E enjte, 28.03.2024, 12:34 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Kufiri si formulë e studimit të dhembjes dhe lumturisë

E marte, 15.09.2020, 07:14 PM


Specifikat e një analize ndryshe të një romani

KUFIRI SI FORMULË E STUDIMIT TË DHEMBJES DHE LUMTURISË

(Muharrem Kurti: “Kufiri i gjakut”-roman, botoi “Bogdani”- Bruksel-Prishtinë, 2020)

Romani “Kufiri i gjakut” e ka peshën e veprës moderne, dhe si i tillë mund të lexohet edhe si roman, edhe si tragjedi, edhe si dramë, edhe si melodramë, e që të gjitha këto janë të fiksuara në çelësin e lumturisë dhe të qëndresës.

Ai, paraqet më vete mesazhin e veçantë për temën që shtrohet e trajtohet...

Nga Sejdi BERISHA

Në temat bizare mbase edhe të frikshme e ndonjëherë pa rrugëdalje, gjithnjë mund të dalin shumë komente por edhe dilema për historinë, për njeriun dhe karakterin e tij, duke përfshirë këtu edhe kombin dhe fatin e tij, i cili, jo rrallë, vetveten dhe të gjitha ngjarjet e tragjeditë e veta, në vend se t’i luftojë vendosmërisht dhe me përkushtim e mençuri, ndonjëherë sikur krijon vetë korniza të forta për të mos dalë nga to. Apo, nganjëherë na krijohet përshtypja se njeriu, mbase edhe komuniteti, e ka “traditë” për t’i krijuar dramat e tilla të çuditshme, e që, padyshim duan studim të thellë shkencor, psikologjik, social dhe historik. Që të gjitha këto që i theksova, i hasim dhe i vërejmë që në nismë të romanit, që, si gjithnjë, njeriu i ynë përherë frikësohet së shqiptarëve do t’u ndodhë ndonjë ogur ose e papritur!

Andaj, romani më i ri i shkrimtarit, Muharrem Kurtit, “Kufiri i gjakut”, nëse largohemi pakëz nga ngjarja që na ofron autori, na shndërrohet edhe si formulë provokuese, apo edhe si detyrim që fenomenin “kufi” ta zbërthejmë në shumë rrafshe socio-filozofike, por edhe si çështje të pastudiuar si e sa duhet, apo edhe fare, dhe atë pothuaj se në të gjitha aspektet jo vetëm lokale dhe rajonale. Ndoshta, pikërisht nga kjo “pykë” e së keqes historike, autori duke na i prezantuar shumë ngjarje, na sjell shumëçka për ta kuptuar pak më ndryshe temën dhe materien që e shtjellon, e cila, padyshim se në spikamë ka historinë, armiqësinë, okupimin, ndarjen  fizike të kombit, por edhe copëtimin e atdheut.

Kjo ngase, kufiri ka shumë kuptime, ka shumë ndrydhje e ngufatje të të gjitha natyrave dhe formave të njeriut, ka shumë plasaritje po ashtu të formave të ndryshme, të cilat evoluojnë me rebelimin e shpirtit, e ndoshta (edhe pse po dua të besoj) në numër shumë të vogël për tradhti, për ligësi të lloj-llojshme, që edhe sot dikujt-dikujt u ngjajnë në desert për të kënaqur shpirtin për ta “rritur” namin, duke mos e par vetveten si një krijesë e cila nuk di rrugë as drejtime, e cila ngritë pallate mjegullash, rebuse famëkeqe etj. Dhe, “garezi”, kuptohet se është tek fjala “kufiri”!

Në të nëntëmbëdhjetë kapitujt të romanit, çështja e kufirit përmes ngjarjeve dhe rrëfimeve thua se shndërrohet në formulë, e cila ndoshta edhe nuk ekziston fare, sepse, historia është aq këmbëngulëse por edhe aq e luhatshme dhe dinake, sa që askush ndoshta kësaj çështjeje kruciale edhe nuk ia vë veshin sa duhet, por vetëm bëhet dhe mbetet dhembje e njeriut, e familjes, e kombit mbase edhe e vetë botës:...Ishin të bindur se, të dyja shtetet, nuk e lejonin lirinë e lëvizjes, siç kishin bërë mbi katër dekada. Gjithçka mund të ndodhte, por kufiri nuk i hapte portat, -mendonin shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Madje, mund të qe një kurth, ku do të binin atdhetarët të cilët do të kalbeshin burgjeve të Jugosllavisë.

Ndërsa, lajmsjellësit po e thoshin me bindje se plogështimi i kufirit kishte ndodhur, plasaritja e tij ishte bërë...”!

Dhe, pikërisht kjo damkë të cilën e ka shkaktuar koha por edhe njeriu, sjell gëzime edhe të rreme, edhe të shpresës, sjell ëndrra e disponime të “lumtura” që, në të njëjtën kohë edhe e mobilizojnë, edhe pse, “hapja e kufirit” gjithnjë apo shpesh ka qenë dhe mund të jetë kurth për ta çrregulluar jetën e secilit, dhe atë në mënyrat më të ndryshme... Sepse, siç thotë autori:...Kurrsesi nuk harrohet se nuk u morën pak jetë të njerëzve(andej e këndej kufirit) që u kapën në kufi, në të dy drejtimet...”!

Dhe, prej këtu, ngjarja zhvillohet në shumë dimensione të jetës për të treguar tërë atë histori trishtuese, gjithë atë llahtari, tërë atë mall e etje,  gjithë ata lot e këngë të thurura në kushte specifike, që këpusin shpirtin, por, edhe trimërojnë e japin shpresë...!

Dhe, shih. E tërë kjo, po ta trajtonim ndryshe, kjo temë do të dukej ose do t’i ngjante formave të gjeometrisë deskriptive, nga të cilat forma vështirë se mund të dilte me qartësi e me dritëjete! Sepse, përthurjet e jetës i kanë shkaktuar dhe i shkaktojnë regjimet dhe shërbimet, të cilat, sa herë që i kanë “begatuar” dosjet e tyre, sikur kanë ndier kënaqësi edhe shpirtërore, edhe pse, një “begati” e tillë tek ta nuk ka ekzistuar kurrë. Andaj, edhe për këtë autori i librit thotë: “...se qeveritarët e shtetit jugosllav thoshin: ...se Shqipëria është armiku ynë, e unë do të thosha se, armiku ishte i përzier, i cili thellonte hendekun e jetës së pastër dhe normale.

Rrëfimet dhe detalet interesante e përkushtuese, si dy vepra paralel në një libër...!

Prandaj, kujtoj se autori i romanit, me rrëfimet dhe detalet interesante e përkushtuese, ia ka arritur t’i realizojë, të themi kushtimisht, dy vepra të fuqishme përnjëherë; në njërën e ka sforcuar madhështinë dhe vuajtjet e njeriut nëpër periudha e situata ndër më të ndryshmet. Dhe në të dytën; thellë dhe bindshëm ka ravijëzuar historinë e rëndë dhe shtypëse, të gabuar e faqezeze, që për tërë këtë, në të ardhmen, në kohërat që do vijnë, ndoshta do të qeshë e do të qajë historia dhe rrugëtimi i gjeneratave të reja, dhe atë, jo vetëm të rajonit dhe të vendit prej nga vjen autori dhe njerëzit e tij...!

Këtu pra, është madhështia dhe pesha shumëdimensionale që sjellë autori përmes librit të tij, gjithnjë për t’ia mundësuar lexuesit mbase edhe studiuesit, mendimin sovran për të mundur për t’i analizuar ndryshe gjërat që qëndrojnë aty, por gjithnjë qëndrueshëm dhe me bazë shkencore e historike. Për këtë arsye, në këtë analizë, me qëllim i jam shmangur shprushjes së thjeshtë apo edhe tradicionale të ngjarjes që shtjellon autori, edhe pse, kështu më lehtë mund të vihej në spikamë mesazhi dhe pesha e librit.

Dhe, nëse i referohemi vetëm pjesës së fjalisë, “...E kaluara e kufirit të kujtonte trishtueshëm dhunën...!”, që autori e shtron diku në faqen njëzetë e pesë të librit, atëherë, nga kjo vetë lexuesi, “vetëtimthi” mund të sjellë në vetvete një roman tjetër, ndoshta edhe më me peshë, edhe më trishtues, që dashtë e pa dashtë i përbiron të gjitha kohërat dhe periudhat historike, të cilat janë plakë, por që kanë ngelur gjithnjë të freskëta dhe zjarr i pashuar, por edhe me plot harresë, plot gënjeshtra, por edhe me të vërteta, që në forma të ndryshme gjithnjë peshojnë dhembjen, të cilave kurrë nuk mund t’u japin vlerën as peshën e duhur. Por, këtë e kompleton edhe fjalia jo paqëllim e theksuar: “...Ndërkohë, kosovarët pyesnin njëri-tjetrin: si ishin shqiptarët e Shqipërisë! Si ne, apo ndryshe?”! Shih pra. Edhe përmes kësaj përvijohet filozofia e shtresuar por edhe e mykur dhe e ndryshkur për kufirin, fenomen ky i cili kudo në botë edhe në kohërat e kaluara por edhe sot e kësaj dite evoluon, qëndron, heshtë, shkatërron dhe kështu krijon teza e teori për fenomenin-njeri, për fenomenin-ndarje, shtypje, robëri, liri, e që, të gjitha këto fshehën nën “frazat” demagogjike të filozofisë së historisë nëpër të gjitha periudhat. Dhe atë, gjithnjë duke na shpjer e përplasur rrugëve të jetës me temën për kufirin, si lak në fyt. Por, e tërë kjo, intelektin e lexuesit e intrigon edhe për shumë dobësi të tjera, të cilat nëpër vakte të caktuara e kanë përcjellë njeriun, fjalën e tij, fatin e tij dhe të kombit e atdheut!

Ja, se si “provokon” (këtë e bëj gjithnjë duke bërë analizë ndryshe për librin) autori:...Në te mungonte kulla e gurit trekatëshe e Familjes Alia... Ku kishte shkuar ajo kullë historike?”.

Nga këto fjalë plot etje, pyetje e habi, shkrimtari na sjellë mendimin se çfarë peshe monstrume ka kufiri, sa që edhe kur gjërat i bashkojnë njerëzit, historia përmes kufirit i përplas dhe i tremb për gjithçka jo vetëm njerëzit por edhe zogjtë e malit! Bile, zhgënjen  edhe për kujtimet dhe për karakterin e qëndrueshmërinë, edhe për zjarrin dhe etjen për bashkim e unitet, të cilat gjëra tash vihen në peshoren e dilemave të reja, të cilat nuk mund të shpjegohen, apo, gabimisht mund të interpretohen duke përfshirë këtu edhe “ndihmën” e tensioneve të kohërave të akumuluara.

“Kufiri i gjakut”, gjithashtu, sikur na imponon detyrimin e identifikimit të dhe shprushjes të rolit dhe peshës së lidhshmërisë të njeriut me njeriun, gjithnjë duke na i përkujtuar edhe ato ndasitë të cilat njeriun e kanë tretur dhe e kanë daktisur, duke e bërë atë edhe të “huaj”! Për këtë arsye, pra, kufiri ka shkaktuar tragjedi të formave të ndryshme mbase edhe të sofistikuara, por edhe njerëzit i ka bërë që ta studiojnë çdo pëllëmbë të tokës, bile edhe “aromën” e saj. Megjithatë, kufiri është “melhemi” më i tmerrshëm i cili futet edhe brenda mendjes dhe shpirtit, që çimentohet si mjet refuzues apo edhe sundues, e që e ka vetinë e helmit më të tmerrshëm të të gjitha ligatinave. Një virus i tillë, sikur është pjesë e pandarë e jetës së njeriut nëpër shekuj.

Ndoshta, për ta sforcuar më bindshëm këtë konstatim, por edhe për të hapur tema të tjera, autori, sikur na plotëson edhe këtë:...Në kufi të Bokës janë vrarë tre shqiptarë të Podujevë, që kanë dashur me dalë në Shqipëri, për me i shpëtuar përndjekjes. Në malin Pashtrik, janë ekzekutuar njëmbëdhjetë shqiptarë të Klinës, të cilët ishin gjendur aty, duke i ikur përndjekjes së regjimit komunist të Prishtinës. Në Qafën e Prushit janë kapur tetë shqiptarë të Dushkajës, teksa po udhëtonin me shpirt ndër dhëmbë, për t’i ik ndjekjes së Mbrojtjes Popullore. Te Boka e Shishmanit, ranë në pritë nëntë qytetarë të Gjakovës dhe u masakruan. Pranë bjeshkës “Gurrat e Bardha, ranë në pusi katër shqiptarë të Rekës së Mirë, dhe i vranë mizorisht. Ndërsa, te Bjeshka e Belegut, u pushkatuan shtatë shqiptarë të Lugut të Baranit, teksa po iknin përndjekës së OZNA-s. Diku në një pikë kufitare, u kapën dy të rinj të Llapit dhe dy të reja, vajzat u çnderuan, djemtë i burgosën. Thuhet se, në zonënë e kufirit Has-Has, janë arrestuar tridhjetë e pesë shqiptarë të Kosovës dhe janë dënuar. Dhe sa e sa të tjera jetë të marrura... Dhe sa e sa arrestime e sa pusi në atë lak dreqi. Nuk i thua dot për tri netë a për katër ditë...”!

Nga kjo vërehet edhe një detal tjetër; se tragjedisë dhe kapërdirjes nga kufiri nuk i kanë shpëtuar shqiptarët e pothuaj të tërë Kosovës dhe të të gjitha krahinave të saj. Andaj, kufiri si fenomen, nuk është vetëm si vuajtje dhe as si këmishë e vdekjes. Ai në vete ngërthen edhe jetën tërësisht të ndrydhur, të heshtur, apo edhe të ndritur pjesërisht, mbase edhe ndonjëherë tërësisht të errësuar! Po, pra. Kur te hunda i rri pyetja njeriut: ...A ka nga ju që nuk duan të ndjekin armiqtë e shtetit?”!

Fuqia e mesazhit dhe filozofia e kuptimit të kufirit si dhembje dhe provokim nëpër vite e shekuj...

Është shkruar shumë për kufirin, por edhe do të shkruhet. Megjithatë, asnjëherë sikur nuk është bërë përpjekje që të shtrohet e shpjegohet historia dhe qëllimi i tij, dhe as ajo, që kufiri ka “parë” e përjetuar. Andaj, ai, kujtoj se secilin krijues, secilin shkencëtar, secilin historian, e qorton me etjen për të thënë se çfarë ka parë dhe çfarë ka përjetuar ai, kufiri?!

Dhe, hajt, ta hedhim, të themi si çështje banale, apo si provokim mesazhin e përgjithshëm të kufirit në përgjithësi por edhe në këtë libër. Sepse, edhe më thjeshtë, secili njeri nga pak në vete ka, apo edhe e lind, e krijon kufirin! E natyrshme, por shumë e padrejtë dhe jonjerëzore, e them këtë, nëse i referohemi urave të bashkimit, të cilat, për habi shpesh edhe brenda natës rrënohen...!

Pra, e tërë kjo, sa fuqishëm dhe bindshëm nga mundëson të analizuarit ndryshe të librit “Kufiri i gjakut”, e që këtë, si perlë e ngrehin edhe fjalët e autorit të romanit:...Kufiri kishte mbetur aty ku ishte, barbar, ndarës, vrasës, i padrejtë dhe i dhunshëm, i përgjaktë dhe jetëmarrës, që tmerronte...!”.

Dhe, deshe apo nuk deshe, shtrohet pyetja: pse kufijtë vetëm në mes shqiptarëve, edhe në mes njëri-tjetri...?!! Padyshim se e rëndë është kjo...

Plaga më e madhe nëpër shekuj ka qenë se shqiptarët kanë qenë të copëtuar, atdheu i tyre ka qenë dhe është i tkurrur. Për këtë arsye, në shpirt dhe në zemër e kanë  pasur drynin e mbyllur të ndarjeve e të bashkimit të familjeve të një gjaku, të një barku, të një fshati apo të një qyteti. Prandaj, ëndrrat e njeriut(andej e këndej), kanë qenë mollë e ndaluar, jo rrallë edhe mollë sherri, kanë qenë edhe tragjedi, edhe rrezik për gjithçka që jetën e bën normale, njerëzore dhe të ndërgjegjshme.

E theksova këtë, sepse, “kufiri” është (e ndoshta nuk e dimë) temë  për studim, temë për të sjellë e zbritur në tokë njerëzoren. Kjo gjithnjë, kur kemi parasysh shumë “ligje” të njeriut tonë, të cilat mëzi pret t’i “begatojë” ato edhe me ligjet dhe “amendamentet” e gjakmarrjes, nga të cilat, pastaj, derivojnë mbylljet, “mini” kufijtë familjarë në fshat e qytet. E dhembshme kjo, apo jo?!!

E kjo, e trashë edhe atë lakun me të cilin ndahen njerëzit, mezhdat e shpirtit dhe të zemrës, e në këtë mënyrë forcohen edhe kufijtë e kufijve, edhe kufijtë e padrejtësisë e të dhembjeve shekullore, që shkaktojnë ngjarje interesante, unike e të rënda, që e kanë edhe peshën e vetë specifike, si kjo në romanin e Muharrem Kurtit, “Kufiri i gjakut”! Për t’i mbështetur fuqishëm të gjitha këto, autori me mjeshtri dhe elegancë prej krijuesit të rryer por edhe me sensin e psikologjisë filozofike, thotë:...Sfinks ndalues, mund të quhej ky kufij krimbi mbi shqiptarë. Lakore e mbyllur, përdridhej ky kufij i gjakut, i arrestimeve dhe i vrasjeve”! Dhe, si të shprushet filozofia e jetës me kufij, kur: ...Spiunë të heshtur që përgjonin çdokënd dhe kudo. Ata kishin për detyrë me raportuar në organet shtetërore për deklaratat pa partishmëri të qytetarit shqiptar. Çdo vënie ne sprovë, apo kundërshtim i direktivave të saj, raportohej.

Raportohej për veshjet me stil perëndimor, për dëgjimin e muzikës “dekadente”, për qëndrime të qytetarëve të pakënaqur, të cilët mund të fyenin apo sulmonin regjimin komunist, për çdo shmangie nga ideologjia marksiste leniniste”!

Dhe tash, hajt të themi, pse “Kufiri i gjakut”?! Këtu qëndron edhe thelbi i të menduarit dhe i shtruarjes së materies në vepër. Ngase, kufiri i ngjanë edhe dergjës, mortajës, kolerës, i ngjanë të të gjitha të këqijave që edhe tokën e gërryejnë, e çoroditin dhe e shëmtojnë dhe dosido edhe e gjakosin tmerrshëm:...E kam fjalën  për tri udhët; kur u mbyll kufiri, zuri të dalë bari në ta në pranverën e vitit 1948. Sapo u shkri bora e dimrit, bari fillon t’i mbushë udhët. Pastaj, shirat pranverore, verore e vjeshtore, e shemben dheun e brigjeve të tyre, duke i rrafshuar ato shkallë-shkallë.

Në afërsi të kufirit, rrugët u bënë të asgjësuara. Aty nuk ecte kush dhe nuk qarkullonte qerre, as makinë, as pajton. Bari i veshi udhët dhe i tjetërsoi. Pas barit, udhët i kapluan edhe shkurret, fieri dhe gjembat...”!

Por, përkundër tërë kësaj, rrugëtimi i jetës begatohet edhe me ngjarje dhe tregime të tjera, që dosido jetën e bëjnë të lumtur, të qëndrueshme e me plot shpresë.

Kështu, autori i librit e “bylmen” mrekullueshëm rrugëtimin dhe rrjedhën e ngjarjeve gjatë gjithë romanit, të cilat padyshim se kanë peshë shumëdimensionale për gjithçka që njeriun e forcojnë, e bëjnë edhe të lumtur, edhe pse, ndonjëherë e mbush me mllef, me mall e mërzi, e që nuk janë gjë tjetër veçse kalitje për t’i sfiduar jetës në çfarëdo rrethanash: ...Nuk pranoj me u fejua me ndonjë tjetër. Vetëm një takim e kishin pasur ndër veti dhe kurrë më nuk e harruan shoku-shoqen”. Ose: “...Zoga shtatselvi, fill reje, fytyrë ëmbël e fytyrpaqe. Shtatgjatë si bajrak, elegante si bredhi i ri i malit, gojëkuti e vetullhark, krah dallëndysheje. Me dhëmb inxhi e fjalëmatur. E prajshme si puhiza, dhe e ndritshme i rrezet e diellit...”!

Ky përshkrim kaq detal dhe i fuqishëm, lexuesit sikur ia ofron një madhështi hyjnore të femrës shqiptare, e cila i jep jetë e kuptim çdo gjëje. Prandaj, shih sa prajshëm, edhe në rrethana çfarëdo qofshin ato, në këtë rast, koncepti “kufi”, apo edhe vetë kufiri, padiktueshëm apo figurativisht shkrihet, nuk ekziston kundruall forcës dhe vullnetit që ka njeriu! Edhe ky detal, është një shtyllë e veçantë e specifikës së një analize ndryshe, që librin e bën formulë jete, por edhe sentencë se veprat janë me peshë jo vetëm për ta përqafuar materien dhe ngjarjen, duke shprehur përjetime çasti dhe të shpirtit. Sepse, kufiri, me të vërtetë ka kuptim të gjerë, jo vetëm si diçka që ndanë vetëm tokën e vendin, por është histori e rëndë që dhemb e që shkakton gjithnjë probleme, tragjedi e dhembje shpirtërore.

Në mes trojeve shqiptare dikur kurrë nuk kishte kufij, prandaj kohërat reflektojnë dramën e dhembjes së shqiptarëve që nuk harrojnë...

Për këtë, jo pa qëllim, autori i romanit, Muharrem Kurti, pothuaj se hëpërhë shprush çdo detal të jetës-dramë, ku shpërfaqen skenat dhe “dokumentari” jo vetëm i një individi, i një numri njerëzish, i një vendi apo krahine por edhe i tërë kombit dhe i atdheut.

Prandaj, romansieri nuk thotë pa qëllim, se:...Kufibërësit ishin kancellaritë  e Evropës së kulturës mirënjohëse. Aty ku nuk kishte pasur kurrë kufi, u bë me të tillë, u ngulën piramida  dhe e ndanë Shqipërinë pjesë-pjesë.

Kurrë nuk kishte pas kufi me Çamërisë dhe Shqipërisë, mes Iliridës dhe Shqipërisë, mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me shqiptarëve të Malit të Zi dhe Shqipërisë...”!

Në këtë formë, autori, sikur secilin lexues e “detyron” ta thellojë mendjen tek historia, apo edhe e hapë shtegun apo edhe rrugën që secili lexues, secili historian dhe shkencëtar, të konflituojë me vetveten për zbardhjen e fatit të tokave shqiptare, të cilat nëpër kohëra janë tkurrur, e druaj që edhe tash të tkurren. Këtu qëndron ai tharmi i gjakut, se kufiri s’është gjë tjetër veçse një përbindësh, i cili as gjakun nuk e lë të qetë, por, edhe as që mund të jetë i qetë!

I tërë ky “dilerium”, ndoshta ishte dashtë që të na kthejë mendjen tek konferencat dhe kongreset, ku janë zierë gjellërat e padrejtësisë dhe të jonjerëzores. Ndoshta, kjo vazhdë, edhe pse pak më ndryshe, edhe tani, bile tani në shekullin e XXI-të, në të cilën kohë njeriu e ka mendjen e mprehtë, diturinë e lartë por edhe aftësitë për të menduar e vepruar drejtë. Ja, një detal që autori na ofron si me mllef fatin e tokës dhe vënien e kufijve:...-Vendose këtu!, hungërinte ariu rus-dhe ndahej përgjysmë fshati shqiptar. Vendose atje!-jepte urdhër sërish, dhe përgjysmohej rajoni shqiptar. –Vendose këtej!-thoshte i mllefosur gjithe uri, dhe bëhej dy pjesë krahina shqiptare. Urdhërin e Ariut të Bardhë të Siberisë e aprovonte Ulkonja e Italisë... E pranoj, -thoshte Dhelpra e Anglisë... –Pajtohem me këtë ndarje të Shqipërisë  në pesë shtete,-shfrynte Derri i Gjermanisë. –Edhe unë po i bindem  copëtimit të tokës arnaute,- dredhonte Luani Plak i zgjebosur i Anadollit. –Le të krijohet hartë e re e Ballkanit,-fishkëllonte Bolla e Francës,-duhet bërë legjitim copëtimi i Ilirisë...”!

Dhe kështu autori e zgjeron rrëfimin për këtë histori, e që fuqizoi dhembjen e kufirit, i cili në çdo cep të tokës është histori në vete, dhe i cili, në mënyra të ndryshme rrjedhë e pikon gjak...!

Por, dikur shpërthen kufiri i mbyllur! Sepse, gjithmonë dregëza e kufirit ka qenë dhe është një histori që i ngjanë vullkanit të heshtur, gjithashtu i ngjanë edhe një miti, që kur rrëfehen përrallat për te, hasim në dilema, në luhatje, në trimëri, në rrena e monafiki, të cilat shkaktojnë pezmatim plagësh, e që ngjajnë në grimcat e mishit kur “grihen” në makinë qeni!

Edhe këtë çështje e trajton autori, të cilën detyrueshëm duhet që të realizohet mbi bazën e specifikës të një analize ndryshe: ...Cubi i kishe bërë dëm, shpesh e kishte ndjekur Colin si njeri të dyshimtë. Kishte qit në litar bashkëvendas për t’i shërbyer Partisë së Punës edhe në agoninë e vetë. Trupcung dhe partiak i vërbër, servil dhe besëprerë, kundërshtar kryesor i kalimit të kufirit gjatë diktaturës;kurse tani hiqej trumbetues i zhbërjes së kufirit. Thoshte: -Do ta heqim këtë kufi ndarës të shqiptarëve!

Qeshën me të banorët e malësisë. –Do ta fshijmë këtë gardh të kalbur! –Ha ha ha; qeshnin të pranishmit. –Hi hi hi, -ironizonin bashkëvendësit. –Do të derdhim edhe gjakun tani,-vijonte ai! ...Si the?-i kishte ndërhyrë, Blend Dizdari, nëntëmbëdhjetë vjeç, kaluesi i parë i kufirit gjatë viteve nëntëdhjetë. –A nuk ishe ti që e qite në litar Bardh Bardhin, se mbajti dy ditë mikun e shtëpisë në konak?”.

Këtë detal, krijuesi na sjell jo pa qëllim, për të na përkujtuar vuajtjet dhe reprezaljet e pakuptimta, që u janë bërë popullit në atdheun e tyre. Pra, edhe kjo konsiston nevojën për analizat specifike jo vetëm të kësaj vepre, siç është ky roman.

Shenjtëria e luftës së UÇK-së, dëshmoi se gjaku dhe liria nuk njohin kufij

Në libër, janë përfshihen edhe shumë gjëra pas “thyerjes” së kufirit, e që kanë sjell shumë ndryshime, edhe pse, nganjëherë edhe euforike. Mirëpo, autori sheh madhështinë edhe tek lufta në Kosovë me gjithë karakteristikat e veta, sepse, popullata kishte përjetuar një tmerr, eksod e kalvar të paparë. Por, lufta e UÇK-së, ishte e shenjtë dhe e vendosur, gjë e cila stolisë dhe madhështon një periudhë të artë të historisë kombëtare:...Ishte fuqizuar mësymja e UÇK-së dhe po ndodhte tërheqja e ushtrisë serbo-malazeze, vijonte zmbrapsja dhe rimarrja e pozicioneve nga UÇK, avancim në territore të lira nga armiku;kishte pasur, në disa zona, dhe rikthim të shpejtë të UÇK-së. Kishte humbje në radhët e hasmit, të cilat pasoheshin me dëme të popullatës së pafajshme, por, edhe te vullnetarët e lirisë...”.

Pastaj, në libër, fuqizohet dhe përjetësohet lufta e UÇK-së me ngritjen e shumë obeliskëve, të përmendoreve  dhe të monumenteve në tërë Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë. Të gjitha këto, vihen në spikamë për shumë arsye, sepse, historia e vërtetë ka peshë të madhe për t’u ndriçuar deri në fund, e ndoshta edhe në raste specifike edhe për t’u rishkruar një pjesë e historisë.

Ndoshta e ka domethënien shumëdimensionale që kjo analizë të përmbyllet me fjalët që autori i spikatë në kreun e fundit të librit, që janë edhe si perlë për vetëdijesimin kombëtar dhe njerëzor, por edhe si qortim për plagët e pashëruara që janë krijuar dhe ngelin edhe tash të tilla tek njeriu i trojeve shqiptare me gjithë mallin dhe atdhedashurinë që ka, e që ndër shekuj nuk është shuar dhe as nuk do të  shuhet: ...Shqiptari do mbrohej nga shqiptari. A kishte më paradoksale se kjo?! Plaga po mbyllej, por varra e saj jo...”!

Romani “Kufiri i gjakut”, është një vepër, e cila, nëse lexohet me përkushtim, e ka peshën e dhembjes dhe klithjen se ende nuk është vlerësuar as nuk është ndriçuar “guri” i kufirit, siç po ndodhë edhe tash në Kosovë e në...!

Lidhur me këtë, sikur puthitet mirë edhe mendimi i Volterit, i cili thotë: “Jeta është e mbjellë dendur me gjemba, dhe nuk di asnjë mjet tjetër përveçse të kaloj shpejt nëpër to. Sa më gjatë të ndalemi në fatkeqësitë tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar!

Por, edhe është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë”!

Prandaj, edhe në këtë rast, nuk është e mjaftueshme të shohim dhe të njohim bukurinë e një vepre. Ne duhet ta ndjejmë dhe të prekemi prej saj!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora