E merkure, 03.03.2021, 12:40 PM (GMT)

Kryeshkrim » Çeliku

Kalosh Çeliku: Rruga për në Baba Tomor

E enjte, 08.10.2020, 07:37 PM


RRUGA PËR NË BABA TOMOR

NGA KALOSH ÇELIKU

Shtatë muaj më vonë, një ditë në telefonin tim celular erdhi një mesazh:

Më duket se t’u kanë përzi kabëllat. Çfarë ëndërre ke parë për Pasnesër? Unë të thashë për Nesër, kah ora 15.00, e shkojmë në mal, mes lisave e kalojmë një natë me arusha e drenusha...

Shkup, 9 tetor 2007

Fitore. Djemnusha kërkonte dyluftim në male, mes lisave. Edhe, atë: “Një natë me arusha e drenusha”. E Unë, e kisha nxjerrë shpatën nga brezi në “Çair” të Shkupit mes ferexheve zeza. Minareve të xhamive. Ende nuk më ishte mbushur mendja se Ferexhja e Zezë, që më jepte gji pasmesnate, fuqi për luftë heroike, moti kishte ikur nga Qyteti i qyqeve. Vite me radhë në këtë derë dhe shtëpi, nuk kishte trokitur asnjë grua asgane me dy kobure në brez. Nuk kishte kush të më jap gji me Dy shtamba në shtrat. Poezi. Fuqi për luftë...

Burrat e kalonin kohën nateditë nëpër çajtore. Alamet aktori, shkrimtari, akademiku, intelektuali… Fatkeqësisht, edhe ish drejtor i Teatrit të pakicave kombëtare në një emision kulturor “Event“ (nuk kemi ne fjalë shqipe për ta zëvendsuar këtë pjellë lope të pavërtetë politike-artistike ???!!!...), kur gazetarja do ta pyes, se: Pse kohën e fundit nëpër shfaqjet e tyre “kryevepra artistike“, nuk ka femra, do t’i përgjigjet: “Problemi është te vetë femrat shqiptare. Gratë tona nuk vijnë në çajtore…”

-Hi-hii-hiii…

Protesta paqesore në rrugë. Mitingje të partive politke para kamerave televizive. Dhe, shtyhen burrat në xhami se kush do të ulet në rendin e parë, përpara këmbëve të Hoxhës “Allahut” t’i falë të pesë vaktet e namazit. Gjithë natën vjedhin, vrasin, spiunojnë e i bëjnë njëqind e nëntëdhjete nëntë të zeza, e gjatë ditës në xhami përpara këmbëve të hoxhës me bythët palare në hava, i luten “Allahut” t’ua falë mëkatet.

Fabrikat, mbetën të zbrazëta pa punëtorë. Arat, u mbushën me ferra. Malet, na mbetën pa çobanë. Frikë ke, të dalësh në rrugë te Sheshi përpara Pallatit të Kulturës dhe ta pyesësh kalimtarin e rastit, se: Çka punon, dhe çka është me profesion. Çdo i dyti të del magjistër, doktor shkence, ose shkrimtar. E ne, kohën e fundit kemi nevojë për çobanë të na e kullosin bagëtinë, që shumica janë me fakultet nga Shqipëria. U lodhëm më me politikanë, deputetë të popullit, ministra, aktivistë partiak… Malli na ka marrë për bujqër, manxhatore, loparë, barinj delesh…

- Alo, a ende nuk je nisur në luftë?! - Më zgjoi nga këto mendime, Djemnusha.

- Ja, posa ia hodha shalën në shpinë Gjokut pullali. Dhe, u nisa pas Çuke…

- Nuk prish punë. Vetëm, ti trego! Ne, vërtetë nuk kemi burra mejdani, por me patriotë të vonuar i kemi plotë fushat edhe livadhet...

Dhe, vërtetë kishte të drejtë Djemnusha. Ne shqiptarët, vetëm në këtë fushë nuk kishim probleme. Heroizmat tona i njihte e gjithë bota. Gratë kishin qenë ato, të cilat ne na kishin përcjellë në luftë me dajre. Armët t’i rrokim në dorë, dalim maleve për liri… Gratë kishin qenë ato që, ne na kishin pritur nëntë vjet në shtëpi të kthehemi nga ushtria ku kishim shkuar si nizamë te Baba Dovleti.

Dhe, ne: Pak veta ktheheshim një ditënatë pleq me mjekra në shtëpi…

(Gjumë të vdekuri)

Në shtëpi erdha vonë, diku pas dite. Gruaja besnike kishte shkuar në punë. Fëmijët në shkollë. Unë si një trung shelgu vesh e gjeshur, ia futa gjumë  në shtrat.

Në mbrëmje, u zgjova në errësirë. Tashti e pash se, sa kisha qenë i lodhur, bërë gjumë të vdekuri gjithё ditёn mes fushave e maleve. Edhe, Gruaja ime besnike kishte ardhë nga puna.

- Hë, ma priti: Më në fund t’u kujtua se ke familje, të vish në shtëpi?

- Po, iu përgjigja. Mezi, gjithë natën e lume nëpër errësirë e kam gjetur rrugën… Shtëpinë… Derën e Madhe, pas gardhit…

- E di. Nuk më vjen çudi. E ke ngatërruar Ditën me Natën… Siç, duket: Fajin, e ka Nata…

- E vërtetë. Fajin e ka Dita.

- E, mesazhet erotike, që më vijnë mua herë pas here në telefonin celular?!...

- Eh, edhe ato përralla, janë punë grashë… Thashetheme… Nuk kanë tjetër punë qyqet, mirren me fjalët e hallkut dhe birat e gardhit…

- Atëherë, si dënim bëhu gati të shkojmë në “Pantelemon”! Qeras unë.

- Menjëherë, siurdhëron. Dhe, thashë me vete: Paska nga kjo punë, edhe përfitime…

Rrugës, Gruaja besnike më mirrte me të mirat. Përpiqeshte të zbulojë diçka të re, ndonjë përrallë nate me qiri tё ndezur mbi kokë, nё dhomё. Ose, në Shtëpinë Publike. Unë, e hidhja bisedën nga bregu në breg, matanë Lumit…

Dikur, mbërrimë mes maleve të Shkupit. Krah për krahu, hymë në restorant. Kamarieri na doli para, dhe na uli në një tavolinë. E porositëm një shishe me verë të kuqe “Cabernet”. Dhe, mish qengji në hell nga malet.

Edhe njëherë, thashë Vetmevete: Bukuri Natyrore është, kur ke më shumë gra besnike. Secila përpiqet të jetë më e mira se tjetra në shtrat. Rrugë. Shtëpi. Heroikisht, hyj në Librin e “rrezikshëm” për Nesër. Përditë, përnatë shtrojnë dreka e darka. Mëngjese. Gota me raki rrushi. Kafe. Shtamba me verë. Ndezin qiri…

E Ti, rron si Mbret Shqiptar vetëm me armën e Skënderbeut në dorë. Nateditë mes grave besnike, vjedh inspirime me dorë e këmbë për libra me poezi të “egëra”… Nuk ke nevojë për Parti politike të arratisuara dhe dalldisura nëpër “Bit-Pazar”....

(Fluturimi në Baba Tomor)

Djemnusha, një ditë më tha: Kohën e fundit flet dhe shkruan “ marrëzira”. Nëpër korridor shëtitesh lakuriq me rraqet për mejdani. Dhomën e gjumit e ke mbushur plot me libra,  lapsa dhe fletore… Fletë të shkruara për së “prapthi e mbari”, të hedhura andej - kёndej nëpër dhomë, që vetëm një Zot di t’i lexojë ato faqe. Përmëtepër, një fletore dhe një laps e ke futur edhe në banjo, mbi pasqyrë pas dere.

E di si është, i përgjigjem. E pranoj, se: Kohën e fundit jam i çmendur. Porositё për këtë Libër të “rrezikshëm”, më vijnë nga të gjitha anët, nga toka e qielli. Shenja nga të vdekurit. Drita nga të gjallët. Gji nga Mikja me Dy shtamba verë. Fuqi. Dielli po ma tregon rrugën me gisht për në Baba Tomor. Hëna më tërheq për dore mbi Çelvjollcë…

- Nuk do, këtu filozofi, u ngutë Djemnusha. Çmenduria yte ka arrirë kulminacionin. Edhe njëherë e përsërisë: Nuk ka fallxheshë, as hoxhë “Allahu” me çallmë turku në këtë botë,  që t’i përzë xhindet nga Pragu i Derës Madhe të Shtëpisë…

- Punemadhe, iu përgjigja. Fundi i fundit, edhe jam mësuar me xhindet… Nusen me pashterkë të kuqe, që më rreh pamëshirë për çdo natë deri në vdekje…

- E di. Prandaj, edhe shpesh të kanë futur në lëkurë dashi për “shërim”…

- Ta merr mendja. Çfarë shkrimtari i thua ti atij, që ende nuk ka hyrë në lëkurë dashi. Nuk e rrahin xhindet nateditë… Nusja me pashterkë të kuqe…

- Shkrimtaruc… Hi-hii-hiii…

- Eh, tashti e fitove luftën pa e shkrepur asnjë fishek.

- Armët, edhe nëse duhet t’ia dorëzoj dikujt, po t’i dorëzoj Ty si heroinë lufte. Tekefundit, po i dorëzohem një gruaje e jo një burri me brekët nëpër këmbë…

- Me këtë do të thuash se, e do Robërinë me ferexhe… E jo Lirinë…

- E kush ishte Liria?!...

- Liria, jam unë, ore i poshtër! Ende nuk e di?!... Ose belbëzon, të mirret goja…

- Jo. Mbrëmë, përpak desh më mbyti çotek Nusja me pashterkë të kuqe…

- E sheh, pra! Nusja me pashterkë të kuqe është Robëria… E unë Liria… Njëherë e përgjithmonë, futi në kokë më këto dy gra të rrezikshme që të rrëzojnë natë e ditë bythekrye në shtrat nё mes tё dhomёs me libra!...

- I futa.

- Dhe, çka?! Përsëri do të shkosh te Robëria t’i shterish herdhet…

- Jo, kurrë më!

- Nuk e besoj. Ti nuk ke besë…

- Edhe ti si grua besnike asgane… Ne jemi të dy njësoj nё huje, nuk kemi besë…

- E, atëherë pasi nuk paskemi besë, nxirre Shpatën namëmadhe të Skënderbeut, he burrë nga brezi!... Gjoksin para, hy në Fushëbetejë!...

- E nxorra. Luftë dua në shtrat! Luftë, në fushë të mejdanit!... Luftë!...

Dhe, atë natë nëpër errësirë u bë një luftë e përgjakshme. Zërin, ia dëgjuan edhe të vdekurit mes varreve. Djemnusha me Lulekaçe në dorë më rrëzoi në shtrat. U përpoqa edhe një herë të çohem më këmbë, nuk i dorëzova armët e Luftës…



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora