E marte, 24.11.2020, 12:08 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Turpi në radhët e të paturpshëmve

E marte, 06.10.2020, 06:59 PM


TURPI NË RADHËT E TË PATURPSHËMVE

Nga Frank Shkreli

Ja dhe turpi i radhës në Shqipëri.  Ndodhi prap “Turpi në radhët e të paturpshëmve”. (Në të vërtetë ky është titulli i nji libri anglisht (Shame among the shameless) që jam duke lexuar tani e që mund të jetë subjekt i një shkrimi tjetër më vonë, libër që ka të bëjë me krimet e komunizmit në Shqipëri), por titulli është aq i përshtatëshëm edhe për situatën aktuale politike në lidhje me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në parlamentin shqiptar. Se, ai turpi i qershorit të vitit të kaluar nuk mjaftonte, as për politikanët shqiptarë as për ndërkombëtarët, siç duket.  Ka të ngjarë që qershorin e vitit të kaluar, nuk e kishte marrë vesh e gjithë bota se si, vërtetë, organizohen dhe si mbahen zgjedhjet në Shqipëri.

Por, ja do shikoni tani se si, me ligjin e ri, do të mbahen zgjedhjet e vitit të vjen në atë vend.  Sot, Kuvendi i Shqipërisë me shumicë socialiste miratoi, njëanshëm, ndryshimet e Kodit Zgjedhor për listat dhe koalicionet zgjedhore, ndërsa opozita jashtë parlamentit e quajti këtë një akt antikushtetues, që shkatërroi marrëveshjen e 5 qershorit, ndërkohë që “opozita” mbrenda parlamentit i dha shumicën e votave mocionit të shumicës socialiste.  Nëqoftse jeni të konfuzuar, prisni se nuk kini parë gjë ende.

Shoh se po bëhen komente dhe po shfaqen reagime mbi miratimin e këtij ligji në parlamentin shqiptar, nga burime të mbrendshme dhe të jashtme.  Unë nuk kam ndonjë reagim të ri, pasi nuk ka asgjë të re për të thenë, për diçka që jemi mësuar tanimë për 30-vjet -- se në Shqipëri nuk ka pasur, nuk ka dhe siç duket as vitin që vjen nuk do të ketë zgjedhje të lira -- me standarde ndërkombëtare -- e si rrjedhim nuk ka as nuk do të ketë as demokraci të mirëfilltë në atë vend.

Por, po u ofroj lexuesve -- atyre që nuk e kanë lexuar fillimisht -- reagimet e mia pas zgjedhjeve vendore të qershorit të vitit 2019 në shkrimin q; ;sht; botuar m; 3 Korrik, 2019 – dhe i cili, kryesisht, përmbledh reagimet e mia edhe në lidhje me zhvillimet e sotëme në parlamentin shqiptar.  Titulli i shkrimit ishte:  Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!

Natyrisht, se disa të dhëna të shkrimit, më shumë se një vit më pare, pasqyrojnë zhvillimet me rastin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe janë jashtë afatit, por parimet dhe përfundimi janë të njëjtë: Shqipëria nuk ka marrveshje të të gjitha forcave politike për “rregullat e lojës” për të orgnaizuar due për mbajtur zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithpërfshirse dhe as të ndershme.

Është vështirë të flitet për nder dhe ndershmëri, kur kemi të bëjmë me turpin që gjithnjë pasqyron e gjithmonë shoqëron organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri.  Duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit që vjen, as shqiptarët as ndërkombëtarët të mos presin një proces të ndershëm, as zgjedhje me standarde ndërkombëtare!

Frank Shkreli/ Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për Kombin shqiptar!

Gazeta Telegraf

3 Korrik, 2019

1845

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Ja erdhi dhe shkoi edhe 30 qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar. Gjatë viteve, nëpërmjet shkrimeve modeste, jam përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq – mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura, në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demokracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura. Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time. Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips. Në qoftë se këto fjalë të mia mund t’iu duken pakëz si të ashpra, iu kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Kombin e vet, dhe që mendon dhe beson, se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë – meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos reagimet e diasporës e, sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjendjen e krijuar në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjendje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakata në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?!

Si mund të quhen zgjedhje, votimet me një pjesëmarrje prej më pak se 20% e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, ndërkohë që në shumicën e rasteve, kandidatët socialistë ishin pa asnjë kundërshtar?

Çfarë qeverie, kudo qoftë, do të ndihej krenare për organizimin e një spektakli të tillë të shëmtuar?

Organizimi i tyre ishte i turpshëm dhe mbrojta e atij procesi, nga nivelet më të larta të qeverisë dhe të partisë në pushtet, është një ofendim i inteligjencës së shqiptarëve por edhe i ndërkombëtarëve, për të mos thënë poshtërsi për vetë procesin.

Ky ishte një ushtrim i kotë politik, krejtësisht pa asnjë vlerë. Një humbje e madhe për qeverinë dhe kryeministrin e saj! As opozita të mos festojë, se nuk ishte fitore as për opozitën e bashkuar. Mos mendoni se shumicën e 80% të shqiptarëve që nuk votuan të dielën që kaloi, i kini me vete, sepse unë e di dhe ju e dini mirë se nuk janë as me ju. Duhet ta dini gjithashtu se populli shqiptar është lodhur me të gjithë ju. Fatkeqësisht, me këto votime, kjo klasë politike i mbetet besnik trashëgimisë së saj edhe pas 30-vjet post-komunizëm: e “fikur dhe e koritur”, para Kombit dhe para botës.

Ç’të them për ndërkombëtarët dhe reagimin e tyre me këtë rast, përfshirë atë të OSBE/ODIHR-it?

Unë dua të rrëfej se që nga viti 1989 e këtej, si pjesë e punës kam ndjekur me kujdes dhe për nga afër misionet e OSBE-së anë e mbanë botës ish-komuniste dhe kam pasur gjithmonë respektin më të madh për punën e tyre. Kam pasur fatin, madje, të jem edhe disa herë anëtar i delegacioneve për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në vendet ish-komuniste, përfshirë edhe delegacionin e parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në zgjedhjet e para pluraliste në mars/prill 1991 në Shqipëri. Megjithëse me shumë të meta dhe mungesa serioze standardesh, me keqardhje më duhet të them se organizimi i atyre zgjedhjeve nga regjimi i Ramiz Alisë, pothuaj 30-vjet më parë, i plotësonte më shumë standardet e zgjedhjeve të përcaktuara nga OSBE-ja, në krahasim me votimet e organizuara nga qeveria Rama të dielën që kaloi – tre dekada pas shembjes së komunizmit.

Prandaj, deklarata e delegacionit të OSBE-së të hënën që kaloi ishte zhgënjyese, në krahasim me ato që vërtetë duhej të thoshin për votimet vendore në Shqipëri. Konstatuat se ishin të qeta! Është ky një prej standardeve, por të qeta ishin zgjedhjet edhe në kohën e komunizmit, por a mund të thoni se këto ishin të lira, të drejta dhe demokratike – standardet kryesore për cilësimin e zgjedhjeve në një vend që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s?! Unë nuk dua t’ju mësoj ju të nderuar Zonja e Zotëri, se cili duhej të kishte qenë raporti i juaj paraprak për këto zgjidhje, sepse ju jeni ekspertët ndërkombëtarë.

Por dua t’ju pyes:

Në cilin vend tjetër të Evropës do e pranonin procesin e zhvillimit të votimeve si ky që u mbajt në Shqipëri fund javën që kaloi,

me një pjesëmarrje më pak se 20% due në shumicën e rasteve vetëm me paraqitjen e kandidatit të Partisë Socialiste – pa kundërshtar?

Demokratike ishin këto?!

Unë si shtetas amerikan prej pothuaj gjysmë shekulli dhe si një shqiptaro-amerikan që, për arsye të ish-detyrës, kam pasur fatin të bashkëpunoj gjatë karrierës sime me shumë diplomatë amerikanë, jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës dhe për të cilët kam zhvilluar dhe ruaj gjithnjë respektin më të madh për punën e tyre në rrethana shpesh të vështira – më habiti edhe reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë për këto votime, ashtu siç ka habitur edhe shumë shqiptaro-amerikanë me të cilët kam biseduar kohët e fundit, e të cilët janë shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit atje, e sidomos me reagimet/mosregaimet ndërkombëtare ndaj atyre zhvillimeve.

“Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, citon deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave votimet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan, përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave”, thekson deklarata e cituar nga VOA shqip. “Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”. Deklarata e Ambasadës dakordësohet gjithashtu me OSBE/ODIHR-in se, “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve”, duhet të presin një ent juridik që, sot për sot, nuk ekziston, “Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë se do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”, thuhet në atë deklaratë.

Reagimet e ndërkombëtarëve ndaj votimeve të së dielës në Shqipëri po konsiderohen nga shumë ekspertë brenda dhe jashtë Shqipërisë si mbështetje prej tyre e një procesi ilegal dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Një mik i imi këtu në Amerikë më solli ndër mend kohën e fashizmit kur Italia dërgonte në Shqipëri njerëz gjysmakë, sidomos në fushën e mjekësisë, duke i arsyetuar si, “e buono per Albania”.

A mendojnë ndërkombëtarët se qeveria që kanë shqiptarët, “e buono për Albania”, sepse kaq meritojnë shqiptarët?

Pse deklaratat e juaja mbi aktualitetin politik nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në atë vend, përfshirë korrupsionin në të gjitha nivelet?

Thoni të vërtetën!

Kaq presin shqiptarët prej jush.

Unë nuk e kuptoj, se pse duhet të pritet dy muaj që OSBE/ODIHR të lëshojë një raport mbi këto votime, kur është tejet e qartë se çfarë ndodhi, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por mbi të gjitha, populli shqiptar e sheh mirë se ç’po ndodh në vendin e tij dhe janë duke votuar më këmbë, duke u larguar vazhdimisht nga trojet e veta mijëravjeçare.

Në qoftë se ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjendjen, atëherë do i këshilloja që të pakën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysmë deklarata, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjendjes në Shqipëri! Më mirë heshtni fare! Sepse në fund të fundit, është kjo një gjendje e krijuar nga vetë klasa aktuale politike dhe është detyrë dhe përgjegjësi morale dhe atdhetare e saj, që sa më shpejt – nëpërmjet dialogut politik dhe me pjesëmarrje të gjerë edhe të shoqërisë – të dalë nga ky qorrsokak politik, para se të bëhet vonë – me qëllim të mënjanimit të një fatkeqësie kombëtare, përballë të cilës gjendet sot Kombi Shqiptar – falë papërgjegjësisë së saj politike dhe kombëtare.

Klasa politike shqiptare duhet që sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e veta për gjendjen e krijuar në vend dhe, ndërkombëtarët duhet gjithashtu të reflektojnë thellë për rolin e tyre gjatë këtyre dekadave – ashtu që i vetmi fitues të jetë Kombi Shqiptar në marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tjerë atlantiko-veriorë.

Koha është tani, jo nesër, jo pas nesër, jo dy muaj pas sodit, në pritje të një raporti të OSBE-së, jo kur të krijohet ky ose ai ent juridik ose politik!

Shqiptarët kanë pritur mjaft dhe janë të lodhur. Por shqiptarët presin një fillim të ri. Në qoftë se jeni shqiptarë, dialogu gjithëpërfshirës për një fillim të ri duhej të kishte filluar dje – në interesin madhor të KOMBIT!



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: I lumi Shtjefën Kurti - dëshmitar i kishës martire shqiptare Frank Shkreli: Dedë Gjon Luli - një kujtim i bjerrur Frank Shkreli: Në 50 vjetorin e vdekjes së Nexhat Peshkëpisë Frank Shkreli: Demokracia në kohë pandemie dhe majtizmi shqiptar Frank Shkreli: Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare në diasporë Frank Shkreli: Dhimitër Berati - Bashkëpunëtor i ngushtë i Fishtës dhe Koliqit Frank Shkreli: Dy kontraste respekti për Nënë Terezën Frank Shkreli: Një pyetje për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës Frank Shkreli: Dritan Abazoviqi si përfaqësues i brezit të humbur të politikanëve shqiptarë Frank Shkreli: Kosova nderon Senatorin Amerikan Robert Dole Frank Shkreli: Nikolla Qafoku, një shkencëtar shqiptaro-amerikan që na nderon Frank Shkreli: Terrin mes dy dritave s’e duron ylli që shkoqet, as njeriu Frank Shkreli: Rishfaqja e totalitarizmit nuk është një kërcënim abstrakt Frank Shkreli: Kështu duhej të rrëzoheshin diktaturat! Frank Shkreli: Indiferentizmi i shqiptarëve ndaj Nënë Terezës! Frank Shkreli: Poeti Havzi Nela si zgjim i ndërgjegjes morale kombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri Frank Shkreli: Ndërroi jetë Lekë Gojçaj, i ''Shtatoreve të Përjetësisë'' Frank Shkreli: Pompeo vizitë në Evropën Lindore, por jo në Shqipëri dhe në Kosovë Frank Shkreli: Martin Luther King dhe Adem Demaçi, bartës të vlerave të përbashkëta të lirisë Frank Shkreli: Edi Rama deklaron - Komunistët dhe komunizmi në anën e duhur të historisë!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora