Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Bytyçi: Mbrëmje me miq dhe mozaikun letrar

| E diele, 04.10.2020, 10:55 AM |


MBRËMJE ME MIQ DHE MOZAIKUN LETRAR

Nga Gani Bytyçi

Kish shumë muaj që (nga pandemia) ndjeja mungesën e Atdheut, si dikur në kohën e robërisë së tij. Më në fund, ika andej. Kur arrita atje, më bëhej sikur kisha dal nga një burg i gjatë. Pas dy ditësh, një mik i imi (Emin Azemi), më jep një lajm të gëzuar..
– Nesër do të jem në Ferizaj (qyteti im), më thotë ai.

Mikun po e takoja pas kaq kohësh. U gëzova. Të nesërmen, ai arriti pak pas mesdite. Biseda ishte ajo e rëndomta. Familja, miqtë, aktualiteti dhe … dhe pashmangshëm, letërsia, arti, krijimtaria.

I kërkoj atij mikut që të shkojmë në një restorant në periferi të qytetit.

– E kemi më qetë që të flasim dhe helbete …do të ngremë ndonjë gotë nga rrushi ynë, i them unë. Ai mendohet pak dhe më thotë:

– Si mendon ti, po ta ftojmë edhe një mik tjetër, një letrar? Derisa nuk ma tha emrin e mikut, unë nuk e dija për cilin e kishte fjalën ai.

– Mbase do të vijë. Problem të vetëm e ka kohën, më thotë ai.

– Ajo kurrë nuk i mjafton atij. Ia sjell numrin. I thotë shkurt, jemi në Ferizaj. Deshëm të bëjmë një ndejë. Kemi dëshirë të të kemi edhe ty mes nesh. Nuk folën gjatë. Ai miku e mbylli bisedën shpejt. Përgjigjen e Antonit nuk e kuptova.

– Po vjen edhe ai, më tha, Emini.

Pas pak na mori në telefon profesor Antoni. Kërkoi shpjegime ngase kish shumë vite pa qenë në Ferizaj. Pikëtakim e lamë Teatrin e Qytetit. U gëzova që po vinte edhe ai. Ka shumë vite që e njoh profesor Anton N. Berishën. Isha shumë i ri kur e njoha si krijues e studiues. Brilant gjithsesi. I thellë në mendime e krijimtari, në vlerësime, zbërthime e interpretime. Gjithëpërfshirës në interesime e preokupime letrare e shkencore. Poliedrik. Enciklopedi letrare, kulturore. Më vonë e kisha njohur edhe nga takime të shumta letrare e miqësore. Njeri i mrekullueshëm, me një horizont të pafundmë të dijes letrare.

Takimi

Nuk vonoi dhe profesor Antoni arriti. U takuam, aty ku e kishim lënë, tek Teatri i Qytetit. Shkuam në restorantin te Bifurkacioni. Tek ai fenomeni, që e kishte krijuar natyra por që mbase moskujdesi i njeriut e dëmtoi në mënyrë të pariparueshme. Aty, natyra sikur kishte bërë magji. Përbri kishim mullirin e vjetër mbi 300 vjeçar. Këto gjëra na lidhnin me kohën, me shekujt e mijëvjeçarët e shkuar. Me lashtësinë. Po jo vetëm këto. Ishte biseda ajo që lidhte shekujt, epokat, vendet, njerëzit. Profesor Antoni ka mbi gjysmë shekulli pasion, hulumtim, studim e krijimtari në fushën e letërsisë, poezisë, kritikës, historisë, artit. Kulturës shpirtërore, përgjithësisht.

Mjeshtër i rrallë e i pashoq i mendimit, i të shkruarit, i analizës, i interpretimit e vlerësimit të fjalës. Të asaj anës së saj të fshehtë, të pathënë, të ruajtur. Intelektual i rrallë e i spikatur dhe krijues i një përmase të veçantë. Njeri që në të folurën e tij ka diçka të shenjtë, hyjnore. Pastaj folëm… Eh, po çfarë nuk folëm… Ai foli më shumë. Profesor Anton N. Berisha bëri një pjesë të jetës dhe të karrierës akademike (edhe studimore) në botën e “degës së këputur, të gjakut tonë të shprishur”. Ligjërues në Universitetin e Kozencës, në Kalabrinë e largët, për një çerek shekulli, ai frymoi me mallin arbëresh…

Ndarja

Në ndarje, profesor Antoni u nis për në kryeqytetin e Dardanisë. Me vete mori gjithë Kalabrinë dhe arbëreshët e mëdhenj, De Radën, Skiroin, Seremben… Ai mori edhe poetët e tjerë të mëdhenj, Ndre Mjedën e Gjergj Fishtën. Po i mori edhe këta të më vonshmit, që i njoha edhe unë, Dritëroin, Fatosin, Kadarenë, Anton Pashkun, Azem Shkrelin, Ali Podrimjen, Beqir Musliun, Mirko Gashin…Tek unë ngeli vetëm jehona e vargut të tyre tronditës e madhështor.

Emini iku në drejtimin e kundërt. Ai sikur ndoqi rrjedhën tjetër të Bifurkacionit, atë të Lepencit. Ai u nis Grykës së Kaçanikut, andej prej nga, para më shumë se një shekulli, kishte hyrë Trimi i Karadakut, Idriz Seferi, me malësorët e tij kreshnikë. Ndërkaq, unë, tek po kthehesha në shtëpi, më bëhej sikur kisha takuar një hyjni. Sikur gjithë mbrëmjen kisha biseduar për qiellin… me shenjtorët… Në të vërtet, biseda na kishte sjellë atje, tek majat, kulmet e vlerave poetike, letrare, kulturore… Tek piramidat e krijimtarisë shpirtërore. Atje tek ai shkëlqimi hyjnor i saj. Folëm për poetë e shkrimtarë të hershëm, të djeshëm e të sotëm…Për ata që kanë krijuar mozaikun tonë shpirtëror, kulturor. Ata që kanë bërë themelin e vlerave artistike të letërsisë sonë.

Meditim

Kur arrij në shtëpi, përsias gjithandej diçka fondamentale, ekzistenciale. Çdo gjë ka fund. Edhe ne jemi me fund, me mbarim. Ai fund nuk më frikëson. Shqetësim dhe dëshpërim më jep diçka tjetër. Edhe më e frikshme. Në këtë kohën tonë, nuk shihet ndonjë kontinuitet i këtij angazhimi titanik. Nuk shihet dikush, që punon me këtë pasion, me këtë durim e përkushtim jetësor, për poezinë, për letërsinë, për kritikën, për kulturën përgjithësisht. Nuk duket ndonjë pasion, përkushtim e durim i tillë, një fryme (si kjo) krejt biblike. Nuk shohim formim të një figure të tillë poliedrike, si ajo e profesor Antonit. Së paku jo në ditët tona.

“Janë një varg studiuesish italianë, që janë marrë me veprën letrare të Berishës….Janë me qindra faqe, në të cilat u bëhet e mundur lexuesve në gjuhën shqipe të bëjnë një analizë të plotë të një autori poliedrik i interesimeve të shumta si poet dhe si rrëfimtar…”- Guiseppe Napolitano.

(Shih më gjerësisht Giuseppe Napolitano, Qasje veprës letrare të Anton Nikë Berishës. Approccio all’opera letteraria di Anton Nikë Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica 20019.)