Kulturë
Viktor Nasi: Niko Kacalidha, romancieri modern i prozës greke
E merkure, 30.09.2020, 08:15 PM
Niko Kacalidha, romancieri modern i prozës greke
Nga Viktor
Nasi
Është
kënaqësi e madhe kur ke në dorë një roman të ngjeshur 663 faqe, që të nxit
dëshirën për ta lexuar me kujdes dhe vëmendje dhe për ta rilexuar. Romani i ri
i Niko Kacalidhës nuk të bën vetëm përshtypje dhe të lë mbresa për nga motivi,
por të jep të kuptosh që në fillim se do të lexosh një roman të shkruar me
frymëzim, lirizëm, ndjenjë, dashuri e respekt të thellë për njeriun, me shpirt
dhe fantazi krijuese. Trillimi dhe fantazia të bën të shikosh, të dëgjosh, të
ndjesh ato që shikon, dëgjon, ndjen dhe vet shkrimtari. Niko Kacalidha ia ka
arritur me mënyrën mjeshtërore të të shkruarit ta bëjë për vete lexuesin e t’ i
transmetojë atij me finesë dhe qartësi mesazhe fisnike.
‘Endacaku
i natës’, është një roman origjinal shkruar dhe kompozuar me një formë moderne
interesante qe të vë në mendime. Ndryshe nga romani i parë ‘Rreth harmonisë dhe
demonëve të tjerë’, roman tepër i sukseshëm, që u përfshi në listen e shkurter
të romaneve më të mira të vitit, me shumë elemente realiste, romani i ri, me
një stil të vecantë kristalizon individualitetin e poetit dhe prozatorit
Kacalidha, në hullinë e realizmit magjik. Lexuesi i vëmëndshëm menjëherë e
kupton se këtu në mënyrë të përkryer gërshetohet poezia me prozën moderne çka e
bën aq të bukur dhe me vlera të padiskutueshme ideore,estetike, gjuhësore.Në
roman gërshetohen realja me imagjinaren, fizikja me metafiziken, mitologjia me
historinë, logjika me alogjiken, realizmi me surealizmin.
Duke
lexuar ‘Endacakun e natës’, mu kujtuan fjalët e shkrimtarit të shquar francez
Romen Rolan ‘Jeta politike e një kombi është vetëm shfaqja sipërfaqësore e
ekzistencës së tij. Që të mësojmë jetën e brëndshme, burimin e energjivetë tij
duhet të depërtojmë në shpirtin e tij nëpërmjet letërsisë, filozofisë dhe artit
në të cilat rεflektohen idetë pasionet dhe ëndrrat e popullit.’ Këshillën e
Rolanit e ka zbatuar një për një Niko Kacalidha në romanin e ri.Me bindje
theksoj se ‘Endacaku i natës’ është një roman që të fiksohet në kujtesë për
modernitetin.
Si
çdo shkrimtar dhe poet edhe Niko Kacalidha sjell të vërtetën e tij por të
vërtetat e këtij romani do t’ i cilësoj si një thikë në kockë që dhemb shumë
deri në klithmë. Autori gërmon në shpirtin dhe psikologjinë e të përhënurit,
endacakut, ëndërrimtarit Petro Protomastora dhe të njohurve të tij me të cilët
komunikon, dialogon shprehet për punën e tij si kryearkitekt për projektet për
veprat madhore që ka ndërmarrë, për lëvizjen e kështjellës se Gjirokastrës mbi
një karrocë gjigante homerike drejt fushës së Dropullit që të shkundet nga myku
dhe gjaku i të burgosurve për të parë diell, për hapjen e tunelit gjigand të
Muzinës për ta nxjerrë nga ana tjetër në brigjet me diell dhe përfundimisht për
ndërtimin e urës mbi dy brigje për të krijuar linjen Sarandë Korfuz në kohrat e
zymta të një bote të mbyllur. Nëpërmjet shtjellimit mjeshtëror të këtij
triptiku autori ka arritur të zbulojë forcën dhe dobësitë e njeriut. Personazhi
kryesor Petro Protomastora është një i përhënur.
Sëmundja
e tij fsheh një farë shtrëmbërimi dhe tronditje të forcës fizike dhe fantazisë.
Kështu në përplasjen e koshiencës me subkoshiencën del e fituar subkoshienca.n
Krijohet tek ai një dyzim i personalitetit. Njëri personalitet që drejtohet
vetëm nga instiktet, nga subkoshienca, pra një karakter të ndryshëm nga ai i
personalitetit të dytë që drejtohet nga koshienca e cila herë pas here shfaqet
e dobët.Ditën Petroja jeton realitetin brenda mundësive që i jep koshienca e
shtrëmbëruar dhe e dobësuar. Nata për të është e mbushur me veprimtari mendore
por herë herë dhe fizike në fantazimet e tij, në vegimet dhe ëndrrat të cilat
përbëjnë botën e vecantë që e lidh me botën e përtej varrit dhe me botën reale.
Nëpërmjet Protomastoras një gjetje mjaft e goditur romaneske ku mbështetet
shtjellimi, krijon tri botë: botën e brendshme të të përhënurit, botën e përtej
varrit dhe botën reale.Të tri botët komunikojnë lirshëm pa kufijë midis tyre.
Lidhjen
e bën Petroja si endacak, si vegimtar dhe ëndërrimtar i natës. Në gjumë ai
shndrohet kryemjeshtër, arkitekt, udhëton pa caqe, i tregon lexuesit vende,
male, pyje, lumenj, detin, florën dhe faunën.Në vegimet e natës, ky njëri që ka
kryer studime të larta dhe flet me një gjuhë të pasur dhe që ka detyruar
shkrimtarin të përdorë një gjuhë shumë të pasur greke për admirim, harton
projekte dhe për t’ i realizuar, dialogon me të njohurit e tij të gjallë e të
vdekur. Herë e ndjen veten Sizif të kohëve moderne dhe herë Promete. Ëndrrat e
tij tregojnë mite, heronj të lashtësisë antike greke,por dhe ngjarje të luftës
për çlirim, qëndrimin e patundur, bindjet e bashkëfshatarëve të tij në gjyqet e
shumta që nuk i shqiten nga mëndja. Ditën Petro Protomastora e kalon thuajse pa
ndonjë veprimtari të vecantë. Duke ecur me vështrimin nga qielli flet me vete
rrugëve, pëshpërit për projektet hartuar në vegimet e tij dhe banorët e qytetit
bregdetar janë të informuar për përpjekjet që bën për të zhvendosur kalanë e
mirënjohur të Gjirokastrës nga errësira në dritën e luginës dhe nëpërmjet një
tuneli të madh ta çojë pranë detit. Në mënyrë të vazhdueshme u thotë të
njohurve dhe lajmi është bërë i njohur se arkitekti do të ndërtojë urën e madhe
mbi det Sarandë-Korfuz, për të lidhur dy brigje. Petro Protomastora është i
pranishëm,gjithnjë në ëndrrat dhe vegimet,në cdo ngjarje,krijon dhe rrëfen
mite,por dhe të vërteta të hidhura për dekada të tëra.
Ndjehet
perandor në sallën perandorake të kalasë imagjinare dhe jep këshilla, bisedon
me të vdekurit,me hijet dhe fantazmat. Niko Kacalidha, duke zhbiruar botën e
bfrendshme të personazhit të tij, na njeh me humnerën e errët të subjektivizmit,
kërkon në skutat e subkoshiencës së personazhit, në instiket,fluturimet
fantastike,në ëndrrat dhe vegimet psiqike. Petro Protomastora rrëfen, flet për njerëz e ngjarje, art, kulturë,
arkeologji, shkencë dhe vet pas vdekjes u kthye për banorët e qytetit bregdetar
në një mit.Shpirti i tij shetit në qytet,ndjek transformimet pas viteve ‘90 me
vërejtjet për realitetin e sotëm. Elementi kohë trajtohet si një vijë e drejtë
me një fillim dhe shtrirje në pafundësi pa u segmentuar në fragmentaritetin e
saj. Segmentet e përcaktuara,për efekt studimi si lashtësia,e kaluara,e tashmja
dhe e ardhmja, pa caqe, si në një labirint, nuk e pengojnë rrjedhën e kohës.Ato
janë caktuar për t’ i trajtuar ngjarjet në kufijtë kohorë dhe në enklavat e
tyre. Niko Kacalidha synon të sigurojë jetëgjatësi në atë që është e castit,
për të përjetësuar të tanishmen historike. Nga sa më sipër theksojmë se romani
‘Endacaku i natës’ është kristalizim i çastit,është ura midis të shkuarës dhe
të ardhmes, midis përvojës vetjake dhe asaj të përgjithshme.Gjuha është një
model se si e përdor autori fjalorin e pasur të gjuhës greke me nivel të lartë
gjuhësor dhe stilistik në këtë vepër të cilën do ta quaja me bindje, një nga
romanet më të bukurat të letërsisë së sotme greke.
Të
39 kapitujt, janë modele proze dhe besoj se kritika letrare do të rikthehet e
do të angazhohet për studime gjuhësore, stilistike dhe estetike. ‘Endacaku i
natës’ është si një encklopedi moderne ku njihesh me mitologjinë, letërsinë
antike greke, krijimtarinë popullore, këngët, vallet, doket, zakonet e dasmës
dhe të vdekjes, veshjet karakteristike popullore, me kollosët e letërsisë
botërore, Servantesin, Shekspirin, Dostojevskin, me truallin, gjeografinë dhe
historinë e Epirit, shkencën e ndëtimeve etj. Vihen në kontrast historia e
ndritur e kombit me realitetin mbytës, të padurueshëm,me mungesën e lirisë dhe
të drejtave,që të dëshpëron, të detyron të humbasësh dinjitetin dhe krenarinë
kombëtare.
Nëpërmjet
simbolit, alegorisë, humorit popullor, sarkazmës, groteskut, me mjeshtëri dhe
finesë artistike fshikullohet diktatura dhe lufta e klasave si ligj bazë i saj.
Romani dallohet për fjalor të pasur me shprehje popullore,fjalë të urta
karakteristike të Epirit të lidhura bukur me të folurit dhe shprehjet e Petro
Protomastorës dhe të miqve të tij,të gjallë e të vdekur gërshëtuar me një gjuhë
letrare të nivelit të lartë. Çdo personazh natyrshëm përdor fjalorin e tij, i
cili përcakton formimin kulturor të secilit me fjalë të dramës,të
tragjedisë,komedisë dhe shkencës sipas skenave të veçanta, tragjike, dramatike,
komike, shkencore pa e vështirësuar lexuesin. Në fillim të romanit si kredo
gjejmë fjalët e Dostojevskit ‘Do t’ ju them një të fshehtë: të gjitha ato mbase
nuk kanë qenë fare ëndërr! Sepse këtu ka ndodhur diçka, diçka me vërtetësi kaq
të lemerishme, që nuk do të mundja ta shifja në ëndërr’. Romani ka pë për bazë një realitet të
caktuar. Mitet janë mite, trillimi dhe fantazia krijuese janë të pranishme, por
historisë dhe realitetit nuk mund t’ u fshihemi dhe as t’ i fshehim. Me siguri
‘Endacaku i natës’ shënon një sukses të ri për poetin dhe prozatorin Niko
Kacalidha dhe për krejt letërsinë e sotme greke.