E premte, 29.03.2024, 06:37 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Dimri s'vjen me lule

E hene, 14.09.2020, 07:23 PM


KALOSH ÇELIKU

DIMRI S’VJEN ME LULE

(Poemë për fëmijë  përkushtuar legjendarit Adem Jashari)

Prolog

Dimrakeqi me shkop në dorë

Tak - taaak, troket në derë.

Veriu fryn, jashtë bie borë

Bilbili thërret një pranverë.

Që, e presim me vite e vite

Siç pret lulja një rreze drite.

Zjarri ndizet, ndizet me flakë

Shkollarët rrinë zgjuar mbi libër.

Djepin e përkund një Nënëplakë

Maleve t’u ngjitemi në Dibër:

Me çanta krahut e plot halle

Xixat mbi çati heqin valle…

1. (HAPA - HAPA PAS LISAVE)

Maleve, më zen frika

Mjekrën ma tjerr dielli.

Furka e tij është me thika

Këtu e te qielli.

Hapa - hapa eci pas lisash

Tinës, tinës me çeta bishash.

Trimat e mi, si ujqërit sulen

Diellit, vrik  ia shuaj zjarrin.

Këmba ime e shkel edhe lulen

Fushën, malin.

Hapa - hapa eci pas lisash

Tinës, tinës me çeta bishash…

2. (DIELLIT IA LIDHA SYTË)

Ushtarët e mi janë trima malesh

Natyrën e mbajnë në zingjirë.

Zogjtë thonë: Unë jam egërsirë?!

Qiellit, kur e lëshoj kalin e Zi

Bajlozi Zi jam i dytë. Dimër.

Diellit me shami ia lidh sytë.

Ditë për ditë dua një dash të pjekur

Vashën të ma sjellin te shtëpia.

Bajlozi Zi jam, jo Halil Garria.

Dora m’është mësuar të pres koka

Zjarr jam, s’di pse s’digjet toka?!...

3. (LUMIT SI T’IA NDAL HAPIN)

Pritën, e kaçakut vura pas një druri

Akull, thash: lidhja duart, këmbët!

Lotët i shpërthyen edhe një guri

I nxorra dhëmbët:

Fushës rritë zemrën e barit

Luleve, ua lanë faqet.

Kryengritje, më bënë livadhit

Ngre bajraqet.

Duart i zgjatë, përqafon Rrapin

Lajme, i dërgon detit.

Lumë, si të ta ndal hapin

Fushës, qytetit?!...

4. (DELES IA DOGJA BARIN)

Gjokut, hopa i hipa në shpinë

Shqipet: këtu e kemi shtëpinë.

Edhe këngëtari

Edhe luftëtari.

Qiellit, u ngjita si shqiponjë

Kosova: këtu jam vetë zonjë.

Për punët

Për rrugët.

Hapin e lëshova me gjokun

Dielli: s’e japim shoku - shokun.

Nëpër stuhi

Jemi bërë hi.

Trimërisht, dikur zbrita në tokë

Malet, më thanë me shokë:

Këtu nëse bie terri

Këndon mauzerri.

Fushën e zbardhova, malin

Deles Rudë, ia dogja barin…

5. (BURIMIT I VURA DRY)

Dora - dorës si bleta

Përronit zbriste çeta:

Kitrat me gjithë bishta

Lepur trimi më gishta.

Kaprolli me brirët si lis

Dhelpra, që u dilte fis.

Sorkadhja e bukur hopa-hop

Gjyshe drenusha me shkop.

Sorra që i dhimbte këmba

Iriq Ferra me dy shtëmba.

Zogu me këngën në sqep

Gushkuqi, nga një plep.

Qukapiku me disa lajme

Laraska me gunë të larme.

Ujkun s’e kishin thirr te burimi

Balli m’u mrrol, m’hipi zemrimi:

Trimave, vrik u dola sy më sy

Burimit rrëzë malit i vura dry…

6. (ZOGJËVE UA PRISHA

SHTËPITË)

Frikë s’patët, mbetët nëpër shtëpia:

Lejleku, dallëndyshja me shoqe e shokë

Vjeshtës s’ju thirrën kur ikën me mijëra?

Zogjtë: Kurrë s’e lëshojmë këtë tokë

Kurrë s’e lëshojmë këtë tokë!

Erë, fryj sa të mundesh me gojë

Majat e lisave tërhiqi deri në tokë

Trimave, unë t’ua mësoj një lojë.

Zogjtë: Burrat vdesin kokë më kokë

Burrat vdesin kokë më kokë!

Vit për vit me stuhi u rash në kulla

Vullnetarë t’i lëshoni këto shkrepa.

Lisa, pemë me dorë vetë i shkula.

Zogjtë: Kënga jonë na rritë në djepa

Kënga jonë na rritë në djepa!...

7. (UJKUN E LËSHOVA

TE QËNGJAT)

Zemra m’u egërsua, skuqën sytë

Gjoksin para, u rroka fyta - fyt.

Shpat më shpat ngrita lartë dorën

Tungjatjeta miq, pse ma hani borën?

Qengjat qeshën me këtë lajkatar:

O burrë, mos u ngutë, ne hamë bar!

Motin që shkoi, kur erdha në vizitë?

Lum miku, ne kemi lindë këtë vit.

Baballarët, atëherë, ata brirëdredhur

Ujkun e lëshova te qëngjat e trembur…

8. (DHELPRA M’I FSHIN

GJURMËT ME BISHT)

Natën, kur eci territ si hije

Maleve t’ua vjedhi bilurët.

Dhelpra m’i fshin gjurmët.

Kurthat i vë pranë çdo lisi

Cung pas cungu i fus hundët.

Dhelpra m’i fshin gjurmët.

Hënën, kur e zgjoj nga gjumi

Darkën ta haj - jam i urët.

Dhelpra m’i fshin gjurmët.

Dorën ua shtri - ua jap besën

Miqësi të lidh me fatlumët.

Dhelpra m’i fshin gjurmët…

9. (LISAT U BËNË

KOKË MË KOKË)

POETI:

Ditë për ditë salmon furtuna

Malin, fushën i mbuloi guna.

Era turret, dhe gjëmon moti

Malet tona s’i tremb baroti.

Këngën e vet këndon përroni

Gjoksin para qëndron ftoni.

Thanës së fortë i ngrinë gishtat

Drerit me shokë iu sulën bishat.

DIMRI:

Gjoks më gjoks rrokem me drurin

Copë - copë e bëj edhe gurin.

Trimat në luftë ma dinë hujin

Frikë s’e kam Gjeto Basho Mujin.

Djersët s’di pse më rrjedhin ballit

Obobooo, kreshniku i hipi kalit!

POETI:

Ditë për ditë sulm, o shokë!

Lisat u bënë kokë më kokë…

10. (XHA NAIMI MU TURR

ME VARGJE)

Maleve bëra kërdi, të zbres fushës

Rruza të bardha t’u varë gushës.

Nxënësit t’i ndaj nga mësimi,

Xha Naimi.

Pusi t’u vë mu te dera

Librat, le t’ua marri era!

Dry t’i vë sot asaj nuses,

Njësh mësueses.

Sulm u bëra syve, fytyrës

Besnikë i qëndruan detyrës.

Vargjet mu turrën te Këndimi

Xha Naimi…

11. (POETËT MË SULMUAN

ME VJERSHA)

Zemra mu dobësua, ujë mu bënë teshat

Maleve, u nisa të ikë nga vjershat:

Mehmedali Hoxha më vuri pritë

Ali Huruglica pas tij një ditë.

Gaqo Bushaka me një roman

Rifat Kukaj nxorri jatagan.

Vehbi Kikaj m’i lëshoi gurrat

Abdulazisi Artan Artën si burrat.

Odhise Grillo pusi me një tregim

Ymer Shkreli: duart lart, o trim!

Fadil Bekteshi në “ Gëzimi “

Vahit Nasufi në libër këndimi.

Ymer Elshani me një përrallë

Adelina Mamaqi ballë më ballë.

Gani Xhafolli, më ndali n’rrugë:

Zotëri, mjaftë hëngre me dy lugë!...

12. (BILBILI E THIRRI

PRANVERËN)

Majë malit, u ula mbi një gur

Kufiri është këtu, ngula flamur.

Fytyrën do t’ma freskoj era

Këmbët të më pushojnë te dera.

Kreshnikët, s’do t’a shkelin pragun

Poetët do ta urtësojnë pak vargun.

Maleve të rritem, të bëhem trim

Vitin tjetër të sulmoj me guxim.

Lotët, po ç’më rrjedhin si lumi

Frikë kam, mos më zej gjumi!

Kënga e maleve e përplasi derën

Bilbili, vrik:  e thirri Pranverën.

Dimri i zemruar, e thirri ujkun

Bilbili me një këngë: Bujkun.

Dimri: unë jam Bajlozi i Zi

Bilbili: Unë, Gjergj Elez Ali…

13. (ADEM JASHARI U NGRITË

NGA SHTRATI)

Moti u prish, fryn veriu

Ademit ballin ia lag shiu.

Nëntë vjet ratë në shtrat

Nëntë plagë nëpër shtat.

Kosova plagët ia lan me lotë

Bajlozi i Zi del nëpër botë.

Kosovën ia kërkon, mejdanin

Ademi, s’e turpëroi vatanin.

Armët ngjeshi, muarr malin

Tym e mjegull e bëri kalin.

Bajlozit të Zi ia preu kokën

Ademi s’e jep Kosovën, tokën.

Nëntë vjet, nëntë plagë i pati

Ademi sot u ngrit nga shtrati…

14. (E BUKURA E DHEUT

ERDHI NË KOSOVË)

Dielli buzëqeshi, përshëndeti me dorë

Tungjatjeta lule, zogjë - ju zgjova!

Kënga dëgjohet larg shtatë orë

Festë ka Kosova.

Dasmorët ia marrin një kënge kreshnike

Cuca e heq vallen përkrah djalit.

Nusen e solli në Kosovën heroike

Ademi i malit.

Daullet, krisma m’zgjoi n’Kërçovë

E Bukura e Dheut erdhi në Kosovë…

Shkup, 1985 - 1999

Nga libri: Dimri s’vjen me lule (pesë poema për fëmijë, Shkup - 2007)



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora