E diele, 25.10.2020, 10:39 PM (GMT)

Komente

Edison Ypi: Rroftë Sigurimi

E merkure, 30.09.2020, 07:20 PM


Rroftë Sigurimi

Nga Edison Ypi

Rroftë Sigurimi që duke na përmbytur demokracinë dhe pluralizmin me Pal Mlysha dhe heronj të heshtur, e ka katandisur Shqipërinë si film shqiptar, një pështirosje të pafundme.

Rroftë Sigurimi pa të cilin në Shqipërinë tonë të shtrenjtë asgjë nuk ndodh, asgjë nuk lëviz, asgjë nuk pipëtin.

Rroftë Sigurimi, që po ashtu si qiriu i Naimit me vaj kandili që nuk i shterret kurrë; është i gjallë e është në jetë, është në dritë të vërtetë.

Rroftë Sigurimi që me gjithato historira halabakësh vrasës na i bën aq të shijshme faqet e gazetave.

Rroftë Sigurimi që bëri jo vetëm poetët spiunë, por edhe diçka të padëgjuar kurrë më parë, spiunat poetë.

Rroftë Sigurimi që cilindo budalla që zhgarravit hajvanllëqe e shpall atypëraty Poet i lavdishëm.

Rroftë Sigurimi që na e ka mbushur administratën plot e përplot me spiunat e dikurshëm.

Rroftë Sigurimi që ka aq shumë pare sa duke mos ditur si t'i shpenzojë, hap gazeta, financon portale, ngre televizione.

Rroftë Sigurimi që frymëzon llapaqenat e banaqeve televizive të flasin e bërtasin në interes të tij sikur kanë ngrënë bythë turtulli.

Rroftë Sigurimi që në krye të Shoqërisë Civile dhe OJQ-ve respektive na ka vënë dhe na ka lënë përgjithmonë vetëm spiuna prej të cilëve mësojmë si vidhen paret pa bërë asgjë dhe pa përfunduar në burg.

Rroftë Sigurimi bashkë me armatën e shkrimtarëve, regjimentet e poetëve, detashmentet e përkthyesve të panumurt që i ka nxjerrë dhe po i nxjerr nga gjiri i vet për ta vrarë shpirtërisht popullin shqiptar një herë e mirë.

Rroftë Sigurimi që Zërin e Amerikës e mbajti zap me dhjetra vite dhe po e komandon dhe sot. Shqiptarët që dëgjuan Zërin e Amerikës do kishin përfunduar të gjithë në burg po të mos ishte Sigurimi ai që duke e penguar atë "Zë" të kalonte ca pragje e caqe i bëri ballë situatës dhe i shpëtoi nga burgu armiqtë që dëgjonin atë radio mbuluar me batanije ose me kufje.

Rroftë Sigurimi dhe dy vëllezërit e tij siamezë Zëri i Popullit dhe Zëri i Amerikës, që ngritën peshë shpirtrat e shqiptarëve në ditët më të zeza kur buçimat e traktorëve që çanin arat mezi mbulonin rënkimet e qelive, kërcitjen e prangave, krisjen e pushkës së ushtarit që vrau shkelësin e kufirit.

Rroftë Sigurimi për firmat e bashkëpunimit që u mori mijëra shqiptarëve budallenj arratisur nëpër botë duke i bërë të heshtin përgjithmonë.

Rroftë e qoftë Sigurimi. Por më mirë vdektë këtë çast. Ky përbindësh i përgjakur. Ky vampir. Ky turp kombëtar.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora