E enjte, 25.04.2024, 10:19 AM (GMT+1)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: Jo mësimi fetar në shkollat shqipe!

E marte, 15.09.2020, 09:46 PM


Jo mësimi fetar në shkollat shqipe!

Nga Fahri Xharra - Gjakovë

Keni deklaruar: “Besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare. T’i çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije mundësinë të armatoset me instrumentet e dijeve dhe të mos jetë viktimë e propagandave tunduese të atyre që s’kanë asnjë lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të islamit kryejnë krime të cilat janë të destinuara të ndëshkohen sepse janë të ndëshkuara qysh në librat e shenjtë. Unë besoj se sot të gjithë duhet të ndjejnë përgjegjësinë e madhe të faktit se të rinjtë, adoleshentët në Tiranë apo në Paris, në Prishtinë apo në Londër, në Evropë apo në Amerikë janë të paarmatosur me instrumentet e dijes për t’u përballur me demagogët, me sharlatanët, me maskarenjtë që kërkojnë të nxjerrin përfitime duke e përgjakur njerëzimin apo duke e tërhequr prej hunde”,

Nuk luftohet ekstremizmi fetar me mësimin e fesë në shkollat shqipe !

Fytyrën e mirë ose të keqe për ne nuk mund ta bëjnë as zyrtarët tanë, por as pështjelluesit tonë, as nacionalizmi i tepruar por as mohuesit e tij, as diplomatët mendjelehtë e as gazetarët e opinionistët e porositur, të gjithë të etur për lavdi e para pa marrë parasysh mënyrën.

Kultura dhe mendimi i një populli qëndron në një lashtësi të shquar, por që përpiqet ta ngrejë lart gjithë kombin. Ne na duhet që shkollat tona të jenë centropetale në edukimin tonë. Çdo futje e fesë në shkolla i aktivon forcat centrifugale që na bëjnë të ikim nga ajo që jemi; e kjo e sjell vetëm një gjë: kthimin prapa. Nëse, ne duhet të punojmë për të mirën e kombit, për pastrimin tonë shpirtëror duhet të punojmë që t’i bindim që të gjithë të rrokemi pas një gjëje konkrete, të prekshme dhe që na bën nder në mesin e kombeve të cilivizuara. Ç’më duhet mua që fëmijën tim ta kthej mbrapa në besimin se bota është e rrafshtë, në besimin e buallit që mban botën dhe çdo lëvizje e tij i krijon tërmetet, në besimin se shkolla e Darvinit mbi evolucionin ishte e gabuar?

“Memorandumi për Shqipërinë”, i shkruar nga princ Vidi nga mbarimi i vitit 1917, e i mbetur vetëm si dorëshkrim në Bibliotekën e Këlnit , paraqet më shumë se një rrëfim të një personaliteti të rëndësishëm, i cili në një kohë tepër kritike për fatet e Shqipërisë, do të pranojë të vihet në krye të saj me qëllimet më të sinqerta që t’i ndihmojë bërjen e saj shtet evropian. Kështu shkruan Jusuf Buxhovi në librin e tij: “Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane”. Të bën përshtypje të madhe kur princ Vidi këtu kërkon përveç tjerash edhe bërjen e shkollave të mira. I njoftuar mirë që ishte dhe i bindur se mund të ketë grindje të brendshme fetare kërkonte që shkollat të mos bëhen vatra të përhapjes fetare. Shumë interesant është të theksohet se në kohen e tij në programin e tij qeveritar ai kërkonte që shkollat të bëhen vatra të edukimit të të rinjve shqiptarë për çështje të mbara dhe për edukimin pro evropian. Normalisht që në memorandumin e tij ai kërkonte që fetë të jenë të lira, por ai ishte kundër kërkesave të huajve që me anën e fesë ata të arrijnë ndikimin në riformimin e popullit tonë.

Sa keq e keni , po i premtoni shkollës shqipe një humnerë !

Me 10 mars 1937, Zogu nxori ligjin “për ndalimin e mbulimit te fytyrës me perçe nga gratë”…Ky nuk ishte një akt thjeshte deklarativ. Ishte ligj urdhërues me zbatim te detyrueshëm. Shkelësit do te përballeshin me ndjekje penale qe shkonin nga gjobat deri ne burgim. Viheshin para përgjegjësisë i ati, i shoqi… “nëse nuk ushtronin ndikimin e tyre për te hequr mbulesën e fytyrës me çdo mjet mbulimi”, ata gjobiteshin me 1000 franga ari. Ata qe nxitnin shkeljen e ligjit dhe bënin presion për mbajtjen e perçes, veç gjobës me te rende, 2000 franga ari, mund te dënoheshin me një muaj burg. Ne raste te veçanta burgu mund te zgjatej deri ne një vit, ose fajtori internohej nga tre muaj deri ne tre vjet. Sanksione te jashtëzakonshme parashikonte ligji për “ata qe bënin propagande për mbajtjen e perçes: denim me burg deri ne. pesëmbëdhjetë vjet”. ( Arben Puto, Shqipëria politike, botimet “Toena” 2009, f.594 )

Krizën e moralit kombëtar dhe kthimin e humbjes së vlerave të tij nuk e rregullon futja e fesë në shkolla, ajo në të kundërtën shkon në thellimin e tyre. Krizën materiale, varfërinë ekonomike dhe mendore, lakminë e fitimit të shpejtë pa marrë parasysh rrugën dhe mjetet e sollëm vetë ne me mënyrën tonë të bërjes së shtetit.

Kur shpirti i një kombi stërkeqet nga varfëria e nga lakmia, nuk ka asnjë bindje fetare që mund ta shërojë atë. Vetëm kamja mund ta ndritë mendjen. Nuk ka nevojë që t’i bindim edhe bashkatdhetarët tanë nëpër Evropë nga misionarët tanë se si të largohen nga e keqja; kur ata jetojë në vende moderne aty ku dihet se si ndahet “shapi nga sheqeri”.

“Në Zot ne besojmë”, për shqiptarët ai zot është mysliman, katolik, protestan, ortodoks, Baptist…Ne… Me futjen e fesë në shkolla atëherë secili duhet të mësojë varësisht nga ora që e ndjek nga predikuesi i uniformuar që shkon aty të bindë të rinjtë se Zoti është vetëm i tyre dhe se zoti i të tjerëve nuk është për t’u përmendur.

Rryma përparimtare që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi, duhet te jetë aq e fortë sa që edhe ata që mendojnë ta kthejnë rrotën e historisë prapa duhen ta kenë të kotë.

Pra, në rrethin shpirtëror, në zotërimin e vlerave të krijuara, ne, asnjëherë nuk iu kemi pasur lakmi të tjerëve. Duke mos u pasur lakmi të tjerëve, ne nuk iu kemi as meni as zili për të huazuar nga ata gjëra të cilat na shkojnë ndesh me krenarinë tonë dhe uniken tonë në botën ku jemi.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora