Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare në diasporë
E diele, 13.09.2020, 09:50 PM
GJUHA SHQIPE DHE KULTURA SHQIPTARE NË DIASPORË
Nga
Frank Shkreli
Ditën
e shtunë me 12 shtator organizata
“Albanian American dual Language and Culture” (Dy-Gjuhësia dhe Kultura
Shqiptaro-Amerikane) dhe Shkolla
“Cildren of the eagle” (Fëmijtë e Shqiponjës), organizuan seminarin e tretë
shkencor mbi “Metoda arritje dhe perspektiva të mësimit të gjuhës shqipe në
diasporë” -- këtë herë në “zoom”. Seminari organizohet nga Drita Gjongecaj.
Ky
seminar për shkak të situatës pandemike këte vit është organizuar online. Vitin e parë u realizua në mjediset e Vatrës
dhe vjet në konsullatën e Kosovës.
Qëllimi është bashk?rendimi i përpjekjeve dhe zgjërimi i tyre në
funksion të mësimit të gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë tonë. Produkti i këtij seminari është i printuar në
një një libër ku ndodhen te gjitha referencat dhe prezantimet e kaluara.
Shpresohet që kjo përpjekje do shëndërrohet në traditë.
Më
poshtë mund të lexoni një përshëndetje timen në seminarin mbi misionin e
ruajtjes së kulturës dhe të gjuhës shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara:
____________
Mirëmengjesi
– përshëndes të gjithë pjesëmarrësit –veçanërisht organizatorët e këtij
seminari me drejtuesen zonjën Drita Gjongecaj.
Falënderoj për ftesën kolegën Marjana Bulku. E ndjej veten të nderuar dhe të privilegjuar
të jem me ju sot!
Me
kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë seminar për rëndësinë që
ka mësimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e kulturës shqiptare në botë e
veçanërisht këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore.
E
pranova ftesën edhe për të shprehur respektin tim për organizatorët e këtij
seminari si dhe mesueset dhe mësuesit -- të cilët as virusi nuk i ndal as nuk i
frikëson që të vazhdojnë misionin e tyre fisnik -- për ruajtjen e gjuhës dhe
kulturës shqipe në komunitetin
shqiptaro-amerikan. U lumtë!
Jam
i bindur se të gjithë ne jemi të vetdijshëm për rëndësinë që ka dy-gjuhësia,
sidomos në botën e sotëme të komunikimit nepërmjet internetit. Amerika, megjithëse i prinë botës në shumë
fusha të zhvillimit, nga pikëpamja e mësimit të gjuhëve të huaja dhe të
dy-gjuhësisë, fatkeqësisht, është mbrapa gjithë botës.
Në
këtë mjedis janë rritur e po rriten edhe fëmijt tanë, sidomos ata që kanë
lindur këtu, por edhe ata që kanë ardhur në Amerikë në një moshë të re. Jemi si një pikë uji në një oqean të madh, që
të përpinë.
Misioni
i juaj fisnik është që të shpëtoni sa më shumë nga këto pika uji, që të mos i
përpijë krejtësisht ky oqean i madh, e aq tërheqës, që e quajmë Amerikë.
Brezi
i juaj -- flas për valën e emigrimit pas shembjes së komunizmit – është shumë
me fat. Fëmijt tuaj janë edhe më me fat,
që komuniteti ka individë që posedojnë dijen, mundësitë dhe aftësitë si dhe
vullnetin e mirë për t’i organizuar dhe për t’i mësuar, në gjuhën dhe kulturën
e tyre të origjinës.
Jo
se duam të krijojmë në Amerikë, republikën tonë shqiptare, por gjuha dhe
kultura janë të rëndësishme sepse sa më gjatë që të jetojmë larg gjuhës,
traditave dhe kulturës tonë, aq më shpejt do të humbet edhe gjuha edhe
traditat, e si rrjedhim dhe përfundimisht -- edhe lidhjet me Atdheun.
Për
fat të keq, këtë fakt e dimë shumë mirë ne të brezit të vjetër në këtë vend.
Një
fat tjetër i mirë për brezin e sotëm, është fakti se mundësitë për të vizituar
Atdheun janë të shumta dhe pa pengesa, që për ne të brezit të vjetër ishte e
ndaluar. Kjo për brezin e sotëm duhet të
shërbejë edhe si një nxitje tjetër për të mësuar shqipen në diasporë.
Një
ënderrë e pa realizuar e intelektualëve më të dalluar shqiptaro-amerikanë të
dekadave të shkuara ishte themelimi i një katedre për studime dhe kulturë
shqiptare pranë një universiteti të njohur këtu në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës.
Fatkeqësisht,
një gjë e tillë nuk u realizua gjatë jetës së tyre, por ama ndodhi këtë vit kur
u hap, më në fund, Katedra e Albanologjisë në Universitetin më të vjetër
katolik në Amerikë, De Paul në Çikago, që sot drejtohet nga Dr. Gazmend
Kapllani.
Një
shkrim i imi duke njoftuar lajmin e mirë, me titull: “Historike-Themelohet e
para Katedër Albanologjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, sipas disa
botuesve ishte lexuar më shumë se pothuaj çdo shkrim tjetër imi, gjë që mund të
jetë një tregues, sadopak, i interesimit për ruajtjen dhe konsolidimin e gjuhës
dhe të kulturës shqipe në diasporë, jo vetëm në nivelin e një katedre
albanologjike, por edhe në nivelin e shkollave shqipe, në përgjithësi.
Prandaj
uroj në këtë 3-vjetor të seminarit Shkencoro-Arsimor që kjo nismë e juaja të
vazhdojë dhe të bëhet pjesë e përhershme e jetës dhe aktivitetit të komunitetit
shqiptaro-amerikan, për dekadat e ardhëshme.
Mos
u çuditni nëqoftse nga këto shkolla që ju drejtoni sot, vite më vonë, të dalë
një shkrimtar ose shkrimtare, si Jeronim De Rada i Arbëreshëve, i cili do të
unjisonte traditat më të mirat e këtij komuniteti me ato të Atdheut të parëve
tanë, si një trashëgimi brez pas brezi, që nuk do ta zhduknin as motet as
shekujt. Por, falë punës suaj të përkushtuar dhe të vazhdueshme – do të
lulëzojë si një shenjë e një tradite të kaluar të lumnueshme, dhe të një të
ardhmje më të ndritur, për shqiptarët, jo vetëm këtu në Amerikë, por kudo.
Siç
e dini, Arbëreshët e Italisë edhe sot pas më shumë se 500-vjetësh, e kanë
ruajtur gjuhën e të parëve, nën rrethana shumë të vështira -- me shkolla shqipe
dhe me katedrat e tyre kushtuar promovimit të gjuhës, kulturës dhe traditave
shqiptare.
Për
këtë, shqiptarët, pa dallim, u janë mirënjohës Arbëreshve të Italisë për
ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës, rrjedhimisht, edhe për rolin që ata
kanë luajtur në historinë e Shqipërisë gjatë shekujve.
Ashtu
edhe sot këtu në Amerikën tonë mikpritëse, u jemi mirënjohës dhe u falënderojmë
të gjithë ju për mësimin e gjuhës shqipe dhe për promovimin e kulturës
shqiptare brezave të rinjë në këtë vend mikpritës, ku kemi gjetur strehimin,
lirinë dhe demokracinë.
Në
një botë të huaj – Ju -- si misionarë të Kombit, në këtë moment të historisë --
u jemi përgjithmonë, mirënjohës! U jemi
mirënjohës mësueseve dhe mësuesëve si dhe veprimtarëve të shumtë të komunitetit
për punën tuaj fisnike dhe atdhetare – në baza vullnetare -- ndërkohë që ju
urojmë shumë suksese në vitet dhe dekadat e ardhëshme.
Ashtuqë
ëndërrat e dikurshme të intelektualëve të komunitetit shqiptaro-amerikanë, si
një dëshirë e parealizuar nga akademikët e njohur të këtij komuniteti, si Prof.
Arshi Pipa, Prof. Stavro Skendi, Prof. Nick Pano, Prof. Sami Repishti, Prof
Peter Prifti e shumë të tjerë -- të realizohen më në fund -- në saje të punës
dhe të përkushtimit tuaj -- në vitet dhe dekadat e ardhëshme – jo për një, pasi
një e kemi por për më shumë katedra të albanologjisë në Shtetet e Bashkuara dhe
në Evropë.
Nuk
jam i sigurt se në çfarë niveli janë marrëdhëniet dhe bashkpunimi i shkollave
shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara dhe cili është bashkpunimi i ambasadave dhe
konsullatave të Shqipërisë dhe Kosovës me këto shkolla. Por të gjithë e dimë se
cili duhej të ishte bashkpunimi. Roli i përfaqësive diplomatike shqiptare – të
Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës -- jo vetëm këtu në
Shtetet e Bashkuara por kudo në botë -- është
tepër jetik dhe i pazëvëndsueshëm në realizimin e objektivave të këtyre
shkollave due në mbështetje të misionit të tyre. Kemi pritur 50-vjet që dyertë
e diplomacisë shqiptare të hapeshin për ne. Tashti presim bashkpunim.
Më
vjen shumë mirë që në këtë seminar marrin pjesë përfaqësues të disa shkollave
shqipe në diasporë. Nëqoftse më lejohet
(do dëshiroja të bëj) një porosi: suksesi i juaj sot dhe në të ardhmen do varet
shumë nga bashkpunimi i ngushtë midis të gjitha shkollave shqipe në diasporë,
në realizimin e objektivave tuaja të përbashkëta për ruajtjen e gjuhës shqipe
dhe promovimin e kulturës shqiptare, në dhena të huaja.
Dua
të përfundoj me një paragraf nga Ernest Koliqi – i cili së bashku me Martin
Camajn mund të kenë qenë njerëzit që
kanë përhapur më së shumti gjuhën dhe kulturën shqipe në diasporë, për shiptarë e për të huaj -- e që besoj se
përmbledh dhe vlerëson aq bukur punën dhe rolin tuaj në përhapjen e gjuhës dhe
kulturës shqiptare në dhena të huaja – drejtuar lexuesve të revistës së tij
Shejzat në numrin Korrik-Shtator 1969:
“Lexues
i dashtun!
Kultura
ashtë shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh
vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në
vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të
shkrimtarve shqiptarë nuk dinë me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të
vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të
dijë shka bluejnë mendet ma të ndritura të bashkgjakasëve, si e shohin dhe e
paraqesin në pëlhura të tyne botën piktorët tanë, me çfarë tingujsh tregojnë
valavitjet shpirtënore të veta muzikantët shqiptarë, d.m.th. ai që kurrë s’kapë
në dorë një libër shqip, nuk soditë me andje nji piksim dalë nga nji dorë
shqiptare, as nuk shuen mallet e veta në melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së
madhe të kombit, ai veç se ka emnin shqiptar, por sa për të tjera mund të
njihet i huej në rrethin tonë.
Lexues
i dashtun, ashtu si e ushqen trupin me bukë e bylmet, ushqeje shpirtin me libra
e shfaqje të arteve shqiptare. Në një
skutë të shtëpisë s’ate, mos të mungojnë libri shqip edhe libri në gjuhë të
huej që flet për Shqipni. Në lexim të
tyne, gjaku i yt ka me gufue plot hare, se në të ke me ndie frymën e atdheut të
adhuruem.”
Besoj
se Ernest Koliqi – të cilin kam pas nderin dhe privilegjin ta njoh – p;r mua
njëri prej shkrimtarëve të preferuar shqiptarë, ndoshta i dyti mbas At Gjergj
Fishtës – do t’a miratonte shumë punën
dhe veprimtarinë tuaj – duke thenë se në punën tuaj, njeriu “ndien frymën e
atdheut të adhuruem”.
U
falënderoj për vëmendjen dhe u kërkoj ndjesë se e zgjata pak më shumë se
ç’duhej.