E enjte, 25.04.2024, 07:51 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Kumtesë me rastin e 100-vjetorit të Kongresit Manastirit

E diele, 16.11.2008, 09:00 PM


Mërgim Korça
KUMTESË ME RASTIN E 100-VJETORIT TË

  KONGRESIT MANASTIRIT

                    (14–22 Nëntor 1908)

 

Shkruar nga :  Mërgim Korça

 

 

Të hartuarit e një shkrimi me rastin e 100-vjetorit të Kongresit Manastirit, pa fjalë që është burim emocionesh.   Kjo njera anë e realitetit.    

Kalojmë tashti tek ana tjetër, ajo që un’e quaj m’e rëndësishmja, mënyra e të trajtuarit të problemit.  Normalisht, duke qenë vit jubilar 2008-ta e pikërisht 100 - vjetor i Kongresit, fare mirë mund të bënim një paradë suksesesh me që edhe në fakt ai kongres i tillë edhe qé !   Mirëpo unë, i prirë nga fakti se me marrjen e pushtetit në dorë nga ana e P.K.Shqiptare e cila për 47 vite me radhë erdhi duke i a mohuar kombit tonë vlerat si edhe arritjet e kaluara e gjithashtu në mënyrë sistematike i shfytyroi të vërtetat historike duke krijuar një histori krejtësisht të përputhëshme me parimet e një marksizëm-leninizmi tamam sui generis dhe konform interesave të diktatorit Enver Hoxha, këtë kumtesë dua t’a trajtoj disi ndryshe :  mbështetur në faktet e pamjegulluara, të arrihet tek përfundimet ku të çon logjika e ndershme !

Po mbushet dhjetvjeçari i dytë që nga shkërmoqja e sistemit të diktaturës në Shqipëri.  Shumë është folur për rishkrimin e historisë si edhe të historisë së letërsisë.   Por po aq flasin me një këmbëngulje prepotente të madhe historianët, (që e kishin bërë monopol dhënjen e gjykimeve lidhur me këto tema për 47 vite me radhë), se mbase mund bëhet ndonjë retushim por kurrsesi rishkruarje!    E pranojmë për një çast tezën e tyre por jo pa i hedhur një sy trajtimit të Kongresit Manastirit, përgjatë periudhës diktaturës, pa hyrë fare në detaje. 

Ndokush nga lexuesit mund të pyesë veten se ç’lidhje i gjej unë zbatimit të marksizëm-leninizmit në rastin e Kongresit të Manastirit. Ja lidhja :  Flitej për atë Kongres, por e ashtuquajtura vijë e masave ndër tekste i a kishte këputur kokën Kongresit në fjalë!  Kongresi nuk kishte, sipas historianëve komunistë, as nismëtarë kryesorë dhe as drejtues të tij.  Sipas historianëve komunistë drejtues të Kongresit ishin veç fantazma se as i zihej me gojë emri Mit-hat Frashërit e as Patër Gjergj Fishtës !   Kurse fotografia e cila i pavdekësoi në lastër fotografike pjestarët e komisionit të atij Kongresi, e bërë nga Kel Marubi, dëshmon krejtësisht ndryshe :  

 

Duke i u referuar historianëve të periudhës së diktaturës që akoma sot duan t’a kenë monopol dhënjen e gjykimeve rreth historisë, e duke u kërkuar ndjesë që po i referohem personalitetit ndër më të mëdhenjt’e Amerikës, Abraham Lincoln-it, Presidentit republikan që njihet si luftëtari i vendosur i lirive demokratike dhe i mënjanimit të skllavërisë, shpallësit të Proklamatës Emancipimit, i cili ka pohuar : 

“ Të gjykuarët dhe të vepruarët si demokratë nuk konceptohen dot pa një ndërgjegje historike.   Ndërgjegja historike është ndërlidhësja q’e bën të mundur interpretimin e së kaluarës, kuptimin e së tashmes si edhe projektimin e perspektivës të  së ardhmes”.  

Duke nxjerrë përfundime e duke bërë edhe paralelizmat e duhura, për t’u diskutuar mbetet përcaktimi i drejtuesit të Kongresit Manastirit.  Mbas vitit 1991 ka autorë që Mit-hat Frashërin e citojnë si drejtues të punimeve të Kongresit.   Ka të tjerë që këtë pozicion i a atribuojnë Patër Gjergj Fishtës.   Nga fotografia e bërë aso kohe, për të qenë skajshmërisht objektivë, mund të pohohet se Kryetar i Komisionit të Alfabetit ka qenë Patër Gjergji.   Pra, njerës anë të kuadrit të përgjithshëm lënë “mjegullnajë” nga historianët komunistë, i hidhet menjëherë dritë nga vetë fotografia. Ndërsa kush e drejtoi Kongresin, do t’a shohim përgjatë kësaj kumtese.  Por pa as më të voglin dyshim si Mit-hat Frashëri e gjithashtu edhe Patër Gjergji ishin shpirti dhe mëndja drejtuese e Kongresit të Manastirit !  Pikërisht këta, të mohuar nga historianët e Akademisë Shkencave të periudhës diktaturës !   Unë e materializoj këtë veprim si veprimi i mediokritetit të historiografisë zyrtare diktatoriale !

Duke menduar se me sa thamë më sipër ësht’e nevojëshme për të përcaktuar se Kongresi i Manastirit, patjetër që duhet ridimensionuar nga ana e historianëve, vijojmë tashti mirëfilli me trajtimin e temës sonë.

E gjithë bëma e Kongresit ishte caktimi i një alfabeti të njësuar.  Prandaj si rrjedhojë logjike, qytetari i sotëm e ka vërtet të vështirë t’a përfytyrojë se pse i jepet kaq rëndësi veprës së vetë Kongresit të Manastirit.  Kaq rëndësi paska patur caktimi i një alfabeti ?  Që lexuesi t’a kuptojë mirëfilli dhe të arrijë të çvendoset në kohë e të jetojë së bashku me pjesëmarrësit e Kongresit në fillimet e shekullit të XX-të, do të sjell disa shëmbuj tejet kuptimplotë, simbas pikëpamjes sime.   

Marr guximin të pohoj se, gërshetimi i interesave të shteteve të ndryshme pa marrë parasysh aspak interesat e kombit shqiptar, bënë që historia e ABC-së Shqipe të merrte të tillë rëndësi sa të njësohej me Historinë e Popullit Shqiptar duke zënë  bilé vënd parësor në këtë drejtim !   Kjo e përgjithëshmja.  

Po t’i kundrojmë doemos sipërfaqshëm, aq sa na e lejojnë kushtet e kësaj analize, dhe t’i marrim në kundrim interesat e shteteve që ndikonin cili më shum’e cili më pak në gjëndjen e krijuar në prag të Kongresit të Manastirit, e duke i diferencuar pastaj interesat e tyre në favor apo në disfavorin e interesave të Kombit Shqiptar, na rezulton se patriotët shqiptarë e kishin tejet të vështirë të orientoheshin e pastaj pa lé të vendosnin lidhur me qëndrimin që atëbotë duhej mbajtur.  Dhjetëvjeçari para Kongresit të Manastirit, karakterizohej nga dy pozicionime politike ndaj popullatës thjeshtë shqiptare që popullonte tokat–troje të rrëgjúara tashmë të Dardanisë dhe Ilirisë lashtë.  Ato troje qeveriseshin nga Perandoría Turke.   Kjo perandori e kish kaluar prej kohe tashmë pikën e apogjeut të saj.   Kësisoji ajo, pa as më të voglin dyshim, qé e interesuar që popullatat gege si edhe toske t’i mbante me çdo kusht të përçara dhe arm’e fuqishme në këtë drejtim ishte doemos përçarja fetare !   Kategori tjetër e interesuar në mbajtjen dhe thellimin e kësaj përçarje qé doemos edhe Patrikana e Stambollit !   Kësisoji këto dy njësi përçarëse të kombit tonë vërtet e përdornin fenë për t’ia arritur synimit fundor por, lidhur me një forcë të dytë përçarëse pozicionimet e tyre ndryshonin.  Otomanët përkrahnin gjuhën shqipe të shkruar me germat “kërrabore” të turqishtes osmane.  Kurse Patrikana mbështeste ABC-në e të shkruarit shqip me germat e greqishtes.   Këtu interesat e tyre përçarëse imediate, kur bëhej fjalë për perspektivën, doemos që ndaheshin. 

Ndërkohësisht, të interesuar t’a shtonin ndikimin e tyre në këtë rajon, ishin edhe Austro-Hungaria me Italinë.  Por edhe këto dy fuqi të bashk’interesuara, gjithmonë të prirura nga interesa si edhe objektiva të tyre të largëta, Kombin Shqiptar jo vetëm që e donin të bashkuar e të papërçarë, por në këtë drejtim atyre u interesonte që edhe ABC-ja e shqipes së shkruar të ishte  ajo latinja.  

Kjo, me pak fjalë, situata lidhur me interesat ballkanike sa u takonte trojeve të banuara nga Kombi Shqiptar. 

Tashti që ndonëse në mënyrë fare të sipërfaqëshme u krijua ideja se cilat ishin pozicionimet e fuqive të huaja ndaj trojeve si edhe vetë popullatës shqiptare, t’i lemë për një farë kohe jashtë valles të huajt e t’i hedhim një sy se ç’bënin shqiptarët.   Për t’a kuptuar se ç’ndjenin si edhe ç’bënin ata që përfaqësonin ajkën e patriotizmës si edhe të intelektualizmës tonë kombëtare të asaj kohe, patjetër që edhe me këtë rast duhet të paraqesim, ndonëse shumë fluturimthi, një kuadër të situatës. 

Sipas Faik Konicës i cili më 1891-shin shprehej “... i pari libër në gjuhën tonë dolli në 1635, d.m.th. 256 vjet më përpara, në Romë, prej Frëngut të Bardhë (Dictio-narium Latino-Epiroticum).  [Vetë autori më vonë do zbulonte duke gërmuar në arkivat e bibliotekës kombëtare të Francës, veprën e Pjetër Budit”Speculum Confessionis” ose “Pasqyra e të rrëfyemit” të shkruar, me të njëjtin alfabet, në vitin 1621, pra 14 vjet më parë – vazhdon e thotë vetë Konica].  

Mirëpo nga ana tjetër, nga një raport i dërguar Mbretit të Francës Philippe De Valois që më 1332 nga frati Dominikan Brocardus ku ai shprehet “... sadoqë Shqiptarët e Veriut kanë një gjuhë krejt të ndryshëme nga ajo e Llatinëve, ata përdorin shkronjat Llatine në librat e tyre ...” bindemi se gjuha e jonë e shkruar është shumë më e herëshme edhe se sa vetë “Meshari” i Gjon Buzukut (që daton 1555, i shkruar me ABC latine por me disa gërma cyrilike) bile edhe se sa “Formula e Pagëzimit” (e cila daton 1462 dhe ruhet në Bibliotekën Laurentiane të Firenze-s) e Palë Engjëllit, Kryepeshkopit të Durrësit.  Palë Engjëlli ka përdorur të folmen gege  dhe ABC-ja e përdorur është latine.  Përgjatë kësaj brazde, pa u shtyrë më thellë në kohë, nuk e le dot pa përmendur se si studjuesi italian N.Borgia pohon se në Bibliotekën Ambrosiana në Grottaferrata gjëndet një dorëshkrim i një cope të Testamentit të Ri që mbrapa ka edhe një këngë Pashke të ritit Bizantin, shkruar toskërisht dhe me ABC greke dhe ky fragment vlerësohet prej studjuesit si së paku gjysëm shekulli më i lashtë se Formula e Pagëzimit !   Në vazhdim pastaj në Jugë të Shqipërisë kemi ABC-në e Gjuhës Shqipe të Anastas Kulluriotit botuar më 1882, e cila ishte me shkronja greke dhe pikësynim kishte shkrimin e Gjuhës Shqipe sipas mënyrës së të folurit të dialektit shqiptar në Greqi. 

Kurse shqiptarët e mërguar në trojet e Italisë Jugut mbas pushtimit turk dhe që e quanin veten shkrimtarë Italo-Shqiptarë, ndonëse ishin toskë si edhe të Krishterë-Orthodhoksë, ata në itali e quajtën nga ana fetare veten e tyre “Unitë” dhe përdornin ABC-në latine !  I vetmi q’e ka përdorur ABC-në Greke në veprën e tij Grammatologia Comparata della Lingua Albanese (botur më 1864) ka qenë Dhimitër Kamarda.  Megjithatë edhe Kamarda, siç më ka pasë pohuar gjuhëtari i ndjerë Martin Camaj, (i cili fliste me shumë rrëmbim edhe enthuziazëm kur bëhej fjalë për shkrimtarët Italo-Shqiptarë si edhe për veprën Albanische Studien të Profesor Hahn-it), pohonte se në shtesën e veprës vet Kamarda përdori ABC-në latine të Hahn-it por me shkronja greke me shënja dalluese për tingujt e veçantë të shqipes.   

Me pak fjalë del e qartë se ABC-të e përdorura nga priftërinjtë katolikë gegë ishin me germa latine si rregull, kurse Buzuku kishte ndonjë ndikim gjuhësor nga “komshinjët sllavë”.  Sa u takon ABC-ve të përdorura për të shkruar në të folmen toske, ishin me germa të alfabetit grek.  Në përgjithësi shkrimet me alfabet latin u përkasin Shkrimtarëve të Lashtë të Veriut, si rregull të gjithë klerikë katolikë.   Veprat e shkruara në toskërisht janë fjalorë edhe libra kishtarë ku botimi i tyre si rregull ka filluar në shekujt e 18-të dhe 19-të.  Sipas studjuesit E.Legrand në veprën e tij “Bibliographie Albanaise”(1912), thuhet qart’edhe shkoqur se daç Theodhor Kavaljoti e gjithashtu edhe Mjeshtri Dhanil, ishin klerikë orthodhoksë që kishin studjuar në Voskopojë dhe i kishin hartuar edhe botuar fjalorët e tyre me pikësynimin e qartë të thithjes pjesës toske të Kombit Shqiptar në bashkësinë helene !   Sipas studjuesit të mësipërm, këtë pikësynim e shprehte edhe në parathënjen e fjalorit të tij Mjeshtër Dhanili krejtë hapur tek thoshte se “... qëllim ai kishte helenizimin e popullsive Vllahe, Bullgare edhe Shqiptare”!  

Duke i bërë tashti një sintezë gjith’atyre që fluturimthi zumë në gojë, në pragun e Kongresit Manastirit gjëndja ishte si vijon :

 - Zanafilla e botimeve në gjuhën shqipe janë veprat e klerikëve katolikë në Kosovë edhe Shqipërin’e Veriut me përqëndrim më shumë në Shkodër.  ABC-ja e përdorur :  shkronjat latine.

 - Pas vdekjes së Skënderbeut, përmes një trysníje të madhe nga Perandoría Osmane për islamizimin e detyruar e të dalngadaltë të shqiptarëve, merr hap pas hapi përdorim ABC-ja me shkronja arabishte ose turqishte.   

 - Shkrimet e karakterit fetar si edhe fjalorët për popullatën toske shkruheshin me ABC-në greke, nga Grigori i Durrësit (ose Grigor Voskopojari), ose nga Teodor Haxhifilipi me alfabet 52 germash ose edhe Kodeksi i Beratit me alfabet 37 germash.

-  Shkrimtarët Italo-Shqiptarë përdornin ABC-në latine.

Pra përzgjedhja e alfabetit latin, arabo-turko apo grek, me sa duket nga të dhënat historiko-kronologjike, deri n’atë kohë ishte e ndërvarur nga natyra e kulturës dhe përzgjedhja e atij që e përdorte ose ... nga trashëgimia kulturore e zonës ku zbatohej ajo ABC !   

Me aq informacion sa mund të kishte aso kohe, fakti është se Atdhetarët Shqiptarë po e nuhasnin se Perandoria Osmane kish filluar e tronditej.  Kjo situatë u materializua me thyerjen e ushtrive turke nga Rusia gjë që u pranua nga Porta e Lartë me armëpushimin e firmosur në Edrené (31 janar 1878).  Kjo solli edhe  Traktatin e Paqës firmosur mes Portës Lartë dhe Rusisë në Shën Stefan (3 mars 1878).  Rusija fitimtare, duke e vënë në gjunjë Perandorinë Osmane, me atë traktat ligjëroi që 80 % të territoreve Ballkanike t’i kalonin Bullgarisë, Serbisë si edhe Malit të Zi.  Në këto kushte Atdhetarët Shqiptarë krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) për të luftuar kundra vendimeve të Traktatit Shën Stefanit.  (Kjo lidhje pati tre vite jetë).  Pra çereku i fundit të shekullit XIX-të  qe ai kur zgjimi kombëtar edhe lëvizja patriotike e ndjenin veten të materializuar me ABC-në e Gjuhës Shqipe.

Mirëpo jo më shumë por vetëm tri ditë mbas themelimit të Lidhjes Prizrenit, filloi punimet Kongresi i Berlinit i Fuqive të Mëdha, (13 qershor 1878), i drejtuar nga Otto Von Bismark.  Pa hyrë në hollësira historike por vetëm që të dihet se të gjitha Fuqitë e Mëdha nuk pajtoheshin me Traktatin e Shën Stefanit jo se donin të mbronin interesat e popullsive autoktone shqiptare trojet e të cilave u jepeshin kryesisht Bullgarisë, (m’e dashura e Rusisë), e pastaj me radhë Serbisë edhe Malit të Zi, (ku edhe Greqija donte t’a kishte pjesën e saj me trojet Epirote), por për interesat e vetë atyre fuqive të Mëdha, e çvlerësuan traktatin e Shën Stefanit.  

Në ato kushte Lidhja e Prizrenit dërgon një delegacion në Berlin të kryesuar nga Abdyl Frashëri.  Ky i fundit pritet edhe nga vetë Otto Von Bismark-u por esenca e takimit ishte pohimi pa mëdyshje i tij se “... nuk ekziston komb shqiptar ... ata as gjuhë të shkruar nuk kanë ...”.  

Tek ky pohim duhet gjetur edhe pika kyçe themelore e cila përpjekjet e Atdhetarëve Intelektualë Shqiptarë për të unifikuar ABC-në e Gjuhës Shqipe e kuptuan se ishte e barazrëndësishme me luftën që bënin çetat e armatosura nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit !  Parë tashti nga ky këndvështrim, duhet kuptuar se ç’rëndësi themelore atdhetare dhe shtetformuese pati nisma për të thirrur Kongresin e Manastirit. 

Mbërritur tashti në këtë pikë të analizës, kam shpresë se lexuesit do të ma falin zgjatjen që i bëra hyrjes si edhe trajtimeve historike të ngjarjeve ballkanike dhe më gjerë sepse, pa këtë trajtim nuk do të isha në gjëndje t’a vija në dukje pikërisht madhështín’e përpjekjeve të Atdhetarëve Shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XIX-të për t’a shkruar Gjuhën Shqipe me një ABC të vetme !  Tashmë ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi.   Patriotët nxituan të krijonin themelet e ndërgjegjes kombëtare duke propaganduar se shkrimi i Gjuhës Shqipe me një ABC të njësuar do të bënte që ky alfabet të ishte hallka lidhëse e zinxhirit të mbarë shqiptarëve pa dallim feje e as krahine.   Si pasojë e rritjes së ndërgjegjes kombëtare edhe në drejtimin e krijimit të alfabeteve shqipe pati një vrull të madh.  Në Stamboll, me nismën e vëllezërve intelektualë Frashëri, u krijua një Shoqëri e Botimeve Shqipe e cila në dokumenta arkivale (hulumtuar nga Prof. Stavro Skëndi) gjëndet e emërtuar me tre emra :  “Shoqëria Drita”, “Shoqëria për zhvillimin e Gjuhës Shqipe” si edhe “Shoqëria për të Shtypur Shkronja Shqipe”.   Kjo shoqëri përdorte ABC-në Latine me disa shkronja greke për tingujt e veçantë.   Kjo ABC emërtohej “ABC-ja e Stambollit” ose “ABC-ja e Vëllezërve Frashëri”.   Kjo ABC pati rëndësin’e madhe se, falë propagandës kombëtare gërshetuar kjo edhe me veprimet luftarake të forcave të Lidhjes Prizrenit, u përhap në Jugë e duke kaluar nëpër Durrës u shtri edhe në Dibër e Kosovë.  Pra kjo ABC, deri në vitet e para të shekullit XX-të përdorej si nga pjes’e popullatës Muslimane e gjithashtu edhe nga ajo Orthodhokse e Jugut.

Në vitin e fundit të shekullit të XIX-të, Abati i Mirditës Imzot Prenk Doçi, i mbështetur fuqimisht edhe nga Kleri Katolik Shqiptar, themeloi një shoqëri letrare me emrin “Shoqëria Bashkimi”.  Në ato rrethana Abati Doçi krijoi një ABC të tijën me bazë shkronjat latine e për tinguj të veçantë përdori shkronja të alfabetit grek, (por ndryshe nga ABC-ja e Stambollit.  Me gjithë përpjekjet e Abatit Doçi kjo ABC nuk u shtri jashtë krahinës Shkodrës, (shkollat e së cilës e përdornin në tekstet e tyre).  Më 1902 Dom Ndré Mjeda gjuhëtar edhe poet, themeloi shoqërinë letrare “Agimi” me ABC-në e saj hartuar nga ai vetë.  ABC-ja e tij përbëhej nga shkronja latine kurse për tingujt e veçantë ai krijoi shënja dalluese si shtesë gërmave latine.  Mendimi patriotik erdhi deri në një farë njësimi mendimesh të pashkruara ku pranohej të gjëndej një rrug’e mesme mes ithtarëve të ABC-së Frashërllinjëve dhe asaj të Mjedës që pranonin të bëhej një ABC kompromisi.   Ndërsa Abati Doçi ishte kategorik dhe nuk pranonte lëshime. 

Në këto kushte e rrethana, në vitin 1908 në Turqi e marrin fuqinë në dorë të emërtuarit “Turqit e Rinj”.  Bashkë me këtë ngjarje dhe trándje të Turqisë prej shekujsh otomane, morën zemër akoma më shumë shqiptarët që e kishin të qartë se mospasja e një ABC-je të njësuar kombëtare ndikonte shumë negativisht në drejtim të ndërgjegjësimit lidhur edhe me vetëdijen kombëtare.  Asokohe në Selanik Mit-hat Frashëri, (i biri i Abdylit, themeluesit e drejtuesit kryesor të Lidhjes Prizrenit, si edhe nip i vëllezërve Naim edhe Sami Frashërit), botonte një gazetë me emrin “Lirija”.   Nëpërmjet kësaj gazete Mit-hat Frashëri publikoi një “Thirrje” për t’u mbledhur pa vonesë një kongres i cili t’a zgjidhte detyrën urgjente të unifikimit të ABC-së së Gjuhës Shqipe !   Fillë mbas botimit të “Thirrjes” Mit-hat Frashëri i mbështetur nga të gjithë anëtarët e “Klubit Shqiptar Bashkimi” të Manastirit, e filloi punën organizuese dhe arriti që më 14 Nëntor 1908 të mblidhej e të fillonte punimet Kongresi i Manastirit punimet e të cilit i drejtonte vetë nismëtari si edhe organizatori i tij, Mit-hat Frashëri !  

Unë i kam vënë detyrë vetes të trajtoj problemet e situatës pararendëse të Kongresit si edhe t’a përqëndroj vëmëndjen e lexuesve rreth zhvillimeve ndërkombëtare q’e ndikuan mbajtjen e Kongresit, kjo për të hedhur dritë se sa rëndësi kishte ai Kongres, pa u ndalur rreth të gjithë momenteve tashmë të njohur rreth zhvillimeve të Kongresit, paraqitur dhe stërparaqitur sa herë përkujtohet ky i fundit, dua të ndalem rreth disa të veçantave të tij.  Historikisht të shkruarët e shqipes ishte bërë si në Veri edhe në Jugë nga klerikë që kishin përkthyer materiale kishtare.  Mesi i shekullit XVIII-të përkon me nuhatjen patriotike se pa zyrtarizimin e gjuhës së shkruar nuk mund të kishte lëvizje kombëtare.  Më 1844 Naum Veqilharxhi krijon një ABC të tijën prej 33 germash dhe boton të parën abetare në Gjuhën Shqipe të cilën e quajti Evetar.  Me këtë Evetar mund të themi se e ka pikënisjen në Jugë gërshetimi i ndjenjës atdhetare me ABC-në e shkruar !   Dhe logjikën e kësaj të vërtete e kuptuan mirë ata që më shumë e ndjenin veten të huaj në vëndbanimin e tyre :  Intelektualët Arbëreshë !  Kjo edhe arësyeja që i shtyu ata të organizonin dy kongrese gjuhësore, njerin në vitin 1895 në Corigliano Calabro të organizuar dhe drejtuar nga De Rada kurse tjetrin më 1897.  Në Shqipërin’e Mesme dhe të Jugut kemi atdhetarët shqiptarë duke filluar që nga Petro Nini Luarasi që fshat më fshat propagandonte Gjuhën Shqipe, ose At Stathi Melanin gjithashtu.  Pra kjo lëvizje në të gjithë krahinat që mbas 1912 u quajtën Shqipëri, por e shtrirë që nga krahinat e Malit të Zi edhe Kosovës e nëpërmjet Dibrës deri në Manastir – Kostur edhe Janinë  për t’a njësuar alfabetin e Gjuhës Shqipe duke e ndjerë si nevojë kombëtare, pati edhe kundërshtime madhore.  P.sh.më 20 shtator të vitit 1892 Peshkopi i Kosturit i mallkoi shkronjat shqipe !  E zumë në gojë se situata ishte sa e turbulltë edhe e ngatërruar lidhur me ABC-në e Shqipes së Shkruar ku me vështirësi të madhe dallohej se cilët e kishin mendimin e njësuar rreth faktit se pa alfabet të Gjuhës Shqipe nuk mund të kërkohej njohje territoriale për shqiptarët si komb, në një kohë që të shkolluar të ndryshëm kishin filluar dhe e kishin si “hobby” hartimin e një alfabeti shqip.  Aq erdh e u bë e diskutueshme, sa që një nga personalitetet më me emër si intelektual, poet edhe patriot, Patër Gjergj Fishta, qe shprehur në një poezi të tijën tek vëllimi i tij “Anzat e Parnasit” si vijon :

 

                     Për çdo kaçubë na bijnë nga nji letrar,

                        Qi, ethun trûsh me prralla e me gazeta,

                        Përfton mâ n’fund e pjell nji Abecedár.

                        Pjellë mushku po.  Por prap Shqipnija e shkreta

                        Prej sish do t’ndahet n’njaq kortarë e copa

                        Sá shkolla janë prej A e deri n’Zeta ...

 

Mirëpo Patër Gjergji në krye të gjërave ishte atdhetar’i skajshëm.  Satira e tij ishte satirë edukuese.  Prandaj ai, në Kongres, duke e njohur mirë gjëndjen e duke e patur pikësynim rëndësin’e skajëshme që kishte përzgjedhja edhe caktimi i një alfabeti mbarëshqiptar, mbajti një fjalim i cili me plot kuptimin e fjalës mund të quhet Fjalim Monumental.  Fryma e tij ishte bashkuese, vëllazëruese.   Që në fillim ai u shpreh shumë mirëdashës ndaj ABC-së së Bashkimit.  Në vazhdim skaliti në mënyrë patriotike rëndësin’e vendosjes një alfabeti të njësuar dhe e mbylli fjalën e tij duke thënë :

“Un nuk kam ardhë këtu për me përkrahë ndonjênën prej abeceve, por kam ardhë të bashkohem me ju edhe t’a pranojmë at ABC qi Kongresi ka me vendosë si mâ të dobishmen për përparimin e popullit!”

Në vazhdim Kongresi zgjodhi Komisionin e ABC-së prej 11 anëtarësh.  Në Komision u synua të përzgjidheshin si anëtarë njerëz nga më intelektualët pjesëmarrës të Kongresit.   Dhe siç shihet edhe nga fotografia, kryetar  i komisionit u zgjodh Patër Gjergj Fishta që në krahët e tij kishte Mit-hat Frashërin dhe Luigj Gurakuqin.   Mbas shoshitjeve  mes diskutimesh të zjarrta, komisioni doli para Kongresit me propozimin që mes morísë alfabeteve që qarkullonin, Gjuha Shqipe të shkruhej me njerin prej dy alfabeteve të ngjashëm :  

-          Me alfabetin e Stambollit që e përkrahën muslimanët toskë M.Frashëri, Shahin Kolonja, (botuesi i Gazetës Drita të Sofjes), Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni si edhe prifti katolik Dom Ndrê Mjeda, (ky thjeshtë se ishte kundra alfabetit latin të Abatit Doçi).

-          Me alfabetin e ri latin ku tingujt e veçantë të shqipes të shkruheshin me dy germa (digrafí), ABC e cila u përkrah nga gjashtë anëtarët e tjerë të komisionit.

Kongresit vendimi i komisionit i u paraqit nga Mit-hat Frashëri.  Patër Gjergji dha shpjegimet teknike të cilat i përmblodhi duke vënë në dukje se për Gjuhën Shqipe mjaftonte edhe ABC-ja e Stambollit por për botime e shtypje librash si edhe letërkëmbime zyrtare telegrafike duhej patjetër një alfabet latin.

Kësisoji mbas tetë ditësh diskutimesh më në fund Gjuha Shqipe u ligjërua të shkruhej me ABC-në e saj latine të përbërë nga 27 shkronja si edhe 9 dyshkronjorë.  

Përfundimi me sukses i punimeve të Kongresit të Manastirit mund të quhet me plot gojën se qe edhe guri themeltár që hapte rrugën drejtë krijimit të Shtetit Shqiptar !

Me këtë ligjërim që Kongresi i Manastirit i bëri Gjuhës Shqipe nuk rrij dot pa i vënë në dukje auditorit ndjenjat e dy prej pjesëmarrësve nga më autoritarët e atij Kongresi.  Ja si e shprehnin dashurín’e tyre për Gjuhën Shqipe respektivisht :

 

Patër Gjergj Fishta :

 

Porsi kânga e zogut t’verës, / Qi vallzon n’blerim të prillit;

      Porsi i âmbli fllad i erës, / Q’i lmon gjít’e drandofillit;

 Porsi vala e bregut t’detit, / Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,

  Porsi ushtima e njaj tërmetit, / Njashtu â’Gjûha e jonë Shqyptare.

 

Ndërsa Dom Ndré Mjedas shprehej :

 

                                         Ndër kombe tjera, ndër dhena tjera

                                           ku e shkoj jetën tash sa mot,

                                           veç per ty rreh zêmra e mjera

                                           e prej mallit derdhi lot.   

                                           Nji kto gjûhë, qi jam tue ndie

                                            janë të bukra me temel;

                                           por prep këjo, si diell pa hije,

                                           për mue t’tânave ju del.

 

Konsiderata përmbyllëse :   Me këtë rast tashti e ndjej për detyrë atdhetare t’ia rikujtoj lexuesit tezën  komuniste enveriane sipas së cilës fund nëntori i vitit 1944 duhej konsideruar si viti “0” në çdo drejtim.  Në vazhdim dua edhe t’u rikujtoj se falë fanatizmit partiak të zbatuar në shkencat gjuhësore dhe historike nga shkencëtarët e Instituteve përkatëse dhe Akademia e Shkencave, se si në gjuhësí edhe në histori u punua  me këmbëngulje të pafalëshme të krijohej përshtypja se para vitit zero nuk kishim as gjuhësí pa le që letërsia e  shkruar u cungua më keq nga ç’e cungoi Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 vetë Gjuhën Shqipe. Kjo mendësí krijoi në vazhdim edhe mjegullimin e Kongresit të Manastirit i cili  na paskish qenë vetëm një tubim sa për të caktuar një alfabet (gjë fare ordinere) i cili tubim, bëni hesap, nuk paskish patur as organizator e as kryetar të tij.  Prandaj tashti dua të rikujtoj, siç e trajtuam në hyrje, problemin se Fuqit’e Mëdha as i kishin në hesap interesat e Kombit Shqiptar.   Gjithsecila syresh ish e prirur të plotësoheshin interesat e saja.  Pikërisht nisur nga qëndrimet e tyre, e si pasojë edhe mbas qëndrimeve të Kongresit Berlinit skajshmërisht kundra interesave të popullatave shqiptare të shpërndara nëpër Ballkan, vendimi i Kongresit Manastirit parë nga rëndësia e këndvështrimit Një Komb një Gjuhë, na shpije pa as më të voglën mëdyshje në përfundimin se ky Kongres ishte parapërgatitja e Shpalljes së Pavarësisë dhe se Historia e Popullit Shqiptar mund të njësohet me historinë e ABC-së Shqipe !  



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora