E enjte, 28.03.2024, 10:55 AM (GMT)

Kulturë

Vilhelme Vrana Haxhiraj: Disidenti Edip Tërshana - “Nder i Kombit”

E enjte, 01.10.2020, 07:27 PM


Presidenti i Republikës vlerëson me dekoratën “Nder i Kombit” Disidentin Edip Tërshana

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Mirënjohje: “S’është kombiqë nderon njerëzit e shquar, por janë ATA që ia rrisin vlerat dhe nderojnë KOMBIN!”

Një vlerësim i merituar, atdhetarit, mësuesit dhe luftëtarit për liri, birit të Dibrës,  Edip Tërshana  pas vdekjes.

Presidenti i Republikës vlerëson me dekoratën “Nder i Kombit” Disidentin Edip Tërshana  m motivacionin:

“ Për cilësitë e rralla atdhetare dhe intelektuale, për kontributin në arsimin kombëtar, si dhe kurajën qytetare kundër çdo lloj padrejtësie dhe regjimi diktatorial. Për pjesëmarrjen aktive në Luftën çlirimtare kundër okupatorit  dhe vendosmërinë deri në flijimin e jetës në mbrojtje të kauzës për Shqipërinë e lirë dhe demokratike.”

Kushdo mund të bëjë pyetjen:Përse i takon kjo medalje e lartë “Nder i Kombit”

Edip Tërshana quhet me plot gojën “DISIDENT”, i cili në nëntorin e 2020 mbush 73 vjet që ia rrëmbyen jetën e tij të re! Për ta faktuar këtë, mjafton të risjell letrën e tij dërguar diktatorit Hoxha!

Letra e Edip Tërshanës dërguar Enver Hoxhës më 1947 nga qelia, ku priste ekzekutimin

Fragment nga libri im “Tradhtia e madhe Ndaj Kombit”, Nacional, Tiranë, 2018,f 164-167

Kjo letër u botua për herë të parë në Albumin “Terrori Komunist në Shqipëri”. Në një intervistë të tij në media, studjuesi dhe bashkautori i Albumit, Enver Kushi thotë: “ Duke parë rrugën që mori pushteti pas Luftës Antifashiste, ai i dërgoi një letër Enver Hoxhës. Është një letër shumë kurajoze, që vetëm një burrë si ai mund të merrte kurajën t’i drejtohej Enver Hoxhës me‘Ti’ dhe t’i thoshte se ishte kundër pushtetit dhe se ai ishte tradhtar. Tërshana u dënua me pushkatim, por vrau veten në qeli pak minuta pasi shkroi këtë letër. Origjinali ishte shkruar me laps në një copë gazete dhe na u desh ta deshifronim për ta bërë të lexueshme.

Më poshtë letra e plotë:

“Enver!

Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është një tradhti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtme e juaj sllave, ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.

Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” slave, kjo është tradhti.      Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkohë, që ne kishim për 20 vjet rresht-mbathje, kjo është pra tradhtia.

Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue e grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.

Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti.

Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhti këto?

Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë.

Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët. Kjo bësoj është tradhti.

Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?

Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy:Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.

Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerë të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi.

Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?

Enver!

Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhti e pushtetit popullor.

Ky Pushtet futi përçarjen toskë e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhti?

Rroftë Ideali Kombëtar!

Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ia falët Jugosllavisë!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur!

Nga i dënuari me pushkatim Edip Tërshana-22.11.1947

Duke marrë shkas nga letra kurajoze e martirit Edip Tërshana, po i drejtohem lexuesit në mbyllje të këtij punimi. Pasi lexova e botova këtë letër nga dora e një shqiptari të vërtetë, flas me sinqeritet se jam shumë e vonuar për ta quajtur sot tradhti kombëtare politikën e diktaturës. Kjo e vërtetë e madhe është thënë kur unë isha vetëm 2 vjeçe nga Edip Tërshana, i cili vlen të quhet “DISIDENT”

Të nderuar lexues dhe miq!

Për sa kohë do të durojë shqiptari përbuzjen, pabarazinë, mosvlerësimin nga atdheu? Ju politikanë dhe shqiptarë që u ka buzëqeshur fati, kurrë mos harroni se:

“ Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve.

*Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë.

*Pësimi për këdo, për politikën apo individët, duhet të shërbejë si mësim.

* A do të rishikohen dhe ndëshkohen ndonjëherë fajtorët për krimet makabre që u janë bërë shqiptarëve?

*Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije shkencore për ku do të japësh vlera.

*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë shtet i së drejtës ligjore që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë identitetin kombëtar?

*Po nuk u shkul gozhda e Nastradinit nga trualli ynë, ne do të vuajmë pafundësisht!”Vivra-“Pa koment-2016, fq-145”

Ju politikanë të djeshmes, të tashmes dhe të nesërmes, që u ka buzëqeshur apo do t’ju ndris fati, kurrë mos harroni një gjë: atdheu është i të gjithëve! Ndaj shikojini të gjithë me syrin e nënës dhe jo të njerkës! Hiqni dorë nga partishmëria e sëmurë, nga verbimi i militantizmit se, është ves i mesjetës së errët, që pengon dritën e vërtetë. Jo të gjithë ata që japin votën për interesa të ngushta vetjake, janë të aftë apo japin vlera kombëtare. Papunësia është armiku më i madh i jetës, që e hedh njeriun në krahët e dëshpërimit dhe të mosbesimit! Politikat partiake apo shtetërore duhet të jenë të tilla që çdo qytetar të frymojë lirisht, të ushtrojë profesionin, të gëzojë të drejtat dhe liritë që ia jep Karta e të Drejtave të Njeriut. Mos lejoni të përsëriten tragjeditë e diktaturës, se po mbushen burgjet me të pafajshëm, kurse kriminelët e vërtetë, peshkaqenët e korrupsionit, trafikantët e drogës, të armëve dhe të mafies, e blejnë lirinë me para. E kjo nuk është demokraci. Para ligjit të gjithë shtetasit duhet të jenë të barabartë. Për fat të keq ata që nuk kanë para edhe për gabime ordinere ose të paqena, i fajësojnë dhe përfundojnë nëpër burgje, sepse ata gjyqtarë që dënuan baballarët, sot trashëgimtarët e tyre po dënojnë fëmijët dhe nipat e të persekutuarve.  Botës mos i tregoni se po bëni Reformë në drejtësi duke futur nëpër burgje cironkat.

Reforma në drejtësi duhet të nisë nga kokat e korrupsionit, me shpronësimin epronave të tyre, hetimin e burimeve të pasurisë dhe shkarkimin nga detyra të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve milionerë. Pastaj bëni emërime të reja. Atëherë do të funksionojë vettingu dhe do të gjejë zbatim reforma në Drejtësi.

Kur Demokracia ndërtohet me parametrat e vendeve të zhvilluara, çdo individ shikon tek e nesërmja dritën e shpresës. E këtë dritë që ua jep Zoti dhe e drejta e të qenit qytetar të Republikës së Shqipërisë, mos ua venitni, mos ua zbehni! I lini që kjo dritë shpresëdhënëse t’u ndriçojë rrugën e gjatë të jetës! Mos i lejoni tragjeditë që të përsëriten! Kjo varet nga niveli i ndërgjegjjes kombëtare, e cila është në vartësi të kulturës mbarëkombëtare dhe të përqindjes së lirive që gëzon shqiptari!

Kjo është e vërteta e hidhur e politikës shqiptare  të kohës?!

Botoi Vivra: Nacional, Fjala e Lirë, Voal, Dielli, Zemra Shqiptare, Dituria etj... 26 -2 -2017

***

Kjo është e vërteta e hidhur e politikës shqiptare ?!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora