E hene, 25.10.2021, 07:55 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Seferi

E enjte, 08.10.2020, 09:30 AM


Seferi

Nga Edison Ypi

Seferi lindi në Pacomit pranë Vjosës, përballë me Dhëmbelin dhe Nëmërçkën. Kur Seferi ishte fëmijë, një ditë kqyrte laryshinë e njerëzve, ditën tjetër shtrihej përmbys në tokë me orë të tëra shihte i mahnitur ecejaket e milingonave, strategjitë e tyre të mbijetesës. Seferi mahnitej gjithashtu me pyllin, fletët e dushqeve, të cilat, kur era i kthente mbrapsht, bëheshin të kuqërremta, dhe Seferit i dukej sikur pylli në faqe të malit merrte zjarr, shndrrohej në det i ndezur i dallgëzuar.

Një vëlla i Seferit doli partizan. U kthye nga partizanllëku pas tre ditësh. Kishte parë në Mokër disa partizanë që kishin shkuar në hell një ballist. Erdhi i lemeritur. Ra përmbys mbi shtrat. Nuk u ngrit. As hëngri as piu. Vdiq pas pak ditësh.

Seferi, djalë Beu, thoshte i tmerruar; Kush ka, do. Kush nuk ka, urren. Partizanët që s'kanë nuk mund ta duan Shqipërinë më tepër se Bejlerët që kanë.

Një ditë, i tha Seferit një zengjin,

-Do dal partizan.

-Pse do dalësh partizan ?

-Sepse më dhimset fukaraja.

-Mos u mundo zotrote deri në mal. Bëj një gjë më të kollajtë për fukaranë. Fale pasurinë.

Fill pas "luftës", i tmerruar nga yxhymi i partizanëve, Seferi e nuhati që po të rrinte në fshat do ta kishte pisk.

Në Tiranë Seferi bëri jetë të veçuar.

Fiksimi i përhershëm i Seferit ishte urrejtja e pafundme ndaj absurdit komunist. Seferi gdhihej, ngrysej, fliste, pyeste, përgjigjej, zgjohej, flinte, ëndërronte, me urrejtje të pafundme për regjimin dhe dreqërit që e mbanin gjallë.

Jetoi i strukur në një qoshe të shtëpisë. Tymoste duhan të dredhur. Nën jastëk mbante gjithmonë një roman. E lexonte aq i përqëndruar romanin e poshtë-jastëkut sa pas ca kohësh e dinte të gjithin përmendësh. Pastaj merrte romanin tjetër, e kështu me rradhë. Seferi i mahniste mysafirët e besuar duke u rrëfyer dromca nga jeta e vet dhe fragmente të zgjedhura nga romanet që lexonte. Sipas Seferit, shkrimtarët më të mëdhenj të botës ishin; Kadareja, Shekspiri, Shollohovi, Balzaku, Turgenievi. Artistët më të shquar; Fred Astaire dhe Ginger Rogers. Tema e përherëshme e bisedave të Seferit ishte natyra paradoksale e sistemit.  Veçanërisht ligësitë, pabesitë, krimet e diktatorit.

Seferi qe përsosmërisht i bindur se diktatori "ishte" qënia më frikacake mbi fytyrë të dheut, egocentristi më i neveritshëm. Shtaza që nuk i interesonte asgjë. Shqiptarët jo e jo. As familjarët, dhe askush tjetër. Vetëm vetja. Vetëm 1 metër katror Shqipërie, sa katër pllakat e dyshemesë ku mbështeste këmbët.

Ndërsa lidhur me "çfarë bëri diktatori ?" Seferi thoshte; Mori bujkun e mbrehu në parmëndë e vuri të tërhiqte plugun. Kaut i dha në dorë hostenin të detyronte bujkun të çante arën.

Seferi e mbante veten antikomunistin më të madh të botës, pas Çurçillit.

Seferi thoshte se Shqipëria ishte, jo Ferri, por bërthama e zjarrtë e Ferrit ku flakët e verdha të squfurit djegin gjithçka.

Thoshte Seferi për diktatorin; Qef të madh kam t'ja pres fytin me biçak, t'ja nxjerr sytë me një gozhdë të skuqur në zjarr, t'ja coptoj mishin me sëpatë tua hedh qënve. Mirpo plehër sajon atypëraty një gënjeshtër, dhe ma prish mendjen, më ikën. më rrëshqet nga duart.

Sipas Seferit, një variant i zgjeruar i masakrimit të diktatorit ishte ky; Do thërres dhjetë mjekët më të mirë të botës. Do ti urdhëroj t'ja xhveshin lëkurën copa-copa me pinca. Nga koka te këmbët t'ja lyejnë mishin me kripë të imët. T'ja veshin përsëri lëkurën dhe tja qepin me spango. Do i peshoj mjekët me flori për këtë shërbim. Me 1 kusht të vetëm; Që pas xhveshjes së lëkurës dhe kriposjes së mishit, ndyrësira të mbetet gjallë dhe të vqzhdojë ta vuaj torturën e merituar me brisk, xhveshje lëkure, kripë, spango. Përndryshe, nëse gjatë kësaj kure gjarpëri do ngordhi, dhe rrjedhimisht nuk do vuaj më, të dhjetë mjekët do i var në litar.

Një ditë Seferi tha; Sot nuk do dal nga shtëpia. Do rri brenda. Nuk i shoh dot me sy surretërit e nxirë të shqiptarëve të sotëm, pamjen e tyre të mjerë, kokat e tyre të ulura si skllevër.

Seferi nuk doli nga shtëpia as të nesërmen, as të pasnesërmen, as pas një jave, e as pas një muaji. Familja, farefisi, miqtë, u bënë merak. Me këtë rast, një nip i Seferit kujtoi principin "Lartësim përmes Rrëzimit". Seferi u lut të mos ja prishnin qefin e të ndenjurit brenda përderisa duke mos parë me sy turma, kënde të kuq, banderola, parakalime, brohorima, sytë dhe veshët i kishin rënë rehat, shikimi dhe dëgjini i ishin përmirësuar, zemra i rrihte më mirë, dhe rrjedhimisht ndejtja brenda i ishte bërë e dashur. E mirkuptuan.

Në kthinën ku Seferi gdhihej e ngrysej, rrëfente me gjallëri dhe stil ngjarje të pafundme plot me dromca të këndëshme. Gjithmonë me të njëjtën temë; Çudinë kriminale që e rrethonte.

Kur ngordhi diktatori dhe ishin bërë vite që Seferi nuk dilte nga shtëpia për shkak se nuk e shihte dot me sy lëvritjen e turmës, zbukurimet për festa, veçanërisht spiunat që trokisnin te dera për punë ta thirrur për vullnetare, për të votuar etj. pikërisht pra kur njerëzit prisnin që Seferi të qe mërzitur dhe të hiqte dorë nga vetburgosja, Seferi arriti në përfundimin se qoshja ku ishte strukur nuk ishte mjaftueshëm e fshehtë dhe e thellë për të bërë jetën që i përshtatej, atë me romane, miq, biseda të rrezikshme, prandaj i duhej të çvendosej në një kthinë të dytë më të thellë dhe më të fshehtë se kthina e parë. Edhe këtë herë e mirkuptuan. Në kushtet e reja logjistike, bashkë me arsenalin e romaneve, Seferi tërhoqi edhe miqtë e bisedave, të cilët, pas fundosjes së dytë të Seferit u entuziazmuan dhe shprehën dëshirën për ta ndjekur Seferin ku të donte Seferi, edhe në fund të botës, edhe prapa diellit.

Seferi nuk u tund nga kthina e dytë edhepse jashtë kërcisnin fitoret, gjëmonin kongreset, ulurinin mbledhjet, bënin kërrdinë plenumet.

Shembjen e regjimit, shpalljen e pluralizmit, ndryshimet demokratike, që Seferi i kishte pritur me ankth gjithë jetën, Seferi nuk i pëlqeu, por as nuk i refuzoi. Pavarësisht nga ky qëndrim jo fort i kuptueshëm që u interpretua me kompleksitetin e karakterit të Seferit, familjarë e miq thanë se tashmë Seferi nuk kishte arësye të rrinte brenda. Mirpo pikërisht atëhere, kur prej pothuaj 30 vitesh jetonte i mbyllur në shtëpi nga kthina në kthinë, daja im Seferi, bashkë me romanet seriozë, miqtë besnikë, bisedat e rrezikshme, u fut në një kthinë të tretë, edhe më të thellë edhe më të fshehtë se dy të parat. Nga kthina e tretë nuk lëvizi deri në frymën e fundit kur Ylli i zi i vetmohimit heroik u përpi nga qielli i ndritur i qesharakizmit demokratik shqiptaresk.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora