E premte, 19.04.2024, 04:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Portreti i shkrimtarit Viron Kona në penën e Bashim Saliasit

E hene, 05.10.2020, 08:00 PM


PORTRETI I SHKRIMTARIT VIRON KONA

Në penën e Bashim Saliasit

Nga Kadri Tarelli

Jam i vonuar që po shkruaj këtë meditim, për librin “Parnasi shikon me bisht të syrit”, me autor Bashkim Saliasi, ku edhe unë jam pjesë e tij si redaktor. E prisja, por nuk e kisha parë të botuar: Pse? “Rastësia mbret i jetës, thonë të mençurit”. Pikërisht kështu, sepse ndodhën ngjarje të pa dëshiruara, më drejt duhet thënë, tronditëse e plot dhimbje. Ishin tërmetet e njëpasnjëshëm, i shtatorit dhe nëntorit 2019, më pas edhe virusi dhe pandemia që na ngujoi nëpër shtëpitë tona, për të mos lëvizur për muaj me radhë.

Libri doli në qarkullim rreth një vit më parë pikërisht në shtator 2019, ndërsa unë e mora në mes gushtit 2020, kur Bashkimi dhe Viron Kona erdhën miqësisht në Durrës. Ishte diçka e bukur, që më pëlqeu si lidhej dhe paraqitje.

Që në fillim dua të përshëndes autor Bashkimin, për këtë libër voluminoz, rreth 660 faqe, me një titull të çuditshëm të marrë  nga mitologjia: “Parnasi shikon me bisht të syrit”1. Lexuesi nëpër reshta, kur të ketë kaluar disa faqe, do të kuptojë përse bëhet fjalë. Autori nuk na thotë asgjë veç titullit, duke i lënë lexuesit të kuptojë, se bëhet fjalë për një monografi disi  ndryshe, jo kronikë datash dhe ngjarjesh, por jeta e shkrimtarit dhe studiuesit Viron Kona, e shkrirë nëpër shkrime, tregime, poezi, kuvendime, intervista dhe copëza jete, kujtime apo rrëfime. Mes tyre ka foto të shumta dhe përshtypje e opinione të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, miqve, shokëve dhe lexuesve të shumtë të shprehura nëpër vite. Një punë me plot mundime, që kërkon durim e përkushtim, njohje e studim, vullnet e dituri, kohë dhe shumë dashuri. Vetëm autor Bashkimi e di se ç’ ka hequr deri sa e përfundoi, por duhet ta dijë, se ka bërë një vepër me vlerë.

Nuk dua të hyj në hollësi, sepse i takon lexuesit të zbulojë pjesët nën ujë të ajsbergut jetësor të Vironit, pasi jeta e tij ka pasur shumë thyerje, kështu që secila pjesë ka përjetimet e saj, disa të gëzueshme, kur bëhet fjalë për takimet me nxënësit e shkollave, si shkrimtar, të trishtueshme dhe plot dhimbje trupore dhe shpirtërore, si mërgimtar për disa vjet në Greqi. Dhe pas kthimit pranë familjes, vuajtje që nuk po mundem t’i gjej një emër, kur mendoj që Vironi me diplomë universiteti, nëpunës i rangjeve të larta në administratën e kohës, të përfundojë në tregun e “Gabit”, si shitës vjetërsirash, rroba, këpucë e gjëra të tjera të përdorura.

Të gjitha janë copëza jete të trazuar në kohë të trazuar, por të hidhura e të pa njohura më parë për të dhe për ne.  Këto më pas shërbyen si “brumë” për tregime të bukur dhe plot lëng të vërtete, veshur me fjalën e artit letrar. Nuk e di si e përballuan shumë të tjerë këtë periudhë thyerjesh të mëdha, por Vironi nuk u thye, nuk u rrëzua dhe nuk u ankua, madje me durim priti dhe u ngrit përsëri duke gjetur vendin që meritonte si intelektual. Bashkimi nuk e thotë, por ndjehet nëpër resha, se jeta e Vironit është një model i bukur për të rinjtë, ku mund të mësojnë si të përballen me jetën, që shpesh nuk është aq miqësore.

Me sa lexojmë në libër, çudia nuk mbaron këtu. Vironi, pasi u end për disa vjet nëpër shkolla të ndryshme të Tiranës, 9-vjeçare dhe të mesme, në qytet dhe në periferi, si mësues e drejtues, më në fund gjen vend në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, pranë Ministrisë së Arsimit dhe shkencës. Punë e bukur dhe shumë e dëshiruar dhe e vlerësuar nga ai, ku dijet, kulturë, përvojën dhe aftësinë e të shkruarit, do t’i vinte në shërbim të arsimit shqip. Ai e vlerëson këtë periudhë ndër më të bukurat e jetës së tij, pasi iu dha mundësia të njohë e të krijojë shumë miq e shokë të rinj mësues e drejtues shkollash, që me modesti shkruanin artikuj ku paraqisnin jetën e vërtetë të shkollave dhe problemet e tyre. I vjen keq që gazeta u mbyll pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye.

Pikërisht kur punonte tek gazeta, u njoh edhe me shumë miq e krijues shqiptarë që banojnë në Suedi, shkrimtarë e mësues suedez, mes tyre edhe albanologun Wllamr Qvick, mik i shqiptarëve, miqësi që vazhdon ta mbajë edhe tani që është në pension. Vironi nuk e thotë, sepse është “modest” si të gjithë vlonjatët, por Sokol Demaku, Sadulla Zendeli-Daja, Hysen Ibrahimi, Hamit Gurguri, Emine Hoti, etj, para se të udhëtojnë për Tiranë, telefonatën e parë ia nisin Vironit, i cili i pret, i përcjell dhe i shoqëron në të gjitha takimet, kudo nëpër Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

E gjitha kjo përbën një faqe të veçantë e të ndritur të jetës dhe veprimtarisë krijuese të tij, sepse ka vizituar disa herë Suedinë, këtë vend magjik për nga bukuria dhe demokracia, dhe nuk është mjaftuar me kaq. Nuk gaboj në përshtypjen time, se askush nuk ka shkruar për Suedinë, sa dhe si Vironi, duke i dhënë hapësirë vlerave universale të shkëmbimit të kulturave mes dy popujve. Mjafton të përmend librin për fëmijë, “Eh, more Bubulino!”, i përkthyer në gjuhën suedeze nga Qibrije Hoxha, dhe futur në programin mësimor të shkollave.

Për një çast u duk sikur peripecitë dhe shqetësimet ishin sosur, por ja që nuk ishte e thënë, pasi sa herë që ndryshonte qeveria dhe ministrat, të parin që e vinin në listë për tu pushuar ishte Vironi dhe, kjo jo për paaftësi, por kështu e deshi politika e madhe. Frika ndaj pasigurisë ishte kurdoherë pranë, e ca më shumë fyese dhe tronditëse, deri sa doli në pension. Jo më kot i kanë mbetur në mendje fjalët e një mësuesi gjerman që jepte gjermanishten në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja, kur Vironi ishte drejtor dhe u transferua, pa ngrohur ende karrigen e zyrës: “Nuk e kuptoj se ç’ bëhet tek ju, nuk e kuptoj…”.

Të gjitha sa përmenda më lart nuk janë kapituj apo tituj shkrimesh, por të vërteta të jetuara dhe të rrëfyera në intervista dhe biseda, ku spikat ndershmëria, çiltërsia, mirësia, dhe pranimi i të vërtetës pa zbukurime e shtesa të sajuara, janë pasuri e virtyt i fisnikërisë. Fjalë të thëna shqip dhe hapur, duke qenë vetë autor, aktor dhe spektator, bashkë me shumë të tjerë.

Duke e parë jetën e “heroit” tonë Vironit, të shtrirë në kohë dhe hapësirë, Bashkimi i jep të drejtë dijetarit Ralph Waldo Emerson, të na thotë: “Qëllimi i jetës nuk është të jesh i lumtur. Është të jesh i dobishëm, të jesh i nderuar, të jesh i dhembshur, të kesh këtë qëllim, do të thotë që ke jetuar dhe, jetuar mirë”.

Askush nuk duhet të çuditet nga numri i shumtë i personave të përfshirë në libër, disa të rastësishëm, por shumica miq e shokë, si udhëtarë që i bashkon koha: më shumë të mirë se të liq, më shumë të ndershëm se hileqarë, më shumë të drejtë se tinëzarë, të gjithë të gjallë e të vërtetë, jo të marrë hua nga personazhet e letërsisë apo dramaturgjisë. Është një galeri e tërë emrash, fëmijë, të rinj, drejtues dhe politikanë, akademikë, mësues, gazetar, shkrimtarë, poetë, studiues e botues librash, të shpërndarë anekënd trojeve shqiptare, madje shumë janë nga diaspora, mes tyre edhe të huaj.

Unë e vlerësoj lart autor Bashkimin, për të vërtetën që e gjen në çdo cep të veprimtarisë së “Heroit të librit”, sepse shpesh ka qenë i pranishëm bashkë me të, nëpër takime e kuvende letrare, kështu që i ka përjetuar vetë ngjarjet. Vironi është autor i shumë librave për fëmijë, disa të përkthyera në gjuhë të botës, ndaj është mirëpritur ngrohtë nëpër takimet e tij nëpër shkollat e Tiranës, Durrësit, Krujës, Elbasanit, Fierit, Dibrës e Matit, madje edhe në Suedi, në qytetin Boras. Bashkimi është i vërtetë në ato që shkruan, duke i dhënë të drejtë Çehovit, që thotë: “Shkrimtari nuk duhet të përshkruajë ndjenja që nuk i jeton dhe nuk i provon”.

E besoj plotësisht këtë parim të sjelljes dhe veprimit, pasi shumë herë edhe unë kam qenë bashkë me Vironin nëpër takime dhe kam ndjerë ato ndjesi të mrekullueshme që të falin veç fëmijët. Bie fjala në disa takime me nxënësit e shkollave të Durrësit, “Jusuf Puka”, “14 Nëntori”, “Demokracia”, “Iliria” në Plazh, etj.

Veç këtu dua të ndalem për një vlerë të shtuar të librit, pasi siç paraqiten nëpër shkrime dhe intervista, përshkrimi dhe përjetimi i këtyre takimeve apo kuvendimeve, nuk janë thjesht reportazhe apo rubrika të ftohta me data dhe emra, por janë krijime artistikisht e letrarisht të bukur. Çdo shkrim të mbërthen t’i shkosh deri në fund leximit, sepse gjen kumt të dobishëm për shkollën, jetën, shoqërinë dhe familjen, punën, detyrën, historinë, shkrimin dhe poezinë, aq sa cilido nga ne, e ndjen veten pjesë të librit dhe ka ç’të mësojë diçka të re. Këtu më duhet të shtoj diçka nga vetja, pasi  janë fjalë që janë vendosur në libër: “Ashtu si jeta e shoqërisë në një farë mënyre bëhet pjesë e jona, ashtu edhe jeta jonë është e pa ndarë nga jeta e shoqërisë. Duke folur për të tjerët, kemi vlerësuar veten”. K. T. Faqe. 279

Libri, një vend të rëndësishëm i kushton vizitave dhe veprimtarive të Vironit, jashtë vendit, bie fjala: Turqi, Greqi, Hungari dhe Suedi, sepse ai ka një huq që, sapo kthehet në atdhe e qëndis një libër. Nga këto vizita e takime, janë botuar shumë, intervista, biseda, reportazhe, tregime, por edhe libra, romane, monografi, madje disa edhe voluminozë: “Dëgjoma zemrën Budapest” (përkthyer në gjuhën hungareze), “Yje mbi Bosfor”, “Drithërimat e yjeve” (roman), “Bukuri Suedeze”, “Ju dua më shumë se veten”, “Zonja nga Borasi”, “Kur vjen Sokoli”, “Marigoja shqiptare në Norvegji”, “Një ditë me Marigonë”, “Poleni viking”, (me bashkautor), etj, etj

Ajo që lehtë vihet re, janë fotografit e shumta, që po të mblidhen bashkë, bëhet një album i plotë. Shumica janë me citim, gjë që me gjuhën e heshtjes fotografia flet shumë. Aty kuptojmë evolucionin e portretit të Vironit, por edhe dinamikën e jetës së tij. Vetë ai është i dashuruar me fotografinë dhe ka bërë mirë, pasi ato janë dokumente të pazëvendësueshme, që fiksojnë kohën. Është një ves i bukur i Vironit, që na e ka ngjitur edhe ne miqve dhe shokëve, sepse sa herë ulemi bashkë, nuk harron të na kujtojë: “Të bëjmë një fotografi, pasi sot dukemi bukur”.

Në fund meriton një përshëndetje kritiku dhe studiuesi Sejdo Harka, i cili ka bërë reçensën e librit, një prozë poetike të vërtetë. Po shkëpus vetëm pak fjalë: “Ai përgjigjet në mënyrë metaforike: librin më të mirë nuk e kam shkruar akoma. Nëpërmjet kësaj përgjigje kuptimplote, ai guxon të përçojë tek lexuesi mendimin filozofik….. Ai ka një jetë të tërë që rend e vështron drejt “Majave metaforike të Parnasit” dhe, siç shkruan edhe vetë, i duhet akoma shumë kohë të arrijë në majë, e cila është bërë simbol i krijuesve të guximshëm, për t’u ngjitur… Vironi dëshiron ngjitje, vetëm ngjitje, por kurrë nuk mburret, kurrë nuk është ligështuar kur është rrëzuar edhe pse jo për faj të tij. Durimi është ai që e ka ngritur e ringritur disa herë”.

Vetë autor Bashkimi, pas një pune të rëndë studimore porosit lexuesin: “Lutem, hidhni shikimin dhe lexoni shkrimtarin V. Kona, me siguri do të mësoni diçka te re, do të përjetoni vlera dhe emocione të reja, që gjithkujt i duhen dhe i shërbejnë për jetën, për të sotmen, dhe për të ardhmen”.

Urime autorit Bashim Saliasi, për këtë “Monument” kushtuar Viron Konës, një monografi në shkrime, që mbahet në çantë, vendoset në tavolinë pune, në çdo bibliotekë, mbase edhe sipër oxhakut, si vepër arti.

Kadri Tarelli

Durrës më: 03, vjeshta e dytë, 2020.

Shënim:

1. Mali i Parnasit. Besohej se aty jetonte Apolloni, perëndi e muzikës dhe përkrahës i arteve dhe bashkë me të jetonin edhe nëntë muzat, që mbronin degë të ndryshmë të artit. T’i  ngjitesh parnasit, do të thotë të bëhesh poet.

____________

BASHKIM SALIASI

Ka botuar librat: “Dobrusha 1700-2010”, novelën “Katër krisma të mallkuara”,  librin ditar dhe përshtypje: “Ne ishim pesë shokë”, vëllimin me skica  tregime: “Po gjyshi pse i lexon librat   emi?! ”monografinë.

“Parnasi sheh me bisht të syrit”- kushtuar shkrimtarit Viron Kona etj.

Bashkëpunëtor i gazetës “Mësuesi”- organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (sot Ministria e Arsimit dhe Sportit), bashkëpunëtor aktiv  i shumë gazetave dhe revistave brenda dhe jashtë vendit, si dhe i shumë faqeve elektronike në botë: “Fjala e lirë”-Londër”, “Tribuna shqiptare-Kanada”, revista “Dituria”-Suedi, “Ilyria” - New Jork, “Rrënjët” - Itali etj. Bashkim Saliasi kontribuon vazhdimisht me artikuj studimorë për arsimin  dhe shkencën e biologjisë, me skica dhe tregime letrare, reportazhe, ese, poezi, duke ndihmuar njëherazi edhe me përvojën e tij në fushën e mësimdhënies, pedagogjisë dhe publicistikës. Botuesi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora