E shtune, 31.10.2020, 10:45 PM (GMT)

Kulturë

Skënder Hoxha: Toponimia e Dushkajës kundruar në rrafshin fjalëformues leksikor

E diele, 20.09.2020, 08:25 AM


TOPONIMINA E DUSHKAJËS KUNDRUAR NË RRAFSHIN FJALËFORMUES E LEKSIKOR

Nga Mr. SKËNDER R. HOXHA

Toponimet e kësaj treve kur i vështrojmë nga aspekti i fjalëformimit, nga baza substratike, trajtat e mirëfillta, transformimi gjatë zhvillimit historik historik, e gjer te trajtat e sotme të tyre, na dalin: 1. Toponime njëgjymtyrëshe: Abllani, Arashe, Baballaki, Babshori, Bajraki, Bokat, Bostonishta, Butajat, Cërragoret (Qarragojë), Çërhanet, Çogzat, Drumi, Erenike, Errnica, Fongishta, Gozhdare, Gurinat, Gurishtat, Gurzimi, Gjollat, Hodrojet, Kafjan, Kashajak, Kodër, Kodrat, Korumet, Linishtat, Lishake, Livadhishta, Lkëni, Lugshtina, Llanishtat, Malurica, Mllakishta, Mrizet, Muha, Përlina, Podinat, Porrotici, Qereminet, t, Rezinë, Rrafshinat, Rrafshtina, Rrahi, Rrahinat, Rrahnajet, Rrinat, Rrihnat, Rrethi, Seishta, Serishtat, Skërrkat, Sojishtat, Stublina, Shavarina, Shavarinat, Shpatinat, Shtërpujkat, Shtraza, Shtreza, Trojet, Vërtishtat, Vneshtë, Zabele, Zallinat, Zallinë, Zhari, etj.; 2. Toponime dygjymtyrëshe: Ana Rrezes, Ara Rrumullake, Arat e Vad’s, Balta Thive, Jazi Mullinit, Kodra Dashinocit, Kodra Madhe, Kroni Çygave, Kroni Mirë, Kroni Prëqit, Kroni Rrahinave, Kryqi Rakocit, Lâma Spahive, Ledina Arasheve, Ledina Zabelit, Livadhi Balte, Livadhi Bardhecit, Livadhi Butë, Livadhi Damanit, Livadhi  Shpatit, Lisat e Kodralisë, Lugi Ahave, Lugi Pap’s, Lugi Skarramanit, Lugi Shavarit, Lugi Thanave, Mali Butaj’s, Podi Fir’s, Prroni Qiqrrit, Prroni Zallinav, Qafa Suk’s, Roga Hotit, Shpati Suk’s, Udha Love, Ura Kurkaskve, Vija Biteshit, Zabeli Gojanit, Ziti Kalasë, et.; 3.Toponime trigjymtyrëshe: Ara Col Dod’s, Arat e Kodrës Qarrit, Arat e Malit Maskodrës, Gurra Mehmet Shkodrës, Jazi Livadheve t’ Epra, Kodra Madhe e Palcenve, Livadhi Lugit Skarramanit, Livadhi Lugit Vorreve, Lugi Livadhev t’Egra, Malet e Prronit Qiqrrit, Malet e Rrafshit Kryarav, Mali Kronit Etheve, Mali Lugit Blet’s, Mali Lugit Nik’s, Mali Lugit Shavarit, Mali Shpatit Magarve, Rruga Qaf’s Suk’s, Shelnja Rog’s Dervarve, Vorri Bab’s Arap, etj.; 4.Toponime katër e më shumëgjymtyrëshe: Arat e Kronit Mrizit Madh, Ara Te Plepi Bardhë, Arat e Pllugishtave t’Hasa (n) Dod’s, Kodra Rraheve e Kronit Me Dy Gurra, Kroni i Mark Lulashit e Mânalive,  Livadhet e Rrahijeve t’Nik Rexh’s, Livadhi Gryk’s Bot’s Kuqe, Lluga Vorreve n’Bec t’Epër, Malet e Rrethit t’Qarrit Uruçit, Roga Ku u Vra i Dollovsi, Udha Gurit Kalit Për Radoniq, Vorret e Dedakve Nërmje Prrojeve, Vorri Mirë të Lisat e Avdylit, etj. dhe 5.Toponime – kompozita: Nërarat, Nërjazet, Nërudhja, Nërvijat, Përteprronja, e ndonjë tjetër.

Nga materiali toponimik i territorit të krahinës së Dushkajës, vërehet se toponimet njëgjymtyrëshe na dalin: a). – toponime – fjalë të parme, në formën e njëjësit dhe të shumësit, si: RRAHI, SUKA, BAJRAKI, DRUMI, TROJET, , KODËR, GURZIMI, PODINA, MRIZI, etj.; dhe b. – toponime – fjalë të prejardhura: BOSTONISHTA, GURISHTAT, PLLUGISHTAT, RRAFSHINAT, RRAFSHTINAT, LINISHTAT, LLANISHTAT,  RRAHISHTAT, RRAHNAJET, SHPATINAT, MLLAKISHTA, SHAVARINAT, VERRISHTAT, etj. Ndërsa pjesa dërmuese e toponimeve të këtij krahu janë dygjymtyrëshe, trigjymtyrëshe dhe (një numër i vogël) janë katër e më shumëgjymtyrëshe, pra toponime togfjalësha. Toponimet e këtij tipi, që i zumë ngoje më lart, kryesisht ishin togfjalësha emër + mbiemër cilësor, si dhe togfjalësha emër + emër në rasën gjinore. Gjatë shqiptimit të këtyre toponimeve, kur pjesa e parë e togfjalëshit është emër në numrin njëjës, nyja e pjësës së dytë (emër në rasën gjinore apo mbiemër cilësor) nuk hetohet së shqiptuari. Kjo nyjë (i ose e), në të folmen e këtushme, shqiptohet në rastet kur pkesa e parë e toponimit togfjalësh është në numrin shumës (shih toponimet e përmendura të këtij tipi). Ndërkaq, në raste të veçanta, kur informatori motivohet që ta përsërisë emrin e toponimit a hidronimit, apo kur ai dëshironte me qëllim ta theksojë atë, atëherë hetohet shqiptimi i nyjës edhe kur pjesa e parë e togfjalëshit është emër në numrin njëjës, karakteristikë kjo që eshtë prezente në shumë malësi tonat shqipfolëse.

Toponime kompozitore në Dushkajë ka pak. Ato që i gjeta të gjallojnë sot, janë të sajuara nga dy pjesë, shih: NËR (nën) + JAZ~ET = Nërjazet; NËR + VIJAT = Nërvijat; ku pjesa e parë e kësaj kompozite – pjesa caktuese rrethanore e saj, është një ndajfolje vendi (nër – nën), ndërsa pjesa e dytë – pjesa e caktuar e kompozitës, është një emër i shprehur në shumësin e shquar – JAZET, VIJAT, ARAT etj., që mban pranë vetes rrethanën caktuese, për të formuar kështu këto toponime kompozitore. Pastaj top. PËRTE (andej) + PRRON~ja = Përteprronja (Kupto: andej, në anën tjatër të Përroit); shih edhe të tjerat...

Kur kemi në shqyrtim disa nga mjetet leksikore që e karakterizojnë toponomastikën e Dushkajës, të përmendim këtu edhe disa veçori në fushë të fonetikës. Në një numër të toponimeve të kësaj ane e gjejmë të gjallojë –a nazale (â) si p.sh.: LÂMA -  LÂMA SPAHIVE, LÂMA HASA(N) DYK’S; SHULLÂNI; STÂKA – MAHALLA STÂK’S etj. Gjithashtu është karakteristike se –ë-  në pozicion fundor të fjalës si dhe në trup të rrokjes së fundit të disa emrvendeve, nuk shqiptohej fare, ja disa shembuj: SHPATI SUK’S, ARAT E GRYK’S GJEREQIN’S, PODI FIR’S, ARAT E RAM’ HOXH’S, ARA COL DOD’S, KODRA (e) HASA(n) OS’S (lexo: Kodra e Hasan Osës) etj. Tek antroponimet SELMAN, HASAN, SHABAN, kur janë si pjesë e ndonjë toponimi – togfjalësh, që tregojnë përkatësinë e ndonjë prone (zotëruesin), p.sh.: KODRA HASA(n) SYL’S, apo edhe SHABA(n), SELMA(n), kur ndodheshin në funksion të sipërpërmendur, -n nuk hetohet se shqiptohet. Shqipfolësit e konfesionit katolik të trevës së Dushkajës kam gjetur të mos e shqiptojnë bashkëtingëlloren labalo-dentare –f- në trup të fjalës, ja një shembull në toponimi: ata po thuakan RRASH (për rrafsh) dhe RRASHINAT (për Rrafshinat), që është trajtë shumë e hershme e kësaj fjale (shih atje ku bëmë fjalë për toponimet me prejardhje nga baza – rrafsh); ose në të folme: “e bâni rrash për toke”, “po bimë rrashit” etj.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora