: “Lahuta e Malcis”, “kjo armë pa leje e diktaturës”

E enjte, 08.10.2020, 07:52 PM


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

“Lahuta e Malcis”,

“kjo armë pa leje e diktaturës”

Prej librit “Legjendat nuk vdesin”...

Kangtari i madh Loro SATA shkruen:

Lukë Kaçaj lindi më 19 korrik 1926, në Bajzë të Malësisë së Madhe.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin “Illyricum”, të Françeskanve në Gjuhadol Shkoder. Që në këtë kohë ai shfaqi dhunti të pazakonta muzikore. Aty njohu edhe At Gj Fishten, At A Harapin etj…

Aty ishte i zgjedhun per zanin e Tij nga At Martin Gjoka OFM dhe mbas Tij, nga At Filip Mazrreku po muzikant. Kendonte në korin e Kishes Fretenve. Në fund të 1945, At Mati Prennushi, pra Provinciali i Fretenve ka lajmërue baben e Lukes per me e marrë në Malsi, se rrezikohej me u arrestue. I Ati ka ardhë dhe mbas një bisede sekrete me At Matinë, e ka terhjekë Luken dhe ka shkue në Fshat, buzë Liqenit… Këte e ka tregue vetë Luka, në shtëpinë e At Konrrad Gjolaj në vitin 1996.

“Nga një copë fushë mes malesh, nga Bajza e Kastratit, do të zbriste edhe Luk Kaçaj për në shkollën e Etënve dhe falë zërit të tij do të bëhej pjesë e korit të At Filip Mazrekut, At Martin Gjokës e Prenkë Jakovës, së bashku me ata emra që e themeluen muzikën shqiptare si Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tish Daija, Zadeja etj. Mësuesit françeskanë, metaforikisht malin po e afronin me detin në një shkollë qytetase, e thënë kjo me gjuhën e Koliqit. Luk Kaçaj ra në sy vrullshëm dhe u dërgua të studjonte në konservatorin “Çajkovski”, ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose “Albanskij Shaljapin”.

Mbas çlirimit, në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist.

Në vitet 1950-1955 kryen studimet e nalta për kanto pranë Konservatorit P.I.Tchaikowsky, në Moskë dhe që në atë vit emërohet solist në TOB. Ndërkaq, që në kohën e studimeve Kaçaj ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime.

Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri.

Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973, kur Luk Kaçaj burgoset nga regjimi i asaj kohe. Lukë Kaçaj vdiq më 7 shtator 2001 në Laç. Mbas vdekjes Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i jep dekoratën “Nderi i Kombit”.

Jemi në korrikun e vitit 1973. Nuk kishin kaluar as dy muaj që nga 28 maji, kur Lukë Kaçajt ju vunë prangat në shkallët e Institutit të Naltë të Arteve. Loro Sata, kangtar i njohun, në librin kushtuar basit të madh, “Legjendat nuk vdesin” shkruen, ajo ditë korriku nisi me një rrebesh vere, që do ia linte vendin një të nxehti përvëlues, për ta rënduar edhe më atmosferën në sallën e gjyqit, ku artisti do të shfaqej në rolin e të pandehurit, në dramën e jetës së tij. Kjo dramë kishte nisur më shumë se 10 vjet më parë kur Lukës, së duartrokitur dhe të vlerësuar nga publiku dhe kritika botërore, i kishin ndaluar përgjithmonë skenën në vendin e lindjes në Shqipëri. Paralajmërimi më i fuqishëm i ishte dhënë në prill të atij viti, kur në një mbledhje të organizatës bazë të partisë, Lukë Kaçajt i ishin numëruar disa faje...

Në atë mbledhje, dikush arriti deri aty, sa të kërkonte që Lukës, t’i hiqej e drejta e mësimdhënies në Institutin e Naltë të Arteve.

Tani po përgatiteshin për ta shkulur edhe nga familja, nga bashkëshortja Ana, nga muzika dhe poezia, nga librat e nga miqtë, edhe pse, siç do vërtetohej në atë sallë, jo të gjithë miqtë ishin siç i kishte menduar...

Të pranishëm në gjyq, ishin studentë apo ish-studentë të Kaçajt dhe miq të vërtetë, që u treguan të guximshëm duke ardhur aty, siç ishte autori i librit, Loro Sata.., por dhe të tjerë që ishin thirrur në gjyq nga organet e sigurimit si dëshmitarë, të cilët Loro Sata nuk i përmend, duke respektuar porosinë e Lukë Kaçajt, që nuk hoqi kurrë dorë prej deklaratës hyjnore, “Zot fali, nuk dinë çka bajnë!”.

I zbehtë, tejet i dobsuar, me shenjat e prangave në duar, këngëtari me trup vigani edhe pse i tjetërsuar nga vuajtjet në qeli, mundohej të mbante qëndrim krenar. Flokët biond, që ai u mundua t’i rregullojë me duart që mezi i bindeshin, nuk ia kishin prerë, por shkëlqimin e syve të kaltër ia kishin shuar. Me ata sy pau, për herë të parë që kur e kishin arrestuar, familjen. Në radhën e parë, në krahun e tij të djathtë, ishin ulur, e ëma, nëna Tone, bashkëshortja, Ana, vëllai i tij i madh, Gjoni dhe motra e Anës, Linda. Gjoni i kish porositur, jashtë sallës, të mbaheshin fort, por pamja aq e ligështuar e Lukës, ishte e papërballueshme. Ana, sapo iu kryqëzua shikimi me të Lukës, belbëzoi diçka të padeshifrueshme, ia dha një të qeshure, pastaj një të qare dhe u plandos në tokë. Ata që ishin ulur me të u çuan njëherësh. Dhe sapo familja ishte riulur në stol, pasi Ana ishte përmendur, Luka që vazhdonte të përsëriste emrin e saj, ishte rrëzuar pa ndjenja. Gjyqi nuk mund të vazhdonte atë ditë. Seanca u shty. I mjaftoi ai akt i parë i dramës, për të parë shokët e dikurshëm që e kishin sjellë aty. Duhet të ishte një goditje shumë e rëndë për një njeri me shpirt të madh si Lukë Kaçaj.

“Lahuta e Malcis”, kjo armë pa lejë e diktaturës:

Vazhdojmë ngjarjet e atij gjyqi siç tregohen në librin e Loro Satës.

Seanca e dytë u zhvillua një javë pas së parës.

Prokurori Mahmut Taraba i ishte drejtuar Lukës, duke i thënë që ai mbronte një farë padër Gjergj Fishta, duke e quajtur poetin më të madh shqiptar të të gjithë kohërave, Homerin e Shqipërisë dhe gjithë Evropës. “Dëgjo këtu o i pandehur, çfarë shkruan Ismail Kadare për Gjergj Fishtën”, kishte vazhduar ai, duke hapur librin “Autobiografia e popullit në vargje” të vitit 1972, duke lexuar mbi faqen 44, ku shkruhej që për këtë poet dhe sidomos për “Lahutën e Malcisë”, propaganda klerikale dhe fashiste ka krijuar një mit dhe ky mit është fenomeni më regresiv në historinë e zhvillimit të letërsisë sonë.” Pasi lexon edhe në disa faqe të tjera, prokurori pyet Lukën se çfarë kishte për të thënë.

Lukë Kaçaj, sipas dëshmisë që gjendet në librin kushtuar atij, “Legjendat nuk vdesin”, kur kishte marrë fjalën, kishte shprehur vlerësimin për Kadarenë, duke shtuar që për sa i përket At Gjergj Fishtës, Kadare ashtu e njeh dhe ashtu shkruan dhe nëse “do më pyesnit përse e bën këtë ai, them dhe besoj se ai e din më mirë nga unë”, por “Verum poeta, propheta est”, “poeti i vërtetë është profet”, kishte thënë ai në latinisht duke kujtuar vuajtjet e Fishtës dhe shprehjen biblike “Nemo propheta in patria”, “Askush nuk është profet në atdheun e tij”.

Këtu kishte nisur breshëria e kritikave nga prokurori dhe një anëtar i trupit gjykues kishte vazhduar sulmin për Lukën.

Ai i kishte përmendur shprehjen e njohur latinisht “Vox Populi Vox Dei”, të cilën, Luka ose frat Saverini, siç njihej ai mes fretërve, duhet ta njihte mirë si ish-nxënës i Kolegjit Françeskan dhe liceut “Illyricum” . Pjesën e parë të shprehjes e mbante gazeta “Zëri i Popullit”, por për këtë gazetë, Luka kishte thënë “aq sa ka çmimin, aq ka edhe vlerën”. Kërkesës së tij për shpjegime, Luka i ishte përgjigjur “Kam thënë, atë që kam thënë”. Nuk kishte mbetur shumë për të thënë…

Pasi kishin mbaruar fjalët e trupit gjykues, dëshmitarëve dhe prokurorit, kryetari i seancës i kërkon të pandehurit çfarë ka për të thënë. Me një zë të mbytur nga gjendja shëndetësore e rënduar gjatë kohës që kaloi në qelinë e Degës së Punëve të Brendshme, Luka tha që trupi gjykues dhe dëshmitarët e dinin mirë përse folën ashtu siç folën kundër tij, por, forcoi zërin dhe shtoi “nuk i ka le Lukë Kaçajt në shpirt, zemër e mendje, tradhtia, jo kurrë për sa jetë të kem!”. Sa për kolegët që folën kundër, mesa duket ata ishin mposhtur nga frika që madhështia e tij mund t’i errësonte, ndaj vendosën t’i shpallnin luftë, por jo në skenë, por në rrugë të tjera. U hodhi një vështrim mëshirues dëshmitarëve dhe më pas mbështolli me një shikim të butë, njerëzit e familjes dhe miqtë e vërtetë.

Finalja:

Seanca e tretë dhe e fundit. Gusht 1973. Pretenca e prokurorit ishte dhënë. Sigurisht nuk ishte harruar, mes të tjera mëkatesh, as Bibla me firmën e Gjergj Fishtës që i kishin gjetur gjatë kontrollit të banesës ditën e arrestimit. Kryetari i seancës lexoi vendimin. Lukë Kaçaj, “…mbi veprimtarinë e tij armiqësore, propagandën armiqësore kundër partisë dhe popullit shqiptar, dënohet me 5 vjet heqje lirie.” Bashkë me Lukën, burgosën dhe zërin e tij. Në radio nuk transmetoheshin më ariet e kënduara nga Kaçaj. Vendit të tij iu mohua ai zë i këndshëm…

E kishin çuar në burgun e Ballshit, atje ku shkonin zakonisht të burgosurit e sëmurë. Lukës i ishte kthyer një i ftohtë i vjetër dhe nervat i ishin dobësuar shumë gjatë kohës së izolimit, ndaj dhe e çuan në këtë burg. Punën e rëndë, sistemi, do ia rezervonte kur të dilte që andej, duke e caktuar hamall te Pazari i Ri. Çfarë vendi ishte ky që Luka i dha zemrën dhe jetën! Hamejtë i kishte talente botërore!

Lukë Kaçaj ishte një prej atyre emrave të mëdhenj të skenës operistike shqiptare, një prej atyre vezullimeve të njimendta të krenarisë sonë kombëtare, një prej atyre të paktëve që dha kaq shumë për artin dhe mori kaq pak. Ai ishte ndoshta nga të rrallët që nuk pranoi ta shesë atdhetarinë me çfarë do lloj çmimi që ju ofrua, pavarësisht se po ky atdhe, guxoi t’i merrte gjithçka kishte të shtrenjtë, lirinë, krenarinë, të drejtën për të besuar tek vlerat e larta të patriotizmit, me të cilat ai u mbrujt dhe u gatua.

Kalvari  i mundimeve të tij është sinonim i Golgotës së gjithë asaj plejade artistësh dhe intelektualësh të kalibrit botëror, të cilët hoqë mbi vete mundimet dhe persekutimin e diktaturës komuniste për “krimin” e vetëm se ishin patriot, ishin dinjiteti i një kombi, ishin tharmi i mburrjes nacionale në botë. Gjithçka nisi në vitin 1966… kur Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largoi virtuozin nga skena!

Lukën nuk e linte të qetë një pyetje drejtuar vetes: “Mos vallë… ky asht fundi im…!?”

Luka pat kerkesa me ikë në Londer, Berlin, Pragë, Varshavë, Beograd… Por, ja si i pergjigjet Kryehetuesit Kapllan Sako:

“…Më falni, zoti kryetar, i drejtohem kryehetuesit të Republikës, po kush nuk e do Atdheun e vet, nuk i duhet askujt gjë në Botë.

Së dyti, atë që kam mësuar në shkollë, në Shqipëri e jashtë saj kam dashur t’ia kthej përsëri popullit tim. Se sa vlej e tek vlej as unë s’e di.

Së treti, kurrë në jetën time paraja s’më ka korruptuar dhe nuk dua të di gjë për të. Edhe sot nuk kam ndryshuar mendim, ashtu jam.

Nuk ia kam ditur vlerën dhe nuk dua t’ia di deri sa të vdes!

Së katërti, kam patur nënë, baba, vëllezër e motra, njerëzit e mij më të dashur të shpirtit tim. Nuk kam jetuar me ta, por në zemër i kam patur dhe i kam.”

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978, per të vazhdue dënimin e Tij në burgun e “madh” me të gjithë popullin shqiptar. Artisti i Madh ishte pa punë. Dyert ishin të mbylluna! Një ditë një shef kuadri “zemermirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe per ty, vetem hamall…”

Luka tregonte: “Vetem në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe buken per vete dhe per Anen…Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dermonte shpirt e zemer!”

Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë…Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun te Luka!

Në një leter të fundit Luka i shkruen një Mikut vet Italian: Më vjen keq, sepse kam konstatuar që edhe në praninë e qeverisë së tanishme nuk pres asgjë të mirë, sepse është një regjim i gjithi neokomunist.

Kënaqësia ime më e madhe në këto tre vitet e fundit ka qenë inaugurimi i Kishës së Fretërve Françeskanë, ku kam filluar të këndoj që kur kam qenë fëmijë dhe që ka qenë transformuar nga komunistët në një kinema. Në koncertin e organizuar, për këtë rast, me datë 28 tetor, kam kënduar romancën e Fieskos nga opera Simone Boçanegra të Guseppe Verdit… Prej më se 35 vitesh jam duke pritur me ankth çastin e lehtësimit të dhimbjeve të mia. Nuk e di kur do të jetë”.

Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.

Luka me të vertetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, tue i dhanë edhe vlerat e veta malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka ishin pjesë nga jeta e Tij.

Në kjoftë se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturen shqiptare Europjane, që ra e u ba ortek nga majet e Atyne Maleve e që na i thrrasim Bjeshkët e Nêmuna, e …

Ishte bash Ajo Bajza e Kastratit e Maleve tona që i fali Atdheut basin bariton me famë Botnore Lukë Kaçaj…

Shenim F. Radovani: Mundeni me e lexue të plotë tek:

https://fjala.info/cfare-ndodhi-ne-3-aktet-e-gjyqit-te-kengetarit-lirik-luke-kacaj/

Melbourne, 18 Shtator 2020.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora