E enjte, 28.03.2024, 02:23 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Profecia e Ilir Strazimirit

E shtune, 10.10.2020, 08:38 AM


Profecia e Ilir Strazimirit

Nga Edison Ypi

Natën kur Çausheskun dhe bushtrën e tij të dy mbytur në gjak i hodhën si qen mbi një beton, Ilir Strazimiri shqiptoi një Profeci.

Profecia e Ilir Strazimirit mu kujtua këto ditë kur ju zorraxhinj që vidhni, ju plehra që xhvatni, ju halabakë që hiqeni për patriota, ju rrugaça që e ndërroni avazin sa herë j'u hedhin ndonjë kockë, duke mos ditur nga t'ja mbani keni nisur të kërkoni, jo një rrugëzgjidhje për të gjithë, por një rrugëdalje për vete.

Profeti Ilir Strazimiri tha;

"Bëjeni Rrugën e Saraçve si ka qënë para kolerës komuniste. Kthejani rrugës magjike gjakun, jetën, njerzillëkun. Gjithçka do ndryshojë për mirë. Përndryshe shqiptarët do vazhdojnë të vidhen e të vriten e të fukarallepsen më zi se deri tani.

Hidhini në tokë pallatet ku kurvi strehoi spiunat që i solli nga Labëria për të përçarë banoret e urtë të rrugës së magjishme. Zhdukni çdo gjurmë të çdo mbishkrimi komunist që mund të ketë mbetur nëpër mure dhe zgëqe. Rivendosini ku kanë qënë samarxhinjtë, teneqexhinjtë, këpucarët, argjendarët, sahatçinjtë, jorganxhinjtë, dhe krejt zejtarët e tjerë. Rindërtoni shtëpitë, rrugicat, avllitë. Kujdesuni veçanërisht për shtëpinë e të modhit Osmon Saraçi dhe të tjerat shtëpi të nderuara".

Kaq tha profeti, dhe heshti.

Realizojeni Profecinë e Ilir Strazimirit sa s'është vonë.

Për një restaurim përfekt të rrugës nga pikëpamja shpirtërore dhe materiale, të bëhen konsultime me ata që rrugën e madhërishme e njohin dhe e duan; me ishullin që mblidhej netëve për të uluritur kundër kurvit dhe paudhësive të kohës tek shtëpia e Ilir Strazimirit. Të parin, autorin e Profecisë, Ilir Strazimirin. Pastaj Skënder Gjylhasanin që do vete unë ta ngre nga varri. Shpëtim Beja, Teodor Xhokaxhi, Ben Rexha, janë gjallë dhe vinë vetë. Lilo Xhokaxhiun e ngre nga varri Robert Harito. Mos harroni Liçin; Felicita Jakoel-in, Vjollca Strazimirin dhe Nexhi Saraçin. Dijen jo. Dijen lereni në Paqen e vet. Me Tim Xhilaga do japi një ndihmesë të paçmuar për restaurimin e shpirtit të rrugës. Nuk mundeni me ja kthy dashnoret e panumurta. Guzzi-n legjendar, po. Me vllain e Timit, Nand Xhilagën, që është një enciklopedi e gjallë e rrugës së pamposhtur, duhet gjithashtu me u konsultu.

Ruggero Orlandon, Massimo Valentinin, Jas Gawronskyn, Demtrio Volcicin dhe disa të tjerë, më përket mua t'i ftoj në restaurimin madhështor. Por meqënse mua nuk më pëlqen me vajt në Itali me vizë si është moda sot, por me rreziqe, me arratisje me komardare, gjeni ndonjë tjetër.

Rruga Saraçve duhet restauruar në atë mënyrë që pakngapak zanatçinjtë e Rrugës së Saraçve të japin e të marrin me zanatlinjtë e rrugëve të tjera. Kështu, restaurimi i Rrugës së Saraçve do mundësojë humanizimin e të gjitha rrugëve, dhe me kalimin e kohës të gjithë Shqipërisë.

Nuk doni ta realizoni Profecinë e Ilir Strazimirit ? Nuk doni të dilni nga spiralja e krimit ?

Sytë ju dalçin, kanceri në fyt, mishi copa-copa pak e keni. Ilir Strazimirit, mua, Liçit, Vjollcës, Nexhit, Tokut, madje edhe rahmetlinjve Skënder Gjylhasani dhe Lilo Xhokaxhiu, s'na bën përshtypje pritja dhe vuajtja se me ato jemi mësuar.

Ama nëse Profecinë doni ta plotësoni, urgjent back to the future. Tek Rruga Saraçve që ka Kodin. Tek Ilir Strazimiri që mban Skeptrin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora