E enjte, 28.03.2024, 12:28 PM (GMT)

Mendime

Bajram Peçi: Rrëzimi i mitit të heroit dhe orvatja për përgjumjen e një breznie

E premte, 14.11.2008, 12:00 AM


Rrëzimi i mitit të heroit dhe orvatja për përgjumjen e një breznie

 

Nga Bajram Peçi

 

Është shumë e vështirë të njohësh kllapinë në administrimin e punëve të historiografisë shqiptare. Jo një, por dy brezni bashkëkombësish, të çoroditur nga "zbulimet" e reja, përballen qorrazi për të gjetur të vërtetën dhe anija kur nuk i bindet timonit, i bindet shkëmbit. Pasi u tha se tezat e pranuara për origjinën e shqiptarëve s‘janë pos krijim i historiografisë komuniste dhe se Gonxhe Bojaxhi është vllehe, së fundmi, me përkthimin që Ardian Klosi nxiton të sjellë në shqip të njohurin e tij gjermanishtfolës, Oliver Schmitt, del se edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu, si Hero Kombëtar e legjendë, është krijesë e kësaj pseudoshkence. Studimi i tij "Skënderbeu", që u promovua me bujë këto ditë, i përhapur si një lajm tepër me interes nga media e shkruar e ajo vizive, e fryrë nga përkthyesi, e komentuar me mediokritet, pa asnjë reagim apo qëndrim prej saj, sjell të veçantat dhe përfundimet e studimit: Oliver Schmitt e pasuron historinë me të rejat e zbuluara nga dokumentet, se figura e vërtetë historike e Skënderbeut nuk konfirmon heroin e teksteve që shkolla shqiptare u mëson bijve të saj; Skënderbeu ishte një tradhtar që i ktheu shpinën sulltanit; kryengritja dhe lufta e Skënderbeut e çoi vendin në rrënim e kolaps demografik; monumentet e Skënderbeut janë vepra të artit nën komunizëm dhe përçojnë atje ku janë vendosur një mesazh të ashpër dhe jo shumë njerëzor. Ai shpreh dyshimin për armët e përkrenaren e Skënderbeut, të vendosura në Muzeun Historik të Vjenës... Një zbulim që i jepet shumë vlerë, për t‘u thënë qyqarëve të mashtruar shqiptarë me "Objektivitet shkencor", është dokumenti ku thuhet se Skënderbeu nuk ka qenë një luftëtar kombëtar, por një hakmarrës inatçi që luftoi kundër Turqisë, se Sulltani i kish vrarë të atin. Kjo shpjegon kryengritjen. Siç e thotë vetë studiuesi me veprën që sjell, do të ndihmojë që të shpërbëhen nga kokat tona mitologjitë skënderbejane, të ndërtuara prej njëqind vjetësh. Pak a shumë këto janë thelbi i studimit dhe qëllimi i autorit.

 

Unë e kam të qartë se nuk do t‘ua ndërroj mendjen historianit e përkthyesit dhe se disave do t‘ju dukem madje i nxituar e i mërzitshëm, por jam i vendosur t‘i shkoj deri në fund marrëzisë që na përcjell kjo vepër, sepse kam qëllim lexuesin e blerësin e botimit, që ai të mos i shkojë përshtat thënies së Erazmit të Shqiptarëve, Konicës: popull i lidhur pas fitimeve e gjumit. T‘i themi Konicës që është gabuar në cilësimin për shqiptarët. Autori, i cili nuk ka kohë të merret me veprën, betejat e bëmat, i kushton shumë vëmendje dokumenteve të jetës private të Skënderbeut, për të arritur efekte të caktuara, "i pavarur e origjinal", vë në dukje të metat e dobësitë njerëzore, siç thuhen të gjetura në shkrime e dokumente. S‘do mend se arsyet për të pranuar një dëshmi, se sa një mit, janë nganjëherë shumë bindëse. Mirëpo ato nuk janë aq bindëse, saqë të dalin mbi interesat tona. Lufta dhelpërake që u bëjnë figurave tona kombëtare "të paanshmit", jo rrallë fshihet pas "studimeve shkencore". Janë të pakta ato figura historike te ne, që nuk janë përdhosur, duke përdhosur ndërkohë edhe kujtimin e të shkuarën e kombit. Ky mishmash merret lehtë me mend se kujt u jep dorë. Me pamjen hijerëndë të një studiuesi të huaj (shqiptarët i shohin ata me adhurim), me dinjitetin që u jepet vetëm te ne, me zemërmirësinë e tyre tallëse (mos kujtoni se është dashuri për ne dhe etje studimore), O. Schmitt u shfaq për të na kujtuar edhe njëherë se kush është. Në Shqipëri e njohën para dy vjetësh nga vepra studimore e mesjetës shqiptare "Albania Veneta", një vepër padyshim me referenca burimore historike, gjë që i dha atij statusin e një miku të Shqipërisë(?!), ndërsa në Kosovë, rrethet akademike, e pjesërisht ato mediatike, e njohin si autorin e shkrimit provokues e thuajse antishqiptar të botuar ne gazetën NNZ të Zvicrës, në të cilën tentonte të tallej e ironizonte momentin e vendosjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, kopja e monumentit të Krujës. Me demek, i frymëzuar nga pozita eurocentriste, zbulon qëndrimin dashakeq, kur thotë se shtatorja e Skënderbeut në Prishtinë nuk duhet të vendoset, sepse Skënderbeu nuk ka pse nderohet te shqiptarët e Kosovës. Ndërkohë, mashtron lexuesin kur thotë se shtatorja e Dushanit, e rrëzuar më 1999-ën në Prizren, qëndronte në atë vend nga një kohë shumë e gjatë, kur dihen se ajo u ngrit më 1990-ën si provokim për shqiptarët e Kosovës. Mban një qëndrim të gabuar ndaj zgjimit kombëtar të shqiptarëve. Për më tepër kureshtarët mund t‘i referohen Oliver Schmitt: Export eines Nationalhelden? NNZ, 2/3. Juli 2005.

 

Po pse na kërkon ne shqiptarëve O. Schmitt që të ndryshojmë qëndrim ndaj mitit skënderbejan? Kush ua ka kërkuar këtë grekëve, për mitet e tyre? A mund të bëhet fjalë, sipas shembullit të tij, që helvetikëve t‘u kërkosh të rrëzojnë mitin e Vilhelm Telit, sepse është një legjendë e ka pak gjasa që të ketë qenë realitet historik? E gjitha kjo do të ishte cenim i ndërgjegjes kombëtare.

 

"Na ishte njëherë" - thonë tërë fabulat e popujve. Dhe as Barleti, Longfellou, Noli, Godo, Naim Frashëri, Kristo Frashëri e plot të tjerë studiues e shkrimtarë, nuk kanë gabuar, duke na e sjellë Skënderbeun në përfytyrimet tona qoftë edhe si fabul, por si mbrojtës të lirisë së trojeve kombëtare. Rilindësit u kujdesën të pohojnë respektin e madh ndaj figurës së heroit e ta mbrojnë atë nga vulgarizimet, gjë që duhet bërë edhe tani nga akademikët tanë, si reagim ndaj orvatjeve "shkencore" të një tjetër dhunuesi, Oliver Schmitt. Ju lutem studiues të Institutit të Historisë, me mirësinë e diturinë tuaj, që janë që të dyja të pashtershme, të pranonit të prinit në hedhjen poshtë të këtyre manierave që shfaqen në lirinë e botimeve tona për lexuesit. Ky studiues i huaj, nuk e thotë, por e mendon, se mbase akademikët tanë nuk i kalojnë caqet e zotërimit të vetëm dialektit të fshatit të tyre. Me botimin e veprës së dytë, është një mësim i mirë që ai u jep institucioneve tona kërkimore e studimore. O. Schmitt ka përparësinë, e ndoshta edhe luksin pasuror, të gërmojë në arkivat e Venedikut, Milanos, Padovas, Mantovës, Dubrovnikut, Zadarit e Korçulës, gjë që duhet ta bëjë shtetin tonë të rishikojë politikën e përgatitjes së latinistëve, greqishtes së vjetër e osmanishtes (të cilët janë të kufizuar e në largim e sipër dhe zërat e tyre sot mezi dëgjohen), si dhe fondet e planifikuara.

 

I nderuar lexues! Shiko çfarë ndodh. Me argumentin se i qëndrohet besnik origjinalit, emrin e babait të Skënderbeut përkthyesi na e sjell në veprën "Skënderbeu" në formën sllave Ivan. A ka vallë shqiptar që nuk e di se Gjoni ishte babai i Gjergjit? Edhe në vepra të tjera të të huajve, në dhjetëra vepra letrare e studimore, emri i babait të Gjergj Kastriotit haset në formën e shqiptimit gjuhësor të kombit të autorit, si Giovane, Jovan, por shqipëruesit janë kujdesur ta përcjellin atë në të folmen shqipe. Përgjigjet me mendjelehtësinë e zakonshme apo sajesat e menjëhershme nuk mund të shmangin dëmin. Unë jam një lexues që e di mirë se çfarë përkthimesh brilante na ka dhënë z. Ardian Klosi, se sa i ka pasuruar letrat shqipe me përshtatjet e tij, ndaj nuk mund të pajtohem me sjelljen në këtë formë të emrit Gjon.

 

Ashtu si në çdo regjim ka të pakënaqur, edhe në çdo botim letrar e studimor ka qëndrime e shije të ndryshme. Si një prej tyre, ma ka ënda që të mos harroj, por t‘ua kujtoj edhe të tjerëve, që të mos biem në mëkatin e një lexuesi, me demek "të paanshëm". Koha e vitet do të kalojnë dhe emri e figura e Skënderbeut do të ngelet ajo që është skalitur prej shekujsh në ndërgjegjen e kombit shqiptar. Asnjë pseudostudim nuk do të jetë i aftë ta cenojë sadopak. Studimi i O. Schmitt, "Skënderbeu", do jetë ai që në pak kohë do të shfletohet nga ajo pjesë e inteligjencës, që e ka atribut kureshtjen dhe po në pak kohë do të jetë i harruar. Oliver Schmitt mund ta ketë pasur zbavitje studimin, por mund ta ketë pasur edhe pikësynim. Koraca e veshur e "Studiuesit", që i jep vepra, nuk është e papërshkueshme. Këtë do ta shohim shumë shpejt si vepër e lexuesit të aftë për rezonancë, të përgatitur me një kulturë historike të kundërshtimit. Kujtesa për Skënderbeun nuk do përlyhet dot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora