| E merkure, 30.09.2020, 08:20 PM |
Rroftë Sigurimi
Nga
Edison Ypi
Rroftë
Sigurimi që duke na përmbytur demokracinë dhe pluralizmin me Pal Mlysha dhe
heronj të heshtur, e ka katandisur Shqipërinë si film shqiptar, një pështirosje
të pafundme.
Rroftë
Sigurimi pa të cilin në Shqipërinë tonë të shtrenjtë asgjë nuk ndodh, asgjë nuk
lëviz, asgjë nuk pipëtin.
Rroftë
Sigurimi, që po ashtu si qiriu i Naimit me vaj kandili që nuk i shterret kurrë;
është i gjallë e është në jetë, është në dritë të vërtetë.
Rroftë
Sigurimi që me gjithato historira halabakësh vrasës na i bën aq të shijshme
faqet e gazetave.
Rroftë
Sigurimi që bëri jo vetëm poetët spiunë, por edhe diçka të padëgjuar kurrë më
parë, spiunat poetë.
Rroftë
Sigurimi që cilindo budalla që zhgarravit hajvanllëqe e shpall atypëraty Poet i
lavdishëm.
Rroftë
Sigurimi që na e ka mbushur administratën plot e përplot me spiunat e
dikurshëm.
Rroftë
Sigurimi që ka aq shumë pare sa duke mos ditur si t'i shpenzojë, hap gazeta,
financon portale, ngre televizione.
Rroftë
Sigurimi që frymëzon llapaqenat e banaqeve televizive të flasin e bërtasin në
interes të tij sikur kanë ngrënë bythë turtulli.
Rroftë
Sigurimi që në krye të Shoqërisë Civile dhe OJQ-ve respektive na ka vënë dhe na
ka lënë përgjithmonë vetëm spiuna prej të cilëve mësojmë si vidhen paret pa
bërë asgjë dhe pa përfunduar në burg.
Rroftë
Sigurimi bashkë me armatën e shkrimtarëve, regjimentet e poetëve, detashmentet
e përkthyesve të panumurt që i ka nxjerrë dhe po i nxjerr nga gjiri i vet për
ta vrarë shpirtërisht popullin shqiptar një herë e mirë.
Rroftë
Sigurimi që Zërin e Amerikës e mbajti zap me dhjetra vite dhe po e komandon dhe
sot. Shqiptarët që dëgjuan Zërin e Amerikës do kishin përfunduar të gjithë në
burg po të mos ishte Sigurimi ai që duke e penguar atë "Zë" të
kalonte ca pragje e caqe i bëri ballë situatës dhe i shpëtoi nga burgu armiqtë
që dëgjonin atë radio mbuluar me batanije ose me kufje.
Rroftë
Sigurimi dhe dy vëllezërit e tij siamezë Zëri i Popullit dhe Zëri i Amerikës,
që ngritën peshë shpirtrat e shqiptarëve në ditët më të zeza kur buçimat e
traktorëve që çanin arat mezi mbulonin rënkimet e qelive, kërcitjen e prangave,
krisjen e pushkës së ushtarit që vrau shkelësin e kufirit.
Rroftë
Sigurimi për firmat e bashkëpunimit që u mori mijëra shqiptarëve budallenj
arratisur nëpër botë duke i bërë të heshtin përgjithmonë.
Rroftë
e qoftë Sigurimi. Por më mirë vdektë këtë çast. Ky përbindësh i përgjakur. Ky
vampir. Ky turp kombëtar.