E merkure, 24.04.2024, 05:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilia Dilo Sheperi: Shqipëria hyjnore

E diele, 16.11.2008, 12:10 PM


Ilia Dilo Sheperi (1872-1945)
Zëri i rilindësve tanë

 

SHQIPËRIA HYJNORE

 

Forca ideale është energjia virgjine dhe patriotizmi i naltë i popullit shqiptar. Shqipëria hyjnore është dheu klasik i trimërisë, theksonte Ilia Dilo Sheperi, (gjuhëtar, patriot dhe erudit), në fjalimin e tij mbi Ditën e Flamurit, mbajtur në Gjirokastër, më 1920. (Eduard M. Dilo New York, USA)

 

Nga Ilia Dilo Sheperi (1872-1945)


Shqipëria divine, Dheu klasik i trimërisë, kremton sot një nga më të shenjtat ditë të historisë se saj kombetare: Ditën e Rilindjes e të pagëzimit në jetën e re të Lirisë! Ditën e vënies mbi krye të kurorës së Indipendencës! Pas pesëqind vjet jete t'ashpërt të robërisë dhe në një kohë tragjike, kur arushet e Ballkanit u vërsulen t'a shuajnë pa mëshirë gjallërinë e kombit shqiptar, në orizontin e Shqipërisë ndriti Ylli i Mëngjezit, mbi Kathedralin e Vlorës shkrepetiti Diell'i Lirisë! U ngreh Flamuri madhështor i Skënderbeut dhe Perëndia e Lirisë së Kombeve dekretoi shpëtimin e Shqipërisë! Ajo e drejtë e shenjtë q'u a ka falur natyra kombeve të botës ju njojt edhe kombit t'onë që ruan karakterin dhe traditat e Ilirëve, ju dha edhe poullit t'onë heroik që ka vaditur me gjak gjithë Sinisinë Ballkanike dhe, së fundi, për t'u shpëtuar dyndjeve të valëve të barbarëve, gjatë shekujve, ka qenë shtërnguar të lerë Alltarin e Atdheut të vet dhe të kapërcejë male e dete dhe të përhapet nëpër gremina të huaja.

Në këtë vend legjendar, që ësht shkretuar dendur nga katalkizmat e luftrave të parreshtura dhe mbi gërmadhat e 70 qyteteve të bukura bërë pjesë e zjarrit legjoneve romake, vajtojnë sot e kësaj dite! Të tëra këto ngjarje, të gjitha këto tragjedita kanë vleftën e kujtimit të naltë, të heroizmës shqiptare. Dëshmojne theroresitë e pashembëllta të fisit arbnor. Pasqyrojnë jetën morale të stërgjyshërve dhe udhëheqin shpirtin e energjisë e të therorisë së brezit t'onë të ri. Ja! Kjo ësht dita simbolike në të cilën kombi shqiptar hyn në rradhët e popujve të lirë dhe zë vendin që i përket historisë së tij. Traditat e mbetura nga Pellasgët e Mitollogjisë, trimëri e trashëguar nga stërgjyshërit t'anë, përmenden sot në kronollogjinë e qytetërimit. Himni i Indipedencës t'onë këndohet nëpër oborret e kombeve të rinj të lirë. Te Deum-i i paradisit të Fesë s'onë meshohet sot nëpër Kishrat e botës ideale! Na përshëndetin, na përgëzojnë, na urojnë kombet e lirë! Na kanë zili e na falen popujt që përpiqen të harrijne një ditë të bardhë!

Ideali që kanë ëndërruar stërgjyshërit, ay ideal i shenjtë që kanë profetizuar heronjtë, protagonistët e luftrave të lirisë s'onë, u realizua sot! Qëllimi i naltë për të cilin kanë luftuar ata burrërisht nëper malet e ashpërt dhe kanë derdhur gjakun e vlefshëm të tyre: u harrit, u krye! Intrigat e huaja dhe komeditë e mbrendeshme që u lojtën një kohë mbi kurrizin e Atdheut nuk e lanë popullin shqiptar të jetonte i lumtur në këto tetë vjetet e para të jetës së re. Krijuan një situatë të rëndë dhe rrezikuan njëment tërësinë dhe Indipendencën e Atdheut. Gjatë këtyre kohëve të vështira duallë në shesh apostoj të rremë duke predikuar ungjillin magjik të një bese fatale. Një maqavelizmë që synonte t'i mësonte popullit shqiptar disiplinën e skllavërisë dhe të çkëputte nga trup' i shtrenjtë i Atdheut vendin me të shenjte: Vlorën bujare që e ka falur natyra për të qenë vend i pelegrinazhit të Shqipëtarëvet.

Forca ideale, energjia virgjine dhe patriotizmi i naltë i popullit shqiptar i kapërcyen, gjithë rreziqet që kërcënonin Atdheun. Dita e 28 Nendorit 1920 ësht e para që kremton sot plot enthusiazmë Shqipëria irredente, sbukuruar nga Stili gjer në Shkodër me trëndafilë dafine! Mblidhuni bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh t'Atdheut! Faluni! Përunjuni përpara këtij Snotafi të shenjtë! Adhuroni shpirtrat e Dëshmorëvet! Dhe lavduroni këte ditë madhështore! Gezohuni o Shqiptarë t'arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt'e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë! Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju, lumenjë dhe dete të Shqipërisë! Bekonani ju o Dëshmorët e shenjt t'Atdheut! Kurajo, durim dhe shpresë, Ti o Shqipëria irredente!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora