E enjte, 28.03.2024, 07:22 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Tymosim dhe qeshim

E diele, 11.10.2020, 01:00 PM


Tymosim dhe qeshim

Nga Edison Ypi

Kalimtarë anës rrugës, muhabetçinj nëpër kafenera, sehirxhinj nëpër veranda, bujq nëpër ara, të gjithë të qeshur, të gjithë buzagaz.

U futa në atë luginë për tu dehur me bukuritë e fshatrave me shtëpi të gurta rrëzë maleve buzë lumit, me pllajat mahnitëse, lëndinat e blerta si nëpër ëndërra. Dhe u deha nga gjithato bukurira. Por dehja ime s'kishte qënë gjë para dehjes së tyre.

Duke u kthyer me marsh mbrapsht për tu freskuar te një krua, shkatërrova një Ford që se nga doli prej një shtegu anësor. Tym, e krisma, e cifla. Shoferin e shpëtoi fati nga vdekja. Kuriozët që mblidhen në të tilla raste, ata që në një vend tjetër në të njëjtat rrethana janë seriozë, këtu janë çuditërisht të qeshur sikur nuk u përplasën dy makina por dy gota rakie. Mes tyre, i dëmtuari, ai të cilit ja shkatërrova makinën dhe e bëra të shohi vdekjen me sy, gjithashtu qesh. Polici që bëri kqyrjen përkatëse, edhe ai buzagaz.

Në vazhdim të rrugës përgjatë luginës së euforisë së papërmbajtur, më mahnitëse se shtëpizat e gurit, pllajat e gjelbëra, kënga e bilbilit, ura e lashtë mbi lumë, shushurima e përroit, e njëjta mrekulli, të gjithë të qeshur.

Disa fshatarka të reja veshur sipas modës me kanotjera të shkurtëra dhe gjithato rripa për të bërë zap sisët, bëjnë selfie dhe llafosen vesh më vesh duke u shkrirë së qeshuri me njëratjetrën.

Një mesogrua, edhe ajo e qeshur dhe e lumtur, tund belin sipas muzikës që i vjen nga kufjet në vesh.

Dy banorë, gjithashtu të qeshur, që thanë se ishin krushq, më luten t'i marr. Kur i pyes krushqit autostopista se ku duan të shkojnë, thonë emrin e një katundit që e kisha lënë pas. Ore krushqër, u them, keni lajthitur drejtimin. Kërkojnë të falur, dalin duke qeshur për të pritur makinë në në krahun tjetër të rrugës.

Nëpër qëndrat e fshatrave s'ka dasëm, fejesë, synetllëk, aheng. Nuk është as ndonjë e kremte fetare. Megjithatë të gjithë qeshin. Një qef i dridhshëm pa shkak të dukshëm vërtitet në ajër nëpër ato fshatra.

Pse je në qef, ke pirë raki ? pyes një Rrahman me trastë në dorë që i thërrisnin shkurt Mane. Nuk kam pirë raki, tha Mania, thjesht jam në qef.

Në një lokal në mesin e një fshati, dy tavolina, një brenda një jashtë, shtruar me të mirat e dynjasë, mish, sallam, djath, mjaltë, byrek, raki, birrë, dhe shumë eufori, shumë qef në fytyrat e tyre. Ndal për ta parë nga afër, dhe ndoshta kuptuar arësyen e gjithë atij qefi. Mendova se qeshnin e bërtisnin për inat të kurvit që i la cop-e-çik me dhjetra vjet, dhe tani po marrin hakun me vonesë duke shfryrë dufin. Jo-jo, s'po marrim hakun e kurvit, thanë, kurvin e kemi harruar, thjesht jemi në qef, thjesht po gëzojmë ditët tona, Ymrin që na ka falur Allahu.

Pasi ha pak byrek mbretëror, i them njërit me çehre optimiste dhe bullçinjtë plot me mish; Ku t'i laj duart që m'i yndyrosi fasulniku ? Shko laji te ajo çesma atje tej, tha mishngrënësi i lumtur, por para se të lash duart, thuaji çesmës; Bismilah, Rrahman e Rrahim. Vajta thashë "Bismilah, Rrahman e Rrahim" me zë të dridhshëm para çesmës, dhe lava duart.

Largohem nga gumëzhitja e qefit dhe qeflinjve misteriozë.

Pak më tutje një gagaç, edhe ai i qeshur, me një shqiptim të ngecur thotë se e quajnë Hime. Rrahim të quajnë, i them. Po, thotë Rrahimi i qeshur që mezi i nxjerr fjalët.

Nga fundi i këtij panairi të qeshurash, te një kthesë shkëmbore takoj Bajramin. I rrëfej Bajramit panairin e të qeshurave që lashë pas nëpër katunde. Më thotë Bajrami; Mos u habit. Nuk qeshim kot. Kemi arsye që qeshim. Unë Bajrami, Rrahmani, Rrahimi, Bismilahu, Ramazani, Kristua, Pashku, Muhameti, Pejkamberi, Buda, pra të gjithë ne shqiptarët, hashashin jo vetëm e mbjellim dhe e korrim, por edhe e ndezim dhe e tymosim, dhe qeshim e qeshim pafund me fatin tonë qesharak.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora