E premte, 29.03.2024, 11:51 AM (GMT)

Kulturë

Fran Gjoka: Qytetari dhe koha moderne

E merkure, 07.10.2020, 06:16 PM


QYTETARI DHE KOHA MODERNE…

-Analizë e librit të sociologut Gëzim Tushi “Mjeshtër i Madh”-

NGA FRAN GJOKA

Në kolanën e vet të 20 vëllimeve të botura nga sociologu Gëzim Tushi “Mjeshtër i Madh” janë të dalluara dy shtyllat mbështetëse të veprës së tij: Politologjia dhe sociologjia. Një binom krijues, të cilit autori i ka qëndruar besnik në krijimtarinw e tij të njohur, shumëvjeçare. Por libri i tij “Qytetari dhe Koha Moderne” është mbase pak më i veçantë në këndshikimin tim. Autori e ka patur “pikë graviteti” trajtimin me prioritet të problemeve që kanë të bëjnë me natyrën e reflektimeve të determinantëve sociale në kohën modern dhe postmoderne.

Në këtë pikë ai është investuar me shkrime të shumta, emisione televizive, konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Në të vërtetë tërë shqetësimet për trajtimin e tipologjisë së reflektimeve sociale të qytetarit dhe shoqërisë në kohën postmoderne i gjejmë më të koncentruar në librin “Qytetari dhe Koha Moderne”. Por ato i gjejmë edhe në vepra të tjera të tij si “Individi dhe shoqëria”, “Njeriu pa dimension”, “Sfidat e qytetërimit”, “Shoqëria modern dhe njeriu i lakuar”, Shoqëria civile” dhe “Turbulencat e postmodernitetit shqiptar”.

Analizat, trajtimet dhe konkluzionet e autorit në librin “Qytetari dhe koha moderne” janë me vlerë aktuale për jetën dhe zhvillimet turbulente të jetës urbane. Sipas tij, ndryshimet që po ndodhin kanë sjellë transformime thelbësore në strukturën dhe sjelljen e njeriut si qytetar i inkorporuar i jetës urbane. Madje ai gjykon se kjo është bërë një “pikë kritike” e të menduarit të qytetarit dhe instrument për përshtatjen sociale me zhvillimet bashkëkohore. Kalimi në një “shoqëri të re” doemos që kërkon edhe praninë e një qytetari adekuat me këto ndryshime, si: cili duhet të rindërtojë ekuacionin e sjelljes në raportin me të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen. Këtë zhvillim transformues, sociologu Tushi e konsideron edhe si problem filozofik që ndikon në “ndriçimin e ekzistencës” së njeriut të kohës postmoderne. Fjala është për një komportim realist të qytetarit me kohën e tij, duke e kuptuar “tingullin e kohës” pa paragjykime, nihilizëm dhe iluzione me natyrë sociale. Sepse ato, sipas sociologut Tushi, sjellin frikëra, pasiguri dhe e bëjnë njeriun një qytetar të flashkët e konformist. Doemos nuk mund të mos trajtonte në këtë libër disa probleme që kanë të bëjnë me instrumentet qytetare të sjelljes sociale dhe individuale të qytetarit sikurse janë miqësia, shoqëria, komunitarizmi, të cilat janë bazë për rindërtimin modern të sjelljes në hapësirën publike apo private. Autori mendon se shoqëria postmoderne ka nevojë për një qytetar jo vetëm kulturalisht të orientuar drejt me sfidat, ngerçet dhe zhvillimet kontradiktore, por dhe të shfaq medoemos edhe “shpirt publik dhe angazhim qytetar”. Tushi mendon se është qytetar me të meta sociale dhe cene individuale, qytetari që e gjen rrugën e shpëtimit duke bërë thjeshtë “indiferentin social”. Ky nuk është komponent që rrit staturën apo zgjeron statusin social të qytetarit.

Sociologu Tushi mendon se koha e kërkon intensifikimin e procesit të edukimit qytetar, duke e menduar se ky nuk është një proces spontan, i vetvetishëm që zhvillohet në mënyrë empirike apo thjeshtë me “rrjedhje të lirë” edukative. Kjo është arsyeja pse autori i kushton një pjesë të madhe të librit, zbërtimit të sfidave, përgjegjësive institucionale dhe mekanizmave të domosdoshëm të edukimit qytetar.

Natyrisht, thotë autori, duke marrë parasysh dhe vlerësuar kontektet e ndryshme sociale në të cilat zhvillohet procesi i edukimit. Ai mendon se edukimi qytetar nuk është një proces i thjeshtë pedagogjik, që zhvillohet vetëm në institucionet formale të edukimit sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare apo media, por është një përgjegjësi e integruar, që “duhet qeverisur” në mënyrë kompakte nga të gjithë aktorët dhe faktorët, qëndrorë apo periferikë qofshin.

Padyshim roli I qytetarit në shoqërinë civile dhe sidomos raportet e reja të tij me shtetin, politikën dhe demokracinë në përgjithësi, janë nga interesimet më intensive të sociologut G. Tushi në librin e tij “Qytetari dhe Koha Moderne”. Ideja e tij është se demokracia është një strukturë e pamundur të ndërtohet, të qëndrojë në këmbë dhe të konsolidohet e të bëhet funksionale në një shoqëri me “kapital njerëzor” të dobët. Kësaj problematike autori i bën një “skaner” të gjerë, duke e vlerësuar gjerësisht rolin e zhvillimit intensiv të “kulturës qytetare” në shoqërinë tonë, duke e bashkëngjitur atë edhe me komponentë të tjerë po aq dominantw e të rëndësishëm sikurse kultura demokratike qytetare, si baza e ndërtimit të një shoqërie të lirë, demokratike e ligjore.

Të gjitha këto komponentë të marrë së bashku dhe të integruar në një strukturë qytetare kompakte, sipas autorit të librit, janë të domosdoshme edhe për atë që është akoma më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare: transformimi pozitiv i “kulturës publike” qytetare dhe përmirësimi i rolit aktiv të qytetarit në demokracinë e brishtë shqiptare.

Në këtë kontekst, sociologu Tushi, bën arsyetime të gjëra e elokuente për raportet e reja të qytetarit me shtetin, për nevojën e zgjerimit të “besnikërive qytetare” ndaj shtetit dhe demokracisë. Por ai gjithashtu ngul këmbë për nevojën e largimit të plogështisë qytetare dhe qytetarit indiferent me situatat kaotike dhe zhvillimet jo fort normale e standarde të demokracisë shqiptare. Në këtë aspekt gjykimi i tij është se koha kërkon në mënyrë imperative forcimin e “opinionit qytetar”. Për këtë qëllim ai është i mendimit se shoqëria jonë ka nevojë për një kulturë e dinamizëm të ri urban, kur është fjala për zgjerimin dhe konsolidimin e “ligjërimit qytetar” në raport me mangësitë e shtetit, anomalitë e shoqërisë. Sensibilitetet e qytetarit janë instrumenti bazë që furnizon dhe ushqen atë që është shumë e rëndësishme për kohën tonë: “gjykimin kritik” të qytetarit në raport me shtetin, mangësitë dhe difektet e tij.

Libri “Qytetari dhe koha moderne” ka një lëndë të ngjeshur dhe tejet aktuale me problematikat e kohës sonë. Autori e ka trajtuar shumë herë, fjala vjen problemin e nevojës së krijimit dhe konsolidimit të “kapitalit social”, që sipas tij është instrument bazal për demokracinë, për krijimin e lidhjeve qytetare, që nuk i bashkon thjeshtw kondicioni gjeografik apo lidhjet e gjakut, fisnore apo profesionale, por ca lidhje të tjera përtej tyre, të cilat i bashkojnë qytetarët në “kauza të përbashkëta” edhe pa i pasur këto lloj lidhje që janë tipike për shoqërinë tradicionale. Kapitali social, sipas autorit, është një nga kushtet ekzistenciale të funksionimit të shoqërisë postmoderne, e cila gjithnjë e më shumë, edhe pse bëhët shoqëria e “njerëzve të panjohur” personalisht, është shoqëri kompakte.

Autori i kushton një rëndësi të posaçme problemeve që kanë të bëjnë me raportet e reja të qytetarit me “veten” dhe shoqërinë. Raporte të cilat kanë pësuar ndryshime esenciale nën ndikimin e transformimeve të thella të tipologjisë së shoqërisë. Kjo do të thotë, sipas autorit, që kohës së sotme nuk i shkon as qytetari indiferent, i mbyllur në guackën e “unit vetjak”, as ai konformisti apo, siç thotë autori, “qytetari pelte”. Padyshim qytetari i kohës postmoderne po krijon një lloj “ekzistence individuale” të ndryshme nga njeriu kolektivist, pa staturë vetjake dhe i përshtatur në “turmën kolektive”. Sociologu Tushi gjykon se në këto kushte është i nevojshëm krijimi i një “uniteti të ri social” midis individit dhe interesave të tij personale dhe qëllimeve të përbashkëta të shoqërisë.

Ideja personaliste e individualiste, si prirje e natyrshme e kohës dhe orientim dominant i shoqërisë postmoderne nuk mund të jetë në kundërshtim apo në kundërsens me interesat, qëllimet apo, sikurse thotë sociologu Tushi, “shëndetin e shoqërisë”. Ideja e deformuar e njeriut individualist, pragmatist e konsumerist që ka vënë në qëndër të jetës vetëm “unin” dhe “veten” e tij dhe që i kundërvihet të tjerëve dhe sfidon shoqërinë, është një nga patologjitë aktuale të shoqërisë, që po sjell dëme të konsiderueshme sociale.

Autori trajton gjerësisht efektet e kësaj patologjie, duke i bërë një shikim të thelluar problemeve të lidhjes midis thelbit individualist të qytetarit postmodern dhe nevojave të natyrshme të socialitetit dhe sociabilitetit në jetën e përbashkët të shoqërisë. Për këtë arsye, ai mendon se zgjidhja e këtij problemi nuk bëhet as me urdhër nga “lart”, as vetiu e në mënyrë spontane. Mendimi i autorit është që “ilaçi” që mundëson korrigjimin apo shërimin e kësaj patologjie, është forcimi i shoqërisë civile, zgjerimi i kapitalit social dhe rivlerësimi e konsolidimi i organizimeve të jetës qytetare.

Në këtë mënyrë mund të krijohet baza për një “kohezion social” të dobishëm e të domosdoshëm, i cili nga ana e vet krijon mundësitë që qytetari të shfaqet si qënie sociale. Madje ky tipar, mendon Tushi, duhet të bëhet “ekzistencë thelbësore” apo natyrë e dytë e dimensionit qytetar të njeriut të kohës tonë. Kjo do na ndihmojë që të shmangim deformimet narcistike të qytetarit super egoist, individualist e antisocial. Në fund të fundit, mendon autori, “qytetar është ai që di të kombinojë matricat individuale të jetës me qëllimet sociale të shoqërisë, pa qënë i deformuar në thelb dhe i “verbuar pas vetes”. Kjo do të thotë që interesat e natyrshme private duhen kombinuar me “përgjegjësitë qytetare”, në mënyrë që qytetari të jetë “qënie private”, por dhe njeri me “integritet social” të dalluar. Konkluzioni i autorit, në mbyllje të librit të tij “Qytetari dhe Koha Moderne”, me rreth 400 faqe, është se “ofiqi i qytetarit” nuk është “titull i trashëguar”, por “cilësi e fituar”…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora