Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Kritikë antologjike për letërsinë bashkëkohore në Vlorë

| E diele, 04.10.2020, 08:47 AM |


KRITIKË ANTOLOGJIKE PËR LETËRSINË BASHKËKOHORE NË VLORË

Pasthënie për librin “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritikë letrare 3” e autorit Eqerem CANAJ

Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues, bibliograf

Përpara se të nisja përcjelljen për tek lexuesi të këtij libri të rëndësishëm me kritikë letrare të shkrimtarit Eqerem Canaj, vetvetiu më trokiti në kujtesë ky mesazh: Autori Eqerem Canaj është shfaqur në botën letrare shqiptare në moshën 32 vjeçare, qysh para 44 vjetësh, kur botoi në revistën “Nëntori” (1976) vjershën e gjatë “Labi i vogël” kushtuar Halim Xhelos. Edhe sot i mbaj mend disa vargje të atij poemthi liriko-epik: “Vargan malesh, qepalla ngritur/ përreth qëndrojnë/ në grykën e lashtë të luginës së kuqe, je lartësuar në piedestal/ dhe sqepat e bilbilave këngën tënde thonë/ çdo lastar i ri zgjatet te dora jote/ ngjitet përmbi mal” … Miku im i letrave nuk e pati të lehtë udhën e krijimit. Krahas mësuesisë, ai rendi e rendi në këtë udhët të bekuar, të vështirë e aq sa të bukur; pa u kthyer pas, as nga erërat e furtunës, as nga shtërngatat e shiut me bubullima të kohës, edhe pse ishte pinjoll i kapedan Cane Miftarit. Do të vinte viti 1997, që Canaj të shfaqej në fushën e letërsisë me vëllimin e parë poetik “Qiej të çarë” dhe viti 2001 kur do të botonte romanin “Njeriu me nofulla të hekurta”, aq të lakuar dikur. Gjykoj se këto dy vepra janë shumë të dashura për autorin, për faktin se janë dallëndyshet e para të dy gjinive kryesore - sinomimi shkrimor i tij. Deri më sot, ai ka botuar rreth 30 vepra letrare në poezi e haiku, tregime e novela, roman dhe dedikat, si e quan autori letërsinë kushtuese. Ndërkohë ka marrë shumë çmime e tituj nderi. Gati çdo vit boton një titull, por nuk mund të bësh një statitstikë botimore të tij, sepse i përditëson titujt e librave.

Një nënfushë e veçantë e letërsisë që lëvron Canaj është kritika letrare, ku autori, falë përvojës së gjatë artistike, intutitës së hollë letrare dhe ndershmërisë profesionale, jep një ndihmesë të veçantë për analizën e veprave letrare të shkrimtarëve dhe poetëve të Vlorës, i vlerëson ato në bazë të parimeve letraro-estetike, duke vënë në dukje anët e mira e të dobëta, sidomos të botimeve pas viteve ’90 - të të shek. XX. Në vitin 2009, E. Canaj solli në 308 faqe jo vetëm për miqtë e letrave, por edhe për dashamirësit, lexuesit e tjerë dhe studiuesit një titull të guximshëm “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore. (Autorë vlonjatë)”, që po e quajmë pjesën e parë të mendimit kritik, estetik dhe interpretimit të autorëve të tjerë nga kolegu i tyre me përvojë më të gjatë botimi letrar. Në atë libër-sprovë e fortë e llojit, vërejmë trajtimin global të autorëve që kanë botuar libra mbas viteve `90 të shekullit XX deri më sot, të cilët kapin shifrën 99 tituj për 93 autorë vlonjatë me kontribute: 1. në gjininë e poezisë dhe përkatësisht në: a) poezinë popullore dhe, b) poezinë moderne; 2. në gjininë e prozës dhe përkatësisht në: tregim, novelë, roman; 3. në letërsinë për fëmijë dhe 4. të tjerët për krijimtarinë letrare të Eqerem Canajt… Për të studjuar dhe për të shpjeguar mendimin e tij estetik për veprat, ai ka përdorur një kërleshje të metodës analitike me atë sintetike. Autori i këtyre radhëve ka botuar shkrimin “Parimet dhe struktura, konceptualiteti i autorit Eqerem Canaj  në formulimin e librit studimor Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore””,,kështu që nuk e quajmë të nevojshme të zgjatemi më tej mbi këtë tekst. Pas një pune të gjatë studimtare, autori i njohur Eqerem H. Canaj, del në skenën e botimit me librin tjetër në 208 faqe: “Koha dhe letërsia. (Analitika shqiptare bashkëkohore”), [vëll.2],  2016, në vështrimin thellësisht studimor, edhe pse duket thjesht si vijim, si pjesa e dytë e librit studimor “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore (autorë vlonjatë)”, ndryshimi është i dukshëm, jo vetëm në këndvështrimin e autorit përsa i përket përzgjedhjes së poetëve dhe prozatorëve të marrë në shqyrtim, por edhe përsa i përket konceptualitetit të tij në formulimin e librit, duke patur në bazë të trajtimit cilësinë artistike dhe estetike të veprës së çdo autori që ka marrë në shqyrtim. Studimi “Koha dhe letërsia” trajton tre nënfusha të letërsisë artistike: 1- Poezinë bashkëkohore, 2- Prozën bashkëkohore dhe 3- Memorialistikën. Në këtë botim, studiuesi Canaj merr në shqyrtim rreth 33 autorë të 45 titujve letrarë, të cilët nuk janë vetëm poetë dhe prozatorë vlonjatë, por zgjerohet gjeografia e studimtarisë edhe nga qytete të tjera të vendit, si Fieri e Tirana, apo dhe autorë nga Diaspora, si dhe të shteteve të tjerë sikurse është Greqia, Italia. “Koha dhe letërsia” u cilësua si një ballafaqim vlerash estetike, e një rëndësie të veçantë për artin bashkëkohor. Duke qenë edhe redaktor i librit “Koha dhe letërsia” të autorit Eqerem Canaj, pasthënien e këtij botimi e bëra me përgjegjësi e dashamirësi.

Në vitin 2020, kritiku dhe esteti Canaj na sjell vëllimin e tretë të mendimit të tij kritik me titullin domethënës “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritika letrare, 3”. Kjo pjesë ka të veçantë, se nga udhëtimi letrar i poetëve dhe shkrimtarëve që ka trajtuar në dy pjesët pararendëse, kritiku ka përzgjedhur 51 autorët më përfaqësues, sipas tij, ata që janë gjurmëlënës në Vlorën e Re, në Letërsinë e Re. Ndërtesa  e librit ka një strukturë të brendshme me katër oda shkrimore (kre), ku spikat lidhja harmonike e lëndës dhe vështrimi lakonik antologjik për çdo autor. Në rrafshin e hierarkisë së vlerave, shikojmë se organigrama krijuese ka për çdo odë një lider, si duket, më të njohurin kombëtarisht, ndërsa autorët nuk janë klasifikuar siç renditen sportistët apo skuadrat e futbollit në kampionate, por sipas kriterit alfabetik. Struktura e librit nis me burimin e kulluar të shpirtit, gurrën popullore, që është kreu i parë dhe autori e emërton “Muza popullore” ku përfshin 12 autorë, me lider kryepolifonin Lefter Çipa. Kreu i dytë është “Poezia bashkëkohore”, përfshin 23 autorë me lider poetin Hiqmet Meçaj. Kreu i tretë është “Proza bashkëkohore. Tregimi, novela”, përfshin 9 autorë dhe ka lider shkrimtarin Shefqet Tigani. Ndërsa “artileria e rëndë” e letërsisë që lëvrohet në Vlorë  “Proza bashkëkohore. Romani”, ku përfshihen 7 autorë, me lider shkrimtarin Luan Toto “është dislokuar” në odën e madhe/ kreun e katërt.  Ky vëllim ka edhe një element të veçantë, që përbën shembullin e thjeshtësisë nga shkrimtari i njohur Eqerem Canaj: Ndryshe nga dy pjesët e tjera, autori nuk e ka shqyrtuar veprën e tij letrare në këtë vëllim, duke gjykuar se janë të tjerët që merren me të, jo ai. Ky element përbën një fakt pozitiv që nuk u lë shteg subjektivizmave në trajtesë apo keqinterpretimeve nga të tjerët.

Kujtojmë se kritiku Canaj është i pari dhe deri sot i vetmi ndër autorët e Vlorës që boton kritikë letrare si libër më vete (përjashtojmë këtu rastin e 3 pedagogëve të gjuhës shqipe dhe letërsisë në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, prof. dr. Bardhosh Gaçe, prof.dr. Roland Zisi dhe dr. Ermir Xhindi, që janë autoritete kombëtare dhe vlera të mirëfillta në shkencën e letërsisë.

Pa dashur të rrëfej brendinë e kësaj monografie kërkimore-shkencore, shprehem se Guximtari i letrave shqipe në Vlorë Eqerem Canaj e zotëron fuqishëm “pronën” e tij-letërsinë artistike, si art i fjalës, që nuk përmban vetëm njohuritë spicifike të realitetit, por edhe e formësojnë këtë realitet me botën e shpirtit njerëzor. Falë ndihmesës së madhe që i ka dhënë një jetë të tërë profesioni fisnik i mësuesit të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe njohjes së imtë të relievit dokesor e gjuhësor të trevës, si bërthamë, duke dalë dukshëm nga lokaliteti, me horizontet e gjeografisë letrare, autori me këtë studim monografik merr përmasa të lakmuara në botëzën tonë të letrave dhe përbën një gjedhe për kritikën bashkëkohore, sidomos sot kur, tallavaja ka gërryer keq edhe letërsinë, kur, sipas fejsbkistëve të sojit hiçsor shkrimtarët e rrethit të tyre miqësor janë “gjigandë”, “yje”, “të paparë”, “bota” e … çfarë broçkullash nuk dëgjojmë! Në këtë punim, Canaj përdor metodoligjinë e sintezës, pasi e ka parë si metodë studimi, me të cilën anët e veçanta të autorit përmblidhen e përgjithësohen me qëllim që të  vështrohet prodhimtaria letrare dhe dukuritë që shfaqen librat e autorëve si një tërësi e vetme e pandarë, me lidhje e marrëdhënie ndërmjet pjesëve të tyre përbërëse. Në laboratorin e tij 10 vjeçar ai i ka parë të pandara metodat e analizës së veprës së autorëve dhe sintezën që përfaqëson atë. Autori e ka të qartë klasifikimin e letërsisë, parimet e klasifikimit, letërsinë gojore (popullore) dhe letërsisnë e shkruar, konceptin e llojit letrar, gjinitë letrare, poezinë dhe prozën që jeton sot në Vlorë. Letërsinë e autorëve vlonjatë në këtë vëllim, e shikon në natyrën e saj, si art dhe estetikë, të pashkëputur nga gjuha, nga jeta shoqërore, me qëlllimet dhe detyrat që duhet të përmbushë. Autori i kushton rëndësi analizës së veprës letrare në rrafshin e analizës filozofike të tekstit, (sepse me këtë synim ka marrë autorët më përfaqësues), shikon strukturën e veprës letrare, temën, motivin dhe fabulën, kompozicionin dhe motivimin, narratorin dhe karakterin, idenë, raportet jashtëtekstore dhe kuptimin e veprës letrare. Shqetësimi i tij për stilistikën buron nga koncepti që ka për të bukurën, për stilin dhe stilistikën, për poetikën dhe retorikën, nocionin e figurës dhe figurat e diksionit, për figurat e fjalëve ose tropet, figurat e ndërtimit e të mendimit, për trajtimin e ri të stilit, stilistikën deskriptive dhe kritikën stikistike. Kur trajton vjerëshërimin, ai lëron thellë në natyrën e vargut, vjershërimin kuantitativ, silabik dhe tonik, zbërthimin e vargut, strofës dhe rimës, ritmin, llojet e vargut e strofës, sonetin (në Vlorë vetëm një autor e ushtron), vargun e lirë. Kur merret me poezinë, ai futet tek poezia lirike dhe epike e autorëve, struktura e vjershës lirike, llojete lirikës, lirika modern, karakteristikat e poezisë epike, që pak zhvillohet sot, teknikat epike, tipat dhe llojete poezisë epike. Kur trajton prozën, Canaj vëren imtë prejardhjen dhe zhvillim e prozës artistike, strukturën e veprës letrare  në Vlorë, llojet e prozës, format e thjeshta, novelën, romanit, llojet dhe tipet e romanit, edhe pse kjo gjini përfaqësohet nga një grupim jo i gjerë autorësh, vetëm 7 romancierë.  Po të vijoj më tej, kam frikë, se do të më rrëmbejë aroma e freskët letrare e librit “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritika letrare, 3” dhe mund të bëj një libër mbi vlerat e këtij punimi të Canajt…

Pasi i kam lexuar me vëmendje të tre vëllimet me vështrime kritike dhe estetike të autorit, bindem se puna e tij e palodhme shkrimore është e frutshme dhe e dobishme për shëndetin letrar të shkrimtarëve dhe poetëve të Vlorës.

Albert R. Habazaj

kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, ALBANIA

redaktor i librit “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritika letrare, 3” të autorit Eqerem Canaj