Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Nganjëherë

| E shtune, 19.09.2020, 08:22 AM |


Blerim Rrecaj

NGANJËHERË

Nganjëherë po jetoj

Sikur ky VendYni

T'i kishte pothuajse të gjitha gjërat në terezi

Nganjëherë po marr

Një shportë të madhe, të padukshme

Të mbledh dëshpërimshpresat

Nëpër tërë qenien e tij

DËSHIRË

Shkofshin ca gjëra mbarë

Në këtë kohë të vështirë

Të përpiqesh

T'ia arrish

Diç të mbërrish

Pa u përshkëllirë

LIBERA-LIRI-ZIM

Çka edhe nëse

Hapen portat

Për pasaportat

PAS VDEKJES

Sikur më erdhën

Fjalët e artistit

Që sapo iku

Andej amshimit:

Faleminderit

Që në heshtje

Po më kujton

O djalë!

Faleminderit të gjithëve

Që do më kujtoni

Nga thellësi e zemrës

A me grimca sinqeriteti

Me fjalë

A pa fjalë!

TOLLOVI TOROLLAKE

Fyt për fyt

E jakë për jake

Kacafytem me ty tollovi

Shpejt më hodhe

Përtokë më përplase

E shohim vëngër

Njëri-tjetrin në sy

Duke u zvarritur torollakishte

Torollake

Të quaj ty