E merkure, 24.04.2024, 05:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Vath Koreshi - Ulku dhe Uilli

E merkure, 30.09.2020, 08:18 PM


Këndveshtrime për romanin “Ulku dhe Uilli” të shkrimtarit Vath Koreshi

Sprovë

Nga Prof. dr. Resmi Osmani

Shkrimtari Vath Kotreshi (1937-2006), nga kritket dhe studjuesit e tij është  vleresuar si nje nga autoret më të shquar në brezin e dytë të viteve 60-të, që erdhën pas Agollit e Kadaresë. Tregimtar, novelist, romancier, skenarist, drejtues institucionesh, ministër e deputet, ai la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe por edhe si veprimtar shoqëror.

Pas viteve 90-të, i çliruar nga dogmat doktrinare të metodës së realizmit socialist, ndryshe nga disa të tjerë që s’u përshtatën dot dhe heshtën e u tërhoqën, ai vijoi krijimtarinë, por tashmë me atë liri që i lejon krijuesit të shpalosë artin dhe filozofinë e bindjeve të tij për jetën në tërë kompleksitetin e saj.

Koreshi, ne romanet por edhe ne novelat e mirënjohura : Haxhiu i Frakullës, Dasma e Sakos, Konomeja etj. ka patur prirje që të veshë me filozofinë e vet zhbirimet e psiqikës njerëzore, raportet e ndërlikuara të personazheve, me botën, natyrën, mjedisin dhe njeri-tjetrin. Ata, në ndjekje të realizimit të prirjëve të tyre, kalojnë në peripeci të shumllojta, vuajnë tmerrësisht dhe dramatikisht, kthjellohen, shpresojnë e ndërgjegjesohen në kërkim të dashurisë, lumturisë  identitetit dhe dinjitetit, që janë vlera universal mbarënjerzore. Të përfshirë në vorbullën e  impulseve të brendshme, në raport me dukuri shpesh tejnjerëzore, thuajse divine, rrokullisen tatëpjetënë greminat e errëta shpirtërore, apo ngjiten drejt dritës dhe amshimit, të mundur por jo të thyer.

Romani “Ulku dhe uilli”-Ujku dhe Ylli, u publikua më 1996, nga Onufri,  dhe u ribotua në vitin 2000 nga “Gjon Buzuku, Prishtinë. Është mbase  nje nga krijimet më të mira të shkrimtarit. Edhe pse me 130 faqe, ai është një lëndë e ngjeshur, ku çdo fjalë e fjali ka peshën kuptimore dhe bukurinë stilistike si në tingëllimin poetik, ku çdo fjalë ka kuptim dhe mendim që, e bën leximin detyrimisht të vemendshëm.

Romani sjell,nga mugëtira mesjetare arbërore, në vitet e para të pushtimit turk dramën shpirtërore të njeriut arbëror, temën universale të së mirës dhe të keqes, ose siç thuhet:edhe ëngjëlli edhe djalli, janë brenda te i gjalli, në kontekstin religjoz e filozofik. Në trajtimin e kësaj teme, romani sjell një sërë risish, që e bejnë atë të veçantë, postmodern dhe të pangjashëm me krijime të tjera romanore të atyre viteve  që u publikua. Vetë titulli “Ulku dhe uilli”, si emra të shqipes arkaike, është metafora e njeriut të Arbërisë Mesjetare. Ujku: egërsia, shtazëria, e keqja,djallëzorja, barbarja, e skëterrshmja e parë në kuptim universal, brenda njeriut si individ, jetës shoqërore dhe rrethanave e zhvillimeve historike. Ylli; e kundërta e së keqes: e mira, njerëzorja, e ndritshmja, hyjnorja, prirja për rilindje shpirtërore.

Një luftë e pandërprerë midis antipodeve të jetës , të mirës dhe të keqes, si dy të kundërta që janë pjesë e qënies njerëzore që në zanafillë të lindjes se tij , si instikte, pjesë e unit që shfaqen me kundërvënie  sipas rrethanave, herë triumfon njera e herë tjetra, duke shkaktuar drama të thella shpirtërore.

Ulku dhe Uilli, është  roman ekzistencial, për një komunitet, në malësitë e veriut, në gjashtë fshatra të vendosura në tri pllaja malesh, të rrethuar nga Bojrogu(turku) dhe të izoluar nga qendrat e besimit, në zgrip të rrokullisjes dhe tjetërsimit identitar,tharmëtimit të traditës, besimit në zot, dokeve e zakoneve të mira, por që simbolikisht përfaqëson Arbërorët në rrezik tjetërsimi dhe asimilimi nga pushtuesi turk. Edhe pse autori nuk e shfaq që në fillim lidhjen shkak-pasojë, vetë zhvillimi i ngjarjeve dhe sjellja e personazheve e ka zanafillën në rrethimin e gjatë nga Bojrogu (turku) dhe shkëputja e krahinës nga qendra e besimit,(shkaku) që çon në dobësimin e doktrinës së krishterë dhe moralit kristian,(pasoja). Kishat digjen apo rrënohen dhe në vend të tyre lartësohen hovshëm drejt qiellit minaret e xhamive. Shthurja morale,fryma dhe egërsia e ulkut, moleps edhe klerikun, monshinjur Bdekun që jepet pas fëlligështisë, me gratë moral prishura e që më pas shkon e vihet në shërbim të Bojrogut pushtues (turkut).Këto vese tundojnë edhe të virtytshmin,famullitarin tjetër, vëllanë binjak të Bdekut, monshinjur Agushtinin. Ai kupton se kanë dalë nga rruga e Zotit, njerëzit kanë filluar të mos shkojnë në kishë, dhe ai e konsideron këtë mallkim dhe tmerr! Kur vesi rrezikon të fitojë mbi virtytin, ai e lë famullinë dhe mbyllet në manastir që të pastrojë shpirtin nga tundimet. Zvetënimi moral, që ze një pjesë të mirë të romanit, dhe që ka pasoja tragjike, moleps edhe të tjerë, si persona tipikë janë  dhënë Vrana,Luçia dhe Dominika.

Ajo që dua të ve në dukje në këtë këndvështrim, janë risitë  që romancieri Vath Koreshi, sjell në këtë vepër, të cilat janë vrejtur kalimthi ose nuk janë trajtuar nga studjuesit dhe kritikët e romanit.

1.Ajo që bie në sy më së pari është gjuha. Gegërishtja mesjetare, (jo si ajo e Buzukut), por me fjalë e frazeologji të dialektit të vjetër geg, në përputhje me kohën dhe krahinën ku zhvillohen ngjarjet.E ka përdorur e shkruar mjeshtërisht, në shumë kapituj, ndërsa ne kapituj të tjerë sipas rastit, gjuha standard normative ose të kombinuara me paragrafë të veçantë. Të dy këto qëndrojnë bri njera-tjetrës si dy gjymtyrë të të njëjtit trup gjuhësor, në harmoni dhe si plotësuese të njëra-tjetrës, si dy krahë që i japin fluturim shqiponjës së gjuhës shqipe. Kësisoj lexuesi sheh të materializuar si një risi, nismën per të shkruar shqipen ndërdialektore të bukur dhe elegante, të aftë të shprehë shumësinë dhe thellësinë e mendimit dhe filozofisë autoriale. Në roman gjen me mbushullim, fjalë të veçanta, apo fjalformime të qëlluara,si:rrezikzi, ngucakeqe, bardhkaltërem, gazdritë, qerthullane, gjapagja, buzag, të përqiellta, të përtokta, epaburrë, humbaq, ngjesharan ,fjalpathëni, keqoti, humbaq,zapazani, etj. por duhet vënë në dukje se i dhënë pas kësaj prirjeje, shpesh e në shumë raste, autori përdor fjalë të rralla që lexuesi nuk i gjen në fjalorin e shqipes dhe e ve në vështirësi, detyrohet ta imagjinojë kuptimin e tyre, dhe këto s’janë të pakta.

2. Në aspektin kompozicional, në arkitekturën e ngrehinës së romanit. Romani, megjithse 130 faqe, është i ndarë në gjashtë libra. Është një ndarje funksionale,në dukje fragmentare, por që s’është e tillë. Ato qëndrojnë si plotëni në strukturë, janë tërësisht funksionale për të shprehur pikpamjet dhe filozofinë e autorit, për ngjarjen që trajton dhe idetë që do t’i trasmetojë lexuesit:që sipas studjueses Floresha Dado,mund të përmblidhen:

- Libri i pare; konflikti midis moralit fetar dhe mëkatit njerëzor, është problem i fesë apo qënies njerëzore?

-Libri i dytë;dëshirat që ziejnë brenda njeriut, e që duan të dalin mbi të, mbeten forcë potenciale edhe pse shpesh të heshtura;

-Libri i tretë, vuajtjet shpirtërore të njeriut të braktisur, kërkimi I identitetit, që çon në komplekse të cilat mund të bëhen shpërthyese.

-Libri i katërt, kufiri midis imoralitetit që mund të quhet normalitet, dhe vyrtytit,

-Libri i pestë, fataliteti në jetën e njeriut, të cilin ai nuk e kundërshton dhe ndjehet si qënie e pafuqishme ,tragjike;

-Libri i gjashtë, filozofia e  rilindjes shpirtërore, e ngjitjes së vështirë, por e nevojshme për vazhdimin e jetës.

Gjetje jo e zakonshme është ndarja e kapitujve. Të gjashtë librat ngërthejnë 81 kapituj! Madhësia e kapitujve varion nga ai me një fjali, i pari i lbrit të katërt dhe të tjerë me gjysmë faqe apo disa faqe, në varësi të asaj qe rrëfehet në ‘ta. Shkurtësia e kapitujve ka imponuar shkrimin e prozës së ngjeshur, sintetike, pa asnjë fjalë të tepërt që, me pak fjalë, por të gjetura e të qëmtuara me kujdes, flet shumë. Ky copëzim i prozës në kaq shumë kapituj,përveç përfshirjes së shumësisë së episodeve, besoj se është shprehi e fituar nga përvoja e tij si skenarist, ku ngjarjet, imazhet, shfaqen dhe largohen shpejt sin në një film, duke i dhënë lëvizje dhe dinamikë të brendshme rrëfimit .

3. Rrëfimi në tre teknika. Rrëfimin e nis në vetë të parë Lazër Pali nga famullia e Mërturit me fjalinë”Këtë që kam nis me shkrue, o ju që ju bekoftë Zoti, ma ka thanë një nga Apripa e Epërme, një vendas nga ajo krahinë matanë malit të Karmeljas….” Në librat dhe kapitujt vijues, ngjarjet rrëfehen në vetë të parë, të dytë e të tretë. Dialogët janë të pakët, vetrrëfimi nga personazhet më së shumti i përngjason monologut të brendshëm, të menduar,  ndijimeve shqisore dhe amullisë shpirtërore të krijuar nga pazakonshmëria e ngjarjeve dhe veprimeve. Aq mjeshtërisht rrëfehet sa ndërhyrjet rrëfimore të autorit dallohen me vështirësi, kryesisht nga gjuha normative. Të tri mënyrat harmonizohen në një njësi stilistike që i jep bukuri dhe mendim romanit dhe individualitetit të personazheve.

4. Proza e romanit, ne varësi nga ngjarjet, koha dhe hapsira ku zhvillohen, nuk është e njësuar, u përket disa metodave krijuese: realizmit të mirfilltë, natyralizmit, surrealizmit dhe realizmit magjik, por ato si në një mozaik, plotësojnë njera-tjetrën dhe japin efekte befasuese, shpesh poetike, në përshkrimin e ngjarjeve dhe mjedisit. Tablo të pastra natyraliste janë ato ku personazhi Vrana, rrëmben Domenikën dhe në një kasolle stani në një pllajë mali, të zhveshur, mbi një truall të përbaltur e përdhunon atë me gjithë egërsinë epshore. Pamje sureale janë ato të shfaqies në qiell të figurës së shën Marisë dhe mbushjes së pllajës me mizërinë e njerëzve në proçesion etj.Realizmit magjik i takojnë pamjet panoramike, ndrrimit magjik   të dit-netëve  dhe tablove që paraqesin urbisin-qytetin etj. Shkrimtari, ka përdorur dhe gjetur figura, metafora dhe simbole të ndërfutura në tekst, në fraza me bukuri e gjuhë poetike që lexuesit i mbeten në mëndje për kohë të gjatë. Vetë personazhet janë simbole që fshehin kode dhe trasmetojnë mesazhe. Mjafton për ilustrim vajtimi tronditës me logori i zonjës Hura në Adi Khan, të Bojrogut.Ai vajtim i pandërprerë, rrënqethës, për orë e orë të tëra, nuk është vajtim për fatin e saj, por vajtim për gjëmën dhe fatin e Arbërisë.

5. Ndikimi  biblik e ungjillor.  Për subjektin që trajton, shthurjen morale bjerrjen dhe shmangien nga besimi kristian dhe rruga e tënzoti, shkrimtari, që e njeh përmbajtjen e ungjijve dhe veprat e apostujve, përdor shfaqien e mrekullive. Ai i quan ato, si shfaqie të shëmbëlltyrave me të cilat fryma hyjnore zbret te besimtarët për t’i kthyer në besim. Mrekullitë, me frymëzim hyjnor, i pati kryer Jezusi para turmave dhe besimtarëve, këtë dhunti ua kaloi si frymë të shënjtë edhe të dymbëdhjetë apostujve, si mënyrë për të rrëfyer fuqinë e Atit dhe Shpirtit të Shenjtë.Në roman mrekullitë u shfaqen besimtarëve që ka filluar tu trandet besimi dhe që të shohin brenda vetes. Në kishën e Shndusë, natën e proçesionit, vajzës së verbër, trembëdhjetë vjeçe, Julias, i vjen drita e syve, teksa në murin e kishës shfaqet ikona e Shën Marisë me Jezusin fëmijë në krah. Shfaqia e saj shkakton ngazëllim, përdëllim e devocion,të gjithë i falen, luten dhe bien përmbys, dhe Domenika që, sapo ka mëkatuar i lutet:”Zonjë, ndriçoma rrugën se nuk di çfarë bëj!”- mërmëriti  dhe qe penduar në çast. Tjetër mrekulli është që, nga djegia e kishës së Shndusë, ikona e shën Marisë(Zonjës së Lumnueme) nuk u dogj, dhe më pas, në librin e gjashtë, shfaqia e saj në një shpellë të shndrruar në kishë,të ndriçuar me qirinj, apo figura e Zonjës së Shënjtë që i shikon nga lartësia e  reve. Mrekulli këto, për t’i bindur mëkatarët e besimtarët shpresëhumbur, se Zoti nuk i ka harruar apo braktisur dhe se ata, duhet të kthehen në besim. Është e drejta e lexuesit, t’i pranojë ose jo këto mrekulli,por ato janë pjesë e realitetit mesjetar, dhe jo vetëm. Edhe në ditët tona, besohet në mrekullitë çudibërëse të shënjtorëve dhe objekteve të kultit. Mjafton për këtë pelegrinazhi në kishën e Shnandoit të  Laçit,në malin e Tomorrit, apo në vakëfe dhe vende të tjera të quajtura “Të mira”.

6.Psikanaliza dhe ndikimi i frojdizmit. Autori, në trajtimin e temës, në luftën midis të  mirës dhe të keqes që, përbën edhe leitmotivin e veprës, ka aplikuar psikanalizën frojdjane  dhe zhbirimin analitik të imtësishëm  psiqik të personazheve kryesorë:monshinjur Agushtinit dhe monshinjur Bdekut, mullisit Vrana, Domenikës, Luçies dhe zonjës Hura. Më e shprehur dhe e materializuar teoria frojdiste aplikohet në personazhin e Vranas. Në qënien e këtij personazhi, libido(instikti seksual i kënaqësisë) del më i fuqishëm se uni dhe superuni. Pasioni i fuqishëm, i papërmbajtur, e shtyn atë në veprime të pakontrolluara, për plotsimin e dëshirës seksuale, deri në egërsi, rrëmbim e përdhunim dhe akte të tjera, për zotrimin e femrës së dëshiruar,apo akte shkatërruese që nga cmira dhe urrejtja, në kërkim të identitetit të vet dhe zotrimit të femrës, arrin në asgjësimin e Frederikut, burrit të Domenikës gjatë djegies së shtëpisë. Djeg kishën e Shnandusë dhe shkatrron mullirin, vret mushkën dhe çi del përpara. Egërsia,çoroditja, tërbimi dhe çmenduria janë pasojë e pa aftësisë për të vetkontrolluar dëshirat me vetpërmbajtjen, instiktin seksual, që del më i fuqishëm se uni dhe superuni. Edhe te personazhi i Domenikës, me gjithë vuajtjet kundërshtuese, herë – herë, në çaste kthjellimi, ngjallet dhe nxjerr krye, kënaqësia e nxitur nga instikti seksual, por te ajo, uni dhe super uni, e frenojnë, por sido qoftë ajo,thuajse e çmendur, e shkatrruar trupërisht e shpirtërisht, përfundon me vetasgjësim.

Si një antitezë të së keqes dhe triumfit të  së mirës,  autori na e jep me monshinjur Agushtinin, i cili arrin vetpërmbajtjen dhe mposhtjen e nxitjeve instiktive nëpërmjet moralit kristian, besimit në Zot, mbylljes në manastir dhe më pas  si prijës i grigjës së besimtarëve për rilindjen e besimit, në kërkim të ikonës së shën Marisë , së bashku me zonjën Hura, asaj gruaje që ka devocionin e një shënjtoreje që s’qe lodhur kurrë së dashuri dhe së adhuruari.  Ata të dy ecin bashkë. Qenë lodhur e rraskapitur së kërkuari, por që kurrë nuk u qe errësuar shpirti. Metafora e rrugës së përpjetë në kërkim të dritës së besimit është  e lodhshme, por ata ecin, ngjiten, me besimin se do të mbërrijnë. E mira do ta mundë të keqen, drita do të triumfojë mbi errësirën.

Romani mbyllet   me fjalët:

Çohemi tani dhe ecim!

Është nga ata romane, që pas leximit të parë, duhet rilexuar. Edhe  pse, trajton ngjarje të periudhës mesjetare, dukuritë, veset dhe vyrtytet janë universale, të gjithkohshme, pjesë e shoqërisë njerëzore.  Ato i flasin edhe të sotmes, ku veset, fëlligështia, përdhunimet seksuale, pedofilia, vrasjet për xhelozi etj janë dukuri të jetës sonë shoqërore.

Tiranë, shtator 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora