Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vilma Zonja: Intervistë me notaren olimpiste Nikol Merizaj

| E diele, 20.09.2020, 06:42 PM |


“Noti është ëndrra-pasioni-puna ime”, intervistë me notaren olimpiste Nikol Merizaj

Vilma Zonja është një 15 vjeçare e talentuar dhe e apasionuar pas notit. Si shumë nga bashkëmoshatarët e saj edhe ajo ka modelet që e frymëzojnë dhe e nxisin për të ecur përpara. Një ndër to është notarja olimpiste shqiptare Nikol Merizaj. Vilma mori guximin dhe i drejtoi sportistes së njohur disa pyetje duke zhvilluar një intervistë me të. Përgjigjet e sinqerta dhe të drejtpërdrejta të sportistes elitare, përthyejnë mjaft ide interesante e të rëndësishme të kohës sonë për të cilat duhet të tërheqim më shumë vëmendjen.

Ndiqeni në vijim bashkëbisedimin e tyre.

Nikol, si e fillove notin?

N. Merizaj: Notin e kam filluar në vitin 2012, në moshën 14 vjeçare nëpërmjet disa të njohurve tanë që kishin fëmijët notarë.

Kur e kuptove se të pëlqente noti ?

N. Merizaj:  Di të them uji më ka pëlqyer që shumë e vogël madje mami më thotë se nuk doja të dilja nga deti. Noti ka qenë me mua gjithmonë, më  ka pëlqyer dhe e kam ndjekur rregullisht,  pavarësisht se mundësitë ishin të tilla që unë të filloja në një moshë pak të madhe krahasuar me moshatarët e mij, megjithatë me punë ja kam dalë dhe sot noti është gjithçka që kam.

Cili është idhulli yt?

N. Merizaj: Gjithmonë jam munduar të mos kem një idhull konkret por të përqëndrohem tek përmirësimi i vetes sime duke punuar çdo ditë e më shumë.

Vajtja në Lojrat Olimpike është një nga arritjet më të mëdha për një notare profesioniste. Cli ishte çasti yt i parapëlqyer nga Lojrat Olimpike?

N. Merizaj: Lojrat Olimpike janë padyshim pika kulminante e karrierës dhe ëndrra e çdo sportisti profesionist. Nga Lojrat Olimpike Rio 2016 nuk mund të veçoj një çast specifik të preferuar, pasi nga arritja në Fshatin Olimpik  e deri në kthim ka qenë ëndrra ime, momenti im që e kam shijuar deri në fund edhe pse më e vogla e delegacionit shqiptar,  vetëm 17 vjeç.

Ti mban shumicën e rekordeve kombëtare shqiptare dhe unë e di se për të arritur këtë duhet shume punë e sakrificë. Çfarë mund të na thuash më shumë për këtë ?

N. Merizaj:  Rekordet kombëtare kanë nisur dhe me shpalljen si kampione kombëtare në vitin 2013. Sigurisht për të venë këto rekorde puna nuk ka munguar, por më e veshtire është t’i thyesh e t’i përmirësosh keto rekorde. Për këtë më është dashur të lëviz nga Shqipëria dhe të zhvendosem në Greqi, në një nga ekipet më të mira të vendit dhe me trajnier profesionist.

Noti është një nga sportet më të veshtira. Cila është gjëja jote e parapëlqyer tek noti ?

N. Merizaj: Dashuria ime për notin ka qenë shumë e hershme pavarësisht pamundësisë së prindërve për tu shkëputur nga puna e për të më shoqëruar në pishinë, prandaj dhe mosha në të cilen e kam filluar këtë sport është relativisht e madhe. Megjithatë gjithmonë  kam ëndërruar të jem notare, gjithmonë shikoja Kampionatet Botërore, Evropiane të notit dhe Lojrat Olimpike në televizor dhe ëndërroja te isha dhe unë një ditë në të tillë pozicion. Noti është ëndrra-pasioni-puna ime dhe kjo gjë ma bënë dhe më të lehtë stërvitjen e çdo ditë.

Cila është rutina jote e përditshme për rezultate sa më të mira ?

N. Merizaj: Noti është baza e rutinës time ditore duke filluar në mëngjes herët 5:30 stërvitjen e parë deri në orën 7:30. Më pas ushqehem, studjoj dhe përgatitem për stervitjen e dytë në orën 16:00 - 18:00, më pas në orën 18:30 deri 20:00 është përgatitja në palestër. Kjo është një ditë e imja, pa kohë të lirë dhe e përkushtuar tek stërvitja dhe studimi.

Çfarë duhet të bëjë  më tepër qeveria për masivizimin e sportit të notit ?

N. Merizaj:  Sporti është e ardhmja. Shëndeti është baza e gjithëçkaje. Për një mirëqenie të plotë duhet të merremi me sport. Qeveria duhet të merret me masivizimin e sportit duke filluar nga kopshtet, shkollat e deri tek mosha e tretë. Në Shqipëri sporti i notit që është sport elitar, një nga sportet më të bukura e më të ndjekura në mbarë botën,  duhet të krijojë  kushtet më elementare që është pishina, duhet që çdo notar fillestar apo profesionist të motivohet dhe të shpërblehet për rezultatin.

Cila është këshilla jote kryesore për vajzat dhe djemtë që dëshirojnë të bëhen notarë?

N. Merizaj:  Noti është një sport që karakterizohet nga bukuria trupore si tek djemtë, ashtu edhe tek vajzat. Është një sport pa dëmtime, një sport i mirëqënies mendore. Do të doja shumë të motivoja djem dhe vajza të vogla të merren me sport duke i treguar historinë time nga një njeri i thjeshtë,  duke arritur në majën e sportit, duke shëtitur gjithë botën e duke bërë atë që dua më shumë. Sporti më ka sherbyer të njoh njerëz të rinj, të më hapë dyer me perspektiva të reja. Prandaj do t’u sugjeroja prindërve në rradhë të pare të shoqërojnë fëmijet e tyre të merren me një sport dhe pse jo me sportin më të bukur në botë, me atë të notit.