Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mevlud Buci: Zëri i dritës së jetës në Kashnjet

| E shtune, 19.09.2020, 10:20 AM |


ZËRI  I DRITËS SË JETËS NË KASHNJET…

NGA MEVLUD BUCI

FOL KASHNJET…

Si vetë blerimi, Kurora e kreshtës të malit shekullor, gurgullimat e Gjadrit , vijnë kohërat, brezat me lindjet e vdekjet  e gjurmët e atdhetarisë në Kashnjet.Nëqendër të zonës, te vendi i shenjtë, te kisha vëllazërore katolike u ndjeva si në parajsë, pranë shpirtërave të shenjtëruar dhe jetës, pranë zemrave, pranë bedenave të kalasë plot histori.Vështirë do ta kishte kronikani të përshkruajë historinë e Kashnjetit, qëndresën dhe fisnikërinë mirditore, sepse siç e thotë vetë kënga:Pa Mirditë nuk ka Shqipni…, kjo na reflekton përpjekjet e pareshtura të njerëzve të këtyre anëve për të mbrojtur gjuhën, traditat, bajraqet , me bukë e kripë, me besë e me vëllazërim, përpjekjet për të mbrojtur trojetnga invazionet e huaja.Edhe në kasetat e magnetofonit, Llesh Gjoka  mban këngë për Mirditën, nderi i Arbërisë.Përpara peizazheve të Kashnjetit ndihesh i mrekulluar, ato rrinë të heshtura, madhështore, mbajnë vulën e bujarisë së natyrës por edhe të dorës së njeriut punëtor të këtyre anëve.Kushëriri i Lleshit, NdrecMarka Gjoka  flet për udhët e emigrimit dhe tëmigrimit.Së bashku me bashkëshorten Roza dhe fëmijët Kristiani, Emiliana dhe Alberti  ai banon në Mamurras, por Kaftallin  me shenjtërinë e kishave ai i ka në zemër.Është një lidhje e shpjegueshme me  dashurinë për vendlindjen, ndaj këngët  të Mark e Tone Gjokës, të vëllezërve Lleshi, lirikat dhe meloditë mirditore të shoqërojnë kudo.

TEK KISHA E VJETËR…

Në mjediset me gjelbërim , makina ngjitej e zbriste në kodrat e buta të Kashnjetit.Pas rrugëtimit të vështirë, pasi kaluam  malin e Kreshtës, arritëm para kishës.Së bashku me Llesh Ndrecën bëjmë fotografi.Ndihem i impresionuar nga drita e jetës, drita e zotit e besimit dhe vëllazërimit, përpara kësaj kishe , vatër e shpirtit të sinqertë të njeriut të këtyre anëve.

Mirë se të gjeta Mark Nushi, i them atij.Në Kaftall të Kashnjetit duket sikur je në zemër të Mirditës.Rrugët, lisat, shkurret sikur e flasin këtë.Shumica e banorëve janë larguar, por ende ka gjallëri;arritëm te shtëpia e Mark Nushit, kumbara e të urtit Llesh Ndue Gjoka.Pemët, rrushi,  flasin për një njeri punëtor.Marku,  së bashku me bashkëshorten Nusha,  na prêt me përzemërsi.Ai së bashku me vëllezërit, vetë i katërt , sikur i ka vënë shpatullat Kaftallit.Zemërgjerësia , fjalët plot hijeshi e lartësojnë shtëpinë e Nushit si testament burrërie e fisnikërie.

MOTRA PASHKE, BIJË E KRYEZIUT

Pashke Gjoka, bijë  e Bibës së Kryeziut e lidhi jetën me LLesh Ndue Gjokën, si çift i bekuar me dritë besimi dhe pune.Së bashku, të dy prindërit shembullorë që tashmë punojnë në Kashar të Tiranës, lindën, rritën dhe edukuan  pesë fëmijë, të thjeshtë, të ditur dhe të kulturuar, duke u bërë të aftë për rrugët e vështira të jetës, Fredi, Albani, Rina, Edlira, Nikolini.Pashkja, gruaja e Gjokës  si nënë fisnike krenohet me fëmijët e saj , sepse ata krahas të tjerash kanë mësuar të respektojnë traditat  dhe të ecin në gjurmët e fisnikërisë së brezave.

ZËRI I PËRJETËSISË

Në anën e djathtë të lumit Gjadër, në shpatin e Plishit, janë varrezat e brezave.Në Gjobardhaj të Kashnjetit prehen Ndue Gjoka e Tone Gjoka(Margjini).Varrezat janë rregulluar , shenjë kulture dhe  mirënjohje e kujtimi për ata që ikin.Pranë tyre u ndjeva i mallëngjyer, sepse fëmijët që kanë lënë,  kanë ditur të hijeshojnë prindërit.Edhe fëmijët Zefi, Pjetri, Mrika Lleshi e Doda ecin në udhët  e porositë e prindërve shembullorë.Jeta është e shkurtër,  por ajo sjell vazhdimësinë e saj te fëmijët dhe sidomos rritet cilësia e saj e merr kuptim,  kur pas lë fëmijë të tillë me vlera të rralla të edukimit  e të mirësisë.Hedh një grusht dhe mbi varrin e tyre me mall e dhembje.Këta njerëz , edhe pse nuk janë më,  e kanë gdhendur zërin e përjetësisë…

LLESH GJOKA KRENOHET ME VENDLINDJEN

Sapo kalojmë të përpjetën në  Ungrej në kurorën e malit të Kreshtës, Lleshi mëthotë:Ja këto fshatra që shtrihen në sfondin e gjelbëruar janë fshatrat e Kashnjetit.Ndërkohë sytë i shndritën nga një mallëngjim i çastit.Kuptova aty për aty se madhështinë e fisnikërinë njeriut ia jep vetëm vendlindja.Lleshit ia jep edhe puna në shërbim të rendit, thjeshtësia dhe respekti për bashkëfshatarët, dashuria për Mirditën, prej nga vjen, Kashnjeti plot histori.Në çdo anë që kalojmë,  mësoj mbi toponime.Ja lumi i Xibrit, i cili  ndryshe nga lumejtë e tjerë buron në perëndim dhe derdhet në lindje , në lumin Fan.Këto shtigje mbajnë në kujtesë histori luftërash, të vëllazërimit e të karareve.Në të djathtën e xhadesë  për në qendër të Kashnjetit  ngrihet mal i Velës,  për të cilin poeti  Kolë Jakova ka gdhendur këto vargje në poemën “Heronjë e Vigut”:

Ngjitet Velës varg përpjetë

Çetë e vogël me pesë vetë,

Gjithë petrita djem të lehtë

Djem të lehtë e djem të ri

Ndoc Dedë Marku u ka pri,

Shtatin të gjatë porsi selvi,

S`e lodh buka as s`e lodh moti

Zemra e tij fuçi baroti,

Djalë ma trim s`ka pas Miloti…

Më duket sikur bisedoj me Kolë Jakovën, emrin e të cilit e mban një shkollë në Tiranë,   ku unë pata fatin disa vite të jem drejtues.

Me kishën e vjetër e të re afër qendrës së Kashnjetit, me lumejtë e kodrinat, me bëmat e brezave të fisit Gjoka(Bajraktarit të Mirditës), me kumarat te fisi Nushi(Paluca), me trojet e muret e kullës, krenohet intelegjencia e apasionuar pas traditës.Këta njerëz janë shumë të lidhur me trollin.”Sapo të dal në pension, do të vij bashkë me Pashken  te kullat në Kaftjall-thotë LLeshi.

GJURMËT DHE PROVAT E NDUE MARK GJOKËS

Provat e jetës janë dëshmi e një shpirti të palodhur, ndaj edhe Ndue Mark Gjoka , bir i Kaftallit të Kashnjetit  ka se çfarë të thotë për këtë.Mirdita e lindi dhe e rriti, u edukua me virtytet e të parëve, me normat e karareve të dheut, me shembuj atdhetarë, dritën e sofrës, me nderim për shokët e miqtë dhe për fëmijët e kulturuar,  të cilët çanë në rrugët e jetës dhe këto flasin shumë për Ndue Mark Gjokën.Këto bëma rrezatojnë në truallin e Kaftallit dhe në kujtesën e secilit që e ka njohur.Mark Dodani në librin e tij e ka përjetësuar figurën e Ndue Mark Gjokës.Edhe vëllezërit, Ndreca, Nikolla, motra Drane dhe Margjela si dhe kushërinjtë , nipat dhe mbesat,  ecin  në gjurmët e Ndue Mark Gjokës.Kashnjeti, njëri nga pesë bajraqet, krenohet me birin e vet.

KËNGA DHE VALLJA KASHNJETORE

Kur morëm kthesën e Ungrejt, për t`u ngjitur në malin e Kreshtës ,  nga kasetofoni i makinës së Llesh Gjokës ndihet jehona e këngëve mirditore.Të duket sikur je në mjediset e një festivali folklorik.Kënga ta ngrë zemrën peshë dhe dëshmon se bijtë nuk e harrojnë vendlindjen, pyjet, lumenjtë , kodrat e lëndinat e blerta, as trimëritë e zakonet.Lumi i Gjadrit dhe përrenjtë sikur mbushen me jehonën e këngës dhe vetvetiu të dalin disa vargje të krijuara aty për aty:

Bijtë dhe bijat eKashnjetit

Bash si shqipet përballë shkrepit,

Dritë i jep kësaj Kunore

Kënga dhe vallja kashnjetore…

Këngët kanë forcën e tyre.Janë këngë të jetës e të trimërisë, të emigrimit.Me këto tinguj e fjalë që burojnë nga zemra e rapsodëve mirditorë jeton çdo ditë Llesh Gjoka.Në udhët e Kashnjetit përmenden artistët:Mark eTone Gjoka, Vëllezërit Lleshi, Frrok Haxhia, Drane Gega, Ndoc Përgjoni i Kalivaçit i cili thotë:

Secili në vend të vet

Në bajrak të Dibrit, or Kashnjet…

Këngët janë hymn dhe dritë e shpirtit, ato japin bardhësi e krenari, vrullojnë si valët e lumit të Gjadrit, si lulet dhe bimët e malit të Kreshtës:

Kush e ndez zjarrin e zemrës

Forcë e valles, dritë e këngës,

Në çdo shteg të kësaj kurore

Kënga e vallja  Kashnjetore

Jehojnë tan Republikës

Këngët dhe vallet e Mirditës….

Të mbeten në mendje dy vargje të rapsodit kashnjetor:

Unë u  nisa nga Kashnjeti

Çiftelinë mora me veti….

KALAJA QË U FLET BREZAVE

Kur shkon në Kashnjet plot histori e besë, nuk ke sesi të mos ndalesh në kalanë e tij.Në muret e saj shikon fytyrën e historisë të përzhitur nga flakët e luftërave, shikon lashtësinë.Llesh Gjoka,  i apasionuar pas historisë dhe traditave, së bashku me kushëririn e vet, bën foto në muret e kalasë.Çdo gur e beden, kthesat e mureve të rrëzuara e tek tuk- ku zgjaten mure të gjerë, të duket sikur ende rrugëtojnë nëpër shtigje të historisë sonë plot drama të mëdha.Rrënojat dëshmojnë luftërat në këto troje, qëndresën, kulturën dhe traditën e lashtë, trashëgimin e pasur shpirtërore, e mbi të gjitha historinë e lavdishme të Kashnjetit.Në fshatin Vig, poshtë kalasë shekullore,  bashkohen tre lumenj:Gjadri, Kaftalli dhe Voma, të cilët rrjedhat i kanënga bajraku i Dibrit…Lumenjtë sikur jetësojnë ecjen pa mbarim drejt së bukurës dhe së arritshmes, ecjen e kristaltë drejt traditave më të bukura….