Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Nexhipi: Shqiptarët, 6 vepra madhore për një vit e gjysëm

| E marte, 22.09.2020, 08:55 PM |


S’ ka popull, brenda 1 vit e gjysëm, të ketë kryer  6 vepra madhore si  shqiptarët

(Vazhdimi i tetë i artikullit ,,15 veçoritë e popullit shqiptar, publikuar në këtë portal, më 05.06.2020)

Nga Reshat Nexhipi

Hyrje

Fjala është për shpalljen e Hyrjetit në Manastir, 4 kongreset, 2 në Manastir,   1 në Dibër  dhe 1 në Elbasan, si dhe për shtypshkronjën universale,  poashtu në  Manastir, të gjashta, të realizuara brenda një vit e gjysëm, 1908-1910.! Meqenëse, për to, është shkruar dhe dihet mjaf, do përqendrohem vetëm në momentet më thelbësore të tyre dhe sipas rendit kronologjik.

Shpallja e  Hyrjetit, nga ana e Nijazibeut

Fjala është për Revolucionin xhonturk, që do të thotë turq të rinj, në kuptim njerës me pikëpmje të reja, të cilët kishin për qëllim të zhdukin apsolutizmin e egër të sulltanit dhe të zgjasin jetën e Perandorisë osmane.

Gjeneza e kësaj ngjarje qendron tek iniciativa e dr.Ibrahim Temos në Stamboll, kurse realizimi, tek Nijazibe Resnja i Prespës. Pra, strugani e filloi, prespari, e realizoi.

Takimi i parë, lidhur me këtë çështje, midis Nijazibeut dhe bashkëpuntorëve të tij, ishte bërë   në shtëpinë e  njëfarë  Haxhi Agës. Aty, pas shumë diskutimesh,   u vendos që të fillojë kryengritja kundër apsolutizmit të sulltanit. Madje, u caktua edhe data-3 korriku, dita e premte, pas faljes së xhumasë.

Për ta realizuar me sukses qëllimin, Nijazibeu, kishte vizituar disa vende në Prespë, Ohër, Strugë, por, më e rëndësishmja ishte vizita e tij në  fshatin Labënishti të Strugës. Aty, para popullit të grumbulluar, veç tjerash, kishte, thënë:

„Bullgarët kërkojnë Ohrin, Dibrën, Shkupin, Selanikun. Grekët duan Manastirin, Prilepin dhe Stambollin, gjer në Anakara. Ne, duhet, patjetër, të zgjohemi, përndryshe, Atdheun tonë do ta coptojnë armiqtë, sllavët dhe grekët, dhe do të hakmerren keq me ne...

Do të zhdukin çdo gjë që është e shëndoshë. Do të na vënë në kokë kësula serbe...do të na i dhunojnë gratë dhe motart tona. Neve, mund  të fitojmë vetëm nëse i japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut. Më mirë të vdekur me nder, se sa të gjallë e me turp“.

Nijazibeu, përmes një telegramit, kishte informuar edhe Mihal Gramenon, i cili, në  kujtimet e tij, shkruan: “Në këtë orë, muarmë nga Nijazi beu një telegram me urime dhe më ftonte në Resnjë...Arabët, taliget e kuajt, për të shkuar, ishin gati,  u bëmë 50 shpirt me shokët e Starovës e të tjerë, që na u bashkuan, kështu, në të ngrysur, arrimë në Resnjë, ku po festohej në buçim të daulleve edhe të zurnave.

Na kishin dalë për të pritur me dritat, edhe pastaj na përndanë nëpër konaket, duke mbetur unë, Çerçizi (Çerçiz Topulli-R.N.), Abdyli edhe Zamani në një konak, ku ardhi edhe Nijazibeu dhe hëngrëm bukë sëbashku”.

Çetës së Nijazibeut, të posaformuar, i ishte bashkuar edhe njëfarë Stevan Simiç, i cili, në kujtimet e tij, shkruan: “Resnja ndryshoi pamjen e saj. Nëpër tëra shtëpitë dhe dyqanet valonte flamuri i kuq shtetëror me gjysmë hënë në mes. Rrugët janë gjallëruar dhe të gëzuara...Organizohen gostira të mëdha, dëgjohen përshëndetjet e lirisë...,,

Për të përfituar popullatën, xhonturqit premtonin barazi të plotë në çdo aspekt, prandaj dhe, shqiptarët, lojtën rolin kryesor në këtë ngjarje, e filluar,siç thashë,  nga dr. Ibrhim Temo në Stamboll dhe e finalizuar nga ana e bashkëatdhetarit të tij-Nijazi be Resnjës, në Manastir. Pra,,shtafeta,, e Hyrjetit, u nis nga Stamboll, mbriu në Resnjë të Prespës dhe përfundoi në Manastir.

Pas disa ditëve të qendrimit të çetës së  Nijazibeut në fshatin Gërçar të Prespës (vendlindja e autorit të këtij teksti)nëpër bjeshkët e Pelisterit, çeta mbrin në lagjen Dovlexhik, ku më 1830, ndodhi masakri i rreth 1000 shqiptarëve dhe, pas disa orëve pushimi dhe konsultimi, çeta hyri në qytet.

Nijazi beu, në kujtimet e tij, shkruan: ,,Të dy anët e rrugës të Manastirit, ishin mbushur plot me njerëz. Një pjesë e tyre kishte hipur nëpër kariget  dhe tavolinat  e kafenesë, nga të dy anët  e lumit Dragor, kurse  të tjerët,  që nuk mund të gjenin dot vend, shikonin nga dritaret  dhe ballkonet e shtëpive,,.

Në literaturën  historike, thuhet se nëpër rrugën kryesore kalonin çeta të ndryshme shqiptare etj, me veshjet e tyre kombëtare dhe me flamuj të vet, kurse muzika në rrugë dhe në kafene buçiste pa pushim. Përndryshe, ato ditë në Manastir kishte mbrirë edhe çeta e Çerçiz Topullit me 1500 shpirt, e cila krijoi atmesferë të veçantë në mesin e shqiptarëve.

Diçka reth Kongresit të  Alfabetit.

Shtrohet pyetja: Pse ky kongres u mbajt në Manastir, e jo, fjala vjen, në Tiranë, Prishtinë, Shkup, etj.? Ka plot shkaqe për këto, të cilat në detaje i  kam elaboruar në shkrimet e mia, të publikuar në shtypin e përditshëm etj., prandaj, për të mos u përsëritur, do theksoj vetëm disa prej shkaqeve më kryesore.

Familja e Qiriazëve,  pa mëdyshje, ka merita më të mëdha për këtë,  sidomos Gjerasim Qiriazi, me çeljen e shkollës  private shqipe në Manastir, nga e cila dolën kuadro të afta për organizimin dhe mbajtjen e Kongresit. Shkaku i dytë është edhe shpallja e Hyrjetit, siç thamë,  nga ana e shqiptarit të Prespës-Nijazibeut,  çeta e të cilit ishte përbërë kryesisht nga shqiptarë, kështu që,

Xhonturqit, ishin të vetëdishëm për këtë, prandaj dhe, nuk kishin as fëtyrë, as guxim, të pengojnë mbajtjen e Kongresit.  Madje, Hivzi Pasha, prefekt i Manastirit, gjatë formimit të ,,Bashkimit,, 1908, fjalimin e mbaroi me fjalët: ,,Të rrojë kombi shqiptar,, prandaj dhe ishte zgjedhur Kryetar nderi i Kongresit, etj.-thuhet në një tekst të internetit.

Hivzi Pasha, lidhur me Hyrjetin,  përveç të tjerave, ka thënë se, shqiptarët e shpëtuan Turqinë nga një katastrotrofë e madhe, prandaj kërkesat e tyre për përparimin e Kombit, duhet të merren parasysh nga qeveria. gjë që u dëshmua edhe me mbajtjen e Kongresit të Alfabetit, në Manastir, etj.

Për këtë, merita të mëdha, kishte edhe Mitat Frashëri, i cili qeveritarëve turq u thoshte se bëhet fjalë për ndonjëlidhje e rëndomtë kulturore, pa zënë ngoe termin Alfabet ose kongres etj. Sipas Sulltan Abdulhamidi, bile, kishte   dhënë rreth 400.000 dollarë të sotëm, për mbajtjen e kësaj ,,mbledhje,,.

Shkak tjetër është edhe përkrahja e patriotëve shqiptarë nga ana e konsujve të vendeve të ndryshme, sidomos të Austrisë, në zyrat e të cilëve, pozita të rëndësishme zinin pikërisht shqiptarët, si më të besuar për konsujt. Ka edhe shkaqe të tjera, të cilat i kam elaboruar në detaje në shkrime të tjera, prandaj  të kalojmë  te  Alfabeti.

Lazgush Poradeci, për ditën e parë të Kongresit të Alfabetit, shkruan:,,Ishte një  e ftohtë e madhe,  me dëborë...Prisnim në të dy anët e lumiit Dragor...Pak pak çastesh, filluan të vijnë delegatët me llandone, që i tërrhiqnin nga katër kuaj të zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe kuajve u kishin lidhur fjongo kuqezi nëpër këmbë. Sipër mbi një karroce fluturonte një korb. Ndalon karroca dhe prej saj  del Çerçiz Topulli i cili e qëlloi me armën  që kishte me vetë dhe korbi ra para këmbëve të Mihal Gramenos.Të lumtë Çerçiz, i thotë Mihali ,,Kongresi i ABC-së do na vejë mbarë,,.

Përndryshe, ky  Kongres trasoi rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë, sepse, bashkimi i alfabeteve, ndikoi edhe në bashkimin e kombit, pa të cilën, nuk mund të ndodhte pavarësia. Ky Kongres  bëri që Manastiri të  dallohet nga  çdo qytet dhe ngjarje tjetër shqiptare. Ja pse: Shteti i parë shqiptar i krijuar më 1444, në Lezhë, vazhdoi deri sa ishte gjallë Skenderbeu, Vendimet e Lidhjes së Prizrenit, vetëm disa vite, Shpallja e pavarësisë, poashtu, kurse Alfabeti i Manastirit, do mbetet për gjithnjë.

Në Kongresin e Alfabetit, veç tjerash, u vendos ngritja e shtypshkronjës, gjë që e realizoi Hristo Qiriazi, duke shkuar në evropë    ku u pais me mjetet e nevojshme. Shtypshkronja filloi punën më 1 shtator 1909.

Kryetar i Shoqërisë Botonjëse Letrare u emërua Fehim Frashëri, arkëtar Gjergj Qiriazi, sekretar Izet Zavalani dhe drejtor i shtypshkronjës Hristo Qiriazi. Në të punonin 20-25 puntorë, nga kombësi të ndryshme, prandaj dhe njihej si çerdhe e bashkëjetesës. Vlera e shtypshkronjës ishte 2.000 napoleona florinjsh. Shtypshkronja, ishte ngritur në oborrin e familjes Qiriazi dhe nga ajo sot s’ka mbetur, që thotë populli, as nam as nishan.

Në të u botuan 300.000 copë në 13 gjuhë të ndryshme,  30 tituj në gjuhën shqipe, 22 turqisht, 4 greqisht, 3 sërbisht, 2 bullgarisht dhe 1 titull rumunisht, që do të thotë gjithsejt mbi 60 tituj, dhe  Në të botoheshin libra, fjalorë, libra fetare, reklama, dëftesa, pliko, ftesa për dasmë, kartë-vizita.

Tekstet e shtypshkronjë, disperzoheshin në tërë anët e botës, bashkë me to aktuelizohej edhe çështja kombëtare shqiptare, prandaj dhe  sipas administratës xhonturke, kjo shtypshkronjë ishte jo vetëm  luftëtare e flaktë e ruajtjes së alfabetit latin por edhe protagonistja e përgatitjes së Kryengritjes së Përgjithshme në Shqipërinë e Veriut.

Kongresi i Dibrës, 1909. Merrnin pjesë  325 delegatë, nga të cilët 30   serbë, midis të cilëve Glisha Elezoviq-profesor në Shkup, 25 sllavë maqedonas, 9 vllehë, 6-7 turq etj. Kongresi ishte orgnizuar nga ana e xhonturqëve, me qëllim mbrojtjen e alfabetit turko-arab etj., por, mbaroi me fitoren e patriotëve shqiptarë, të cilët i bënë goditje të madhe  ati alfabeti  të ,,mykur,, pesëshekullor.

Kongresi i Dibrës...Abdyl Be Ypi ishte kryesues i Kongresit, në të cilin përveç Alfabetit të Manastirit, ishte  aktualizuar  edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. Qenan Zija Be nga Manastiri kishte propozuar që në Kongresin e Dibrës të flitet vetëm shqip, sepse, sipas tij, Dibra ishte qytet shqiptar...

  drejtim të Alfabetit kontribut të madh kishin dhënë Ferit Be Ypi dhe Rifat Manastiri. Në  Kongres merrnin  pjesë edhe Dervish Hima,  Fehim Be Zavalani, Sotir Peci, Hafiz Ali Korça, etj. Përpara se të bëhej shpërndarja, delegatët e Kongresit vendosën që Kongresi i Tetorit të vitit 1910 të mbahet në Shkup”.

Kongresi i Elbasanit, 1909.  U mbajt në godinën historike të shkollës së kalasë. Veç vendimeve të tjera, lidhur me Alfabetin e Manastirit,  zgjedhjen  e dialektit të  Elbasanit si gjuhë kombëtare, ajo që është më thelbësore nga ky kongres historik  është  vendimi për hapjen e  Shkollës Normale  në Elbasan, në të cilën u shkolluan edhe mjaft shqiptarë nga Maqedonie, Kosova etj.

Organizatori kryesor i kongresit ishte  patrioti Lef Nosi, i cili u caktua për kryetar.. Merrnin pjesë 35 delegatë, midis të cilëve Mitat Frashëri, ish kryetari i Kongresit të Alfabetit, Gjergj Qiriazi me motrën e tij Sevastinë, si dhe bashkëshorti i saj Kristo Dako etj.

Kongresi II i Manastirit. Në Fjalorin enciklopedik, f. 1257 thuhet se ky Kongres i mbajtur më 2-3 prill të vitit në fjalë, ishte një Mbledhje mbarëshqiptare  për mbrojtjen e shkollës  dhe shkrimit shqip, për përparimin kulturor të Shqipërisë dhe për organizimin e mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. U thir me nismën e klubit ,,Bashkimi,,

Në të morën pjesë  20 delegatë, që përfaqësun 34 klube dhe shoqëri  nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Themistokli Gërmenji, Gjerasim Qiriazi,  Rexhep Mitrovica, etj. Kryetar u zgjodh  Bedri Pejani ndërsa  sekretarë   Ferid Ypi dhe Petro Nini Luarasi. Mbrojtja e Alfabetit dhe avancimi çështjes  kombëtare, nëpërgjithësi, ishin në fokus të kongresit. Po përfundoj me mesazhin e qëlluar të struganit në vijim.

Dervish Hima,   Kongresin e Dytë, veç tjerave, porositi: Prej sot e tutje mos përmendim më fjalët toskë, gegë, bektashi, synit shihit, ortodoks, katolik, krishter, mysliman etj. por vetëm shqiptar, se të gjithë shqiptarë jemi, një origjinë, një gjuhë dhe qëllim kemi.

Veçanti  për kombin  tonë është edhe fakti  që rrallë ka popull,    gjuha dhe origjina e të cilit, të jetë  aqë tepër objekt i të huajëve, si tonat.  Prandaj dhe, kësaj çështje, i kam kushtuar tekst të posaçëm, gati për  publikim.