E premte, 29.03.2024, 11:10 AM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Kujdes nga provokimet e Serbisë!

E enjte, 01.10.2020, 08:00 PM


Kujdes nga provokimet e Serbisë!

Nga Enver Bytyçi

Kosova është në vështirësi të shumëfishta. Nga njëra anë janë pandemia, vështirësitë ekonomike, papunësia, varfëria dhe trashëgimia e qeverisjes nepotike dhe jo demokratike. Nga ana tjetër është Serbia, e cila është bërë "lëkurë ujku", si në kohët e Milosheviçit për shtetin më të ri në Europë. Bota e civilizuar perendimore nuk e ka luksin dhe vëmendjen te ajo. Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, në një periudhë të tillë të vështirë, vendi po përballet edhe me vendimet e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale për të vënë nën akuzë disa eksponentë te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për "krime lufte"!

Pikërisht këtë moment po e shfrytëzon Beogradi, me qëllim destabilizimin e Kosovës dhe më pas nisjen e aksionit politik dhe diplomatik për zhbërjen e shtetësisë së saj, d.m.th ndarjen, me pretendimin se "Kosova është e paaftë të mbijetojë si shtet". Jam pak dyshues se lidershipi i Hashim Thaçit në këto 13 vitet e fundit ka synuar pikërisht këtë finish, krijimin e një klime politike ndërkombëtare, ku të shprehet pesimizmi për ekzistencën e shtetit të Kosovës! Zot na ruaj nga mëkati, por mendja është gjë e madhe! Ku nuk të shkon ajo, kur sheh se si e dështoi shtetësinë ky njeri në këtë periudhë të qeverisjes së tij!

Por le të kthehemi te provokimet serbe. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka lëshuar të mërkurën që shkoi një provokim të rëndë për Kosovën. Ai u deklarua nga Beogradi se  “Hashim Thaçi, shumë shpejt mund të arrestohet”. Ndërsa analistë dhe opinionistë të Kosovës ranë menjëherë pre e këtij provokimi dhe shpallën qëndrimin e tyre të ashpër kundër Serbisë dhe në “mbrojtje të Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës”!

Qëndrimet radikale në Kosovë të medies dhe politikës, si dhe të organizatës së Veteranëve të Luftës, si dhe destabilizimi i saj janë qëllimi kryesor i Serbisë dhe qeverisë së saj. Për këtë qëllim ata do të përdorin gjithçka kanë në dorë. Do të nxitin konfliktin në të gjitha format dhe me të gjitha mjetet. Të gjitha institucionet dhe instrumentet serbe janë pa gjumë e 24 orë në punë, duke projektuar inskenime, provokime, sherre, konflikte, për të shkaktuar trazira në Kosovë.

Deklarata e fundit e Daçiç synon që shqiptarët ta besojnë se Serbia është ajo që “ngriti Gjykatën Speciale” dhe furtunën e arrestimeve. Se është qeveria e Serbisë ajo që “shërbeu këtë gjykatë me prova, fakte dhe dokumente për arreszimin e disa ish-luftëtarëve të UÇK-së” dhe se gjithçka që po ndodh me arrestimet në Kosovë “drejtohet kundër luftës së saj dhe kundër UÇK-së”. Këtë luftë speciale të konspiracioneve serbe e nxisin gjithashtu vetë disa shqiptarë, kryesisht të medieve, të cilët e shërbejnë falas me naivitet ose kundrejt pagesave të majme në Kosovë.

Ndërsa politikanë të caktuar gjithashtu vrapojnë të bëjnë “patriotin” e madh, duke nxit njerëzit për dhunë “në mbrojtje të vlerave të UÇK-së”. Të tillë politikanë ose eksponentë të jetës publike, përfshirë dhe avokatin Tomë Gashi, shajnë dhe fyejnë Gjykatën Speciale si institucion, pa përmendur emra, fakte e argimente kundër saj. Në retorikën e tyre venë shenjën e barazimit midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së drejtë të saj për t’u çliruar nga Serbia me presidentin Hashim Thaçi e të arrestuarit me akuza për vrasje. Shpesh herë e bëjnë këtë për populizëm, por nuk përjashtohen edhe rastet e porositura.

Përkundër këtyre politikanëve dhe njerëzve publikë, fatmirësisht kishim këto ditë dhe qëndrime të matura dhe fisnike. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj u shfaq kritik me veteranët e Luftës, kur tha se “Çfarë po bëjnë veteranët është tepër e rrezikshme, i dëmton të akuzuarit eventualë dhe e nxjerr Kosovën si vend që saboton drejtësinë”. Gjithashtu Abdullah Hoti, Vjosa Osmani dhe disa të tjera figura kanë qëndruar në heshtje, besoj me qëllimin e mirë për të evituar konfliktet dhe trazirat në vend.

Ajo që po ndodh në Kosovë është unike në historinë e saj. Kosova duhet të lejojë që të akuzuarit për krime lufte të përballen me drejtësinë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të hidhen poshtë akuzat monstruoze të Serbisë dhe njerëzve që ajo ka paguar, si Dick Marty. Vetëm duke u përballur me drejtësinë mund të sqarohen vrasjet që janë bërë kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike. Nëse provohet autorësia e disa prej këtyre vrasjeve dhe kjo lidhet me të arrestuarit në fjalë, nuk do të thotë se përgjegjësia është e duhet të jetë  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duhet të ndahet UÇK dhe akti kriminal i disa njerëzve të saj. UÇK nuk ka bërë krime lufte dhe këtë nuk do të mundë asnjë gjykatë në botë ta provojë!



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora