E enjte, 22.10.2020, 03:39 PM (GMT+1)

Personalitete

Ibrahim Kabili: Dërvish Shaqa - Figurë legjendare e këngës

E hene, 21.09.2020, 08:34 PM


Dërvish Shaqa - Figurë legjendare e këngës folklorike shqiptare, atdhetar i flaktë

Nga Ibrahim Kabili

Dërvish Shaqa qe dhe mbetet një emër i madh. Ai qe një artist i lindur, një këngëtar potent, një rrapsod me zë të ëmbël dhe kumbues, një artist që "pushtonte" skenat me sharmin dhe paraqitjen fizike e artistike të tij. Dërvishi qe mjeshtër i sharkisë dhe çiftelisë, qe modeli i një patrioti dhe atdhetari të regjun dardan. Si nxitje për të bërë këtë shkrim modest për rrapsodin më të madh shqiptar të të gjitha kohrave, Dërvish Shaqa, qenë kujtimet e mija të fëmijërisë. Qenë interpretimet virtuoze të tij, që na i përcillnin në ato vite, Radio Tirana, Radio Shkodra, Radio Kukësi dhe më vonë RTVSH-ja. Dërvish Shaqa me repertorin e larmishëm të këngëve të tij të bënte për vete, dhe mjafton ta ndiqje vetëm një herë dhe shumë shpejt do ishe pjesë e " perandorisë" së tij të këngës e muzikës. Teksti i këngëve, zëri melodioz, larmia tematike e këngëve dhe interpretimi i tyre nga Dërvishi të tërhiqnin si me magji dhe nuk mund të shkëputeshe më kurrë. Këngëtari, rapsodi dhe instrumentisti  Dërvish Shaqa, t'u "impononte" me interpretimin e këngëve të tij. Kështu ndikoi dhe te unë në vitet '70 dhe u bë edhe për mua e shumë të tjerë një rrapsod shumë i dashur dhe i pa zevendësyeshëm. Me këngët patriotike, me këngët kushtuar ngarjeve të mëdha historike, me këngët për herojtë mu imponua dhe mua si rrapsod. Më "mbërtheu" pas këngëve të tij, shpesh më bëri dhe të "lotoj" nga emocionet  që ai ngjallte me këngët e tij.

Dërvish Shaqa lindi në shtator të vitit 1912 në Llukë të Epërme të Deçanit në Kosovë. Lindi në vitin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për fatin e trishtë ,Kosova, vendlindja e tij mbeti jasht kufijve të shtetit amë, jasht Shqipërisë. Kjo padrejtësi e madhe e Fuqive të Mëdha, ngjalli pakënaqësi dhe indinjatë te shqiptarët, padyshim dhe te familjarët e Shaqes. Dërvishi lindi në një familje patriotike dhe atdhetare. Ajo u dallua në luftërat kundër pushtuesve serb e malazez. Me këtë frymë u lind, u rrit, u edukua dhe u brumos dhe djaloshi i ri. Kjo frymë ndikoj fuqishëm në veprimtarinë patriotike të mëvonshme të Dërvishit. E ëma e Dërvishit qe mbesa e Sulejman Vokshit. Si e tillë, ajo i forcoi dhe më shumë ndjenjat atdhetare të djalit të saj, Dërvishit. Sa më shumë kalonin vitet, aq më tepër, shtohej urrejtja ndaj pushtuesit serb, aq më shumë gjendeshin rrugë, forma qëndrese, mënyra për të kundërshtuar këtë regjim gjakatar. Djaloshi i ri duke pasur një edukim të tillë atdhetar, filloj të lidhet me grupet dhe rrethet patriotike të kohës. Kundërshtoi regjimin dhe u bashkua me grupet kaçake. Një nga format e qëndresës qe dhe kënga. Dërvishi tanimë qe formuar si këngëtar, dhe qe bërë një rapsod i njohur. Ai u formua dhe u skalit në odat e burrave. Ai ra në sy të organeve të sigurimit serbo-jugosllav dhe përndiqej nga UDB-ja dhe disa udbashë shqipfolës. Rruga e vetme për ti shpëtuar regjimit, burgimit dhe torturave, ishte largimi dhe arratisja jasht vendit.Te Kënga e Kamer Loshit do ta pasqyrohej kjo situatë e rëndë për shqiptarët e Kosovës:

...Kamer Loshi, Kamer Sejdia

Çou bre djalë se t'ka rrethue Serbia

Po pisket eu Kamber Sejdia

Dilni shokë, or te qershia...

Nën pretekstin e "mbledhjes së armëve" u dëbuan, vranë, torturuan me qindra e mijra shqiptar të Kosovës. Qëllimi qe spastrimi etnik, zhdukja e shqiptarëve. Situata qe tepër e vështirë, shumë e rëndë, e rapsodi Shaqja këtë e tregon me vargjet e këngës:

...Haj medet e çka koka kanë

Na ra serbi o n'katër anë

N'katër anët haj  medet

Tana armët o po na hjekë...

Kjo situatë e keqe për shqiptarët, e krijuar nga Serbia, qe prezente për një periudhë të gjatë në Kosovë. Për të shpëtuar veten, familjen dhe Kosovën, më 8 mars 1956, Dërvishi së bashku me Demush Nezirin dhe Adem Ramën  largohen nga Kosova dhe vijnë në Shqipëri. Largimi për to qe i dhimbshëm por nuk kishte rrugë tjetër. Shaqa la Kosovën, la atje gruan, djalin e madh Shpendin 7 vjeç dhe djalin e vogël Aliun 6 muajsh. Pasi erdhën në Shqipëri, vendi mëmë i'u hapi derën, por dhimbja e largimit qe madhe. Rapsodi Shaqa këtë situatë do e përjetësonte me këngën:

...O kur ta kthyem moj Kosovë shpinën

Hej e hej more e lamë borë e gjetëm dimën

Gjetëm mret moçale këneta

Hej e heh more, buk e lot na shkojke jeta...

Ardhja në Shqipëri kishte vështirësitë e veta. Fillimisht punoi në Tiranë dhe Elbasan, e më pas vendoset në Rrashbull Durrës. Këtu qëndroi deri në fund të jetës së tij. Këtu filloj një jetë të re por mendjen, shpirtin dhe zemrën e kishte te familja në Kosovë. Në Rrashbull, krahas punës dhe veprimtarisë kombëtare, Dërvishi krijoi një grup artistik që quhej "Grupi Kosovar i Rrashbullit". Përgjegjës i këtij grupi qe i madhi Dërvish Shaqa. Në këtë grup bënte pjesë dhe rapsodi tjetër me emër të madh Demush Neziri, dhe dhjetë antarë të tjerë. Grupi i drejtuar nga Shaqa shumë shpejt u bë një "ansambël" që me repertorin e tij të tërhiqte si një magji. Kjo dhe falë punës e përkushtimit të Dërvishit dhe gjithë grupit.

...Moj Shqipni mos thuaj marova

Se djemt e tu ende janë gjallë

N'kam janë çu rrept Kosova

E bajnë luftën e ball për balll...

Ky Grup qe shumë i mirë që dhe sot kur kujtohet të ringjall vetëm respekt e nostalgji. Në vitin 1968 Grupi Kosovar i Rrashbullit mori pjesë në FFKGJ me një program shumë të mirë. Këtu mori emër të madh dhe u veçua nga të gjithë, këtu grupi vulosi dhe emrin e nderuar të tij. E pa asnjë dyshim figura qendrore e grupit qe rapsodi legjendar, më i miri i të gjitha kohrave, Dërvish Shaqa. Po, për këtë rapsod, mund të bëhet vlerësimi, edhe në shkallën sipërore...Emri i këtij rapsodi, radhitet me emrat e rapsodëve më të nderuar të kombit si: Tom Nikolla, Frrok Haxhia, Riza Bllaca, Sali Mani, Haziz Ndreu etj.etj.

Veprimtarinë e tij artistike Dërvishi e filloi në vendlindjen e tij, Kosovë. Fillimisht në oda ku veç këngës përjetohej dhe historia, ndahej drejtësia, lidhej miqësia e ndaheshin "gjygje".

E vazhdoi në dasma, në ato grupet artistike që nuk shiheshin me sy të mirë nga pushtuesi serb. Në Shqipëri, ai,  arriti majat me grupin e Rrashbullit. Dërvishi me grupin e tij, por dhe në grupe të tjera, dha koncerte në të gjithë Shqipërinë dhe në disa vende të tjera të botës. Në Dizhon të Francës mori dhe çmimin e parë. Në Shqipëri ai gjeti një ambient të përshtatshëm për ta zhvilluar këngën, për ta përsosur më mirë atë, për ta venë më mirë në shërbim të atdheut, popullit, kombit të tij. Shteti shqiptar e mbështeti Dërvish Shaqen, për të Rrashbulli qe dashuria dhe krenaria e madhe shqiptare. Këtu ai krijoi dhe këndoi këngë kushtuar sistemit të kohës, jetës së re, dhe arritjeve të asaj periudhe. Sa qe gjallë Dërvishi vetëm mesazhe bashkimi mes shqiptarëve jepte...

Ai shquhej për interpretimin e këngëve patriotike. Kënga e tij qe e mbeti origjinale, pa deformime, e mbështetur në tabanin popullor. Shquhej për një interpretim të veçantë. Këngë ishte me zë e vokal të pastër, që vetëm ai i kishte. Kënga e Kosovës u bë "pronë" e rapsodit Kosovar  Dërvish Shaqja. Ai ishte potent në skenë, me trup të gjatë e të bëshëm prej kosovari, me veshje të bukur të Kosovës, me mustaqet e gjata, me zërin burrëror, me plisin e bardhë dhe interpretimet e tij "pushtonte" skenat dhe elektrizonte spektatorët. Me sharkinë dhe çiftelinë e tij i këndoj Kosovës, Shqipërisë, atdheut, kombit shqiptar, traditave tona, besës, burrërisë, punës, dadhurisë, trimërisë, jetës etj.

Ai gjithnjë u duartrokit, u desh shumë nga publiku, u kthye e rikthye shpesh në skenë. Ai megjithëse larg Kosovës, e mbajti gjallë këngën e saj, e mbaji gjallë Kosovën, dhe e motivojë Atë, për beteja të reja. Me gjithë këtë krijimtari dhe aktivitet të gjatë Dërvish Shaqa do mbetet për shqiptaret një rapsod legjendar, një krye rapsod, interpretuesi më i mirë i të gjitha kohrave. E kjo do të plotësohej e pasqyrohej më  shumë dhe më mirë prej tij, edhe në veprimtarinë patriotike.

Dërvish Shaqa në gati 50 vjet karierë artistike  pati një krijimtari të madhe artistike. Ndërmjet tjerash Shaqa pati dhe këto këngë: Këngë për Bajram Currin, N'Selanik u mblodh xhymjeti, Çohu Rexhë, Kamer Loshi, Kënga e Azem dhe Shote Galicës, Lufta e Junikut, Isa Boletinit, Luftojnë trimat, N'Kaçanik deri n'Boletin, Për vend tonë jemi tuj luftue, Prapë ushtrojnë malet e Kosovës, Ali Pasha se n'bedena, Dervish Pasha po përvet, Kush e nisi luftën ma i pari, Kan shkrep letrat për Shqipni, Hollë po qet povata n'lëndinë, Cfar janë këto gjama që i bien era, Shumë asqer po qet pampori, N'Mitrovicë po rreh teli, Baba mbret po e fal sabahun,  Çfar i tha Cima Vuksan Lekës, Asllan Pasha në Gjog të  Bardhë, Një bylbul që po këndon në tavan, E mirë boll e flokët e gjata, Demë Isufi Arif Povata, Kur jam kanë njëher i ri, E mirë bolle e bardhë si pllumbi, N'dërrasë të Vekit, Adem Sadikut,  Kënga e Can Maxhunit, Bec Patanit, Hasan Aga në kamë o çu, Nak Berisha, Po pyet sulltani, Haj medet për kët Shqipni, Oj Kosovë mriz me zana, Kënga e Isuf Idrizit, Në Vranoc pasha ka shku, Shaban Polluzha, N'kam o çue mytesarifi, Festë të madhe ka sot Shqipëria, Të shtatë krajlat rrehin telin, Zhuj Selmani, Ahmet Delia, Prej Podrimje po vjen haberi, Haxhi Gashi, Moj Shqipni mos thuaj marova, Moj Kosovë trimneshë Dardane, Pyet Kosova për një çikë, Vallja e shpatave, Por si ujë që del nga gurra, Këngë për Hajdar Dushin, Na ra krali në katër anë, Kënga e Shaqir Igrishtës, Vrasja e kancollozit, Kënga e Ramë Binakut, Zemra o bo sharki, Hajredin Pasha, E mirë boll në atë stanishtë, E mirë boll syrin si rrushi, Moj e mira n'ato shpate, Preh atë sene që ke hyrrjeti, Këngë për Maliq Pashën, Gjon Leka 20 vjeç djalë, E mirë boll synin si rrushi, Këngë për Kadri Bajrin, E mirë boll në qafë të sulbicës, I madhi zot ruajma vatanin, Lum e lum nana shqiptare, Tanë Kosova mbuluar me tym, Moj e mirë që shkon për gështenja, Lufta e Junikut, Islam Aga në teqet t'Shehit, Kënga e Zeqir Llaushës, Kur e nisëm të parën lojë, Mjerë dada ku po t'len ty, Isuf Idrizi n'Kaporan, Priti djemt e Mumliqetit, Dërvish Pasha një pash i vogël, Isa begu dhe Idriz Seferi, Kënga e Adem Sadik Kurmekës, Mihanjo, Kënga e Marash Palit etj.etj.

Shaqja i këndoj me gjithë fuqinë e shpirtit të tij figurave të mëdha atdhetare të kombit tonë, patriotëve të shquar, luftëtarëve të Atdheut, trimave të pushkës dhe luftëtarëve të lirisë, që bënnë një luftë e qëndresë të gjatë në histori. Ai i këndoi vendlindjes së tij të shtrejtë Kosovës dhe nëpërmjet këngëve për të, na sjellte realitetin e dhimbshëm të Kosovës nën pushtimin serbo malazez, dhe qëndresës së shqiptarëve të Kosovë kundër pushtuesve serbë. Këngët e tij ngjallin patriotizëm, atdhedashuri. Qenë një motiv më shumë për rezistencë, qëndresë, pse jo dhe për organizim të kryengritjeve e demonstratave kundra pushtuesit serb. Shaqa përjetësoi në këngë ngjarje e figura të mëdha historike. Ai nuk qe vetëm një këngëtar i madh por dhe një patriot i flaktë që punoi në shërbim të Kosovës e çështjes kombëtare. Mori pjesë në lëvizjet kaçake kundër regjimit serb, punoi me grupe të ndryshme dhe organizoi rezistencë e formoi baza kundër Serbisë. Hyri ilegalisht shumë herë në Kosovë ku u takua me bashkëpatriotë, dhe u dërgoi armatime dhe bazë materiale. Porosiste njerzit që ti shkollonin fëmijët në shkollat ushtarake dhe policore të Ish Jugosllavisë, me qëllimin që ti afroheshin më afër armikut, dhe më pas njohuritë e marra të viheshin në favor të luftës. E kjo ndodhi. Fara e hedhur në ato vite dha frute shumë të mira edhe në luftën e fundit, të viteve 1998-99. Ai është dhe veteran i luftës pasi ka marrë pjesë me veprimtarinë e tij, në shumë luftëra. Kishte shumë shokë, miq, e bashkëpunëtorë. Një ndër to qe dhe Demush Neziri. Me të kënduan shumë  në skenë dhe patën edhe shumë bashkëpunime. Të dy pas vdekjes janë shpallur "Qytetar Nderi" të  Komunës së Rrashbull në Durrës, me motivacionin: Për kontributin e shquar për krijimin, interpretimin dhe përhapjen e këngës burimore folklorike shqiptare. Grupi "Dërvish Shaqa" nga Deçani i mban gjallë këngët burimore të popullit dhe të tij. Për nder të dy rapsodëve të shquar, në Deçan organizohet  një festivali i përvitshëm me titullin: "Eshkë e ndezur në Shkëlzen". Për Dërvish Shaqen e Demush Nezirin janë thurur dhe kënduar shumë këngë nga disa këngëtar si: Shaqir Çervadiku, Zenun Maksutaj, Dem Isufi dhe Isuf Rustemi, Shpend Shaqa( i biri), vëllezërit Bajra, Beqir Gashi dhe Muj Krasniqi, Nik Rama dhe Prek Vukaj, Adem Istrefi, Mustaf Ramaj, Shaqë Avdia, Syl Mëhalla dhe Elmi Agushi, Mehmet Petrovci dhe Isuf Rashiti, Ramadan Krasniqi dhe Florim Shaba, Vëllezërit Qetaj etj. Po kështu dhe disa grupe artistike si ai i: Malishevës, Hajvalisë, Rrashbullit etj. kanë këndur këngë për To. Sa vlerë humane, artistët nderojnë artistë!

Dërvish Shaqa mban tituj të lartë akorduar nga shteti i kohës kur jetoi dhe punoi. Eshtë dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Vlerësimin më të lartë për të e ka bërë populli, që e donte e respektonte shumë.

Rapsodi Dërvish Shaqa vdiq në Rrashbull më 13 prill 1985. Vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të madhe tek bashkëkombasit e vet. Ai la pas djemt e familjen e tij, që tanimë ecin në rrugën e gjurmët e babait, la pas këngët dhe veprën e tij.

Rapsodi Dërvish Shaqa, do mbeten përjetë, në memorjen dhe kujtesën historike të shqiptarëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora