Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Identifikimi me armikun apo bizantinizmi e otomanizmi

| E diele, 27.09.2020, 07:27 PM |


IDENTIFIKIMI ME ARMIKUN,

APO BIZANTINIZMI E OTOMANIZMI

(Replika nga realiteti i përditshëm)

Nga Prend BUZHALA

Është mentalitet i trashëguar bizantin për ta pritur shpëtimin nga një Udhëheqës politik, ndryshe nga Evropa perëndimore, që e kultivon dhe e krijon Kultin e Vlerave. Domethënë, ende këtu njerëzit nuk janë mësuar që vendimet e shumicës vlejnë e janë demokratike, sepse ende vepron ai mentalitet bizantin, ku nuk vlen shumica, por Vendimi i Udhëheqësit. "Përfundon se trashëgimia bizantine, së bashku me trashëgiminë osmane dhe atë komuniste, ka dekurajuar zhvillimin e institucioneve demokratike në Ballkan dhe ka thelluar tendencën e njerëzve të Ballkanit për t'u varur nga qeveria dhe të mos u besojnë biznesmenëve...(sipas: W. Treadgold, "A history of the Byzantine state and society". Stanford: Stanford University Press).

1.

Kur përmendet bizantinizmi, ndër të tjera, si civilizim, zakonisht përmendet edhe në kontekstin negativ: bizantinizmi ka lënë trashëgimi të rënda në raportet shtet-religjion (kisha dhe shteti janë një, sipas kulturës që solli ortodoksia) , me cezaropapizmin a nënshtrimin e kishës nga shteti, nga njëra anë, dhe deformimi që ua ka bërë të arriturave civilizuese, si dhe deformimet e karakterit dhe të mentalitetit të njeriut të këtyre anëve (termat “cezaropapizëm” dhe “bizantinizëm” i krijoi iluminizmi evropian për të karakterizuar sisteme e mënyra të sjelljes, “si antitezë e idealeve të Rilindjes evropiane” - Jacob Burckhardt).

Nëse Evropa perëndimore përjetoi mesjetën (disa vende e jo gjithkund), dhe po kjo Evropë vetë e mënjanoi këtë të keqe të saj; vendet e Evropës juglindore - Ballkanit të sotëm (ç'prej se erdhën sllavët dhe turqit), shkuan duke e shtuar e duke e trashëguar këtë të keqe. Edhe sot, thuhet se Ballkani dhe Rusia diferencohen nga Evropa Perëndimore pikërisht me këtë mënyrë të sjelljes shtetërore e individuale. "Mungesa e ndarjes dhe përplasjeve të përsëritura midis Kishës dhe Shtetit, një shenjë e padiskutueshme e një ndikimi bizantin në botën sllavo-ortodokse, është një arsye mjaft e mirë për të tërhequr një vijë ndarëse të mprehtë midis Perëndimit të zhvilluar dhe Ballkani i prapambetur" (Huntington). Domethënë: Bizanti e kombet e Evropës Juglindore nuk e provuan Humanizmin e Renesancën e as reformimet tjera në kohë e me kohë. Nëse disa ndër to ndodhën gjatë shek. XX, ato u provuan përsëri në formë të deformua, në formë karikature... Julia Kristajeve, kritike letrare bullgare, që jeton në paris, shkoi edhe më tutje: "individi ortodoks është i paaftë të përshtatet me shoqërinë moderne, një fakt që u bë veçanërisht i dukshëm pas rënies së komunizmit. Vlerat tona janë vonuar për dy mijë vjet ndër ne."

Përgjithësisht, "e paaftë" po tregohet komplet sfera e ndikimit historik bizantino-otoman.

2.

Më së keqi, në këto hapësira, e pësuan shqiptarët, të shtypur nga bizantinizmat e shteteve përreth, sidomos të pushtuesve sllavë e turq.

Le ta përfytyrojmë sundimin turk të djeshëm: i krishteri nuk kishte të drejtë të ndërtonte kullë si vëllai i tij mysliman, nuk kishte të drejtë të mbante armë si vëllai i tij mysliman, paguante gjizjen a taksën e rëndë si jomysliman e prej kësaj takse ishte i liruar vëllai i tij mysliman. Nuk kishte të drejtë të përfaqësimit politik as juridik e as financiar, siç i kishte vëllai i tij mysliman (dihen sa deputetë shqiptarë e sa pashallarë kishte nën perandorinë otomane). Shtoja kësaj shprehitë administrative: se si vetëm me forma të rënda korruptive (duke dhënë para, e pasuri) mund ta realizoje një të drejtë. Duke e parë se si vëllai tjetër që kishte ndërruar besim, kishte kaq shumë privilegje (shtëpi, armë, pozita), atëherë, i detyruar nga këto rrethana diskriminuese-gjenocidale, edhe shqiptari katolik detyrohet të ndërrojë besim, sepse fitonte privilegje. Ishin këto shprehi bizantine që i mori komplet nga Bizanti Turqia otomane, tash jo në emër të ortodoksisë, por të fesë së Allahut: feja në shërbim të perandorit dhe politikës.

Shqiptari, duke u mësuar nga kjo mënyrë e sjelljes armike, mori edhe vetë ato shprehi; u identifikua plotësisht me armikun e tij, i cili shndërrohet në "vëlla". Shikoje sot “binjakëzimin” ekonomik të Kosovës me Serbinë dhe merret vesh lehtas ky mentalitet me forma tragjike korruptive.

3.

Por e keqja qëndron diku tjetër: këto shprehi e mënyra kriminale të sjelljes, janë trashëguar edhe sot në jetën politike. Hegel do të thoshte Bizanti është histori e trashëguar krimesh, mbasi ende nuk ka dalë nga tunelet e Mesjetës.

Ti duhet të jesh "si udhëheqësi politik", nga i cili varet shpëtimi yt, sepse e drejta jote nuk varet nga ligji e as nga drejtësia, as nga vlerat demokratike. Duhet të jesh "si zyrtari i lartë shtetëror": nëse dëshiron të realizosh të drejta, ta realizosh një qëllim a kërkesë, duhet ta korruptosh zyrtarin, ose duhet t'i shërbesh atij dhe tarafit të tij politik, sepse politika nënshtruese e jo demokracia e vlerat tjera, e drejtojnë jetën këtu! Ti nuk e ke hisen tënde të frymëmarrjes, të ajrit, por duhet të marrësh frymë aq sa ata të[ lejojnë të marrësh...

Tjetër rrugë as që lënë: bëju si unë, bëju me mua, si të them unë! Pra, mos u bëj as si gjermani, as si amerikani, as si francezi, as t’i përqafosh vlerat demokratike, por bëju si armiqtë tu, serbi e turku! Ti duhet t'i kultivosh jo përvojat e lirisë e të demokracisë, as përvojat e dinjitetit njerëzor, por përvojat e nënshtrimit e të servilizmit. Ti nuk duhet ta respektosh vlerën, dijen, punën, madje ndaj këtyre vlerave ti duhet të sillesh me agresivitet, me mohim, me përbuzje, duke mbrojtur antinjerëzoren, të ligën, krimin, idiotësinë politike e sociale... deri te përdorimi i mjeteve të diktaturës politike a sociale.

Bizantinizmi e otomanizmi, tashmë shndërrohen në neo-otomanizëm e në ballkanizëm, e që janë bërë sinonime të së papërsosurës, të ngecjes, të regresit historik, të paaftësisë për ta zënë hapin në zhvillim e në vlera, sinonime të gjymtimit të kulturës e të qenies nacionale. Edhe kur e kemi gojën përplot “orientim evropian” “evroperëndimorizëm”, kjo shfaqet si karikaturë e vetvetes...

Nuk është e habitshme, që, duke i parë se cilat vlera gjenden në Perëndim, njerëzit që duan të jetojnë nga dija e djersa e tyre, të mësyjnë andej për të jetuar, mbasi këto vende janë bërë të padurueshme për të ekzistuar.