| E hene, 28.09.2020, 10:36 PM |
Si e rehabilituan Rama dhe Thaçi Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç?
Nga
Enver Bytyçi
Ministri
i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, sulmoi të dielën e shkuar zotin
Miroslav Lajçak, pse ky i fundit hoqi nga tryeza e bisedimeve me Kosovën
çështjen e krijimit të asosacionit të komunave serbe. Ndërkaq presidenti Vuçiç
u mburr me faktin që numri i qytetarëve serbë që kanë mendim pozitiv për
SHBA-të është trefishuar. Dhe në Uashington presidenti Trump u shpreh se ishte
i gëzuar që presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës ishin përqafuar gjatë
samitit në Shtëpinë e Bardhë.
Këto
deklarime nuk janë shkruar në akull. Me këto ne kuptojmë se Beogradi ka
vendosur të afrohet me Uashingtonin, me qëllim të realizimit të projekteve të
Milosheviçit përmes diplomacisë së “paqes”! Vuçiç kuptoi se përmes “luftës” me
amerikanët nuk mund të bëjë asgjë në adresë të Kosovës. Ndaj vendosi që të bëjë
kthesë në marrëdhëniet serbo-amerikane. U duhej për këtë të rehabilitoheshin në
sytë e administratës amerikane e kudo në Perëndim dhe e realizuan këtë lloj
diplomacie.
Por
si arritën serbët deri te kjo shkallë rehabilitimi në sytë e bashkësisë
perëndimore e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ka të bëjë
kryesisht me ndryshimet e mëdha të politikës amerikane pas ardhjes së
presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Këto ndryshime sollën radikalizmin e
qëndrimeve politike të SHBA-ve ndaj Europës e sidomos ndaj Gjermanisë dhe
“normalizimin” e këtyre marrëdhënieve me Rusinë. Ky ndryshim i strategjisë
amerikane për të ndërtuar një linjë tjetër marrëdhëniesh, më të afërta me
Rusinë, më të ftohta me Europën dhe më të ashpra me Kinën, krijoi rrethana të
favorshme që Serbia të shohë drejt një strategjie të re për arritjen e
objektivave të saj anti-shqiptare.
Por
që ta realizonte këtë lloj strategjie, e cila po i rezulton efikase dhe e
suksesshme, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe bashkëpunëtorëve të tij në
qeverisje u duhej “të pajtoheshin” me liderët politikë shqiptarë në Shqipëri e
në Kosovë. Keni parasysh, atyre nuk u duhej as nuk u duhet pajtimi me
shqiptarët si popull e si komb. U mjaftonte dhe u mjafton pajtimi me
kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi,
që kjo të shitej në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera si pajtim
shqiptaro-serb dhe përmes këtij mekanizmi të ndryshohej imazhi i Serbisë.
Sigurisht
që Akademia serbe e Shkencave në studimet e saj kishte arkivuar edhe raste të
tjera të kësaj situate dhe evidentoi format, mënyrat, mjetet, metodat që do të
përdoreshin për të “rekrutuar” në skenarin e “pajtimit” dy liderët shqiptarë të
lartpërmendur. Këto metoda ishin
përdorur disa herë gjatë shekullit XX. Modeli për Ramën u gjet përmes
përkthimit dhe botimit në gjuhën serbe të librit “Kurbani”, me të cilin ai u
shpërblye me shumat e majme të krahasuara me shtëpitë botuese më të famshme në
Europë e SHBA. Pastaj erdhi promovimi në Beograd i këtij libri, në të cilin
flitet me gjuhë urrejtjeje kundër të gjithë politikanëve shqiptarë, një pjesë e
të cilëve Beogradi i urren! Artifica e “Kurbanit” ishte maska për të ndërtuar
urën e “bashkëpunimit” Rama-Vuçiç.
Rama
kishte shpallur devizën e “Zero problemeve me fqinjët” dhe kjo devizë shërbeu
si sinjal për politikën beogradase që ta hedhin karemin pa u mëdyshur dhe
kështu kapën peshkun e madh me emrin Edi Rama. Me ndihmën e kryeministrit të
Shqipërisë presidenti i Serbisë, si mik tashmë i shpallur publikisht i zotit
Rama, peshkoi presidentin e Kosovës,
Hashim Thaçi. Dhe me ndihmën e Ramës e të Thaçit u rehabilitua Vuçiç.
Dy
liderwt shqiptarë vendosën një marrëdhënie
personale të ngushtë me presidentin e Serbisë. Kudo që shkonin, ata ishin
bashkë. Bashkë në samite, në bankete, në pritjet protokollare dhe informale në
kryeqytetet evropiane dhe në selinë e OKB-së. Ishin bashkë jo vetëm fizikisht,
por edhe në ideimin dhe implementimin e projekteve të Serbisë në Kosovë e në
Ballkan. U bënë njësh kur vendosën ta zhbëjnë shtetin e Kosovës dhe t’ia falin
territorin e saj Serbisë. Bashkëpunuan pa asnjë lloj kushti për zbatimin e
idesë së Jugoslllavisë së Re. Të tre bënë thirrje ose akuza të njëjta kundër
politikanëve shqiptarë, të cilët kundërshtuan idetë dhe projektet serbe. Folën
me një gjuhë para autoriteteve të rëndësishme ndërkombëtare. Shpalosën hartat e
reja të kufijve të Ballkanit. Shkurt, e bindën presidentin amerikan dhe
administratën e tij se presidenti i Serbisë dhe lidershipi serb ishte reformuar
dhe është i përkushtuar për të punuar për paqen e stabilitetin në Ballkan.
Ndërsa shkëmbimi i territoreve dhe ndryshimi i kufijve të shteteve të rajonit
do të ishte në dobi të këtij stabiliteti.
Por
nuk do të mjaftonte vetëm kjo që administrata e Trump të bindej për “paqe-
bërësin”e Serbisë, Vuçiç, i cili dikur bënte thirrje për vrasjen e 100
myslimanëve në këmbim të një serbi. Rama dhe Thaçi u bënë kumbarë të pajtimit
serbo-amerikan. E garantuan administratën e presidentit Trump se “Aleksandër
Vuçiç do ta çonte trenin serb drejt integrimeve euro-atlantike”! Kjo garanci e
Tiranës dhe e Prishtinës ishte domethënëse për ta bindur Amerikën se “Serbia do
të bëhej aleate e saj”!
Vuçiç
e dinte se vetëm përmes këtij kushti mundej që SHBA-të të investoheshin pro
Beogradit dhe jo pro Kosovës. Interesat amerikane në Serbi natyrshëm që janë më
të mëdha sesa në Kosovë. Por se do të arrihet kjo aleancë aq e lakmuar në
Beograd dhe nga miqtë e presidentit serb në Tiranë e në Prishtinë, ende nuk
është e sigurt. Nuk është e sigurt kjo edhe sikur rusët dhe amerikanët të
krijojnë një aleancë të përbashkët, pasi kjo aleancë nuk do të thotë që Moska
t’i dorëzojë vullnetarisht bastionet e veta në duart e një fuqie tjetër të
madhe. Prandaj dhe Vuçiç do ta ketë të
vështirë ankorimin e vendit të tij në molin amerikan. Ai ka kundër autoritetin
më të fuqishëm, Kishën Ortodokse Serbe. Ka kundër politikanë të të gjithë
krahëve. Por edhe akademinë dhe shoqërinë civile. Prandaj duket e pamundur
realizimi i një politike të tillë.
Megjithatë
presidenti i Serbisë mundi që t’i pjekë gështenjat e tij me duart e Edi Ramës
dhe të Hashim Thaçit. Se çfarë fituan këta të dy, thjesht mund të aludohet. Por
derisa kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti nën akuzën serbe të krimeve të
luftës, edhe pse të tradhtuar prej Aleksandër Vuçiç, nuk guxojnë t’ia përmendin
atij as emrin, jo më të kontestojnë ndonjë prej projekteve dhe ideve që ai
shpalos. Të dy këta ishin shumë entuziastë për Marrëveshjen e Uashingtonit,
sidomos për idenë serbe të Minishengenit, si dhe mirëkuptimin për ta nxjerrë
Serbinë në Adriatik. Dhe këta të dy nuk do të jenë në gjendje sa të kenë jetë
të kundërshtojnë projektet serbe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë në
Ballkan. Ata nuk kanë asnjë mundësi t’i ikin detyrimeve të përjetshme ndaj
Beogradit, sepse ua ka zënë bishtin akulli i lumit Sava!