Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Merita Kuçi – Thartori: Ndërsa... jam poet!

| E diele, 20.09.2020, 11:00 AM |


NDERSA…… JAM POET!

Meditim mbi Vëllimin poetik “Koha në Vargje”. Autor Kadri Tarelli

Nga Merita Kuçi - Thartori

Pas një seri botimesh, reportazhe, portrete, kritika letrare e studime, jetë në rrugëtim, zhvillime në fushën e arsimit dhe të letrave, Kadri Tarelli vjen para lexuesit me botimin e tij të fundit: “Koha në vargje”. E gjitha kjo, pas një njohje e përvojë të gjatë, shtrirë edhe në krijimtari, pas një studimi të mirëfilltë, Monografi, kushtuar njeriut të gjakut e të zemrës, bashkë-udhëtarit të artit të ngjyrave dhe të gdhendjes, piktorit Hytbi Tarelli. Sot ai, si ish mësuesi i përkushtuar, drejtues shkolle ndër vite, historian, veprimtar, njeriu i fjalës së mbajtur, fjalëpaku dhe vlerësuesi i palodhur, kish kohë që gurgullonte me artin e fjalës, në shtyp dhe kuvende letrare, nëpërmjet vargjeve plot ritëm, muzikë e mendim të vyer.

E ndërsa është gati vëllimi i tij i parë poetik, qesh në shenjë admirimi, sepse u kujtua vonë, ndërsa shpesh pat dëshmuar me modesti, se, “duke ndenjur me ju poetët, ngutem të jem dhe unë poet!”. Besoj, se janë ndjesi poetike të fjetura diku në shtratin e punës dhe krijimtarisë letrare e gazetareske, që duan të dalin në dritë. Kishte të drejtë Dritero Agolli, kur shprehej: “Poezia është si teshtitja. A mund të ndalohet njeriu të teshtijë?”.

E vërteta është se z. Tarelli, me qetësinë që e karakterizon, i jep vlerë dhe lezet tryezës, bisedës dhe diskutimit. E besoj plotësisht thënien, që vjen si porosi e mençurisë popullore: “Këtë bëjnë njerëzit e mirë, përpiqen të lenë gjurmë”.

Ai këtë zgjodhi të bëjë, pa zhurmë e bujë: Të ofrojë e të na besojë, si një krijues rishtas, duke na lënë në duar, vargjet e ngrohta, në temat e goditura, ku shkojnë drita dhe e vërteta, ëndrra dhe jeta, zemra dhe ndjesitë e një poeti, me sytë nga e ardhmja, për të cilin jeta nuk ecën rastësisht, nuk turbullon për shpirt të trazuar, por lëviz, rrjedh, ndërton dhe qëmton, dëshmi e copëza jete të vlera. Poeti larton dashuri jete, dashuri gjuhe, lavdi mëmëdheu, nderim të figurave të kombit, në Shqipëri e më gjerë, deri në Kosovën martire e trojet arbërore, ku gjen dhe sjell, dëshmi të trashëgimisë kulturore, folklorike, antike e të sotme.

Bindemi kur lexojmë, këndojmë e pranojmë, se ai përcjell disa të vërteta, nëpërmjet gjuhës dhe notave të folklorit, që ironizojnë vesin dhe përsosin jetën, si duhet të jetë dhe si duhet jetuar ajo, në harmoni mes elementeve të tokës si zgjim, zjarrit si mendim dhe ujit si lëng deti, e fjalës shpirt poeti, ku në qendër të tyre mbetet Njeriu.

Në fakt, i pari njeri, personazh që preket në këtë vëllim është vetë autori, vetë poeti Kadri Tarelli, për të cilin them me respekt e mirënjohje, është ndër ata miq, që ndërsa shkon përpara, sytë dhe mendjen mban pas, sepse ai s’di të shohë e të tërheqë nga vetja, por të jetojë në ty, në çaste thurjesh të mbrapshta të jetës, me të hedhurat e hidhurat, me injorimin e së keqes, me synimin e të përparuarit. Dhe, të bëjë dhimbjen trëndafil, lotin valë, gurin monument, verën në dashuri për poetin, fjalën në melhem, nderim për figurën e gruas, plakut ti ofrojë diellin dhe fjalën në kuvend, të riut dashuri dhe dije. Vargjet e tij ngjallin e sjellin, Rilindasit në dritë, poetët në pishtarë, përplasjet në qasje të befta, politikën në humnerë, mallin për miqtë e vargjeve në kuvende fjalësh të mençura. Të gjitha nga burimet, nga kujtimet, mes kujtimesh në gjerdanë jete.

I tillë pra vjen tek lexuesi, krijuesi Kadri Tarelli. I ardhur pikërisht, tamam në kohë, me pjekuri artistike, me vëllimin” Koha në Vargje”. Kështu, aty qëndiset fjala dhe forca për t’u njësuar me poezinë, si me detin, me malin, lumin, fushën dhe lëndinën plot lule, etj, etj. Kultura e gjerë dhe përvoja, e ndihmojnë, që të hyjë në njohje të vjetra, guximi ia bën trazimin me krahë, se vetëm kështu simbolika e të shkruarit e kthen në “mbret” të vargut dhe të mendimit.

Besomëni: e tillë është poezia, mbretëri e ëndërrimeve dhe e shkrimeve, mbretëri e zemrës dhe dalldisje në frymëzim. E tillë vjen “Kënga e Bilbilit”, i cili bredh stinë më stinë, duke qëndisur bukurinë e paprekur me pasurinë e begatinë e natyrës pa anë e pa fund. Po! Kështu është “Ora e poetit”, ku vargu vallëzon si ajo balerina e brishtë, që të ndërtohet “bën naze çupe”, e që të pushtohet ngre tallaze, e “Verë derdhur prej kupe”. Përmes figurës poetike femërore, si nënë, si grua, mbi bukurinë e joshjen, poeti ngre bukurinë e dashurisë, bukurinë e gjuhës dhe gurrës popullore. Të tilla fuqi e bëjnë Tarellin, të ngjitet tek perëndia, megjithëse poeti e di mirë, ndaj shkallë për lartësitë, ve dijen, mendimin, besimin, zotësinë dhe ndershmërinë.

Poetet janë të ndjeshëm ndaj realitetit. Kështu edhe Tarelli, nuk nguron të fshikullojë kohën që jeton, ku siç shprehet me sarkazëm, “djajtë me brirë”, kërkojnë poste e të kenë vend në sofrën e parë, duke i quajtur me ironi, “bej i ri”, i cili përdor duar të tjera, për të mjelë e abuzuar.

Janë hapësira të lakmuara, që nuk mund t’i mungojnë shpirtit atdhedashës të autorit. Ato vijnë përmes rrugës së dijes e të punës, ku kalojnë plot hijeshi, plot madhështi, si stoli të arta, jeta dhe shkronjat e mësonjëseve, motrave Qirjazi, ninullat që rritin fëmijët. Kalojnë kolosët e poezisë, të cilët, “Qëndisin në qiellin si yje…”, thotë vargu i poetit. Ata s”janë në garën e të mëdhenjve, as me njëri-tjetrin, por janë në dollitë e poetëve të vërtetë, të sofrave me shqiptarë të ndershëm e të ditur. Pa qenë nevoja t’u bjerë kambanave të lavdisë, qetësisht krenohet me Driteroin e Kadarenë, siç krenohen të gjithë shqiptarët, ndërsa ngre aq bukur retorikën e mbetur në mendje: “Kush u cakton vendin, lisave në pyje? …..”

Diku në faqet e librit hasim një thirrje qytetarie: Moisiu që udhëhoqi popullin e lirë drejt Jeruzalemit, një Moisi në Durrës, hero në Dramë, vigan në skenë, si një Ante, që ka frymëzuar edhe poetë të tjerë. Ai “bisedon” me artistin dhe ngre zërin, që Moisiu ynë të zbresë në sheshin e qytetit, mes durrsakëve, ku e ka vendin portreti dhe zëri i një aktori me të tilla përmasa.

Vargjet gurgullojnë më tej, duke shkuar tek idhujt e gjallë të qytetit të tij, ditëlindja e të cilit, jo rastësisht përcjell dashuri, por fatet janë ndërthurur në mënyrë të tillë, që një Shën Shpend dhe një Shën Valentin, mbajnë kurora emblemash, për nga simbolet dhe mesazhet që përcjellin: Njëri në dashuri shenjtëruar dhe, tjetri kurorë pune e art fjale, humanizëm e mirësi. Me të tilla tone, vjen poezia kushtuar Shpendi Topollait, mikut të poetëve durrsak, e krijuesve në tërësi.

Ndjehesh krenar brenda lirisë tënde, ndërsa ndesh në vargjet e autorit, dashurinë për tokën e Dardanisë Shqiptare, Kosovën kreshnike, bashkë me trojet, vendet e bijtë e saj dëshmorë. Pa harruar, duke radhitur vargjet për heroin legjendar Adem Jashari, të cilin e sipër-emëron “Mekë e shenjtë, i tillë t’u bë varri…”, apo në këngën: “Drini i Bardhë, Drini i zi”, “Djemtë e Potgurit do ta mbajnë Bajrakun”, “Mitrovica Dardane, largoji ato re“, e shumë të tjera vargje e këngë me tematikë historike, duke ngacmuar te lexuesi krenarinë e paepur kombëtare dhe, e vlerësuar këtë dashuri në zjarr Prometeu. Këto ndërtime nuk vijnë të rastësishme për autorin, por dëshmojnë edhe një herë karakterin formues e studiues, si historian i pasionuar, duke ndërlidhur thekshëm, me vullnet e vetëdije, këtë dëshirë të hershme, me elementet artistik të fjalës së bukur.

Si i tillë, poeti di të përcjellë me delikatesë, nëpërmjet tyre, gërshetin e folklorit popullor. Kjo lloj ndërthurje, me element të poezisë së mirëfilltë, nuk ia prish aspak boshtin krijimeve letrare, por përkundrazi për nga origjinaliteti i tematikës, na kujton se vesi, mentaliteti i së shkuarës dhe i të sotmes, e kanë “armën”, që i nxjerr zbuluar. Këtu ndeshemi me lëmimin e mirë- përkëdheljen të fjalës, nëpërmjet vargjeve plot figuracion artistik, duke thumbuar me kulturë, nëpërmjet emrash të trashëgimisë kulturore. Le të përmendim këtu krijimet si “ Trëndafil mbushur me gjemba”, ku moment i takimit të të rinjve është burimi, kroi. Më tej: “Kolla e thatë në kuvende”, “s’kam fuqi të kaloj gardhë”, “S’kafshoj dot mollë e dardhë..”, tek poezia “Plaku, vapa dhe gushti”, apo te poezia në formë dialogu: “Po, apo Jo”, “… nga t”ia mbajë unë i ziu?...”, ose më tej: “…me dorën e tjetrit, kurrizin mos kruaj”, te poezia “Thinja pleqërie”, etj, etj.

Gjetje e bukur në këtë vëllim poezie, janë rrëfenjat, që nisen nga fjalët dhe shprehjet popullore, të përdorura aq shpesh nëpër kuvende e biseda, më pas qëndisen e ujdisen, të shtruara këmbëkryq pranë oxhakut, apo pranë sofrës, ku shakatë janë aq të pëlqyera. Po përmend njërën: Rrefenja që poeti e përdor si nëntitull: “Nusja, vjehrra dhe mullixhiu”, megjithëse personazhe të hershëm në krijimtarinë popullore, autori na e përcjellë në formë më të moderuar për nga koha, por jo nga vesi. Dhe kjo jo vetëm ndërthur, si kohë në ndërtim, të shkuarën me të tashmen, por edhe realisht përcjell formën gjuhësore të së djeshmes me format e sotme të familjeve të reja. Do të mbetet simbolikë vargu: “ shekuj po kalojnë…, ...bota vazhdon tallet, apo fjala, si grup foljor: “qesh e ngjesh“, e ardhur si frazeologji.

Bashkëkohore poezinë e këtij autori e bën thjeshtësia, kujdesi për rimën, muzikën, kontrasti i realiteteve, pasuria, përdorimi dhe përpunimi i gjuhës, edhe për nga filozofia e mendimit. Këtu vihet re një veçori e përdorimit të tingëllimave të fund-vargut, kujdesi për të mos rënë në përsëritje, përdorimi i grupeve emërore brenda tetë rrokëshit, përdorim me bollëk i epiteteve dhe metaforave. Lirshëm, pa sforcim, lundron në vargun e shkurtër, por edhe në vargun e gjatë, duke i dhënë më shumë forcë mendimit.

Në poezinë e Kadri Tarellit ndjehet thekshëm shqetësimi qytetar. Ai nuk e ndan dot veten nga problemet sociale të jetës dhe shoqërisë. Ai e sheh politikën, si dëmin më të madh të mbrapshtive, që i kemi mes nesh. Me shpoti fjale, dënon dembelin, barkfryrin dhe pushtetarin. Guxon të përmendë edhe kriminelin, që e quajnë veten burra, agallarë, si edhe i citon, por që në të vërtetë kthen në groteskë talljen e tij modeste, diku duke i quajtur kuaj e gomerë, shushunja, të paditur, që venë në vend të parë partitë e jo Shqipërinë, si tek poezitë: “Na mbinë Partitë”, “I padituri “, “Nuk bëhesh i madh”, e të tjera, e të tjera…...

Poeti nuk le pa prekur dashurinë për të afërmit, si tek poezitë e brendshme të zemrës “Ora e vëllait”, kushtuar Hytbi Tarellit, që nuk jeton më. “Vivra je vullkan”, kushtuar poetes e studiueses së zellshme, Vilhelme Vranari-Haxhiraj, të cilën e e quan “princeshë” nga soji dhe “mbretëreshë” në letra.

Poezitë nuk janë të grupuara sipas tematikës, por të shpërndara. Besoj se ka të drejtë kur shprehet: “Lëndina është e bukur, pasi bari dhe lulet janë në harmoni të përkryer, pasi janë shpërndarë aty ku kanë qejf të gjallojnë e lulëzojnë. Kjo më pëlqen!”. Kështu mendon e kështu vepron, sepse i jep mundësi lexuesit të çlodhet, duke kaluar nga probleme e forta te ndjesitë më të buta e më njerëzore, si tek “Mbesat”, që i ndezin zemrën e gjyshit te tyre poet, apo vlerësimet për miqtë e fushës, në tubimin më të fundit letrar, në Prizrenin e artë e të përmallshëm, me “Një urim me kripë deti”, që për nga modestia dhe dashuria, e kthejnë durrsakun tonë Kadri Tarelli, në dritëz qiriu njerëzie.

Kush ka lexuar librat e këtij autori, të botuara më parë, si: “Misionarë në udhën e dijes”, “Kur lexoj një libër” dhe “Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës”, menjëherë i bie në sy përdorimi i citateve të mendimtarëve të ndryshëm, të zgjedhur nga bota dhe nga dijetarët tanë, të vjetër e të rinj. Të gjitha të përshtatura sipas tematikës dhe përmbajtjes së poezisë. Një punë kjo e spikatur, e bukur, dhe që i a shtojnë vlera librit dhe poezisë, duke i dhënë secilës vlera universale.

Ndërsa mbyll këtë cikël me poezi, në fund mbetet amaneti, në vargjet: “Ku do të prehem?”, me dëshirën e zjarrtë “… atje në faqe libri, a shkrim gazete/ ku flas për ju dhe rrëfej për vete”.

Ky është çmimi më i madh i një njeriu, dashuruar me jetën, si mision dhe vlerë!

Urime! Me shpresë për krijime e botime të tjera!

Merita Kuçi – Thartori

Durrës, 29 Shkurt 2020