E enjte, 18.04.2024, 11:38 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: John Cam Hobhouse dhe Xhorxh Gordon Bajron - Nëpër viset e Ballkanit

E merkure, 07.10.2020, 06:33 PM


Blerim Latifi:

John Cam Hobhouse (1786-1869), i njohur më vonë si Lordi Broughton, në fillimet e shekullit XIX, bashkë me poetin anglez Xhorxh Gordon Bajron, kishin ndërmarrë një udhëtim të gjatë nëpër viset e Ballkanit. Të dy ishin aristokratë anglezë. Të dy kishin shije artistike dhe botëkuptim romantik. Të dy ishin të ngarkuar me stereotipet dhe paragjykimet e kohës, por me gjithë këto ata kishin një dallim midis tyre : Bajron ishte poet i shquar, ndërsa Broughton përpiqej të bënte emër në fushën e prozës historike. Përshtypjet e tij gjatë udhëtimit nëpër viset e Ballkanit, ai do t’i përmbledh në librin me titull : “Një udhëtim nëpërmes Shqipërisë dhe provincave tjera të Turqisë në Europë dhe Azi, deri në Kostandinopojë, gjatë viteve 1809-1810”. Libri ishte botuar në vitin 1813. Teksti në të cilin Broughton i paraqet gratë shqiptare si të shtypura e të trajtuara në mënyrë mizore nga burrat ndodhet pikërisht në këtë libër dhe saktësisht në faqën 129 të tij. Në faqën 121 ai shkruan se “gratë shqiptare janë të gjata, të forta, jo të papërfillshme, por në fytyrat e tyre ato mbajnë të gjitha shenjat e mjerimit, të trajtimit të keq dhe punës së rëndë”. Fakti se ne sot e njohim shumë mirë bashkëudhëtarin e Broughton-it, Bajronin, e jo vetë Broughton-in, lidhet me atë se Bajroni në poemën e tij e lartëson Shqipërinë dhe shqiptarët, ndërsa Broughton-i nuk e bën një gjë të tillë. Broughton-i kishte simpati për grekët, tek të cilët shihte trashëgimtarët e Greqisë antike, ndërsa Bajroni ra në dashuri si me grekët ashtu edhe me shqiptarët. “O Shqipëri, ku lindi Iskanderi- këngë e rinisë, fanar i të urtëve!”- këto janë dy nga vargjet më të bukura në poemën e Bajronit “Shtegtimi i Çajld Harlodit”.

Problemi me tekstin e Broughton-it mbi gjëndjen e grave shqiptare nuk është tek vetë teksti si i tillë. Broughton-i po përpiqej të përshkruante realitetin e një shoqërie totalisht patriarkale, në të cilën shtypja e trajtimi i  keq i grave përbën normë. Ne mund ta kritikojmë atë për përgjithësimin e shpejtë që i bën asaj që sheh me sytë e tij, por poashtu është krejtësisht e pakuptimtë të mendojmë se në vitin 1810 gratë shqiptare do të jenë trajtuar në mënyrë liberale dhe të emancipuar nga burrat e tyre. Në vitin 1810 jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën, idetë mbi emancipimin e grave dhe barazinë e tyre me burrat, ende ishin në gjëndje embrionale.Gjithandej gratë trajtoheshin keq e më keq dhe shqiptarët nuk bënin përjashtim nga të tjerët.

Problemi me tekstin e Broughton-it qëndron në faktin se ky tekst prej editorëve të “Historia e Përbashkët të Ballkanit” nxirret nga konteksti i librit të Broughton-it, nga konteksti i kohës për të cilin flet libri, dhe prezantohet vizuelisht, në mënyrë tinzare, si një tipar i përhershëm i sjelljes së shqiptarëve ndaj grave. Një mënyrë e tillë prezentimi bartë konotacione të qarta raciste. Broughton-i nuk ishte specialist as i etnologjisë, as i sociologjisë, as i antropologjisë, as i historisë së Ballkanit, por vetëm një shkrimtar i formuar nga leximet e teksteve klasike. Nëse do të donin që të mos binin në pozicione raciste, redaktorët e librit “Historia e Përbashkët e Ballkanit”, do duhej që të prezantonin kontekstualisht pikëvështrimin e Broughton-it dhe, njëkohësisht, të prezantonin kufizimet akademike të tij. Këto kufizime shihen gjithandej librit, ku Broughton-i shpalosë vlerësime dhe informata të pasakta mbi shumë personazhe dhe ngjarje historike. Edhe kjo duhet kuptuar në kontekstin e një kohe kur historiografia shkencore ende ishte në hapat e saj të parë dhe verifikimi i burimeve nuk kërkohej si rregull e domosdoshme në të shkruarit e historisë. Megjithatë, një gjë e bukur gjendet në librin e Broughton-it. Aty, ndoshta për herë të parë, nga një autor perëndimor, e gjejmë të paraqitur hartën etnike të popullit shqiptar, e cila përfshinë gjithë territorin nga Preveza në jug, deri në malet e Kopaunikut në veri. Kjo një kohë kur koncepti politik i Shqipërisë ende nuk ekzistonte dhe procesi i formimit të kombeve ballkanike po ashtu ende nuk kishte filluar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora