E enjte, 28.03.2024, 11:14 PM (GMT)

Kulturë

Nga tryeza letrare e ''Trekëndëshit Poetik të Paqes''

E marte, 15.09.2020, 07:51 PM


Mirko Gashi ishte koprrac artistik i fjalës

Kësaj radhe ky manifestim ishte pak më ndryshe. Ishte poeti Mirko Gashi, me rrënjë nga Karadaku, që e bëri më kuptimplotë këtë ngjarje kulturore, teksa krijimtaria e tij e lënë në dorëshkrim dhe e mbledhur në librin me titull “Blegërimë resh”

Të shtunën (12 shtator) krijues, familjarë dhe miqë të Mirko Gashit e përkujtuan 25 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të manifestimit tradicional “Trekëndshi poetik i paqës”, që organizohet, nën drejtimin e shkrimtarit Sabit Rrustemi, çdo vit në Grykën e Karadkut.
Kësaj radhe ky manifestim ishte pak më ndryshe. Ishte poeti Mirko Gashi, me rrënjë nga Karadaku, që e bëri më kuptimplotë këtë ngjarje kulturore, teksa krijimtaria e tij e lënë në dorëshkrim dhe e mbledhur në librin me titull “Blegërimë resh”, në redaktim e me parathënie të Anton N. Berishës, si dhe me shënimet bibiliografike nga P. Buzhala, ishte shkas për një diskutim nga ana e studiuesve dhe shkrimtarëve.
Anton N. Berisha: Mirko Gashit i interesonte mbi të gjitha arti arti i fjalës

Anton N. Berisha, duke shkoqitur raportet letërsi-tematikë-art, theksoi: " Mirko Gashi gjakoi ta shtjellojë tekstin sa më artistikisht, t’i shqiptojë në mënyrë sa më komplekse e thellësore disa dukuri qenësore jetësore e shpirtërore, në mënyrë që poezia e tij të komunikojë sa më intensivisht me marrësin. Duke mbetur, në rastet më të shpeshta, në një rrafsh të lartësuar të transponimit poetik të botës, ai shprehu mospajtimin; ironizoi kohën dhe veprimet e njerëzve, të cilët e fshehnin fytyrën e vërtetë; shprehu dhe u ngrit kundër tragjikes që pësonte bota që i përkite, prandaj poezia e tij shpesh shquhet me përmasën e protestës e të kundërvënies; nëpërmjet artit zhveshën e denoncohen ata që ia trazuan e ia lëkunden jetën atij dhe popullit të tij, që kurdisen sprova, të papritura e ligësi të ndryshme. Poeti qenësisht jetoi me kohën dhe me problemet e kohës së vet, po njëherit edhe me të kaluarën, e cila është thellë e pranishme në të tashmen. Mirko Gashi hyn në radhën e atyre pak poetëve tanë bashkëkohorë, që ishte i dhënë qenësisht pas krijimit të poezisë dhe se me përkushtim e zhvilloi dhe e thelloi procesin e vet krijues poetik. Në atë proces, u shkrua poezia pas një përimtimi e hulumtimi paraprak të objektit që Mirko Gashi donte ta trajtonte.
Poezia e Mirko Gashit është ideja, është ëndrra, është ndjenja, është kumtimi e komunikimi ndryshe të zakonshmes, është fjala e zgjedhur, vargu, shtjellimi... është vlera estetike edhe shumëçka tjetër... Dhe, kjo shumëçka arrihet nëpërmjet gjuhës që është materiali ndërtimor i vetëm i shkrimtarëve, pra edhe i Mirkos, i cili materialit të tillë i kushton kujdesin meritor. Është ndër mjeshtërit e hollë që di ta skalisë fjalën me çekanin e urtisë popullore, ndoshta edhe pse e njeh jashtëzakonisht mirë kuptimin e saj.
Tridhjetë vjet më vonë, po i qasëm përsëri poezisë së Mirko Gashit – asaj të lënë në dorëshkrim e të botuar pas vdekjes së poetit, që me titullin “Blegërimë resh”, po ribotohet nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit, të drejtuar nga shkrimtari Sabit Rrustemi, që ka meritën kryesore për daljen në dritë të këtij libri, të pasuruar me të dhëna bibliografike për veprimtarinë e poetit si dhe me faksimilet e disa poezive në dorëshkrim, nënvizoi Anton Nikë Berisha.

Nexhat Rexha: Stigmatizim i vlimeve shoqërore

Poeti Nexha Rexha foli për vokacionin krijues të Mirko Gashit duke u përqendruar në trajtat e mbisundimit të mendimit poetik në poezitë e Mirko Gashit, të cilat sipas tij,  kanë fuqinë e dëshmisë artistike; ato krijojnë pasionin e brendshëm përmes të cilit skaliten idetë në jetëdhënie të synimeve shpirtërore.
“Traumatizimet shoqërore në poezitë e këtij vëllimi, janë trajtuar me optikën e përjetimit, ato të japin tejpamjen e thellësive të dhembjeve shpirtërore për të kundërvënë mungesën e lirisë. Trysnitë, trazimet e detyrueshme për të mundur të keqen dhe vizioni për të komunikuar me dhembjet e plagosjet shpirtërore vijnë si vargëzim poetik në kapjen e çështjeve të ndjeshme që themelojnë vend të qëndrueshëm në diktatin e zemrës. Në këto pritje e mundime kohësh, poezia shpalos realen përmes meditimit si refleksion dhe depërtim në arteriet e poetit. Vrojtimet e përditshmërisë kanë arritur të prekin pulsin poetik të autorit, me performancën stilistike të dalluar, për t`i dhënë jetëgjatësi artit, brendisë artistike.

Gjithsesi poenta e vargut ka ngulitjet në përzbardhimin e ëndrrës, me të cilën Mirkoja ka medituar në krijimet e veta artistike.

Në këto poezi të shkuara në vitet e fundit të jetës së Mirko Gashit, sikur stigmatizohen vlimet shoqërore, rizgjojnë absurdin dhe ato trokasin në ndërgjegjen e njeriut. Në këto depërtime të botës e të fatit të tij poezia arrin në prekje të duhura, sepse poeti i ka ruajtur lidhjet e gjakut nëpër këto vonesa të pazbërthyeshme për njerëzit e gjakut e të gjuhës, të nëpërkëmbur e të përvuajtur. Marrëdhëniet në kontekst të kohëve në poezinë e Mirko Gashit, aktualizojnë gjurmët e qëndresës së njerëzve, të cilët e bënë historinë. Historia njerëzore ka të bëmat e veta nga më të ndryshmet, e këto ndryshime i kanë edhe veçantitë e tyre, sepse personalitetet e dalluara kanë ruajtur e ndjekur gjenin e tyre”, tha Nexhat Rexha.
Emin Azemi: Skadon afati i harresës
Sipas këndvështrimit të Emin Azemit, ani kur jemi takuar sërish me poezinë e Mirko Gashit, pikërisht në 25 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim, e cila vjen në vëllimin poetik BLEGËRIMË RESH, nën kujdesin e botuesit Sabit Rrustemit,  dhe vlerësimin kritik të  studiuesit Anton Nikë Berisha, na imponohet ta vështrojmë këtë botë poetike në prizmin e një ridimensionimi të ri teoriko-letrar, kur harresës i skadon afati dhe kur vetëdija kritike për rivlerësim bëhet pjesë e një preokupimi të kombinuar në mes të një shkrimtari, si Sabit Rrustemi që me këtë rast ka luajtur rolin e një arkeologu të suksesshëm i cili nxjerr në sipërfaqe margaritarë të çmuar të verbit poetik dhe të një studiuesi i cili e ka ndjekur në vijimësi rrugën e formimit dhe zhvillimit të poezisë së M.Gashit, duke bërë tani një bilanc të ri vlerësimi për pjesën mbetur në dorëshkrim të këtij poeti.

Gati si në të gjitha rastet kur një emër qëndron i stampuar në plikot gjysmë  të mbyllura, tha Azemi, edhe Mirko Gashi gjatë një harku kohor ishte dikund afër nesh, gati sa nuk e shtypnim me këmbët e rënda të neglizhencës shoqërore e institucionale. Ai  jo vetëm që nuk e kishte zënë vendin e merituar në procesin e komunikimit letrar, por për një kohë të gjatë një numër i konsiderueshëm i krijimeve të tij letrare kishin mbetur të shpërndarë në letra dhe notesë që ai i kishte lënë si relikte të një kohe prozaike, e aspak poetike, atëherë kur M.Gashi poezinë e shkruante dhe e mbante si një armë pa leje, sepse vetëm në atë mënyrë ai arriti ta vret murin e heshtjes dhe indiferencës, nënvizoi Azemi.

“Dëshmi për këtë është vet kjo përmbledhje poetike, e cila përpos që bart te ne informacionin për krijimtarinë e fundit të M. Gashit që kishte lënë në dorëshkrim, ajo na udhëzon edhe për një proces të ri receptiviteti, duke ruajtur gjithmonë pashkëputshmërinë e gjurmëve autoriale të një shqetësimi poetik. M. Gashi, si çdo poet i këtij formati, është i vetëdijshëm se poezia nuk e ndryshon botën, por ai thellë në subkoshiencën krijuese e mbart farën e kujtimit të patretur për të kaluarën , por edhe krenarinë e njeriut të panënshtruar nga hallet. DURO BIRI IM, është dëshmia më e mirë e kësaj krenarie , teksa poeti e thotë shkoqur ‘Më mirë koria se uria...’, tha E. Azemi.
Prend Buzhala:  Gandiana poetike

Poeti më herët këndonte: "Vetëm fëmijët dhe kafshët/ të duan pa hile”. “Vestalet” janë figura që i përdorte vetëm Mirko Gashi. Ato janë metafora të virgjërisë së shpirtit e të dëlirësisë së fëmijës. Në një letër dërguar së ëmës, në janar 1799, poeti gjerman, Helderlin, e quan krijimin poetik “më të virgjrin nga të gjitha profesionet." Në mitologjinë antike romake Vestia e moçme, ishte perëndeshë e virgjëreshave, e zjarrit, e vatrës dhe e familjes. Vestiat përdoren edhe në shumës. Ato mishëronin zjarrin e shenjtë, zjarrin e vatrës familjare dhe zjarrin e qytetit. Janë personifikim i vatrës familjare, i rojës e i flakës së shenjtë të sigurisë së jetës që digjet pa pushim në Atrium, në lterin (altarin) e shtëpisë e të tempujve; nga ana tjetër, simbolizojnë forcën e thelbit të jetës. Mishërojnë dhe simbolizojnë betimin më të përkushtuar të pastërtisë dhe virgjërisë, dëlirësisë dhe bekimit, thjeshtësisë dhe harmonisë familjare. Ndërkaq, vestalet ishin virgjëresha, që shërbenin në tempullin e Vestias, duke e mbajtur pareshtur në duar zjarrin e shenjtë, për nja tridhjetë vjet. Gjatë kësaj kohe ato shtrëngoheshin të çonin një jetë plotësisht të dëlirë e të denjë, e mandej mund të liroheshin nga shërbimi dhe të martoheshin. Mirëpo, nëse gabonin, ato muroseshin të gjalla. Virgjëria do ruajtur e po bëre mëkat në këtë betim, atëherë edhe e pëson.
Kësisoj, Mirko Gashi, madje, shpesh e shpesh nëpër të gjithë librat e tij poetikë i përmend vestalet. Këto i hasim edhe në këtë vëllim poetik: Vestalet e strehuara/ në syrin tim/ ma flakërojnë shikimin

Vestalet risemantizohen dhe marrin domethënie të reja në kuadër të kontekstit të përgjithshëm të poezisë. Krijuesi Mirko Gashi zë e kompozon dhe strukturon aso vokalesh a fonostilemash që shpërthejnë nga brendia e qenies, si burime paralele frymëzimesh, temash e idesh; ai nuk resht së kërkuari për t’u paraqitur me qenien e poezisë së tij e të folësit të tij lirik, herë te bukuria e një luleje e herë te shpirti i një blete, herë te ringjalljet shpirtërore të një feniksi e herë te vestalet e tij të përshpirtësisë e të mënyrës së gjëllimit, herë te gjuha e heshtur dhunshëm e një peshku apo te memoria e ngurosur e Ikariusit ...”, nënvizoi Buzhala.

Sherafedin Kadriu: Poezi e vlerave të larta poetike

Studiuesi Sherafedin Kadriu  vuri në dukje se Mirko Gashi dallohej nga krijues tanë të tjerë nga fakti që dinte çfarë donte nga secila poezi, dinte si ta ngjizte realitetin dhe imagjinatën në tematikën e motivuar nga një tip dualizmi karakteristik, ku bashkëveprojnë dy polet ekzistuese: e mira dhe e keqja, e bardha dhe e zeza, drita dhe errësira, qiellorja dhe tokësorja; gjithnjë duke shpërfaqur nuanca të këtyre kategorive filozofike, sociale, etike e etnike. Poezia e Mirko Gashit është ideja, është ëndrra, është ndjenja, është kumtimi e komunikimi ndryshe të zakonshmes, është fjala e zgjedhur, vargu, shtjellimi... është vlera estetike edhe shumëçka tjetër... Dhe, sipas Kadriut, kjo shumëçka arrihet nëpërmjet gjuhës që është materiali ndërtimor i vetëm i shkrimtarëve, pra edhe i Mirkos, i cili materialit të tillë i kushton kujdesin meritor. Është ndër mjeshtërit e hollë që di ta skalisë fjalën me çekanin e urtisë popullore, ndoshta edhe pse e njeh jashtëzakonisht mirë kuptimin e saj.

Nga poezitë që krijon Mirko Gashi, tha Sherafedin Kadriu, nuk mund ta heqësh as edhe një fjalë, lë më një varg sepse prishet dukja, figura, kuptimësia, vetë shtjellimi. Shpesh diçka mbetet e pathënë, po pikërisht kjo “zbrazëti” shkakton te lexuesi një varg përsiatjesh e mëdyshjes.

Poezitë e këtij vëllimi, në kuptimin e çiltërisë, sjellin edhe një përmasë nxitjeje e ndjenjësimi, që bëhen vetvetiu pjesë e tërësisë kuptimore, saktësoi Kadriu
Afrim Demiri:
Tekëndshi i vërtetë poetik Lasgushi - Camaj - Gashi

Poeti Afrim Demiri duke qenë pjesëmarrës i këtij takimi, tek ai ngjallet një asociacion sa i përket  emërtimit të manifestimit “Trekëndëshi poetik”, asociacionin e një trekëndshi të vërtetë poetik Lasgushi - Camaj - Gashi!

“Pse pikërsisht kjo ndërlidhje, në mes të bjeshkëve të Karadakut, të tre poetëve nga tri viset shqiptare ?! Askush më mirë se ata nuk kanë bërë estetizimin e mitologjisë shqiptare. Nëpërmjet të frazeologjizmave të gjuhës popullore ata jo vetëm që kanë ruajtur tashëgimininë, por atë e kanë ngritur në një nivel estetik të fuqishëm, nëpërmjet të  gjuhës së figuracionit poetik.   Mirkon e shoh si një vazhdim të natyrshëm të Camajt, i cili la një zbrazëti në Kosovë, pas emigrimit në Gjermani, kurse që të dy ndoqën rrugën e shprehjes sa mitike, po aq edhe hyjnore të poetizimit të një realiteti, i cili kalon të magjikshmën. Më lejoni të nxjerri tre shembuj të Gashit  si tri brinjë të një trekëndshi për të mbështetur pohimin e mësipër.  “Hana si drapër, kositke valët e detit”, “ ma mirë i uritur se   koritur  dhe “unë kalorës i  ylberit”. Ju kujtohet kënga popullor ku thuhet “ma mirë qiri i fikun se djalë i koritun”, apo legjendat për kapërcimin e ylberit dhe Mirko nuk ndalet duke i ricikluar këto figura mitologjike si Kalin e varreve, Gjarpërin e shtëpisë etj., pikërisht si Camaj apo si Lasgushi që shpesh na sjellin  në hamëndësime mos janë  duke shkruar vargje popullore apo të rikrijuara, për të kuptuar më vonë fuqinë e tyre artistike.

Po si mund të kundrohet Gashi, nga kjo largësi kohore?! Në rend të parë si një rrënues i stereotipeve komuniste, tamam si Lasgushi. Ai ishte një desident origjinal, i cili ecte në mes nesh. Poeti i cili në orët letrare me  rreth një mijë studentë, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në kohët më të vështira, recitonte vargjet e tij se: “ as deti nuk ka ujë t’i lajë pelenat e fëmijëve tanë”, duke iu kundërvu politikave neo-maltusiane të Sërbisë. Ai para se të kundrohet si një poet bohem, duhet të shikohet si një poet i revoltës qytetare, fjala e tij poetike, sjellja e tij, qëndrimi tij ishin një desidencë e llojit të vet karshi burokracisë komuniste. Bohemia si protestë, si rebelim!”, tha Afrim Demiri.

Përmbledhur  prej  Emin Azemit



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora