| E hene, 05.10.2020, 08:00 PM |
Politikanët e inkriminuar e infektuan edhe mërgatën!
Shkruan:
Florim Zeqa
Klasën
e korruptuar politike në Kosovë është duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe
sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave të
pista dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës,
duke paguar nga llogaria e shtetit të Kosovës dreka e darka të majme për qindra
persona, verëra dhe pije të shtrenjta me çmime të restoranteve më luksoze.
Shpëlarja e parave të
pista e politikanëve të inkriminuar
Janë
të papranueshme dhe të dënueshme të gjitha format e abuzimit të parasë së
taksapaguesve të varfër kosovarë, e në mënyrë të veçantë nga individët e
caktuar në mërgatë të lidhur me krimin e organizuar në Kosovë, të cilët po i
qesin hije të zezë pjesës më të pastër, më të shëndoshë dhe më humane të kombit
tonë.
Pushtetarët
e inkriminuar pa i pasur sekserët e tyre në mërgatë as që do t'ia mësynin
Diasporës. Vizitat e tyre tek shoqatat fiktive pa anëtarë u ngjajnë tenderëve
për kompanitë fantome, nga të cilat dhe përmes të cilave i shpëlajnë paratë e
pista.
Individët
apo grupet e interesit në Diasporë, të cilët kanë marrë dhe marrin mjete (pare)
të taksapaguesve të varfër kosovarë nga qeveritë e Kosovës, përkatësisht nga
Ministria e Diasporës në emër të zhvillimit të aktiviteteve në mërgatën tonë
janë sekser abuzues dhe pjesëmarrës aktiv në krim të organizuar.
Prandaj,
individët dhe grupet e interesit në Diasporë që thithin mjete të taksapaguesve
të varfër kosovarë janë grupe mafioze të cilët politika e korruptuar i
shfrytëzon për shpëlarjen e parave të pista dhe për vota njëkohësisht.
Më
mirë do të ishte që ato mjete të mbeteshin në Kosovë, gjegjësisht të
shfrytëzoheshin për përmirësimin e jetës së skemave sociale, pensionistëve,
invalidëve të luftës, shërimin e të sëmuarëve apo ndarjen e bursave për
studentët shëmbullorë.
Politikanët
e inkriminuar pa dallim, pushtetar dhe opozitar në bashkëpunim me
njëri-tjetrin, me nëntokën kriminale në Kosovë dhe sekserët e tyre në Diasporë,
në fokusin e tyre nuk e kanë pasur asnjëherë interesin dhe mirëqënjen e
qytetarëve (mërgimtarëve), por sy e mendje i kanë si të pasurohen në mënyrë të
paligjshme duke e rrjepur popullin dhe zhvatur buxhetin e shtetit të Kosovës.
Abuzuesit e sotëm,
vazhdimësi e përfituesve të djeshëm
Përderisa
në të kaluarën, fondet e luftës, përkatësisht "Fondi i 3%-it" dhe
"Fondi Vendlindja Thërret" ishin objekt i pasurimit të klasës
(aktuale) politike, që thithën më "pambuk" djersën e mërgimtarëve,
sot politikanët e kanë ndryshuar formën dhe përbajtjen e plaçkitjes, jo më të
djersës së mërgimtarëve në vetën e parë, por akoma më keq të plaçkitjes së
djersës dhe mundit të qytetarëve të varfër dhe besnik të shtetit të Kosovës dhe
zhvatjes së buxhetit të shtetit përmes nëntokës kriminale dhe ndihmën e
sekserëve të tyre në Diasporë.
Sekserët
e Diasporës janë individ dhe grupe të interesit, të cilët janë të lidhur
drejtëpërdrejt me segmentet e krimit të organizuar, përkatësisht me pushtetarët
e inkriminuar në Kosovë dhe trojet tjera etnike.
Sikurse
në Kosovë që bëhen bashkë nëntokat e partive politike, edhe sekserët e
Diasporës, këta urithët e nëntokave partiake, kur janë në pyetjet privilegjet,
duke filluar nga lëpirja e ndonjë ashti të fëlliqur nga pushtetarët e
inkriminuar, punësimin e ndonjë familjari në institucione e deri tek ambicia më
kulmore e përfshirjes së drejtëpërdrejt të tyre në institucione apo staf
diplomatik, e harrojnë përkatësinë partiake dhe ideologjike, miqt e shoqërinë e
deridjeshme!
Zhvatja e buxhetit të
shtetit në emër të aktiviteteve të mërgatës është krim
Shpenzimet
enorme të eskortave të gjata të pushtetarëve në Diasporë, përveq shpenzimeve të
udhëtimit dhe akomodimit nëpër hotele luksoze dhe tepër të shtrenjta, dëmtojnë
rënd buxhetin e shtetit edhe me dreka e darka me sekserët e tyre në mërgatën
tonë.
Me
fryerjen e çmimeve të hoteleve, darkave dhe drekave shumëfishohen çmimet reale
për disa herë. Bie fjala, nëse një evenimet apo darkë në diasporë ka kushtuar 5
mijë euro, Qeverisë së Kosovës i faturohet pesfishi apo 25 mijë euro, ku ga kjo
fryerje e çmimeve, disa mijëra euro mbesin në xhepat e sekserëve në mërgatë si
ndërmjetësues dhe pjesëmarrës në këtë formë të krimit të organizuar.
Sa
herë që e kërkon nevoja për zhvatjen e buxhetit të shtetit, sekserët e
Diasporës dhe pushtetarët e inkriminuar bëhen bashkë në organizimet e mërgatës,
si në: festa kombëtare e shtetërore, në fillim dhe përmbyllje të vitit
shkollor, orë letrare, promovime librash, ndeja private, ahengje, kanagjeqe,
syneti apo takime tjera të grupeve të interesit.
Të
gjithë ata individë apo shoqata të interesit në Diasporë që thithin mjete nga
buxheti i shtetit në emër të aktiviteteve të mërgatës, s’janë gjë tjetër veqse
abuzues dhe pjesmarrës në krim të organizuar, janë levë e pushtetarëve të
inkriminuar.
Me
bashkimin e pjesës më të shëndoshë intelektuale të mërgatës sonë me forcat
progresive dhe të guximshme në vendin tonë, gjegjësisht të kuadrove të afta dhe
profesionale, aktivistëve dhe veprimtarëve më të devotshëm të çështjes
kombëtare në një nismë të re politike për largimin nga skena politike të
bandave partiake dhe këputjen e lidhjeve me sekserët e infektuar në Diasporë,
do të përmirësohet imazhi i shtetit dhe do ta kthehet besimi ndër mërgimtarë.