E enjte, 18.04.2024, 02:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Xani: Ditari javor II?

E diele, 16.11.2008, 07:42 PM


Halil Xani

Ditari javor II?

E hënë, 10 nëntor 2008

Sot është ditë tregu në fshatin tim dhe në Skenderaj. Rrugës, nëpër lagjen tonë vijnë shumë traktorë me dru e me bagëti nga fshatrat e anës së Qyqavicës. Pas mbarimit të tregut që për çudi mbaron bukur herët, dikush kthehet  pa kryer punë e dikush me traktorët e zbrazët, apo me ndonjë material ndërtimor.

Në orën 17.00, në Radio Kosovë dëgjova emisionin studioja e hapur, ku temë bisede ishte, siç po i thonë, rikonfigurimi i EULEX-it dhe 6 pikat e Ban Ki Munit.

Sipas analistëve të emisionit, situata nuk është aq e mirë. Kosovës sikur po i sillet një ogur i zi mbi kokë.  Kjo krejt bëhet nga ndërkombëtarët e për hir të Serbisë. Janë vet ndërkombëtarët të cilët e mbajtën Mitrovicën të ndarë tash nëntë vite. Tash sikur po përtojnë, apo po iu vie zor ta bashkojnë. Radio Kosova ndërpreu lajmet e orës 18.00 për t`u lidhur me televizionin, ku  bëhej transmetimi i mbledhjes me gazetarë, të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Ata i njoftuan gazetarët se  në mbledhjen maratonike me përfaqësuesit e Quintit, nu kjanë pajtuar me pikat e Ban Ki Munit.

Unë ( dhe jo vetëm unë) kam frikë se mos po i ndodh ndonjë e ligë Kosovës sime  të pavarur, sovrane e demokratike. Pse?

Sepse edhe shteti i ri don kujdes sikur foshnja e porsalindur, apo si fidani i mbëltuar. Ne në vend se ta ujitim e ta ushqejmë (shtetin) me pagesën e taksave, të rrymës, të ujit, të bërllokut, të tatimit mbi pronën, të tatimit nga bizneset, ne bëjmë yrysh ta  shkundim  menjëherë e t`ia marrim frutat duke ia thyer pipthat e sythat e atij fidani. Ta rjepim, ende pa zënë mirë rrënjë. Njerëzit pasurohen brenda natës, ngritin pallate e mbindërtime (më shumë pa leje) në zemër të Prishtinës dhe as pesë para nuk i japin.

Sa për ilustrim  këtij shkrimi ia bashkangjes poezinë që e shkrova më herët:

DIKUSH, DIKUR

Dikush në palestra organizon dasma mbretrore

Dikush  për  fëmijën nuk ka të blejë një fletore

 

Dikush  nuk skuqet  e aspak s`ka marre

Pse dëshmorët s`kanë as gurë në varre

 

Dikush, dikur rrahte gjoks se ishte trim

Tash nga lart nuk i vëren fëmijtë jetimë

 

Dikush, dikur kënaqej me një shtëpi

Tash i duken pak që i ka njëzet e tri

 

Dikush, dikur kulloste lopën me kërpesh

Tash  i  rrethuar  nga  truprojet-kalavesh

 

Dikush,dikur punonte me zanatin murator

Tash  sa çil  e mbyll sytë na u bë profesor

 

Dikush, dikur jo, por tash e shtramon plisin

Sepse nëpër ministri ka punësuar farefisin

 

Dikush, dikur  punonte  me  zell në bujqësi

Kurse tash me tender, ku-ku, po bën kërdi

 

Dikush, dikur premtonte pavarësinë

Tash  ai  status-quon e do si fëminë

 

Dikush,  dikur   kërkonte    rregull

E tash si ujku, don vetëm mjegull...

 

Është e vërtetë se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk punojnë e nuk kanë të ardhura, ama edhe ata që kanë, hezitojnë ta ndajnë një pjesë ( të lekëve) për shtetin. Qe besa, kështu as nuk duhet, as nuk ndërtohet, as nuk mbahet shteti. Prandaj edhe nuk është çudi që të na i ndodh (larg qoftë)  ndonjë e keqe. Tash (po qe nevoja) nuk di  kush do t`i dilte në mbrojtje. Ata që kanë bërë pasuri milionëshe, e këqyrin çka ka pas horizontit të gllabërojnë edhe  më shumë, apo ata që nuk kanë bukë as strehë për fëmijët.

Zoti e ruajt Kosovën!

Sonte reduktimet e rrymës i patëm vetëm 2 orë, nga 19,00-21,00.

 E martë, 11 nëntor 2008

 

Në mëngjes një mjeshtër u ndal në dyqanin tim dhe bleu gjëra ushqimore. Më tha se punon këtu afër në një fshat, por i zoti i shtëpisë nuk i jep bukë. I ka thënë (ai) se i ka të gjitha, por gratë  tash po pritojnë të bëjnë bukë. Eh, si kanë ndërruar gjërat. Mua më kujtohet, jo fort moti, për mjeshtrit ( për shtëpinë e re) prehej qengji, gjeli, bëhej muhabeti si për më të mirin mik. Ç`është e vërteta, skamja ishte më e madhe, por  edhe zemra e njerëzve ishte më e madhe e besa fjala e burrit ishte amin. Unë kam bërë një parodi bukur të gjatë në lidhje me këtë temë. Po ua sjell një pjesë (të shkurtër) të saj:

 

Ka mjeshtër mixha Ukë

Por atyre s`iu jep bukë

Plaku thotë u bëra horë

Por s`kam gjë në dorë

Mirë e ka plak lumi

Grave vonë u del gjumi

Natën këqyrin seriale

Ditën sikur n`spitale

Bëjnë pallën e sefasë

Ato horat e dynjasë...

 

Sonte në Radio Kosovë temë e emisionit të orës 17.00 ishte arsimi në Kosovë.

Kishte lloj-lloj pyetjesh e përgjigjesh për gjendjen e arsimit  në Kosovë, sot.

Në këtë temë sot e kishim bisedën edhe me një mësues të fshatit. Ai për një shokun e tij më tha se  i falë të gjitha kohët e namazit, por në klasë gjatë të gjitha orëve të mësimit, nuk ngritet nga karriga për të përcjellur punën e nxënësve, apo për t`ua kontrolluar detyrat. Punë haram. Ndërkaq një gjimnazist ( në Skenderaj) më thotë se ky gjimnaz nuk është as hija e atij të para disa viteve. Ka profesorë që kërkojnë cigare nga nxënësit: Hajde, kush po ma qet një, se m`u kanë qorruar sytë.

Nga lajmet tjera: U vu gurthemeli i kullës së Tahir Mehajt në Prekaz.

Pensionet janë rritur për 5 euro. Aq sa është një mëngjes i  një deputeti-tha një pensionist.

E mërkurë, 12 nëntor 2008

Mëngjesi paralajmëron një ditë të mirë për këtë kohë. Kujt t`i besohet, një TV thotë se temperaturat do të sillen prej 0-4 gradë celzius, tjetri thotë 1-7 gradë, e një tjetër krejt ndryshe. Si do që të jetë, sot  ishte një ditë e ngrohtë.

Kah mesdita dola në Skenderaj. Me mua erdhi edhe nipi Drini,( pesë vjeçar) i cili u ndal te dajët ku e ka mamin e motrën më të vogël, Elsën. Në  afro 200 metra katrore (në dy shtëpitë), kemi ngelur vetëm me bashkëshorten time, të luajmë symbylltazi.

Plak e plakë në shtëpi fikall

Djemtë në perëndim, toka batall…

Kështu kam thënë më herët duke i parë shtëpitë e fshatit që jo vetëm po ngelin në pleq, por po mbyllen fare, të lodrojnë minjtë të papenguar nëpër to.

Tjetër: Fëmijët e lagjes sime vijnë nga shkolla, marrin frymë pak dhe disa prej tyre  kthehen sërish, jo në shkollë, por në shtëpinë shkollë, të arsimtarit të gjuhës angleze, i cili ka hapur kursin e kësaj gjuhe për nxënësit e vet.  Nxënësit  dy herë në ditë i kalojnë rreth 15-16 kilometra rrugë për të ndjekur mësimet e rregullta dhe kursin e anglishtes, për të cilin paguajnë vetëm 5 euro në muaj. Uroj që këta nxënës ta mësojnë këtë gjuhë botrore e ishalla kurrë nuk iu bie të punojnë përkthyes të UNMIK-ut as të EULEX-it.

Nga Lajmet: Thuhet se Bashkësia Ndërkombëtare ka biseduar me Beogradin për vendosjen e EULEX-it. Unë që nuk marr vesh fort në politikë, mendova një herë se mos EULEX-i po u vendoska edhe diku në Serbi. E vërteta është ndryshe. Deri edhe Kajdanova  na “siguron” se kjo është në të mirën tonë. D.m.th. serbët ta kontrollojnë kufirin verior të Kosovës nëpër të cilin kalojnë afro 1 milion euro mallra në ditë. Kështu na “siguronin” edhe udhëheqësit e lartë të Serbisë, kur vinin viteve të tetëdhjeta e na thoshin se  me ndyshimet kushtetuese ju nuk humbni asgjë. Kjo i bie sikur unë ty ta marr  këmishën, e ti nuk humb gjë!

Unë them kësi EUILEX-i nuk na duhet fare. Kurrë as me sy mos e pafsha.

 

S`dëgjojmë miq

S`dëgjojmë Evropë

Kur pas shpine

Na e bëjnë gropë.

 

Unë që nuk kam “haber” në politikë e di se z. Ahtisaari sivjet është fitues i çmimit NOBEL për paqe. Mendja ime më thotë, se nëse bëhen “pishman” gjithë këto alamet shtete të fuqishme që e njohën pavarësinë e Kosovës, atëherë as  çmimi NOBEL i Ahtisaarit nuk do të ketë fare kuptim.

E  enjte, 13 nëntor 2008

Edhe dita e sotme për mua ishte e zakonshme. Ende mbretëron thatësi e madhe. Në lagje shoh njerëz që bartin ujë ( me karroca dore) nga bunaret që ndodhen më poshtë, ( në Lug të Vushtrrisë). Deri vonë njerëzit preokupoheshin me korrupsionin në institucionet tona, me terrin, me papunësinë, me varfërinë, tash të gjithëve koka u është mbushur me EULEX dhe druajnë se liderët tanë do të detyrohen nga presioni të lëshojnë pe ndaj kërkesave të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Nga mediat sot mësova se Bashkësia Ndërkombëtare kaherë e paska pasur hallin si ta bind Beogradin për vendosjen e EULEX-it në Kosovë se për Prishtinën, kush po i pyet ata. Jo-ja e fundit e presidentit Fatmir Sejdiu dhe e kryeministrit  Hashim Thaçi na bëri të kuptojmë se  edhe ne mund ta shtyjmë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, bile për ndonjë ditë.

Ne mjaft kemi lëshuar pe me pranimin e dukjes së flamurit, me himnin pa asnjë përmbajtje ( pa tekst), me pranimin e decenralizimit etj. Tash kërkohet prej nesh të lejojmë që një pakicë kryeneqe të na e kontrollojë një pjesë bukur të madhe të territorit të pranuar ndërkombëtarisht. Të gjitha arsyetimet, lutjet dhe presionet ndaj nesh që t`i pranojmë 6 pikat e Ban Ki Munit janë të pa kuptimta.

E premte,14 nëntor 2008

Në ditën e sotme nuk do t`u lodh me EULEX. E di se edhe ashtu nga mediat e keni përplot kokën politikë.

Nga shkrimet e javës së kaluar, lexuesi  e din se unë nuk punoj që nga 5 korriku i vitit 1990, kur policia serbe me dhunë na dëboi nga radio Mitrovica, jo vetëm nevve, por edhe punonjësit e radiotelevizionit të  Prishtinës si dhe të të gjitha radiove regjionale ( Gjilan, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prizren). Shkrimin e kam hobi. Nuk më zë gjumi, po nuk shkrova ndonjë faqe në kompjuterin tim. Këto vitet e fundit jam i lumtur që shkrimet mund t`ua ofroj edhe lexuesve anekënd botës përmes internetit.

Ku desha të dal. Unë vërtet nuk punoj, por edhe nuk e kaloj kohën kot. Në oborrin tim, afër rrugës së fshatit kam hapur një dyqan. As kjo punë nuk është aq e lehtë, ama njeriu i shëndoshë duhet të punojë diçka e të mos e kalojë kohën kot.

Mbi “tezga” e në rafte  kam përplot libra, fletore, gazeta e dorëshkrime.

Si duket një ditë e tregtarit?

Pas një nate pa gjumë, duke shkruar, lexuar  e biseduar me miqtë në internet, në orën 7 të mëngjesit më cingëron zilja e dyqanit. Shkoj të shikoj kush çfarë kërkon kaq herët. Një voglushe m`i ofron 50 centë  t`ia bëj të ima se i duhen për të blerë diçka në kioskun afër shkollës. Nuk bëhem nervoz. Jo, se fëmijët janë qenia më fisnike, më e padjallëzuar, më e bukur, më e dashur. Në ta e shohim ardhmërinë. Nis punën pastaj deri në kohën e mëngjesit ( kaftjellit). Kur marr kafshatën e parë, cingëron zilja. Shkoj të shoh kush është ai që nuk din të lexojë në xham shkrimin “Koha e mëngjesit”. Është një plak i cili më pyet ku e ka shtëpinë filan komshiu. As me këtë nuk bëhem nervoz se  është i vjetër. Të vjetrin duhet nderuar e respektuar. Rastet e tilla përsëriten (pothuaj) çdo ditë.

Do t`ju tregoj se gjatë ditës së sotme kam pasur 26 blerës ( myshteri). Si thoni? Janë shumë, apo pak? Kjo varet se çka kanë blerë ata. Mos mendoni se kisha një ditë me fitim. Pjesa dërrmuese e tyre blenë gjësende në vlerë më të vogël se një euro që kap shumën 29.60 euro. T`ua them më qartë, 29 euro e 60 centë. Lagjja jonë është bukur e madhe, ama tash ka hyrë në modë: Kam pirë një kafe në Ben af, bleva në Ben af ( në qytet). Ta merr mendja se aty është shtëpi e madhe

 ( e mallrave), gjen gjithçka. Bile nën dritën e llambave të neonit gjësendet aty duken disi më të mira, më të mëdha edhe kur çmimet janë të përafërta me ato të dyqaneve të vogla. Mirë e tha një tregtar më me përvojë se dyqanet e fshatrave kanë ngelur si goma rezervë e makinës.

Fëmijët si thashë më lart janë të pasherr. Vjen njëri e më thotë: ma jep një pako cigare se më tha babi kam harruar të marr në qytet. Ose: m`i jep dy birra shpejt e shpejt se është fryrë lopa nga tërrfoja. Shkruaj në bllok se jam për ngut. E pastaj shishet nuk kthehen kurrë, kurse borxhi paguhet pas një apo dy muajsh.

Më herët, jo për vete, por për profesorët e papunë, pata thënë:

 

Profesori me fakultet

Në treg cigare shet

Sepse në vend të tij

Laiku rrënjë ka shti

 

Rroftë Kosova e lirë

Zoti e bëftë mirë.

E shtunë, 15 nëntor 2008

Po të kishte titull ky shkrim, do ta titulloja “Dje ishim dy, sot jemi nëntë”.

Gjatë tërë javës në shtëpi ishim vetëm unë e bashkëshortja. Në këtë fundjavë erdhi nusja e djalit nga të vetët me Drinin e me Elsën, erdhi vajza e martuar me fëmijët Samirin, Shkëlqimin e Çlirimin dhe nga Prishtina erdhi sugari, i cili studjon në vitin e tretë në Kolegjin Fama. Sa hijeshi  e gjallëri ka oborri nga loja e fëmijëve. Njëri nget biçikletën, tjetri e shtyn Elsën në  makinën e plastikës, një tjetër nget pas topit. Samiri është nxënës i klasës së katërt të fillores. Thonë se do t`i ngjet gjyshit. Në shkollë është shembullor, kurse në fletoren e tij ka radhitur njërën pas tjetrës jo më pak se 40 vjersha, të cilat një ditë mbase edhe do t`i botojë. Në mbrëmje Samiri pati temperaturë. Nusja e djalit që punon në Shtëpinë e Shëndetit,  ia dha “terapinë” dhe ai bëri më mirë. Shkëlqimi e Çlirimi janë në klasën e tretë. Këta janë binjakë, por për çudi nuk ngjanë fare në mes veti. Ata të  kënaqin me muhabete. Janë sigur shirit i magnetofonit. Nuk iu shpëton asgjë pa e vërejtur. O mësues, kujdes si shkoni në klasë si silleni, si flisni, si visheni, si punoni... Jeni para fëmijëve të cilëve asgjë nuk iu shpëton pa e vërejtur.

Që nga mëngjesi moti ka qenë i vranët, i freskët, por i thatë. Reduktimet e rrymës sot kanë qenë më të shpeshta se zakonisht edhe ditën edhe në mbrëmje. Mbase ka plasur prapë ndonjë kazan. Nuk është çudi. Stabilimentet e vjetruara të termoelektranave, pagesa e rrymës bëhet me shumë përtesë e sidomos nga ata që harxhojnë më së shumti e që kanë edhe biznese bukur të fuqishme.

E diel, 16 nëntor 2008

Luan Krasniqi, mirë e nisi “luftën” mbrëmë, por fatkeqësisht e humbi. Nga frika (para meçit) këtë edhe e parandjeja se do të ndodhë. M`u dhimbs Luani, por duhet të pajtohemi se edhe  humbja është pjesë e “luftës”. Unë e kam pasur një simpati edhe më të madhe ndaj Luanit, ngase meçin me Monsenë në qytetin e Magdeburgut e pata përcjellë kur isha mysafir te djali në Gjermani.

Ka kaluar gjysma e nëntorit, dasmat janë rralluar. Aty- këtu në ndonjë fshat ende bëhet ndonjë dasmë. Sot, në rrugën pranë shtëpisë sime kaloi një kolonë (bukur e gjatë) dasmorësh. Pse po e përmendi këtë? Mbase edhe nuk do të ishte pjesë e ditarit tim, po të mos ma tërhiqte vërejtjen flamuri (apo flamujt) në shtizë në veturën e parë. Shqiptarët  (pak ftohtë) e pranuan sivjet flamurin e Ahtisaarit, por  edhe më me vështirësi heqin dorë prej atij të kuqit me shqiponjën dykrenare. Dilema të përdoret ky ose ai flamur është hequr me një modifikim-qepje flamujsh. Në një shtizë, dy flamuj ngjita-ngjitë. Të qepur. Të dytë nga një material bukur i tejdukshëm. Në njërën anë shihej pak shqiponjë, pak hartë Kosove dhe 6 yje, kurse në anën tjetër dukej pak hartë Kosove pak shqiponjë dhe 6 yje. Fusha e njërës anë dukej pak si e kuqrremtë, ana tjetër pak si e kaltër (rremtë).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora