E marte, 30.11.2021, 06:48 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Sizifi Rinush Idrizi

E premte, 25.09.2020, 05:40 PM


Sizifi Rinush Idrizi

Nga Edison Ypi

Mësuesi i Letërsisë Rinush Idrizi hynte në klasë si dikush që vjen nga larg, furishëm, me frymëmarrje të shpejtuar, që haberin e mirë do ta sjelli patjetër, gjallë a vdekur, si Maratonomak, dhe dilte nga klasa si Sizif, i pakënaqur që shkëmbin e rëndë sa herë e ngrinte lart aq herë i rrokullisej teposhtë.

Rinush Idrizin klasa e dëgjonte si e nemitur. Arratisjet e tij letrare, nga proza dhe poezia e zgjedhur shqiptare dhe botërore, te bëmat e perëndive të Olimpit, ishin frymëndalëse. Fliste me kërcime pindarike. E niste me Nolin, e përfundonte me Danten. Fliste për Ndre Mjedën, dilte te Shekspiri. I bënte me aq shkathtësi, aq natyrshëm, butë dhe bukur, këto kërcime, sa duke udhëtuar nëpër Letërsi na dukej sikur udhëtonim nëpër botë, madje nëpër kohë.

Rinush Idrizi fliste nxënësve për libra, romane, poezi, poema, me lehtësinë e një bisede mes miqsh.

Rinush Idrizi ishte një lloj magjistari që klasën e bënte të binte në jerm, në delir, në ekstazë.

Rinish Idrizi nuk zbatonte program mësimor nga Ministria, Akademia, Drejtoria, etj. etj. Leksionet e Rinushit ishin një çakërrdisje tmerrësisht e këndëshme e pangjajshme me asgjë pedagogjike zyrtare, konvencionale.

Për Rinush Idrizin nuk kishte komitete, mbledhje, hov proletar, klasë puntore, pune vullnetare. Rinushi na mahniste me herezira. Sipas Rinushit, ata që thonë se Poeti i shkruan vargjet në momente frymëzimi, gënjejnë. Vargjet që lexohen ose recitohen me një frymë gjatë pak minutave, janë dashur vite të shkruhen. Poeti është njeri me ndjeshmëri të lartë që nuk frymëzohen në çastet e të shkruarit, por gjatë një kohe të gjatë.

Fort ngulmonte Rinushi mbi efektin që të shkruarit artistik ushtron mbi lexuesin. Sipas tij, brenda këtij misteri që kurrë nuk do të zbulohet, ndryhet sekreti i të shkruarit bukur. Është gjëja më absurde, thoshte Rinushi me nervozizëm të dukshëm, ta komentosh një tekst duke thënë se "me atë ka dashur të thotë këtë, me këtë tjetrën atë tjetrën, e kështu me rradhë". Për ta ilustruar tmerrin e komenteve trashanike, një ditë na rrëfeu një dromcë; Në një universitet diku në Europë, pritej të vinte një Profesor i famshëm që do komentonte një fragment nga Komedia Hyjnore. Studentat mbushën Aulën. U bënë gati të merrnin shënime. Ra një heshtje sa dëgjoheshin frymëmarrjet. Profesori erdhi. Me vete kishte Komedinë Hyjnore. Hodhi një sy rretheqark. Priti pak çaste. E përplasi Komedinë Hyjnore mbi tavolinë. Tha me zë të lartë; Dante nuk mund të komentohet ! Dhe iku.

I kam të gjalla hyrjet e daljet e Rinush Idrizit nëpër vargjet e De Radës, Mjedës, Serembes, si minatori brenda labirinteve nëntokësore të minierave të floririt.

Rinushi thoshte se autorët e vërtetë pasi e mbarojnë një vepër, i thonë turmës; U lodha sa e mbarova. Deri tani ishte e imja. Tash është e juaja. Merreni. Lexojeni. Griseni. Bëni ç'të doni.

Tregonte pafund për madhështinë e Heminguejt. Veçanërisht për "Plaku dhe Deti" përkthyer nga Ismail Kadare. Aq të mahnitëshme i bënte komentet, sa e gjithë klasa, edhe konviktorët e ardhur nga an' e anës "Plaku dhe Deti" e mësuan pothuajse përmendësh.

Rinushi thoshte se Poet kemi vetëm 1, Lasgush Poradecin.

Kur fliste për Prometeun dridhej sikur ta kishin lidhur atë vetë pas një shtylle dhe i kishin vënë flakën.

Një ditë Maratonomaku u fut vrullshëm në klasë me dëngun e fletoreve të hartimeve të korigjuara. E përplasi dëngun mbi tavolinë pakashumë si profesori me mjekërr Komedinë Hyjnore. Ngriti përpjetë duke e tundur njërën nga fletoret. Tha; Ky di të shkruaj ! dhe shqiptoi emrin dhe mbiemrin e autorit të këtyre rradhëve.

Kaluan vite. Unë që për gazetën Drita, revistën Nëntori, Zërin e Popullit, gazetën Puna, dija vetëm se ekzistonin, nuk e mora vesh kurrë kur dhe ku e internuan.

Më thanë se nga kjo jetë iku para kohe. S'mund të ndodhte ndryshe. Internimin e kishin shpikur për ta vrarë Sizifin Rinush Idrizi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora